Shqipëria pati më 23 qershor zgjedhjet parlamentare, të cilat tërhoqën vëmendjen tonë për më shumë se një vit. Në fakt, jo vetëm tonën. Të gjithë diplomatët e huaj që mbulojnë punët e vendeve, apo organizatave të tyre me Shqipërinë, kanë qenë njësoj të fokusuar te këto zgjedhje; madje, me mënyrën se si rrodhën (ishin pa probleme të mëdha dhe nuk u kontestuan nga pala humbëse), këto zgjedhje kanë përcaktuar dhe fatin e kërkesës sonë për të marrë statusin e kandidatit për në BE. Në datën 24, 25 qershor, e më tutje, diplomatë e eurokratë të ndryshëm lanë të kuptohej se e shohin shumë të afërt ditën kur Shqipërisë do t’i jepet statusi. Prova e zgjedhjeve është quajtur e kapërcyer prej tyre. Fjalimi i Ramës (një gjuhë kaq e paqtë, nuk ishte vënë re më parë këtejpari në gojën e fituesit) dhe pranimi pa një pa dy i rezultatit prej Berishës ishin vula që iu vu këtyre zgjedhjeve. Provimi u mor.
Media ndërkombëtare foli për këto zgjedhje. Por më shumë foli për një ngjarje tjetër, që kish lidhje me Shqipërinë e që ndodhi mú në pikun e gëzimit tonë prej zgjedhjeve të qeta. Foli për vendimin që kish më shumë se dy vjet që pritej të merrej, e që është marrë më në fund nga Shah Deniz II Group (“developers” quhen në gjuhën e biznesit grupe të tilla, që marrin përsipër financimin e projekteve gjigante të zhvillimit në një lëmë të caktuar) lidhur me gazpërcjellësin që zë fill në Azerbajxhan, në thellësitë e detit Kaspik, që kalon në Turqi, Greqi, Shqipëri, nën Adriatik e përfundon në Taranto të Italisë, për të furnizuar prej aty një pjesë të Europës. Shkurt, si për inat të tifozëve politikë që po prisnin me një kërshëri dridhmuese rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, këto të fundit, zgjedhjet pra, u eklipsuan nga një vendim i marrë qindra kilometra larg qendrave të votimit, ku ca komisionerë të parruar, të veshur me T-shirts e të mbuluar nga djersët prej vapës në sallat e numërimit të votave, po bëheshin gati të shpallnin verdiktin e madh, që do të ndante shapin nga sheqeri këtyre anëve. Lajmi i madh pra nuk ishin zgjedhjet. Lajmi i madh ishte ky vendim në favor të projektit me emrin e akronimuar TAP, ose thënë gjatë, “Trans Adriatic Pipeline”. Në fakt, me të drejtë. Zgjedhjet kanë atë rëndësi që kanë, sidomos në rrethanat e kontekstin ku po luante politika shqiptare, por ky lajm është ku e ku më i rëndësishëm.
Medias shqiptare nuk është se i shpëtoi ky lajm. Dhe nuk kish se si t’i shpëtonte. Është një ngjarje e madhe për Shqipërinë. Duhet të quhemi me fat (ka ca kohë që fati po na ledhaton ne shqiptarët, e prandaj nuk është mirë që të vijojmë të themi vend e pa vend, se “jemi vend i mallkuar”) që ky investim nga më të mëdhenjtë që bëhet në Europë prek dhe Shqipërinë. Fillimisht ky gazsjellës do të bëjë të mundur transportimin e 10 miliardëve kub gaz në harkun e një viti. Nevojat e Europës perëndimore janë shumë më të mëdha se sa kaq, dhe qysh tani, kontinenti plak importon afro 140 miliardë metra kub nga rusët, të cilët, nëpërmjet “GazProm”-it, kanë filluar qysh vjet ndërtimin e një tjetër gazsjellësi me emrin “South Stream”, që nis nën Kaspik, kalon nën Detin e Zi, kalon më tej në Bullgari, Serbi e Kroaci, e përfundon në Italinë e Veriut. Por “Trans Adriatic Pipeline” është një investim shumë më i madh se sa ky që është planifikuar fillimisht.
Mund t’mos na kapte si investim, pasi ka pasur dhe projekte alternative, siç ka qenë ai i “Nabucco”-s, i sponsorizuar mbi të gjithë nga rusët e nga fuqi të tjera europiane. “Nabucco” niste po njësoj në thellësitë e detit Kaspik (në pjesën ruse), por ndiqte një gjurmë tjetër: kapte Rusinë, Turqinë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë, Austrinë. Siç shihet, kanë qenë të shumtë aktorët në lojë, dhe kanë qenë të rënda lojërat e strategjitë. Dhe në fund, me miratimin e projektit “Trans Adriatic Pipeline”, ia kanë dalë mbanë të shmangin Rusinë si një furnitor ekskluziv të Europës, pasi kështu do të gjendeshin shpesh nën presione të natyrave të ndryshme. “Trans Adriatic Pipeline” pra është një korridor energjie që nuk varet nga Rusia e nga vende që janë satelite të Rusisë.
Por nuk është ky i vetmi motiv që është zgjedhur projekti në fjalë. Ka dhe arsye të natyrës ekonomike. Projekti që ndiqte gjurmën me destinacion Austrinë ishte nja 500 km më i gjatë (saktësisht, ishte 1300 km), dhe ata që mbështesnin TAP-in, d.m.th. pjesëtarët e konsorciumit Shah Deniz II (këtu bëjnë pjesë si aksionerë kompania azerbajxhanase kombëtare e gazit, “Socar”, “British Petrolium” e Britanisë së Madhe, kompania “Statoil” e Norvegjisë, “Axpo” e Zvicrës, “E.On” e Gjermanisë, dhe “Total” e Francës), kanë qenë të avantazhuar në planin ekonomik. Përveç kësaj, Italia, ndonëse ka si burim të mirë gazi Algjerinë, dhe Greqia, ndonëse është ende në krizë, janë tregje më të mira për gazin se sa Bullgaria, Hungaria e Rumania në rastin e projektit alternativ (Shqipëria është një faktor i vogël i pallogaritshëm në ekuacionin e gazsjellësve të këtij kalibri).
Po pse e gjitha kjo duhet parë si një lajm i bukur? Cili është interesi i Shqipërisë në këtë histori? Interesi i parë është i natyrës gjeostrategjike e gjeopolitike. Shqipëria ka qenë gjatë gjithë kohës një vend i brishtë, i pastabilizuar, me demokraci gjysmake e me një klasë politike të fokusuar ca si shumë në kacafytjet banale mes vedi. Dhe askush nuk ka pasur ndonjë merak mbi atë që ndodhte në Tiranë. E pse do të duhej të kishte? Çfarë pune i prishej kujt?
Ndërsa pas kësaj ngjarjeje, interesi mbi atë që ndodh në vendin e shqipeve do të jetë shumë më i madh (siç thamë më sipër, në grupin Shah Deniz II kanë aksionet e tyre Britania e Madhe, Gjermania, Norvegjia, Zvicra, Franca etj.). Jo më kot, dhe miratimi i këtij projekti u bë pikërisht tani që Greqia ka dhënë shenja se po del nga gropa e krizës. Kush do të derdhte kaq shumë pará në vende që konsiderohen të rrezikshme?
Po përfitime të tjera? E vërteta është se Shqipëria sot nuk ka nevojë praktike për gaz, por nesër, me ndryshimin e stilit të jetesës e me rritjen e nevojave të një industrie a ekonomie prodhuese, do të ketë. Në fund të fundit, është vetë ky gazsjellës që do ta prodhojë këtë nevojë. Edhe sikur të mos ndryshonte asgjë në Shqipëri prej shqiptarëve, do të rritej në këto rrethana interesi i të huajve për të investuar. Një gazsjellës që kalon në një territor të caktuar është një magnet i mirë për biznese të ndryshme.
Për më tepër, mjaft t’ju sjellim në vëmendje reagimin e grekëve me të marrë vesh se ishte miratuar ky vendim. “Vetëm në Greqi do të investohen 1,5 miliardë euro. Do të krijohen menjëherë dhe direkt 2 mijë vende pune, dhe më pas e në mënyrë indirekte, 10 mijë vende të tjera pune. Ky është zhvillimi ekonomik më pozitiv i 10 viteve të fundit”, u shpreh Kryeministri grek Samaras, kur mori vesh se marrëveshja TAP ishte nënshkruar.