Ajo që bënë njerëzit e “Agimit të Artë” në Himarë para pak ditësh ishte thellësisht poshtëruese për shtetin shqiptar. Rrjedhimisht, është krejt e përligjur indinjata e madhe dhe shpesh pak e verbër që përfshiu opinionin tonë publik. Një shtet i poshtëruar e shpërndan dashje pa dashje erën e vet të keqe nëpër hundët e të gjithë shtetasve të vet.
Them se indinjata e shqiptarëve gjithandej ishte pak e verbër, duke pasur parasysh lumin e sharjeve pa hesap që vërshoi nëpër rrjetet sociale kundër kombit grek e kundër shtetit grek, apo edhe shfaqje në rrugë, si ajo që ndodhi në Fier, më duket, ku një grup të rinjsh gjaknxehtë mbështollën një qen bastard me flamurin grek. Ama, ishin krejt me vend të gjitha turfullimet kundër shtetit tonë, Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe qeverisë, për sa kohë që kjo qeveri, sipas vetë fjalëve të Kryeministrit, do t’i kryejë detyrimet e veta kushtetuese deri sekondën e fundit. Por shteti grek dhe as kombi grek me simbolet e tyre nuk na kishin kësaj here asnjë faj. Ata pelegrinë të çakërdisur këmishëzinj ishin po aq të mbushur me urrejtje edhe kundër shtetit të tyre grek. I takonte shtetit tonë “t’i kapte prej leckash”, siç ishim mësuar ta dëgjonim Jozefinën e, më së paku, t’i hidhte në kufi si zhele, pa të drejtën për të shkelur më kurrë në atdheun tonë.
Nëpër rrjetet sociale ishin të shumtë ata që qortuan posaçërisht lebërit pse nuk bënë siç bëri dikur Selam Musai me italianët, që donin të ngulnin telat me gjemba në Vlorë. Një qortim i tillë, i cili në vetvete është një thirrje për luftë, është një budallallëk me brirë po ashtu. Për fat, nuk i luajti damari aty për aty as Kreshnik Spahiut, i cili mund ta kishte shënuar barazimin.
Por, sado që pak ditë me vonesë, ky damar i luajti Sali Berishës. Jo ashtu siç e kisha menduar unë dikur, kur besoja sinqerisht se me Sali Berishën në karrigen ku është ende, nuk do të mund të ndodhnin kurrë brenda atdheut tonë të vogël lapërdhi si ato që pamë në Himarë. Më kujtohet e do të më kujtohet gjithmonë një çast gjatë luftës në Kosovë. Ushtria serbe, në ndjekje të luftëtarëve të UÇK-së, gjuante herë pas here me artileri brenda kufirit tonë. Në përgjigje të një proteste në OKB nga ana e qeverisë shqiptare, Milosheviçi kishte thënë gjithë përbuzje se ai do të mund ta pushtonte Tiranën vetëm me efektivin e shoqatës së gjuetarëve të Beogradit. Por ai nuk e kishte një qëllim të tillë. Isha vetëm me Berishën në zyrën e tij. Ai bënte ç’bënte dhe ma lexonte me zë të lartë këtë fjalë të Milosheviçit. Pastaj shtonte, si të fliste me vete: “Sigurisht, sigurisht, me një Kryeministër si Majko, ai (Milosheviçi) na vjen në Tiranë edhe vetëm me gjuetarët e lepujve”. Pastaj shtonte, duke m’u drejtuar mua: “Majko ka ngrënë çorbën që solli Nano nga Korfuzi”. Ishte fjala për takimin aq të përfolur Nano-Milosheviç në Korfuz. Unë kisha përshtypjen se Berisha e vuante në shpirt poshtërimin që Milosheviçi kishte hedhur me ato fjalë mbi shtetin tonë dhe më dhimbsej sinqerisht Shqipëria pse Berisha nuk kishte gjë në dorë në ato rrethana dramatike për kombin.
Nuk e di çfarë çorbe hëngri me vonë Berisha vetë, për t’u katandisur te ky që e shohim sot “t’i dalë për zot kombit” nëpërmjet Facebook-ut. Nuk ia vlen t’ia përmend edhe unë me këtë rast se çfarë kishte ai ende në dorë kur faqezinjtë e “Agimit të Artë” u turrën në Himarë. Ia kanë përmendur mjaftueshëm dhjetëra mijë nga “fansat” e tij virtualë kur e lexuan mesazhin që ai u kishte nisur. Do thënë, sidoqoftë, se, në zanafillë, mesazhi i tij nxjerr qartë në pah pafuqinë e tij, arsyen e së cilës ai e di më mirë se askush tjetër. Nuk është një pafuqi kompetencash. Ne, si qytetarë të këtij vendi, mund të shohim vetëm se si pafuqia e tij bëhet vetvetiu pafuqi e gjithë shtetit pikërisht për shkak të pushtetit që ai vazhdon të mbajë në sajë të Kushtetutës së Republikës sonë.
Jo vetëm në zanafillë, por edhe në përmbajtje ky mesazh ishte më së pari në dëm të Berishës vetë si një politikan që e ka dominuar skenën politike shqiptare të 22 vjetëve të fundit. Me gjithë përvojën e tij aq të gjatë në politikë e në pushtet, Berisha tregon se jo vetëm nuk është më në gjendje të marrë vendime e të veprojë si burrë shteti, por ai nuk është në gjendje as të analizojë si politikan një ngjarje specifike, siç ishte kjo në fjalë. Ai u kujton ithtarëve të “Agimit të Artë” se u sollën si nazistë duke politizuar një ceremoni përkujtimore, ndërkohë që ata vetë e shpallin veten publikisht, madje me krenari, qysh në veshje, në sjellje e deri në simbolet e tyre, si trashëgimtarë ideologjikë të nazizmit. Dhe me këtë flamur kanë marrë, aq sa kanë marrë, vota në vendin e tyre. Rrjedhimisht, ata nuk do të ndryshonin sjellje pse ishin qasur te oborri i vilës qeveritare, ku kalonte për herë të fundit pushimet e tij si Kryeministër Berisha, për të thyer me këtë rast edhe një herë rekordin e vet personal të qëndrimit në ujë. Ndërkohë, për t’iu kundërvënë pretendimeve të tyre për përkatësinë greke të Himarës, në analizën e tij Berisha kujton se himarjotët kanë të njëjtën ADN dhe nëngrup gjaku me banorët e fshatrave përreth Bregut, ku as është folur kurrë e as flitet sot e kësaj dite greqisht. Të dhënat me burim ADN-je apo grupet dhe nëngrupet e gjakut vazhdojnë t’u shërbejnë antropologëve për studimet e tyre. Por, i fundit politikan që ka përdorur gjakun për të përcaktuar përkatësinë kombëtare të njerëzve, ka qenë Hitleri. Siç dihet, Hitleri unifikonte racën me kombin dhe i la Europës e mbarë njerëzimit atë trashëgimi që i la. Karta e Kopenhagës, të cilën Berisha e njeh shumë mirë, ka kritere krejt të tjera, pa lidhje me ADN-në e grupin e gjakut, për të përcaktuar përkatësinë kombëtare të individit. Shkurt fjala, tani e në vazhdim Berisha ka nevojë për dikë që ta ndihmojë të heshtë. Asgjë më shumë, heshtje, sado e vështirë të duket kjo gjë në rastin e tij. Ky është shërbimi më i çmuar që mund t’i bëjnë dashamirët atij dhe ai vetes së vet. Mundësisht 18 orë heshtje dhe kohën tjetër gjumë. Sa më pak ta dinë shqiptarët çfarë lëvrin tashmë në mendjen e tij, aq më pak do të bjerret respekti i mbetur për të.
Janë edhe disa hollësi në këto ngjarje, të cilat marrin kuptim të rëndësishëm për opinionin tonë publik, por që Berisha i lë me dashje krejt jashtë vëmendjes së tij. Prifti i kishës së Shën Spiridhonit nuk pranoi që meshën përkujtimore për të ndjerin Aristotel Guma ta përshtaste me qëllimet e njerëzve të “Agimit të Artë”. Nga kronikat në media u la të kuptohej se në fjalë të fundit, ky prift, për të mos përdhosur kanonet e shtëpisë së Zotit, i kishte mbyllur kishën shpurës naziste. Fakt është se ata e zhvilluan ceremoninë e tyre në varreza. Prifti, pra, e bëri detyrën e tij në përputhje me kodin e misionit që kryen. Kameramani i Top Channel u pengua të filmonte. Ai nuk u tremb, megjithatë, as nga kërcënimet e as nga përdorimi i duarve kundër tij, sado që nazistët kanë dorë të rëndë. Siç e pamë nga kronika e transmetuar në mbrëmje, ai e kreu detyrën e tij në përputhje me kodin e gazetarit për të informuar çfarë ndodh, qoftë edhe duke marrë në sy rreziqet e mëdha. Ndryshe nga dy vitet e mëparshme, kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, nuk iu bashkëngjitën kësaj here maskaradës së “Agimit të Artë”, duke treguar kështu, ndoshta, një reflektim të drejtë për detyrën që ata kanë ndaj komunitetit minoritar grek në Shqipëri. Për vetë funksionet e tij, Berishës i takonte ta thoshte një fjalë përgëzimi për të gjithë ata që bënë detyrën. Por nuk e tha një fjali të tillë qoftë edhe me majën e buzëve.
Berisha nuk ishte i lirë për ta thënë fjalën e mirë për ata që bënë detyrën. Përveç të tjerash, karvanit të “Agimit të Artë” iu bashkëngjit vetëm një figurë me përgjegjësi politike në Shqipëri. Ky ishte kryetari i partisë tjetër të minoritetit grek, MEGA, Kristaq Kiço, një aleate e konfirmuar e Berishës kjo parti, me përfaqësues deri në kabinetin e tij qeveritar. Berisha, sigurisht që nuk është zënë në befasi kur e ka parë Kristaq Kiçon në krah të nazistëve grekë. Ministri i tij, Spiro Ksera, figurë themeluese e kësaj partie, ka shkuar haptas në Greqi për të marrë pjesë në manifestimet politike të “Agimit të Artë”. Berisha nuk ka pasur nevojë që këtë informacion t’ia sillnin shërbimet diplomatike apo shërbimet sekrete. Fotografitë e Kserës shend e verë në krah të eksponentëve më të lartë nazistë janë botuar e ribotuar në shtypin grek e në atë shqiptar. Megjithatë, Berisha e mbajti e po e mban deri në fund në kabinetin e tij dhe, madje, pa iu dridhur syri, e rikandidoi në listën e PD-së për deputet në zgjedhjet e fundit, duke besuar, me sa duket, se edhe zgjedhësve të qarkut të Gjirokastrës u ishin zvetënuar parimet ashtu si atij vetë. Zgjedhësit e këtij qarku nuk votuan për Kserën, por Berisha nuk ka më vullnet për të lexuar mësimet që i vijnë nga sovrani popull, qoftë ky popull i Gjirokastrës apo i mbarë Shqipërisë.