Siç dihet, vetmia është një gjendje që karakterizon jo vetëm njerëzit dhe qeniet e tjera të gjalla si, për shembull, kafshët, por edhe sendet, veçse me një ndryshim thelbësor: njerëzit janë të vetëdijshëm për vetminë e tyre, ndërsa kafshët e ndiejnë atë instinktivisht; përsa u përket sendeve, ato janë të pavetëdijshme për atë. Këtë po bluaja me mend para disa ditësh ngaqë brenda një jave kisha parë, në një rrugë kryesore të Tiranës, rreth çdo njëqind metra, nga një bidon të vetmuar, bosh, pa pikë uji (në mes të kësaj vape, aq më tepër) mbi asfaltin e tejnxehur, jo më shumë se një metër larg trotuarit. Vetmi bidonësh! Çuditërisht, personit që i kishte vendosur për çdo rast atje, as që i kishte shkuar ndër mend që të vinte të paktën edhe një bidon tjetër aty pranë sa për t’i bërë shoqëri të ngjashmit të tij të vetmuar. Sigurisht, secili nga bidonët në fjalë kishte për detyrë të ruante vendin nga parkimi i ndonjë makine tjetër.
Ky është një funksion i ri që u është caktuar bidonëve në epokën e sotme shqiptare; dikur, ende më kujtohet, kur isha fëmijë, flitej për bidonë qumështi; më vonë, ende pa u shembur regjimi totalitar hoxhist, flitej për bidonë vajguri (mjet i domosdoshëm për të mbushur furnelat me të cilat gatuanin dhe ujëngrohëset me të cilat laheshin shqiptarët, përfshirë edhe mua, si edhe shumë prej lexuesve të vëmendshëm të rubrikës sime të përjavshme, të cilët, për fat të mirë ende nuk i ka lënë kujtesa); madje, “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), kuptimin e fjalës “bidon” e ilustron pikërisht me togfjalëshit “bidon qumështi, bidon vajguri”. Gjithsesi, le të kthehemi te bidonët prej lënde plastike (fjalën e kam, natyrisht, për bidonët gjashtëlitroshë të ujit) dhe te funksioni i tyre relativisht i ri si roje vendparkimesh Është krejt e natyrshme që ata ta kryejnë heshturazi – ngaqë nuk kanë gojë (rrjedhimisht, as të drejtën për të ushtruar të drejtën e fjalës së garantuar me kushtetutë) – funksionin e tyre buzë trotuareve në të mirë të dyqaneve dhe (pse jo?) eventualisht të institucioneve ende të papajisura me tabela për rezervim parkimi para atyre. Le të përfytyrojmë, për një çast, tani që po na mësohet syri me praninë e bidonëve gjashtëlitroshë para trotuareve me detyrën e ruajtësit të vendparkimeve, disa dhjetëra bidonë rresht para selisë së qeverisë së deritanishme bash ditën kur të vijë atje qeveria e re e mbledhur këtë javë në Vlorë për një trajnim të posaçëm (me, në sfond, një vegim historik: Ismail Qemali duke i zgjatur Edi Ramës dorën dhe përvojën e tij pozitive në mirëqeverisjen e vendit).
Ç’mund t’u ndodhë bidonëve të kaltër të zhuritur nga djegaguri i kësaj vere? Mos vallë qeveria e re do t’i flakë në kazanët e plehrave për t’i zëvendësuar, në krye të së njëjtës detyrë fisnike, me bidonë të kuq, rozë apo më saktë mavi? Sigurisht, jam i bindur që qeveria e re do të dijë t’i japë më të përshtatshmen e zgjidhjeve këtij problemi socialpolitik në të mirë jo vetëm të bidonëve të të gjitha formave, përmasave dhe, veçanërisht, të të tëra ngjyrave, por edhe të mbarë vendit, në mënyrë që të shmanget krijimi i bidonvilëve rreth e qark kryeqytetit dhe qyteteve të tjera, dukuri kjo që mund të krijonte premisa të rrezikshme për tensione të dhunshme socialpolitike me zanafillë pakënaqësinë e turmave bidoneske apo të bidonizuara (Kujdes: një bidon i mbushur me benzinë mund të kthehet fare lehtë në bombë Molotov, madje edhe në kamikaz!) nën parullat neomarksiste si “Bidonët nuk kanë se ç’të humbin veçse prangat e tyre” dhe “Bidonë të të gjitha ngjyrave, bashkohuni!”, neomaoiste si “Bidonët e fshatit rrethojnë trotuaret e (krye)qytetit” dhe “Pushteti buron nga gryka e bidonit”, por edhe neoenveriste si “Partia bën çfarë do bidoni, bidoni do çfarë thotë Partia”, “Në njërën dorë bidonin, në dorën tjetër timonin” dhe “Ndërtojmë bidonizmin me forcat tona”.