Nëse i besojmë përkufiz imit që “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) na jep për fjalën “nder”, sipas të cilit kjo fjalë, falë vetë konceptit që bart, ka së pari kuptimin “tërësia e vetive morale të çmuara të njeriut, që shfaqen në sjelljet dhe në veprimet e tij; cipa e njeriut në shoqëri; pastërtia morale e dikujt, ndershmëria dhe besnikëria”, pa diskutim që, si njerëz që jemi (përjashto të ashtuquajturit homines albanicos, numri i të cilëve po shtohet frikshëm këto kohët e fundit), edhe midis nesh, jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë, ka pasur, ka dhe shpresojmë të ketë gjithmonë, përherë e vazhdimisht njerëz të ndershëm, pra, me nder, të cilët dinë ta mbrojnë dhe e mbrojnë nderin e tyre.
Sipas të njëjtit fjalor, antonimi, d.m.th. fjala bartëse e konceptit të kundërt me atë të fjalës “nder” është fjala “turp”. Megjithatë, nga vëzhgimi objektiv i realitetit të sotëm shqiptar, – dhe lidhur me këtë i kërkoj ndjesë lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm për çka do të shtjelloj më poshtë – më rezulton se e kundërta e fjalës “nder” nuk është vetëm fjala “turp”, por edhe vetë fjala (mos u habit, o lexuesi im) “nder”! Po ta rilexojmë me vëmendje të përqendruar, fjalori i lartpërmendur na jep edhe disa kuptime të tjera të fjalës bartëse të konceptit “nder”, ndër të cilët edhe ky, i katërti sipas renditjes: “e mirë a shërbim që i bëhet dikujt”; në këtë kuptim dhe vetëm në këtë kuptim, fjala “nder” përdoret edhe në shumës, saktëson fjalori ynë. Është e vërtetë që, rëndom, përdoren shprehje të tilla si “i kërkova të më bënte një nder”, “nuk di si t’ia shpërblej këtë nder”, “ai/ajo më ka bërë shumë ndere” dhe “këto ndere vetëm ai/ajo di t’i bëjë pa të dalë fjale”. Gjithsesi, fjalori ynë, me shembujt që sjell, ka harruar të saktësojë diçka thelbësore: ndërsa në kuptimin e saj të parë fjala “nder” është gjithnjë abstrakte, në kuptimin e saj të katërt, ajo është konkrete, sepse të mirat dhe shërbimet janë konkrete, për shembull, futja e dikujt në punë, sidomos në këtë kohë krizë me të cilën po fërkohemi.
Në qoftë se vendi i punës është bosh dhe zhvillohet një konkurs për të emëruar dikë në të, në qoftë se ky konkurs është i hapur, transparent, i paanshëm dhe atë e fiton më i miri ose më e mira pa asnjë ndërhyrje të parregullt për të mos thënë të pamoralshme, pra, të pandershme (para nën dorë, trafik ndikimi ose një favor i padrejtë i premtuar për ta shlyer “nderin” në fjalë), atëherë ky veprim i quajtur “nder” nuk është më nder, por turp. Të njëjtën gjë mund të themi për shitblerjen – aty, këtu, afër e larg, anash, para e prapa – e një numri votash gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit, aq sa shkodranët, populli shpotitës par excellence, nxorën bejte lidhur me këtë dukuri të neveritshme, por që, pa më të voglin ngurrim, do ta cilësoja si një njollë të pashlyeshme për ndërgjegjen mjerane të shitësit e blerësit në fjalë ose, për të mos dalë jashtë terminologjisë sime sot, si një “nder” konkret të kundërmoralshëm. (Sa për kujtesë, sipas një sinjalizimi anonim, disa nga këto bejte mund të lexohen në Internet).
Rrjedhimisht e për pasojë, ky “nder” tejet konkret (si nocion dhe si veprim) i kundërvihet kuptimit fillestar të fjalës “nder”, që është abstrakt sepse i përket fushës së moralit (shih edhe një herë përkufizimin e parë të kësaj fjale në krye të këtij shkrimi). Përfundimi që mund dhe duhet nxjerrë nga e tëra kjo më duket i qartë dhe i pakundërshtueshëm: te ne, abstraktes i kundërvihet konkretja, së moralshmes i kundërvihet e pamoralshmja, pra, nderit i kundërvihen nderet. Oh, kjo ndodh edhe në vendet e zhvilluara, mund të hidhet e të më thotë shumëkush. Po, ndodh, por “ndere” të tilla ose “turpe” të tilla “të ndershme” në ato vende dënohen me ligj, kurse në Shqipërinë tonë, për shkak të një korrupsioni galopant, përplasja midis nderit dhe ndereve nuk është thjesht gjuhësore, ajo kryesisht morale në rrafshin individual, ndërindividual dhe shoqëror; kjo mynxyrë kombëtare po na e nxin faqen duke na përmutur pa mëshirë, me nder jush. Apo nuk ia ndien erën, o lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm?