Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fundi i Pranverës Arabe dhe Triumfi i Laicizmit Arab

1.

Pranvera Arabe e cila ka qenë një periudhë protestash për demokraci dhe rrëzimin e diktaturave laike në botën arabe, sot me ndërhyrjen e ushtrisë dhe vendosjen e gjëndjes së jashtëzakonshme në Egjipt duket se po vjen drejt një fundi. Pranvera Arabe e cila nisi me vetëvrasjen e Muhamed Bouazizit në qytetin e Ben Arousit të Tunizisë në 17 dhjetor 2010 dhe që nxiti protesta popullore të cilat rrëzuan diktatorin frankofon Zine el-Abidine Ben Ali, në këto tre vitet e fundit është shtrirë pothuajse në të gjitha vendet arabe ku masat e shtypura arabe janë çuar në protesta kundër diktatorëve të tyre laikë. Protesta masive ka patur në Algjeri, Arabinë Saudite, Bahrein, Emiratet Arabe, Jordani, Irak, Libi, Katar, Kuvajt, Marok, Siri, Oman dhe Jemen. Pranvera Arabe pati si pikë inspirimi të saj rrëzimin e papritur të diktatorit Ben Ali në Tunizi, i cili edhe pse mbahej në pushtet nga Franca për dekada me radhë, arriti që në mënyrë të papritur të largohet nga pushteti.

 

Revolucioni më i suksesshëm i Pranverës Arabe ishte ai i Egjiptit, ku pak javë pas largimit të Ben Aliut nga Tunizia, masat egjiptiane marshuan në janar 2011 në rrugët e Kajros dhe mbarë Egjiptit e kërkuan largimin e diktatorit filoamerikan Hosni Mubarak nga pushteti. Presioni mbarëpopullor kundër Mubarakut dhe brohorimat e tyre “Ja Mubarak ja xheban, ja amile l’amrikan” (O Mubarak o lepur, o legen i amerikanëve) e detyroi ushtrinë egjiptiane e cila e kishte mbajtur në pushtet për 30 vjet me radhë Mubarakun, që me një sjellje makiaveliste ta largojë nga pushteti dhe ti hapi rrugë proçesit demokratik në vend. Në zgjedhjet demokratike që ndodhën në vend në fund të vitit 2011 dy partitë islamiste të vendit Vëllazëria Muslimane (e njohur edhe si Ihvan al-Musliminët) dhe Selefistë – Vehabistët (e njohur si Partia al-Nur) fituan 38 dhe 28% të votave respektivisht. Ndërsa Muhamed Morsi përfaqësuesi i ihvanëve u zgjodh si presidenti i parë demokratik i Egjiptit pas shumë dekadash diktaturë.

 

2.

Por nëse në Egjipt dhe Tunizi masat e varfëra dhe të shtypura arabe arritën që pothuajse vetë të largonin diktatorët e tyre laikë nga pushteti, në vendet e tjera arabe, Pranver Arabe nuk solli rezultate të ngjashme. Në Arabinë Saudite, Oman, Bahrein, Kuvajt, Jordani, Emiratet Arabe dhe Katar ku Perëndimi ka interesa të mëdha strategjike, monarkitë  në fjalë, të mbështetura dhe këshilluara nga perëndimorët arritën që të shtypin me dhunë protestat demokratike. Në Arabinë Saudite dhe Bahrein regjimet vehabiste arabe përdorën tanket dhe masa represive për të burgosur, vrarë, internuar dhe frikësuar popullatat revolucionare. Por ndërsa monarkitë absolute të Gjiritë Persik Perëndimi i ndihmoi si ushtarakisht ashtu edhe mediatikisht në shtypjen e demokratëve, në dy diktaturat republikane arabe që nuk ishin filoamerikane, në Libi dhe në Siri, Perëndimi ndërhyri vetë ushtarakisht dhe ideologjikisht për të rrëzuar qeveritë në fjalë. Në krah të Amerikës në këto “revolucione demokratike arabe” u rreshtuan edhe diktaturat arabe të Gjirit Persik. Arabia Saudite, Emiratet Arabe dhe Katari dërguan me mijëra mercenarë vehabistë dhe miliona dollarë e armatime ndaj luftëtarëve të al-Kaedës për të rrëzuar Muamar al-Gadafin dhe Bashar al-Asadin.

 

Por ndërsa amerikanët dhe francezët Gadafin dhe Asadin i sulmuan nën justifikimin sa ata ishin “diktatorë” që “masakronin civilët” dhe nxitjen e luftërave civile e justifikuan si eksportim të demokracisë dhe “mbrojtje të civilëve”, aleatët e tyre sauditë luftën kundër Gadafit në Libi e justifikuan si xhihad kundër një qafiri komunist, ndërsa kundër Asadit si xhihad kundër një aleviti-shiit që ishte me imam Aliun dhe jo me kalif Ebu Bekrin e Islamit të para 1500 vitesh. Martesa e ideologjisë imperialiste perëndimore të “eksportimit të demokracisë” dhe “mbrojtjes së civilëve” dhe ideologjisë mesjetare të vehabizmit saudit të “xhihadit kundër shiitëve që shajnë shokët e profetit dhe të pafeve” edhe pse ishte një rrenë moderne, arriti që të mobilizojë me mijëra beduinë dhe injorantë arabë dhe besimtarë xhahilë muslimanë nga e gjithë bota të cilët vërshuan sa në Libi aq edhe në Siri për “të mbrojtur Islamin dhe synitët.” Në krah të imperializmit perëndimor u rreshtuan me qindra hoxhallarë vehabistë të cilët që nga Kosova e Shqipëria e deri në Kuvajt nxisnin “muslimanët e mirë” që të shkonin e vrisnin arabë në Libi dhe Siri.

 

3.

Po ndërsa kërkesa e popujve arabe për një botë të lirë dhe demokratike, pa shtypës dhe tiranë u degjenerua nga monarkitë e Gjirit e Perëndimi në një seri luftërash vëlla-vrasëse mes arabësh, Turqia e kryeministrit Erdogan kujtoi se më në fund bota arabe u bë demokratike dhe nxitoi që edhe ajo të bëhej pjesë e ndryshimeve që po vinin. Të manipuluar nga amerikanët dhe sauditët, turqit kujtuan se era e demokracisë dhe mirëqënies kishte trokitur për botën islame dhe ata nxituan që të marrin flamurin e këtij ndryshimi. Për këtë arsye qeveria turke u bë agjente dhe promotore e Amerikës dhe Arabisë Saudite për të nxitur ndryshimin e regjimit në Siri.

Kryeministri Erdogan ashtu si edhe presidenti Muhamed Morsi gjatë vitit  2012 u vunë në ballë të luftës diplomatike dhe ushtarake të botës arabe dhe synite për të rrëzuar nga pushteti “diktatorin” e Sirisë Bashar al-Asad përkrah “vëllezërve diktatorë” vehabistë të Gjirit Persik. Por ndryshe nga Libia ku NATO me në krye presidentin francez Sarkozi dhe kryeministrin britanik Kamerun u kujdesën personalisht që të vrasin në mënyrë barbare Gadafin dhe vendosin kukullat e tyre në pushtet, në Siri si Perëndimit ashtu edhe demokratëve e diktatorëve turq dhe arabë sharra u ngeli në gozhdë. Ndërhyrja e Rusisë në krah të regjimit sirian dhe kërkimi nga ana e saj e respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe mosndërhyrjes ilegale siç ndodhi në Libi apo Irak në 2003, bën që regjimi sirian të mbijetojë. President Sarkozi, emiri i Katarit Sheh Hamad bin Khalifa, sekretarja e shtetit amerikan Hillari Klinton, president Muhamed Morsi etj, që kërkuan largimin e Asadit nga pushteti, ndërsa vetë nuk janë më në pushtet, nuk arritën dot që të largojnë liderin sirian. Të mundur diplomatikisht dhe politikisht aleanca perëndimore e arabe sëbashku me Turqinë, nxitën luftë civile në Siri, luftë e cila ka rrënuar dhe shkatërruar një nga vendet më të begata dhe qytetëruara arabe dhe ka shtrirë rrënjët e urrejtjes sektare te populli sirian.

 

4.

Lufta Civile Siriane përbën kulminacionin por edhe degjenerimin e të ashtuquajturës Pranverë Arabe. Kjo luftë e cila nisi në mars të vitit 2011, përveç djegjes dhe shkatërrimit të shtetit dhe popullit sirian, ka patur pasoja të rënda për botën islame. Lufta Civile Siriane që nisi si një përpjekje për demokraci, por më pas u shndërrua në një luftë të Islami Sunit me ndihmën e Amerikës – kundër Islamit Shiit me ndihmën e Iranit dhe Rusisë – ku diktaturat arabe u aleancuan me Egjiptin dhe Turqinë demokratike dhe Perëndimin, ka patur pasoja të rënda në të gjithë Lindjen e Mesme. Nga Jemeni e Bahreini e deri në Siri, Liban, Turqi dhe Egjipt synitët me pushtet kanë sulmuar, vrarë e diskriminuar shiitët. Në Jemen janë masakruar shiitët huthi, në Bahrein 70%-shi i popullsisë që do demokraci, në Liban janë përplasur shiitët me synitët, në Egjipt gjatë kohës së Morsit janë masakruar shiitë, ndërsa në Siri alevitët që po shohin vehabitët që i therrin dhe i vrasin ngado si “qafirë” – po luftojnë me mish e me shpirt që të mos ja lënë pushtetin synitëve të cilët i kërcënojnë haptaz me zhdukjen e tyre. Fitneja sektare ka përfshirë edhe Turqinë. Komuniteti 20 milionësh alevit turk ka protestuar kundër qeverisë Erdogan e cila deri pak muaj më parë sillej si një qeveri sektare synite kundër alevitëve turq. Po ndërsa diktaturat vehabiste të Gjirit Persik luftën në Siri e justifikonin si luftë të synizmit kundër shiizmit dhe për këtë bindën edhe Turqinë dhe Egjiptin që të hyjnë në valle, në fakt gjëja që i shqetësonte më shumë diktaturat arabe dhe mbështetësit e tyre amerikanë, nuk ishte synizmi apo shiizmi apo demokratizimi i Lindjes së Mesme, por e kundërta. Ndërsa diktatorët arabë siç princ Talal bin Validi i i Saudisë ka deklaruar se ata tmerrohen nga sistemet demokratike islamiste që ihvanët duan të sjellin në botën arabe, Amerikanët dhe aleati i tyre në Lindjen e Mesme, Izraeli i druhen demokratizimit të botës arabe, pasi një botë arabe demokratike do të thotë që Izraeli dhe Amerika do të duhet të përballen me dëshirat demokratike të popujve arabë kur ata sulmojnë dhe poshtërojnë palestinezët.

 

5.

Grushti i shtetit që ndodhi në 3 korrik 2013 në Egjipt, dhe vendosja e masave të jashtëzakonshme e masakrat që ushtria laike egjiptiane po bën kundër protestuesëve sot në Egjipt, dhe mbështetja ekonomike, politike e ushtarake që diktaturat arabe të Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve Arabe dhe Perëndimi po i japin juntës ushtarake egjiptiane përbëjnë fazën e fundit të Pranverës Arabe. Pranvera Arabe e cila lindi për t’i çliruar arabët nga pushteti i monarkëve e mbretërve, dhe që kërkonte çlirimin e kësaj bote nga diktatura dhe varfëria, tani po e çon këtë botë në një situatë edhe më të mjeruar. Arabia Saudite e cila që prej dhjetorit 2010 strehon diktatorin tunizian Ben Ali dhe ka nxitur luftën civile në Siri nëpërmjet al-Kaedës, ishte fuqia kryesore që mbështeti me para dhe hapur grushtin e shtetit në Egjipt. Ajo bëri gjithçka që të minojë pushtetin e ihvanëve, sa me para aq edhe me vehabistët egjiptianë. E tani që ihvanët janë larguar nga pushteti ajo duket se është pala kryesore që përfitoi nga kjo që po ndodh në Egjipt dhe shumëçka që ka ndodhur gjatë Pranverës Arabe. Edhe pse ajo u dëmtua nga largimi i Mubarakut në Egjipt, tani që Morsi u largua nga pushteti, dhe pasi ka vrarë kritikun e saj më të madh në Libi – Gadafin, e pasi ka djegur Sirinë republikane, Saudija del si regjimi që ka përfituar më shumë nga gjurulldia që solli Pranvera Arabe. Përfitues të mbarimit të Pranverës Arabe janë edhe Amerika dhe Izraeli të cilët më fitnen që nxitën në këto trazira në Botën Arabe arritën që të shkatërrojnë dy regjimet republikane jo-kukulla dhe anti-izraelite të Lindjes së Mesme – Sirinë dhe Libinë. Arsenali ushtarak që Libia dhe Siria kishin mbledhur në gjithë këto vite, në vend që të përdorej për të mbrojtur arabët, falë ndihmës vehabite-saudite u përdor në luftën civile të arabëve me njëri tjetrin.

 

Të humbur nga Pranvera Arabe janë turqit dhe popujt arabë. Turqia e cila u bë aleate me armiqtë e saj osman, Arabinë Saudite dhe Perëndimin në djegjen e Sirisë, duket se i ka bërë varrin vetes. Aleati i saj i vetëm në botën arabe, president Morsi tani është i burgosur. Siria fqinjë jo vetëm që i ka prishur ekonominë dhe kufijtë por shkatërrimi i saj po krijon një Kurdistan të ri në kufijtë e vetë Turqisë. Kurdistani sirian sëbashku me Kurdistanin iraken që amerikanët kanë krijuar në Irakun e veriut dhe Kurdistanin turk që vetë qeveria Erdogan po krijon në jug të vendit, është një minë me sahat për Turqinë, e cila maksimumi në 20 vitet që do të vinë, do të piqet dhe do të çojë në copëtimin e Sirisë, Irakut dhe Turqisë vetë.

 

Humbës nga Pranvera Arabe janë edhe popujt e Egjiptit, Sirisë, Libisë, Libanit, Jemenit, Bahreinit, Arabisë Saudite, Palestinës etj të cilët edhe pse u munduan në këto vite që të krijojnë një botë më të mirë për veten e tyre, në fakt dështuan dhe tani janë të zhytur nëpër luftëra e fitne sektare. Siria dhe Libia janë djegur totalisht. Me qindramijëra gra janë përdhunuar, fëmijë janë lënë jetimë dhe miliona arabë janë bërë refugjatë. Egjiptianët dhe në veçanti islamistët e Egjiptit të cilët menduan se demokracia është sistem që funksionin dhe se Perëndimi i do demokratët dhe fajdexhijtë e FMN-së, janë më të dështuarit në gjithë këtë gjurulldi. Grushti i shtetit në Egjipt mbi ata do të sjellë vite të tjera diktature muhabaratësh laikë. Bashkëvuajtës me egjiptianët do të jenë edhe palestinezët, të cilët në një kohë që Islami politik po bie në Lindjen e Mesme, tashmë do të lihen në baltë nga laikët arabë në përballjen e tyre me Izraelin.

 

 

Por faj për këtë që po i ndodh sot Turqisë dhe arabëve nuk u kanë laikët, por vetja e tyre në radhë të parë. Islamistët e Egjiptit dhe Turqisë në vend se të islamizonin vendet e tyre, të rrisnin mirëqënien dhe të kërkonin paqe e reforma anti-laike për të përmbysur pushtetërisht klasën laike, për fat të keq u bënë sektarë e nisën luftëra sektare në Lindjen e Mesme kundër shiitëve e alevitëve dhe u bënë aleatë me vehabitët mesjetarë për të keqen e tyre. Vetëm 18 ditë përpara se ushtria në Egjipt ta rrëzonte presidenti Morsi me një tufë hoxhallarësh vehabistë i deklaronte xhihad Sirisë – në një kohë që vehabistët sauditë dhe laikët po i bënin gropën. Sikur Muhamed Morsi dhe islamistët arabë të kuptonin si duhet realpolitikën, dhe të kishin lexuar historitë e revolucioneve në Francë, Rusi, Iran apo sikur edhe veprat e Enver Hoxhës, ata do ta kishin kuptuar që një revolucion nuk mund të triumfojë përsa kohë që klasat e përmbysura nuk largohen totalisht nga pushteti. Në një kohë që Morsi dhe ihvanët i shpallnin luftë alevitëve të Sirisë për hir të Arabisë Saudite, klasa borgjeze dhe aparatçike e laikëve mubarakistë komplotonte me diktatorët sauditë dhe amerikanët për t’u bërë atyre gropën. Sikur president Muhamed Morsi dhe ihvanët të kishin lexuar pak më shumë historinë, dhe të mos ndiqnin fetvatë mesjetare të sheikëve sauditë për luftë me shiitët, ndoshta sot ata do të ishin ende në pushtet në Egjipt…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama