Kjo fjalë, pra “higjiena”, vjen nga “hugieinon”, që në greqishte të vjetër do të thotë “shëndet” dhe me të drejtë “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) e përkufizon higjienën si “tërësinë e rregullave dhe të masave praktike për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit” dhe si “degë të mjekësisë që studion mjedisin dhe mënyrën si duhet të jetojë njeriu për të ruajtur shëndetin”; ky fjalor përmend gjithashtu tri lloje higjiene: higjienën vetjake, higjienën e dhëmbëve dhe higjienën e punës (Në fakt, higjiena e dhëmbëve është edhe ajo vetjake, kurse higjiena e punës mund të jetë vetjake, por edhe kolektive); së fundi, ky fjalor na mëson se fjala “higjienë” ka për sinonim atë “pastërti”. Fjalori “Le Petit Robert 1” i gjuhës frënge, përveç përkufizimit të termit në fjalë, fort të ngjashëm me atë të fjalorit shqip, sjell një gamë më të pasur llojesh higjiene të shoqëruara me përkufizimet e tyre; kështu, atje lexuesi mëson se ekziston një higjienë ushqimore (d.m.th. si të jetosh e të ushqehesh shëndetshëm), një higjienë mendore (tërësia e masave që kanë për qëllim t’i ruajnë të pacenuara funksionet psikike), një higjienë sociale (me theks te mbrojtja e funksioneve sociale), një higjienë publike (tërësia e mjeteve të përdorura nga autoritetet publike për të mbrojtur dhe përmirësuar shëndetësinë brenda një vendi) dhe një higjienë kolektive (pastrim, dezinfektim, profilaksi).
Në vendin tonë, sidomos pas shembjes së regjimit hoxhist u hap një goxha perspektivë në fushën e të gjitha llojeve të sapopërmendura të higjienave. Kështu, përballë rrezikut që përbën sot për ne, shqiptarët, obeziteti, pra, dhjamosja, po flitet përherë e më dendur për higjienën ushqimore; përballë ndotjes së llahtarshme të mjedisit natyror e shoqëror shqiptar, po flitet edhe për higjienën sociale e publike, individuale e kolektive; përballë rritjes së numrit të krimeve në familje e shoqëri, po flitet edhe për higjienën mendore të shqiptarëve të shekullit XXI etj., etj. Madje, ka nisur të flitet edhe për higjienën gjuhësore, duke pasur parasysh dyndjen, në gjuhën shqipe, e fjalëve e të shprehjeve të huaja të panevojshme (kjo, nga padija apo nga snobizmi, pak rëndësi ka).
Sidoqoftë, ende nuk po flitet, fatkeqësisht, për higjienën politike, mungesa e së cilës bie në sy pa qenë fare nevoja të pajisesh me dylbi dhe aq më pak me teleskop. Me siguri që qeverisë së re, nën drejtimin e zotit Rama, me të hyrë në funksion, do t’i duhet ndoshta të mendojë për ngritjen e një instituti të mirëfilltë studimesh në fushën e higjienës politike. Sigurisht që sot në Shqipëri duhet të ketë, me gjasë, politikanë të përgatitur e kompetentë si majtas ashtu edhe djathtas; sigurisht që higjiena e tyre vetjake (e kokës dhe e trupit me të nëntë vrimat që kanë normalisht) duhet të jetë, me gjasë, gati e përkryer; sigurisht që higjiena e tyre mendore, ma ha mendja, por jo krejtësisht intuita e bazuar te faktet dhe tek ecuria e politikës shqiptare këto njëzet e ca vitet e fundit, pra, higjiena e tyre mendore nuk lë për të dëshiruar (në vështrim të parë, kurse në vështrim të dytë, të tretë, të trembëdhjetë etj., etj., nuk i dihet, gjithsesi); sigurisht që pozita dhe opozita, Legjislativi dhe Ekzekutivi, pushteti qendror dhe ai vendor, prokuroritë dhe gjykatat e niveleve të ndryshme, funksionojnë deri diku mirë, deri diku jo fort mirë, deri diku keq, por askush nuk e ka verifikuar gjendjen, cilësinë dhe besueshmërinë e higjienës së tyre politike.
Për ta kryer këtë verifikim do të duhej të ngriheshin ekipe të kualifikuara, të përpiloheshin teste të hollësishme të bazuara shkencërisht në përvojën ndërkombëtare, por sidomos edhe në historinë e në psikologjinë e homo politicus albanicus- it, për të cilin dihet tashmë se, siç shprehej D’Alembert-i, filozof, shkrimtar dhe matematikan francez i shekullit XVIII, “la politique est l’art de tromper les hommes” (politika është arti i të mashtruarit të njerëzve”).