Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Keni njohur shqiptar të lumtur?

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Keni njohur shqiptar të lumtur?

Një njeri i thjeshtë, i dekoruar para disa kohësh “Pishtar i Demokracisë”, mik i vjetër i shumë gazetarëve dhe kineastëve, në një nga momentet e tij të shumta të iluminizmit të beftë, teksa binte fjala si rastësisht mbi raportin mes lumturisë dhe shqiptarëve dhe teksa të tjerët – shumë më të shkolluar e më me shumë përvojë se ai – e pat shpjeguar kështu këtë punë: “Lumturia sigurisht që ekziston. Është si puna e binarëve të trenit.

Ajo, lumturia është në një binar tjetër dhe jeta jonë ecën mbi një binar tjetër. Të dyja linjat ecin paralel pa u ndalur derisa të na vijë fundi. Në momentin që të dyja linjat priten atëherë lumturia ikën, bëhet e paarritshme. Nuk është puna që të jesh as afër fare dhe as larg saj. Me lumturinë duhet ecur paralel. Përndryshe nuk ka kuptim…”.

Ky është një shpjegim shqiptar, por jo tipik shqiptar mbi lumturinë. Sepse nëse do të pyesnim të tjerë njerëz bashkatdhetarë do të na thoshin të tjera formula magjike. Secili e shikon një gjë që nuk ekziston sipas ëndërrimit të vet dhe kjo është e kuptueshme.

Tani, le të kthehemi në titullin, që i kemi vënë këtij shkrimi. Sigurisht që po, do të duhej të ishte përgjigjja. A e keni parë njerëz më të lumtur sesa dasmorët që u bien fort borive rrugëve të qyteteve në mënyrë që të gjithë të ndajnë me ta lumturinë e tyre? A e keni parë atë vezullimin e lumtur në sytë e militantëve kur fiton partia e tyre? A e keni idenë se me sa lumturi shkojnë marinsat tanë në Irak, apo në Afganistan? A e dini se çfarë lumturie është të bësh një shtesë shtëpie në kohë turbullirash dhe pastaj të të zërë gjumi rehat? Po që të blesh një makinë të shtrenjtë që “s’e ka kush” ani pse me para borxh, ani se nuk ke shtëpi? Po këtë e dini? Po kjo është lumturia vetë! Kështu që, shqiptarë të lumtur sigurisht që kemi njohur. Perëndia vetë i shtoftë. Puna është se ndër këta shqiptarë të lumtur sa prej tyre janë nga ata që na drejtojnë, sepse pushteti për shumëkënd është një rastësi, një profesion për shumë të tjerë, një kombinim i beftë rrethanash për të tjerë akoma, por për shumë syresh është një ëndërr dhe kur një ëndërr realizohet atëherë ka shumë gjasë, që njeriu ta ndiejë veten të lumtur. Pra sikurse thoshte “Pishtari i Demokracisë” ka shumë gjasë që dy binarët, ai i jetës së përditshme dhe ai i veçanti i lumturisë, të priten në një pikë të caktuar dhe kështu lumturia të humbasë kuptimin. Ëndrra për të cilën ke luftuar tashmë ka mbërritur, të tjerët – edhe këta janë shumë të rëndësishëm në teorinë e lumturisë, sepse përndryshe ç’kuptim ka – janë mësuar me arritjet e tua, beteja kundër së keqes, padrejtësisë, injorancës bëhet një si punë zyre dhe historia nis nga e para. Lumturia do të mbetet pas kësaj vetëm ndër boritë e dasmorëve që enden shesheve nga “Piazza” deri te Kopshti Botanik.

Pushteti është një ndër armiqtë më të mëdhenj të ëndrrave, ndonëse është si për çudi mjeti i vetëm për shumëkënd për t’i arritur ato. Çdo gjë ka lidhje me sensin e masës, me faktin nëse ecim paralel apo jo me atë ç’ka kemi ëndërruar. Si tha “Pishtari”? Po e takuat ju mori dreqi!

Një nga njerëzit më të shquar të politikës europiane të shekullit të XX, Eduard Balladur, ka thënë këtu e ca kohë më parë në një libër të tij të mrekullueshëm, kapitulli quhet “Dehja nga të qenët i gjithëpushtetshëm”: “Është urtësi të mos mbërrish aty. Politikani, i ngopur me qëllime të arritura aty zbulon kënaqësinë e pushtetit: të ndërtojë e të shkatërrojë karriera, mjeti i fundit për të gjithë favoret; të bëjë ndere sipas shkallës së preferencave apo të antipative, të ketë fjalën e fundit kudo e për gjithçka; arbitër i kotësive. Nëse nuk reziston do t’i merren mendtë, gjykimi do t’i erret; kënaqësia e instinktit të tij për dominim do të dalë mbi interesin e përgjithshëm e më vonë edhe mbi të vetin. Do t’i humbasë brishtësia e rolit të tij. Kufizimi në kohë, kufizimi në hapësirë – ja fusha e veprimit. Lëvizjet e shoqërisë varen më pak se dje nga pushteti politik”. (Eduard Baladyr, Makiaveli në Demokraci, Përktheu Pëllumb Nako, Uegen, Tiranë 2007).

Fjalë me vend nga politikani i vjetër francez. “Brishtësia e rolit” thotë ai duke na lënë të kuptojmë se edhe nëse për pak minuta ndokush prej nesh e ndien veten të lumtur, duke prekur atë binarin, që nuk duhet ta prekte, edhe atëherë dehja, ngado që të ka ardhur, duhet marrë si një gjë kalimtare, si një gjë që kalon pas një çaji të ngrohtë.

Më në fund fare në lidhje me këtë teorinë e lumturisë. Secili është apo nuk është i lumtur sipas motiveve që e çojnë përpara apo mbrapa, sipas historive të veta familjare, personale e kështu me radhë. Një lider duhet të jetë i lumtur jo vetëm kur sheh dallgëzimin e turmave përballë tij, sepse tashmë është e ditur, turmat shkojnë andej nga i drejtojnë liderët e tyre. Të tillë kemi pasur plot, nuk është as vendi dhe as koha të përmendim emra të përveçëm. Kjo ndodh kudo, në Shqipëri, në Amerikë, në Azi, kudo… Një lider i vërtetë, jo i partisë, por i krejt zhvillimeve të vendit, duhet të jetë i kënaqur, nëse e arrin që të ecë mbarë dhe i sigurt mbi atë binarin e tij, që sipas “Pishtarit të Demokracisë” ecën fare afër, por ama vetëm paralel me binarin që nuk duhet prekur, atë të lumturisë. Nëse nis të marrë mbi supe monopolin e së drejtës, të së vërtetës, të arsyes, atëherë do të thotë që tashmë e ka prekur binarin e lumturisë dhe kjo sipas “Pishtarit” është një gjë e keqe, në rastin më të mirë një gjë jo dhe aq e mirë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama