Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Post-23 Qershor 2013

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 12 vite më parë

Artur Zheji
Post-23 Qershor 2013

E thjeshtë. Dhe shumë e qartë.


Edi Rama dhe Ilir Meta e mundën “mohikanin” e fundit të politikës 23-vjeçare postkomuniste shqiptare. Mbas Nanos, kjo dyshe çoi në skaj atë makinë lufte politike, që quhet Sali Berisha. Ngjitja e dyshes Rama-Meta ka filluar që në vitin 1998. Hap pas hapi. Një marshim i gjatë, gjarpërues, me të përpjeta dhe të tatëpjeta. Me tradhtira dhe helme vdekjeprurëse. Me komplote dhe shtirje. Me paqe të armatosur apo së fundmi me bashkëpunim të tendosur dhe, si gjithmonë, të armatosur.


Të rinjtë pra, rrëzuan në nokaut politik dhe jo vetëm, dy më të fortët e stafetës së vjetër. Kishin pa dyshim dialektikën dhe kohën e tyre me vete. Dhe një vullkan llavëplotë ambiciesh nën vete.
Tani janë fitimtarë.


Të dy.


E për sa i përket një zulme analistësh apo politikanësh të vetëshpallur analistë zgjedhorë, që lakuan deri në përçudnim logjik tezat pa teza brenda, se koalicioni me Metën e dobëson Partinë Socialiste dhe krejt rezultatin e të Majtës, këta marrokë e çamarrokë, por më shumë të marrë dhe të çoroditur të përjetshëm, duhet të fshihen diku për ca kohë. Faktori Meta doli në sipërfaqe me një uturimë të paparë dhe tronditës për të gjitha palët e tjera në garë. Një LSI kaq e shumëfishuar dhe, për pasojë, një forcë politike kaq e madhe centriste nuk ish parë asnjëherë më parë në këto 23 vite. Duket se pjesa gri dhe një pjesë e mirë e të djathtëve vendosën të shtegtojnë te Meta. Kjo gjë Edi Ramën e ka shqetësuar dhe do ta shqetësojë për mjaft kohë. Sepse subjekti politik që rilindi në këto zgjedhje, ishte LSI.


Mirëpo, sot çështja shtrohet nëse të qenët Dy, Dy Liderë të së Majtës është shumë. Sepse rezultati ndryn një kontradiktë dialektike, e cila, po u zgjidh në mënyrë konkurruese, e rrezikon shumë shpejt këtë koalicion triumfues.


Apo ata të Dy, Rama dhe Meta pra, do të dinë, ndryshe nga precedentët e përjetuar më parë, të pranojnë le të themi një të dytën e lavdisë dhe një të dytën e pushtetit.


Qoftë Rama dhe qoftë Meta kanë rrëfyer në të kaluarën e tyre politike se nuk i kanë edhe aq mirë punët me Dyshin. Ndonëse, ç’është e vërteta, Meta duket hera-herës se e ka kapërcyer këtë krizë dhe këtë trysni që të transmeton të qenët Dyshi. Sepse ka bashkëjetuar me sukses që nga viti 2004 me këtë ndjesi, jo edhe aq të këndshme.


Rama, nga ana tjetër, rrëfen hezitim të dukshëm ndaj Dyshit në përgjithësi dhe aq më tepër kur Dyshi quhet Ilir Meta në veçanti.


Diku nga Shkurti i këtij viti piva një kafe jo të shkurtër me Edi Ramën. Në një restorant miqsh, atë mbrëmje të ftohtë dimri, mbetur s’dihet pse, fare bosh. Takimi kish të bënte me ftesën për një debat TV, pjesë e kalvarit të gazetarit të këtyre kohëve, për të marrë në emisionin e vet VIP-at e politikës së ditës. Sepse gazetarët dhe emisionet TV, ashtu si edhe kanalet TV, janë shtuar shumë në fshatin tonë, në proporcion me xhunglën e informacionit mediatik shqiptar, më së shumti çoroditës dhe gjithmonë e më shumë asgjëthënës.
Biseda kish të veçantë një ‘shaka’ dashamirëse dhe shpotitëse të Metës ndaj Ramës.


-Thuaji Ramës a pranon të dalë ne debat me mua po të dojë! – m’kish thënë n’tel disa herë Meta.


Meta, pikërisht Meta, që i di mirë punët e veta. Tundimi ishte i madh për emisionin tim të porsaçelur, andaj duke shfrytëzuar kanalin e ndryshkur por jo të mbyllur komunikues me kryetarin e PS, ia çalltisa takimit me Edin.


Rama, mbërthyer nën jelek gri, pinte ujë me shumicë dhe bluante ngeshëm ca bajame dhe ca lajthi, të famshme si antioksidantë dhe ushqyese të fibrave muskulore. Ndërkohë jepte e merrte si pianist me dy telefona celularë njëherësh.


Siç edhe e prisja, refuzimi nga ana e tij e këtij debati ishte i shpejtë dhe i plotë.


Por nuk e kujtova fare kot dhe thjesht për vanitet këtë episod.


Tek pija edhe unë ca ujë nga uji i bollshëm i tavolinës, pa ia prekur as lajthitë dhe as bajamet, dëgjova një ligjërim të shkurtër dhe të rrallë.


- Tur, – tha Rama, – thuaji Metës që e kam kurrizin me plot plagë të politikës… dhe nga e kaluara kam nxjerrë mirë mësimet e mia. Thuaja hapur fare, sepse më duket se ai ka besim tek ti. Gabimet e të kaluarës nuk përsëriten më. Nuk duhet t’i përsërisim më! As unë dhe as ai. Thuaja! Ai e kupton se për çfarë e kam fjalën…


Kjo ishte pra, para shija e 1 Prillit që do të vinte. Në të vërtetë, Rama i përsëriti disa herë më pas edhe publikisht këto gjëra, që lidheshin me refleksionin e një marrëdhënieje të re mes tyre. Së paku në intervistën time të fundit me të, diku nga 18 apo 19 qershori i kaluar, Rama iu rikthye këtyre frazave.


Por sidoqoftë, këto refleksione bashkëpunimi janë zhvilluar pikë për pikë kështu, ndonëse nuk kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë, edhe kur veprimi politik i tyre ish drejtuar kah largimi nga skena i Fatos Nanos. Një largim mjaft më i lehtë se ky i Berishës tash. Më pas dihet se çfarë ndodhi.


Do t’i bëjnë sërish këto sprova, apo do të ndryshojnë realisht stil?


Çështja është se për disa vite të ardhshme, skena politike shqiptare, përballë të Dyve, do të qëndrojë pothuajse e parrezikshme dhe jo kërcënuese. Apo si një lëndinë me trëndafila. Pasi që ata kanë kësaj radhe kohën e tyre.


Partia Demokratike ka tash shumë plagë të thella për të shëruar. Plagë, të cilat dita-ditës do të dhëmbin më shumë. Sepse tradhtirat, dukuri tipike në partitë që vuajnë të qenët në opozitë, ende nuk kanë filluar. Konkurrimi për kryesimin e Partisë së mundur Demokratike, ka për të qenë një proces, shpresojmë mirë për shëndetin e Opozitës së ardhshme, pa pasoja të dhimbshme dhe pa dhimbje jetëgjata në radhët e saj.


Por askush nuk parashikon se do të jetë i përsosur dhe pa plagë të reja, që do të mund të dhembin gjatë. Të paktën kështu kuptohet kujdestaria e deklaruar e Berishës, që mbas humbjes së 23 qershorit nuk do të donte një humbje të dytë. Përçarjen e thellë dhe të pandreqshme të Partisë Demokratike.


Në këtë panoramë pra, të Dy, Rama dhe Meta, duhet të rithemelojnë marrëdhënien e tyre, si parakusht të pushtetit të tyre. Të një pushteti detyrimisht të shëndetshëm, që duhet të ndryshojë disa ekuilibra të rëndësishëm në ekonominë e tregut shqiptar. Sepse duhet të ngrenë në një kuotë të re rendimentin e ekonomisë shqiptare. Duhet ta mbrojnë atë nga kriza globale. Dhe të qeverisin sa më besnikërisht shpresën që më 23 qershor shumica e shqiptarëve vendosi me bollëk në duart e tyre.


E pra, nëse Berisha, ndonëse i mosbesuar kësaj radhe nga shqiptarët, lëvizi pozitivisht ca gjëra të rëndësishme këto dy mandate, në infrastrukturë dhe në energji, pritet, shqiptarët me votën e tyre presin, një lëvizje të dukshme përpara, sidomos në turizëm dhe në bujqësi.


Pritet pa dyshim një plan rregullator kombëtar, qoftë edhe “diktatorial” për bregdetin dhe turizmin. Për shëndetësinë dhe për tregun e punës. Për tregun e sigurimeve dhe sidomos për pasuritë nëntokësore aspak të vogla të Shqipërisë, të cilat janë licencuar shpesh e më shpesh në mënyrë klienteliste dhe aspak rentabël. Nafta dhe kromi pra, çmimet në bursën botërore të të cilave kanë fluturuar lart prej kohe.


Por a është kjo e mundur?


A është pra harmonia dhe bashkërendimi Rama-Meta një ekuacion i lehtë?


Së paku në 4 vitet që vijnë, kjo do të jetë dilema.


Dilema e vërtetë, Post.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama