Gjërat nga anët tona kanë nisur të bëhen papërballueshmërisht të lehta. Nuk bëhet fjalë vetëm që të kanosësh tjetrin, ta grabisësh, t’i marrësh erzin në mes të ditës. Madje nuk bëhet fjalë që edhe t’i marrësh lehtësisht jetën. Jo, me këtë tashmë jemi mësuar këtu e tash sa kohë. Bëhet fjalë për gjëra që janë, të rëndësishme, nga ato me të cilat merren të mëdhenjtë, qeveritë vetë.
Kështu për shembull ishte fare e lehtë, që në konfliktin për pronësinë e SHQUP-it, të deklarohej fare hapur, pa droje, pa hezitim, se në këtë mesele ishte ngatërruar edhe vetë familja presidenciale. Pra kalimi i pronësisë nga shteti te PD-ja ishte një konflikt fare i hapur interesi. Kështu u tha nga njerëz që janë fare seriozë, të paktën nga më seriozët që dalin nëpër ekranet e TV. Presidenti dhe bashkëshortja e tij u mbrojtën me indinjatë. “Ne nuk kemi asnjë lidhje me pronën të cilën na e mveshën për qëllime të ulëta politike”, ishte pak a shumë deklarata e familjes presidenciale. Kështu lehtësisht, njësoj sikur të bësh një thashethem pa të keq për një mik të vjetër, muhabeti u bë tërkuzë. Sigurisht që në këtë histori ka dy palë: njëra që gënjen dhe tjetra që thotë të vërtetën. Të paktën kështu duhet të jetë logjikisht, por ja se ku historia e sajuar fare lehtësisht, popullin shqiptar e la me dy të vërteta që janë krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Në këtë mes dikush prej të dyja palëve gënjen. Nëse gënjen Presidenti, atëherë kjo është një gjë shumë e rëndë, dhe sigurisht që një President i tillë nuk ka se kujt t’i duhet. Por ama nëse gënjen pala tjetër edhe kjo nuk është edhe aq e lehtë. Sido që të jetë sajuam një histori që, po aq lehtësisht sa lindi po aq lehtësisht edhe po harrohet. Ndërkohë energji, nerva, kohë, para, u harxhuan po aq papërballueshmërisht lehtësisht. E vërteta humbi dhe madje tani duket se për të askush asnjëherë nuk ka qenë ndonjëherë i interesuar. Të tjerë, jashtë dy palëve, thanë po aq lehtësisht se mbrojtja e Presidentit ndaj akuzave publike nuk ishte gjë tjetër veçse një paradhomë ku mund të shikonim që tani marrëdhëniet e acaruara mes Presidentit Nishani dhe qeverisë “Rama”. U tha e u shkrua kështu papërballueshmërisht lehtësisht, a thua se po thua që dy fqinj të lagjes nuk po shkuakan edhe aq mirë me njëri-tjetrin. Me pak fjalë ata që e thanë këtë gjë na bënë me dije që të bëhemi edhe një herë gati për kohë të vështira, për ngërçe, për bllokime, për fytyra të egërsuara e për gjëra të ngjashme, të cilat sekush prej nesh dëshiron t’i harrojë. U tha? Punë e madhe nëse nuk rezulton e vërtetë! E kujt i intereson në fund të fundit?
Në këtë punën e lehtësisë duhet të na ngushëllojë fakti që nuk jemi vetëm në gadishullin tonë të madh. Krejt lehtësisht, si pa gjë të keqe, njësoj sikur të ishte në tokë të vet, qeveria greke lëshoi disa ditë nota akuze ndaj një incidenti që kishte ndodhur mes drejtësisë dhe kishës shqiptare, e kjo duhet theksuar mes kishës dhe shtetit shqiptar dhe jo të tjerëve. Fare lehtësisht Ministria e Jashtme e Greqisë harroi se jo çdo ortodoks është shtetas apo me kombësi greke dhe se tashmë në Ballkan ka kohë që kisha autoqefale që kanë pavarësinë e tyre. Pas kësaj, në një reagim fare naiv, përgjatë një paraditeje u bllokuan me mijëra shqiptarë që kërkonin të shkonin në Greqi. Jo sikur të ishte shteti që pretendon të jetë “shteti amë i demokracisë, por sikur të ishte një fëmijë i llastuar, shteti grek bëri të vetmen gjë që kishte në dorë të bënte, bllokoi kufijtë. Një gafë lehtësisht trashanike, sikurse e pranuan indirekt dje vetë grekët në orët e parambrëmjes. Problemi pra është i qartë: gjëra që janë lehtësisht të evitueshme, janë shndërruar në gjëra lehtësisht të papërballueshme, brenda dhe qark nesh.
Thuajse njësoj ndodh edhe me telashet e përjetshme të romëve. Sikur romët, që jetonin në kasollet e tyre diku në të dalë të Tiranës, të mos ishin detyruar të largoheshin që andej, askush prej përdëllimtarëve të sotëm nuk do të ishte marrë me ta. Rasti e solli që disa duhej të bëheshin flamurtarët më të madh të të drejtave të njeriut dhe kjo, sikurse shumë gjëra të tjera në vatanin tonë, bëhet fare kollaj, papërballueshmërisht lehtësisht. U harrua se romë nuk ka vetëm në Tiranë, por anekënd vendit. U harrua se ato janë një popull që ka një dashuri të madhe: lirinë e lëvizjes nën qiellin e hapur. U harrua se shumë prej tyre nuk kanë asnjë lloj shtetësie, karte identiteti apo pasaporte, nga ku duhej edhe të niste lehtësisht debati. U harrua gjithashtu se problemi i romëve është lehtësisht i lidhur me problemin e të pastrehëve dhe të varfërisë kudo në Shqipëri, edhe për ata që nuk janë romë. Nëse vazhdojmë kështu, atëherë Avokati i Popullit më mirë le të quhet ministri i Romëve dhe Çështjeve të Tjera, ndërsa ne, gjithë të tjerët që mbetemi, duhet të dënojmë Perëndinë që nuk na lindi romë. Mbeti pa përgjigje të qartë edhe pyetja që bëri ambasadori i BE-së në Tiranë, Sequi: Për çfarë u përdorën ato 3 milionë euro që kemi dhënë vitet e fundit për këtë punë? Është lehtësisht qartësisht, papërballueshmërisht e kuptueshme që një pjesë e mirë, nëse në mos janë bërë rrush e kumbulla, të paktën nuk kanë mbërritur në objektivin e tyre.
Kështu duke bërë e parë gjëra lehtësisht të evitueshme kemi krijuar rreth vetes një sferë të padukshme mbytëse që na mpak mendjet, na zverdh ëndrrat, na bën më të sipërfaqshëm e më pak të ndjeshëm, na bën të jemi një popull që vazhdimisht përsërit: Hë mo, se më mirë do bëhet! A ka më keq se kaq? Në fakt, të gjithë e dimë se e keqja, më shumë se e mira, është gati e pafundme. Kjo është lehtësisht papërballueshmërisht krejt e qartë. Njësoj si shumë gjëra të tjera që na rrethojnë përditë.