Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Burimet njerëzore si pjesë thelbësore e reformës

Shkruar nga: Nebil Cika  
Botuar më: 17 vite më parë

Nebil Cika
Burimet njerëzore si pjesë thelbësore e reformës

Mbase ju mërzita dhe çdokush ka të drejtë të thotë se po i “bie fyellit në një vrimë”, por mendoj se kam arsye të forta për t’u marrë edhe një herë me kryeprokuroren Ina Rama dhe institucionin të cilin ajo ka marrë përsipër ta drejtojë reformojë, e mbi të gjitha ta legjitimojë. Një javë më parë botova një shkrim me titull “Ina Rama, midis ndryshimit dhe dështimit”, i motivuar nga situata në institucionin e akuzës, ndryshimi i së cilës ishte arsyetimi me të cilin politika motivoi ndryshimin e kreut të Prokurorisë. Me gjithë përpjekjet e mia për të përgjithësuar problemin, kolegët e mi e konsideruan “të butë” arsyetimin tim për një problem kaq madhor sa ç’është ndryshimi dhe normalizimi i funksionimit të Prokurorisë. Besoj se kishin të drejtë. Vendimi për ta mbajtur diskutimin në parim m’u duk krejt qesharak dhe i pavlefshëm kur mora vesh nga mediat se në krye të hetimeve të dy çështjeve më të bujshme në Prokurorinë shqiptare drejtohen nga dy prokurorë shumë të dëgjuar për mua, falë bëmave të tyre si hetues gjatë diktaturës komuniste. Zamir Shtylla, shefi i hetimeve të tragjedisë së Gërdecit dhe Xhevat Hana, prokuror i çështjes së zhdukjes së qytetarit maqedonas, Remzi Hoxha. Përpara se të vazhdojmë më poshtë, dua të sqaroj se nuk i njoh personalisht dhe nuk kam asnjë konflikt personal apo familjar me personat në fjalë. Siç thashë më lartë, dy emrat që përmenda janë shumë të dëgjuar për mua dhe kjo lidhet me punën time si gazetar për një periudhë disavjeçare në Sarandë, qytetin ku personat kanë ushtruar detyra të rëndësishme në hetuesinë e diktaturës përpara vitit 1990.

Personalisht kam dëgjuar e lexuar dhjetëra dëshmi rrëqethëse nga ish-të burgosur politikë apo të tjerë që kanë pasuar fatkeqësinë të kenë qenë nën hetimin e këtyre dy hetuesve. Nga torturat çnjerëzore e deri tek montimi i akuzave dhe proceseve gjyqësore janë një varg veprimesh, për të mos i quajtur krime, që mund të krahasohen denjësisht me historitë e “Holokaustit”. Nuk kishte takim të ish-të përndjekurve apo të degës lokale të PD-së në Sarandë, ku të mos i kërkohej qeverisë së parë demokratike (1992-‘96) të paktën të largonte nga organet e drejtësisë këta dy persona, gjë që nuk u realizua dot kurrë. Kam pasur rastin të lexoj edhe listën e emrave që forumi i intelektualëve shqiptarë kërkoi në 1996 të akuzoheshin për gjenocid e krime kundër njerëzimit, ku ishte edhe ai i hetuesit Shtylla, që nuk përfundoi në bankën e të akuzuarve, pasi dikush, për arsye ende mister, ia hoqi emrin kur kjo liste që mbërriti në prokurori. Nuk dua ta konceptoni ngushtë këtë arsyetim, pasi këta dy emra që më dolën rastësisht përpara i solla si shembull për të kuptuar nivelimin e politizimin dhe të inkriminimit politik të prokurorisë dhe krejt drejtësisë shqiptare si problemin themelor që çon në keqfunksionimin e saj.

Nuk dua ta paragjykoj zonjën Rama, por mendoj se stafi i saj është pjesë e rëndësishme e punës së saj, e në mënyrë të veçantë e detyrës specifike që ajo ka marrë përsipër, reformimin e Prokurorisë. Nuk e di si e mendon ajo, por unë gjykoj se burimet njerëzore janë shumë të rëndësishme në planet apo përpjekjet për ndryshime, e sidomos reforma. Kur ne themi reformim, legjitimim dhe evropianizim të akuzës dhe drejtësisë, kemi parasysh së pari mentalitetin, formimin dhe veprimtarinë e njerëzve që punojnë këtu. Nëse zonja Rama mendon ta bëjë këtë me njerëzit që u kanë thyer krahët e këmbët dhe kanë dënuar me burgime të gjata njerëz të pafajshëm vetëm se janë supozuar si kundërshtarë të komunizmit, ose kanë guxuar të thonë se nuk kanë me çfarë të ushqehen, për hair i qoftë, por unë mendoj se kjo është mënyra më e lehtë për të garantuar dështimin. Që të kuptohemi, nuk janë vetëm këta të dy, por edhe dhjetëra të tjerë në institucionin e akuzës dhe drejtësisë që mbajnë mbi shpinë akuza për krime politike. Nëse zonja Rama dhe ata që e prunë atë në krye të akuzës do vendosin për ndryshime, ai do fillonte detyrimisht këtu te burimet njerëzore. A munden dot ata hetues që kanë si bazë të edukimit dhe formimit të tyre politik e profesional “luftën e klasave” të bëjnë ndryshimin?! Mendoni si e shikojnë ata një person me ide të kundërta apo të ndryshme politike, që mund t’u bjerë në dorë.

Nuk besoj se ky është standardi që pritet prej partnerëve tanë euroatlantikë. Për ta kuptuar më mirë këtë, dua t’iu kujtoj se shpallja e komunizmit në Evropën Lindore si krim kundër njerëzimit ishte tema kryesore e diskutimeve të kësaj jave në komisionin e BE-së.

Tjetër gjë që nuk kuptoj tek zonja Rama është puna e saj me të njëjtin staf me paraardhësin e saj, Sollaku. Kur mazhoranca akuzonte z. Sollaku për keqfunksionimin e prokurorisë motivi për çka u akuzua nuk e përjashtonte nga përgjegjësia stafin i tij . Mirëpo fakti që ky staf është ne shumicë edhe i Ina Ramës, më bën të dyshoj ose në akuzat kundër Sollakut, ose në vullnetin për ndryshimet e premtuar të pasardhëses së tij.

Si përfundim, dua të theksoj se Prokuroria nën drejtimin e zonjës Rama nuk duket se ndryshon nga ajo nën drejtimin e z. Sollaku, natyrisht përveç hijeshisë, look-ut dhe buzëqeshjes së Kryeprokurores në momentet publike të saj. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka kohë. Ne jemi këtu e presim, duke këmbëngulur në faktin që kjo çështje nuk mund të lihet me kaq. Kjo vlen sa për Ina Ramën, aq edhe për ata që e prunë atë në krye të akuzës, me premtimin se do të sillte ndryshimin. Deri tani duket se kemi bërë vetëm një “vrimë në ujë”. Gjithsesi, do të na duhet ende të presim.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama