Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

(Ri)Qeveria

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Hoxha
(Ri)Qeveria

Pjesa socialiste e maxhorancës së re shfaqi menjëherë padurimin për të marrë komandën. Pas tetë vitesh në opozitë dhe me po atë numër deputetësh e përqindje votash, si për mrekulli – meritë e Ilir Metës – Edi Rama dhe socialistët e tij të politikës së re rilindën dhe, 75 ditët që ndajnë mrekullimin nga shenjtërimi, u duken tmerrësisht shumë. Padurimi u shfaq përmes dëshirës për një jetë të qetë private për Sali Berishën, më pas përmes nervozizmit rreth vendimeve të qeverisë aktuale pas zgjedhjeve, së cilës i kërkuan të ngrinte veprimtarinë e t’i linte vend, ende pa u zyrtarizuar, “Kryeministrit të Zgjedhur” që ndërmori edhe aksione me mbulim të gjerë medietik, si prishja e disa ndërtimeve aty-këtu e deri te takimet dypalëshe për të rilindur politikën e jashtme, duke ngritur në lartësinë e rëndësisë strategjike, si për ironi ndaj rilindësve dy shekuj më parë, Turqinë e Erdoganit që nuk e fsheh nostalgjinë otomane, e si për ironi ndaj ca naivëve majtistë e të revoltuar sot, atë Turqi ku protestohet e vriten njerëz si më 21 janar 2011 në Tiranë. Por duket se e kuptuan se 9 shtatori s’ka se si të mos vijë e, pas këtij ftillimi, falë edhe bekimit të Ilir Metës, e morën punën ca si më shtruar e sipas radhës: strukturë, emra, program afatshkurtër.

STRUKTURA
Edi Rama s’dukej në formë ditën që bëri të njohur strukturën e qeverisë. Fjalët mezi i dilnin. Timbri i zërit zbulonte shqetësimin që mbahej brenda me vështirësi. Nuk dha asnjë argument mbi modifikimet. Gjithçka duhej marrë me mend si e duhur. Shpalli se qeveria e re do të ishte eficiente. Premtoi shkurtime e modifikime të thella të strukturave aktuale pa dhënë ndonjë detaj. Në fund, emërtimi i ministrive dhe ministrave të shtetit e shkelmoi eficencën. Nga 15 ministri aktualisht, ku njëra ngjan më shumë me ministër shteti se Ministri, qeveria e re do të ketë 16 ministri dhe 3 ministra shteti pa llogaritur një agjenci të re, ajo e Administrimit të Bregdetit që, nga trajtimet medietike, ngjas si një thuajse ministri.

Për pasojë, rritje e shpenzimeve, të paktën për stafet e ministrave: shef kabineti, këshilltarë, sekretarë, zëdhënës, makinë, shofer. Të 14 ministrat socialistë që do të dorëhiqen, do të zëvendësohen me 14 deputetë socialistë pa llogaritur ata LSI-stë. Edhe këta me rroga e shpërblime. Sa për koston e pjesës tjetër të administratës, të shohim se ç’do të ndodhë me strukturat. Anatemoi superministritë e qeverisjes demokrate dhe i ndau ato. Kështu bëri me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duke e ndarë më dysh, pjesa e energjetikës dhe ajo për ekonominë e, së shpejti, çka drejtohej nga një ministër, do të drejtohet nga dy ministra.

Kështu bëri edhe me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, së cilës i hoqi veç pjesën e planifikimit territorial dhe të inspektimit përkatës, të cilin, me emrin e vjetër të zhvillimit urban, e zhvendosi te Ministria e re së bashku me turizmin që ia hoqi Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, të cilën e la thjesht “ministri kulture”, pasi i hoqi edhe sportin që e bashkoi me arsimin i cili, së bashku me punën prodhuese – ndryshe i quajtur arsim profesional – duket sikur i kthehet trekëndëshit të vjetër, edhe pse i mungon vetëm edukimi luftarak.

Sa për rininë, meqë e konsideron analfabete funksionale dhe pra, në nevojë për asistencë, atë e kaloi te Ministria aktuale e Punës, Përkrahjes Sociale e Shanseve të Barabarta, praktikisht ministria e asistencës, duke e riquajtur “të mirëqenies sociale dhe rinisë”, Ministri kjo që bëhet tashmë super-super ministri nga super ministri që është aktualisht.

Prish super-ministri e krijon të tjera.
Tha se Ministria e Brendshme mbetet po ajo por, në fakt, zhvendosi prej saj si administratën civile, ashtu edhe qeverisjen vendore duke ia kaluar këto, veçmas, dy ministrave të rinj të shtetit dhe Ministria e Brendshme rilind si “ministri e rendit publik”, veç me policinë në hyqëm. Punën për rilindjen e administratës të ministrit të ri të shtetit e nisi menjëherë përmes aplikimeve elektronike në adresë të partisë, ndaj ky ministër s’ka nevojë për ministri se ka partinë e s’ka ç’i duhet më shumë.

Ministrisë aktuale të Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit i shtoi emërtimin e zhvillimit rural, funksion që e kryen edhe aktualisht, por i hoqi inspektimin e sigurisë ushqimore që, me sa duket, do ta transferojë te Ministria e Shëndetësisë dhe, si kompensim, zhvendosi administrimin e ujërave nga Ministria e Mjedisit tek ajo e Bujqësisë.

Tek e fundit, të dy këto ministri do t’i mbeteshin LSI-së, ndaj ujërat si te njëra, si te tjetra mbetet një çështje e brendshme e asaj partie. Gjithsesi, nuk dihet ende se ç’fat do të kenë administrimi i pyjeve dhe ai i peshkimit por, me gjasa, edhe kjo mbetet një çështje e brendshme për shkëmbim mes ministrive metiste. Shqep aty e qep atje. Në fund, struktura e qeverisë së rilindur i ngjan përbindëshit të doktor Frankenstein.

EMRAT
Kur shpalli emrat, Edi Rama dukej shend e verë. I ishte kthyer batuta. Hallet me LSI ishin zgjidhur e ndaj e falënderoi sinqerisht Ilir Metën.

Asnjë surprizë. Në pjesën e tij ramiste, ministrat ishin vijimësia perfekte e politikës së re të para 2009-s, e eskremizmit mbijetues 2009-2011 dhe e rilindjes 2011-2013. Skifterët e rinj që i kishte stërvitur vetë në tetë vite të njehsimit të partisë me vetveten dhe të vetvetes me partinë, morën detyrat ministrore, siç ishte bërë e kuptueshme nga detyrat partiake që u kishte ngarkuar. Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i partisë, u bë ministri i Brendshëm i qeverisë. I shquar mediatikisht veçanërisht për prishjen e aktiviteteve të kundërshtarëve të brendshëm, organizimin e protestave para shtëpisë së njërit prej tyre e deri te gjobat për shpifje vendosur nga gjykatat që, sipas Tahirit, janë të kontrolluara nga ata që ai i akuzoi për të korruptuar.

Caktimi ministër ishte si profecia vetërealizuese. Erion Veliaj, drejtues faktik i rinisë së rifreskuar, vullnetari i ndihmës sociale për popujt e tri kontinenteve dhe ndërlidhësi me emigrantët, si edhe vetë i këtillë që në adoleshencë, u bë ministër i superministrisë së re asistencialiste. I palodhuri e i kudogjendshmi në kapitujt e programit rilindës, Ilir Beqa, u caktua te fronti më i vështirë, ai i Shëndetësisë. E po kështu me radhë ministrat e tjerë, që nga veterani i Financave Shkelqim Cani i cili, nga dita kur la drejtimin e Bankës së Shqipërisë, asnjëherë nuk i tha goja “mirë” për guvernatorin pasardhës e gjithnjë paralajmëroi rrënimin, e që tashmë u caktua të kullandrisë financat pa harruar se duhet të mendojë edhe për bujqësinë e Dibrës, kërkesë specifike e Edi Ramës ndaj tij – si dhe të gjejë paratë për Rrugën e Arbrit e që kështu Edi Rama të mbajë fjalën që i ka dhënë Shkëlqim Canit kur i kërkoi të kandidojë në Dibër, për të vazhduar me Ditmir Bushatin, kreu i antidiplomacisë në opozitë që u caktua kreu i diplomacisë në qeverinë e re e të tjerët me radhë deri te Milena Harito, me arsim e karrierë në Francë, por që gjashtë muajt e fundit nuk ngurroi të lexonte rrjedhshëm e fjalë për fjalë, nga selia manushaqe, tekstet e gatshme kundra Saliut, që i shërbyen njëherazi si kurs i përshpejtuar shkollimi partiak.

Asnjë nga ministrat socialistë të 1997-2005 nuk meritonte të rilindte. Ata që mbijetuan në këto zgjedhje, do të jenë nën shtrëngimin e dy darëve të morsës: skifterëve të rinj ministra dhe deputetëve që hyjnë pas lënies së mandatit nga të parët. Aty shtrënguar do presin pensionin e parakohshëm ose mrekullinë e shpëtimit prej tij. Ministrat metistë janë si vetë Ilir Meta, pra vazhdimësia e garancia. Dy shefa patën katër vite. Ia morën dorën, ndaj nuk e kanë të vështirë të punojnë përsëri me dy shefa. Aq më shumë që, tashmë, shefi i partisë ka shumë, shumë më tepër peshë e rol. Ai është rilindësi që rilindi shefin tjetër.

PROGRAMI
Kur e pyetën për mungesën e ministrisë së emigracionit, Edi Rama tha se po e ngatërronin me partinë e çamëve. Që e kishte thënë në takim me emigrantët në Greqi ia nxorën lehtësisht me pak kërkim në google. Ose e kishte harruar siç harron çdo fjalëshumë, ose gënjeu pa pikë gajle. Cilido qoftë shpjegimi, ai i qëndroi besnik vetvetes. Shëndetësia pa sigurime shëndetësore? Kësmet! Ndoshta në janar 2017. E rishesin për të dytën herë në zgjedhjet e ardhshme. Në fitofshin, shumë mirë! Në humbshin, ua lënë peshqesh demokratëve faturën e rindreqjes. Për të tjerat shohim e bëjmë kur e si do t’u vijë radha. Fillimisht do kontraktohet një audit i huaj për të noterizuar ç’ka është shkruar te Rilindja që në tetor 2011 përveç ç’ka është shkruar për ministritë e patericës së Saliut. Tashmë në (ri)qeveri Ilir Meta është trau mbajtës e me traun s’bëhet shaka.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama