Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

MEDIAT DHE POLITIKA

Zhdukja e debatit publik, qëllim apo rastësi?

 

 

 

Nga Gëzim MEKULI

 

Mënyra sesi bëhet formulimi dhe dhënia e informatës, është vendimtare për informimin e opinionit publik. Me metodat e punës dhe me formën prezantuese të tyre, mediat kanë shumë aftësi dhe mundësi për të ndikuar në rezultatet përfundimtare para dhe gjatë zgjedhjeve të lira. Në lidhje me këtë, sociologu suedez Ulf Himmelstrand, ndër të tjera, përshkruan dy mënyra të mendimit për orientim politik, siç i quan ai, “mendimi i vogël” dhe “mendimi strukturor”. Informacionet sot ndahen në dy stile, në stilin copëtues (informacioni i mangët) dhe në atë strukturor (informacioni i plotë). “Mendimi i vogël” është vetëm një copëz e kufizuar dhe konkrete e realitetit si në kohë, po ashtu edhe në hapësirë. Ndërsa “mendimi strukturor” bazohet te lidhshmëria logjike mes pjesëve të ndryshme. Ky lloj mendimi ndriçon një hapësirë më të madhe, më të thellë dhe më të plotë të realitetit. Por, me rëndësi të veçantë është se cili mendim është më i përparuar në komunikimin politik që po zhvillohet në shoqërinë tonë, kush është dërguesi i porosisë politike në këtë shoqëri, cila është përmbajtja e porosisë së saj, roli i liderëve të opinioneve në komunikimin politik, etj.


Zhdukja e debatit
Jemi dëshmitarë, sesi mediat mundësuan që politika e ngushtë partiake të rrijë pa brenga në pozita të forta. Përpjekjet e mediave që t’u japin përparësi pikëpamjeve ideologjike, është reflektuar pa dyshim edhe në mendimet e popullit. Trajtimi që u bëhet sot nga mediat këtyre ngjarjeve historike, simboleve dhe traditave, bëri që “befasisht” të kemi edhe një ndërrim të mendimit të mëparshëm. Tashti (veçanërisht tek një numër i “intelektualëve” shqiptar në Kosovë) ndjehet dukshëm përbuzja ndaj historisë shqiptare, indiferenca për kulturën shqipe, që shpesh përdhoset sipas qejfit, apo edhe një lloj armiqësie ndaj gjuhës së njësuar shqipe dhe një zhvlerësim i vlerave të traditës shqipe në përgjithësi. Por, këtu është diçka me rëndësi që duhet theksuar. Me gjithë faktin e ndërrimit të opinionit, ne e dimë fare mirë se kishte dyshime, kritika dhe pasiguri në lidhje me këto qëllime të ndihmuara nga “organizatat e huaja humanitare”. Statistikat e shumta treguan se populli shqiptar ishte kundër decentralizimit në baza etnike, ishte për mos ndryshimin e kufirit dhe për dialektikën e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. Andaj edhe duhet pyetur: Përse nuk lexuam, nuk dëgjuam dhe nuk pamë mendimin kritik, analizën shkencore dhe debatin konstruktiv rreth këtyre pakënaqësive në mediat “tona”? Kritika u pa, u lexua dhe u dëgjua shumë pak, e kjo kryesisht ndodhi në gazetat e vogla dhe shumë më pak në ato të mëdha. Kritikët ishin shumë pak të ftuar në TV-të nacionale, e më shumë në ato lokale. Nuk kishim ndonjë debat të vërtetë.

Përse të dyshimtët dhe kritikët u zhdukën, u izoluan dhe nuk u eksponuan?
Një sqarim i mundshëm është se, kritikët u izoluan për shkak se gazetat e mëdha refuzuan vazhdimisht të botojnë artikuj kritikë, ose duke vendosur artikullin në faqe e pjesë të pakapshme. Nuk është sqarim i mjaftueshëm të thuhet se të gjitha kritikat u larguan dhe u amputuan nga mediat. Jo, sepse mediat kanë interes që të polarizojnë mendimet dhe idetë për të zhvilluar debat, e me këtë rast edhe të shtohet numri i blerësve të gazetave dhe i ndjekësve radiotelevizivë. Kështu që kjo do të thotë fitim për pronarët e mediave. Në këtë analizë do të përqendrohem në disa modele sqaruese, që ndikojnë në ndërtimin e opinionit publik dhe në bindjet e individëve. Këto modele mund të konsiderohen si sqarime të pjesshme, por me shkallë ngritjeje të kompleksitetit.


“Band-Wagon-effect”
I pari prej tyre quhet “Band-Wagon-effect”. E veçanta e këtij modeli është se këtu regjistrohet një tendencë te të dyshuarit dhe te të pavendosurit, të cilët duhet të zgjedhin mes dy pikëpamjeve apo personave me ngjyrime të ndryshme partiake, e turrjes dhe e bashkëngjitjes në “karrocat” partiake që kanë më shumë anëtarë. Kjo do të thotë se të dyshuarit dhe të pavendosurit rreshtohen më lehtë pas pikëpamjeve, të cilat kanë dominim në opinion. Këtu mund të flitet për një “bashkëvrapim partiak”. Është me rëndësi të jesh në një tabor me ekipin fitues, prandaj gjithnjë e më shumë persona u turrën dhe iu bashkëngjitën pikëpamjeve apo politikanëve, që kanë më shumë përkrahje. Në hulumtimet e shkencave mediale teoria mbi “Band-Wagon-effect” është e vjetër. Që para Luftës së Dytë Botërore janë zhvilluar hulumtime mbi zgjedhjet e lira në SHBA. Kjo teori është “dopinguese” dhe efikase për individët dhe grupimet, që nuk janë këmbëngulës dhe të qartë rreth ideve të tyre alternative, por janë të luhatshëm në pikëpamjet dhe në qëndrimet e tyre. Në lidhje me këtë, unë do t’i referohem një studimi interesant që është zhvilluar në SHBA, në vitin 1989, gjatë zgjedhjeve presidenciale në mes Georg Bush dhe Michael Dukakis. Statistikat, që tregonin rezultatet pozitive/prijëse për njërin nga kandidatët e që transmetoheshin nga mediat, shkaktonin ndikim më të fuqishëm te shtresat e popullit me arsimim të ulët, sesa në ato me arsimim të lartë.


Modeli i fuqisë
Sqarimin e pjesshëm të dytë e takojmë në teorinë e quajtur “modeli i fuqisë”. Shprehja “modeli i fuqisë” është instaluar në sociologji nga norvegjezi Stein Braten. Aktorët modelfortë në opinion konsiderohen dhe respektohen shembuj të mirë për idetë, për opinionet dhe për “analizat e tyre të thella” politike. Ata, që në fjalime janë të pasur me oratori dhe që kanë njohuri shprehjeje për një çështje të caktuar, fitojnë simbolin e të fortit. Në këtë mënyrë ata kontrollojnë modeldobëtit, pra kontrollojnë individët dhe grupimet të cilët janë dijenipakë dhe fjalëvarfër. Kështu modeldobëtit marrin, aprovojnë dhe thithin sqarime dhe informacione mbi botën reale nga modelfortët, duke mos qenë në dijeni se këta janë duke e përjetuar dhe kuptuar “realitetin” social, ekonomik e politik nga parimet e njerëzve të fortë. Komunikimi dhe debati publik në Kosovë është rast plot me elemente të kësaj teorie, ku ngritja e elitës simbolike të modelit të të fortëve ka përparësi. Ata që paraqiten vazhdimisht në media dhe që “diagnostifikojnë” situatën sociale-ekonomike, politike e ushtarake, fitojnë “modelin e të fortit”. Modeli i fuqisë nuk ndërtohet vetëm nga fjalët dhe përmbajtja e informacionit. Ky model ndërtohet po ashtu edhe nga autoriteti dhe “rrezatimi”, pra nga karizma e udhëheqësve, e cila vjen në shprehje nëpërmjet mënyrës së transmetimit të porosive të tyre në publik. Udhëheqësi karizmatik është një person, i cili ka aftësi të largojë dhe të zhdukë distancën në mes ndjenjave dhe impulseve të tij dhe publikut. Mjeshtërisht, ky lider ia “vjedh” vëmendjen publikut më parë nëpërmjet motiveve të tij, sesa nëpërmjet veprimeve të tija konkrete.

 

Në perspektivën politike vëmendja luan rol qendror sepse kjo është një instrument i fuqishëm politik. Vëmendja është e lidhur ngushtë me pasjen e fuqisë. Mospasja e fuqisë do të thotë izolim dhe i padukshëm në publik. Sipas Gentikow, vëmendja në opinion për politikanët dhe organizatat është çështje midis jetës dhe vdekjes. Udhëheqësi ynë i sotëm karizmatik, duke arritur që opinioni publik të përqendrohet te dëshirat dhe te personaliteti i tij, pengon që kundërshtimet dhe kritikat objektive të depërtojnë në publik. Duke krijuar përshtypjen për një angazhim të sinqertë dhe për një vetëkontroll rreth asaj që “atë e mundon”, ai bën që individi dhe publiku “të dorëzojnë pavarësinë” e vet dhe t’i nënshtrohen autoritetit të tij. Veçanërisht gjatë fushatës parazgjedhore, përveç opinionit, edhe gazetarët janë viktimë e elitës institucionale. Përqendrimi i gazetarisë së lajmit në burime të nxjerra nga elita e “ekspertëve ushtarakë dhe politikë” është i njohur. Në këtë mënyrë gazetarët e lajmit ndikojnë në përforcimin e monopolit të “modelit të të fortit”.

Në një situatë të tillë, shqiptarët në Kosovë pyesin: Mos, vallë, mediat shqipe të Kosovës kanë lëvizur nga roli i tyre në mbrojtje të demokracisë në drejtim të kërcënimit të idealeve demokratike?

Më shkruaj: gezim@mekuli.com

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama