Nuk dihet saktësisht se çfarë llogarish ka bërë Edi Rama në momentin që ka vendosur të ndajë mandatin e deputetit të mazhorancës nga përgjegjësitë në ekzekutiv. Është një ndarje që Kushtetuta nuk e bën, dhe afërmendsh, as nuk e pengon.
Shumë njerëz po përpiqen të zhbirilojnë në mendjen e kryeministrit të ardhshëm, të kuptojnë se cilat janë arsyet e vërteta që e kanë bërë atë të adoptojë këtë zgjidhje, por nuk është çudi ta ketë bërë për arsye që kanë pasur lidhje me situatën parazgjedhore, e më pak me atë paszgjedhore. Ky zotim i ka shërbyer për të mbajtur të motivuar shumë njerëz gjatë fushatës elektorale. Kodi ynë Zgjedhor e bënte shumë të lexueshme situatën paszgjedhore, me fjalë të tjera, dihej pa u bërë zgjedhjet se cilët do të ishin deputetët e ardhshëm. Vetëm një grusht kandidatësh do të rrinin në ankth deri në shpalljen e rezultateve; të tjerët, ata që ishin në vendet e sigurta të listës, nuk jetonin në panik. Sigurisht, këta të fundit kanë qenë të motivuar gjatë gjithë kohës n’daçi për shkak të mirënjohjes për faktin që partia (nënkupto: kryetari i partisë) i kish vënë të parët në listë, n’daçi për shkak të faktit tjetër, që përgjegjësia në rast dështimi do të binte më së shumti mbi ata që kryesonin listat. Por të tjerët kanë qenë po njësoj të motivuar prej mundësive që u jepte atyre vendimi për të ndarë mandatin e deputetit nga përgjegjësitë në ekzekutiv. Ky vendim krijon vende bosh në Parlament në rrethanat që deputetët do të pranojnë apo lakmojnë të bëhen pjesë e ekzekutivit, ose krijon shanse për pjesëmarrje në ekzekutiv në rrethanat që deputetët do ta refuzojnë idenë për t’u bërë ministra.
Pas zgjedhjeve, kjo lëvizje, duke qenë se shkurajon deputetët në ambicien e tyre për t’u bërë ministra, i jep ca hapësirë e liri aksioni më shumë kryeministrit, teksa do jetë duke zgjedhur skuadrën në qeveri. Afrim Krasniqi kish bërë dje në të përditshmen “shqiptarja.com” një analizë bajagí të mirë të kësaj risie dhe të efekteve që pritet të verifikohen prej saj gjatë legjislaturës së ardhshme, por nuk merrej vesh pse mendonte se kjo risi “e bën cilësinë e përzgjedhjes më të kufizuar, për pasojë edhe më të dyshimtë e më problematike”. Krasniqi fuste në ekuacion dhe detyrimet e marrëveshjet me aleatët, por kjo është një ndryshore (variabël) që nuk do të varej shumë nga kryeministri edhe në rrethanën që mandati i deputetit nuk do të ndahej nga mandati i ministrit.
Personalisht pra mendoj se kryeministri, me anë të kësaj lëvizjeje, e çliron veten nga ca detyrime e presione në procesin e kompozimit të ekzekutivit, madje e zmadhon jo pak hapësirën e manovrës së tij në mazhorancë apo në parti, sa herë që do t’i duhet të ruajë ekuilibra të prishur për një arsye apo për një tjetër. Dhe ky është qari i dytë që mund të ketë parë Rama në këtë mes (Hashim Thaçi duhet t’i ketë dhënë një info lidhur me këtë praktikë; madje, nuk është çudi që të jetë Thaçi njeriu që mund t’ia ketë shtënë në mend këtë shpikje; Thaçi i njeh mirë të gjitha përthyerjet praktike të saj). Ky është një avantazh, me të cilin Rama mund të lozë mirë, d.m.th me synimin për të ndërtuar një ekzekutiv me njerëz të zotë, të dijshëm, të ndershëm e vizionarë, por mund të lozë edhe ndryshe, d.m.th mund të ndërtojë një skuadër miqsh, shokësh e klientësh politikë, me të cilët mund të na imponohet të gjithëve për qëllime që s’kanë të bëjnë me interesin publik.
Po ndryshorja (variabli) LSI? Kësaj ndryshoreje Rama nuk ka ç’t’i bëjë, e në këtë kuptim është një gjë që ai e ka futur në preventiv. Meta ka rënë dakord me idenë e Ramës për të bërë ndarjen e mandateve ekzekutivë nga mandatet legjislativë, dhe ka rënë dakord shumë më shpejt se sa mendohej, por nuk është Rama që përfiton nga ky Ok i Metës. Është vetë Meta që përfiton në atë masë e për po ato arsye që Rama përfiton në “zonën socialiste” të qeverisjes. Të kuptohemi, Meta e ka nën hyqëm LSI-në në çdo kohë e në çdo rrethanë, por kjo loja e ndarjes së mandateve është një buton më tepër në pultin e tij të komandës.
E vërteta është se të dyve, edhe Ramës, edhe Metës, u është pastruar disi fusha e lojës. Presioni mbi ta për të marrë poste të rëndësishme në ekzekutiv vjen zakonisht nga njerëzit e fuqishëm afër tyre, apo në partitë e tyre, mirëpo këta të fundit janë anëtarë të Parlamentit, dhe është pikërisht ky status që këtyre iu intereson më tepër. Duket disi paradoksale. Statusi i deputetit është joshës për shumë arsye, por nuk do fare mend që portofoli i ministrit është jashtëzakonisht më i rëndësishëm në Shqipëri, dhe kjo për një logjikë të thjeshtë: ministrat kanë gjëra në dorë, kanë mundësi të bëjnë ndere, kanë kompetencën e tagrin të bëjnë tenderë, të shpërndajnë pará publike, të pushojnë e të punësojnë njerëz, dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, tërheqin më shumë vëmendjen e medias e të opinionit publik, janë më shumë të kërkuar nëpër studio televizive e janë më shumë protagonistë të jetës kombëtare.
Por puna është se posti i ministrit në rastin që ky i fundit nuk është deputet është krejt i pambrojtur. Një deputet që pranon të bëhet ministër e fut veten në një aventurë, me anë të së cilës mund të rrezikojë avenirin e vet politik, sidomos kur nuk bën pjesë në tarafin e kryeministrit. Nëse ndodh që largohet nga posti i ministrit, ai bëhet automatikisht i parëndësishëm, del nga loja, nuk kërkohet nga askush, mbetet me gisht në gojë deri në fund të legjislaturës. Dhe në fund të legjislaturës do t’i duhet ta rifillojë nga e para vardisjen e do t’i duhet të japë prova e garanci të reja luajaliteti ndaj kryetarit (nëse nuk është ndarë për fare me të, kuptohet).
Kjo është arsyeja që deputetët e mazhorancës, sidomos ata që kanë jetuar gjatë me ambicien për të marrë një post në ekzekutiv, nuk po dinë t’i gëzohen fitores. Sigurisht, deputetët e entourage-it të Ramës e të Metës janë të gëzuar që ç’ke me të (të jesh beniamin i kapos këtejpari vlen më tepër se çdo mandat), por të tjerët kanë kuptuar se nuk ia ka vlejtur barra qiranë të luftonin kaq shumë për një mandat parlamentar. Një pjesë kanë harxhuar dhe pará të tyret, të cilat nuk është e thënë t’i rikuperojnë plotësisht në rrethanat që do të mbeten thjesht deputetë. E prapëseprapë, shumica e tyre e kanë marrë vendimin: do të mbeten deputetë; dhe do t’i thonë “jo” ofertës për t’u bërë ministër.
Do t’i bëjë kjo më dinjitozë e më të lirë në aksionin e tyre parlamentar, apo do t’i mbajë po njësoj të ndrojtur e të trembur? Kjo mbetet për t’u parë. Ndarja e mandatit legjislativ nga posti ekzekutiv është një praktikë e njohur amerikane, dhe etërit themelues të Amerikës kanë synuar qysh në krye të herës me këtë përcaktim kushtetues të bëjnë një ndarje të legjislativit nga ekzekutivi, të valorizojnë rolin e deputetit e të rrisin kontrollin e Parlamentit mbi ekzekutivin. Kam frikë se ky nuk do të jetë rasti ynë. Në Kosovë nuk ka ndodhur kështu, gjithsesi. E prandaj, janë të pakta gjasat që kjo risi të ndryshojë ndonjë gjë në politikën shqiptare. Në thelb, po bëhet shumë zhurmë për pak gjë.