Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ri-ri-rilindje në stilin induist

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Lubonja
Ri-ri-rilindje në stilin induist

Duke parë një foto të ambasadorit amerikan Arvizu që qeshte teksa shihte tryezën ovale të mbledhjes së qeverisë të lyer me ngjyrë të kuqe, nuk mund të mos më shkonte nëpër mendje pyetja: A do të qeshte kështu ambasadori sikur të hynte në dhomën ovale dhe të shihte të lyer me të kuqe tryezën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara? Sigurisht jo.  Do të merrte pamje serioze teksa do të mendonte se po shihte një ëndërr të çuditshme. Po pse qesh atëherë ambasadori me tryezën tonë të Këshillit të Ministrave? – do të pyeste ndonjë patriot i ofenduar, veçanërisht ndonjë demokrat. Qesh Arvizu sepse ka disa vjet që po ndjek shtatzëninë e Shqipërisë që, me ndihmën e mamive të Trojkës, më në fund duket se e lindi foshnjën e vet, shtetin, që tani është vetëm dy-tre muajsh. Në fakt, a nuk flasim për rilindje; dhe qeshja e ambasadorit a nuk ishte pak si qeshja e mamisë që përkulet mbi foshnjën që e ka ndihmuar të lindë?


Në fakt duhet ta pranojmë se kjo fjala “rilindje” na ka ngatërruar shumë, deri edhe ambasadorët. Para disa kohësh unë jam shprehur se në Shqipëri duhet folur për “lindje”, jo për “rilindje”, sepse te ne nuk ka lindur ende shteti që i shërben qytetarit, por se ka vazhduar pa ndërprerë shteti i grabitqarit. Mirëpo tani, sa më shumë e mendoj, aq më shumë më duket se mund të flitet edhe për rilindje. Por ama, duke iu referuar metempsikozës së induizmit, sipas së cilës flitet për jetë të mëkahershme të shpirtit në trupa të mëkahershëm. Kësisoj, – metaforikisht po flas, të kuptohemi, – për shpirtin e shtetit tonë mund të thuhet se ai ka migruar nga trupi i një zogu grabitqar, në trupin e një ujku që s’la kope pa shqyer, dhe pastaj u rilind në formën e një çakalli të uritur, pastaj u ritrupëzua në formën e hiene të babëzitur dhe përsëri u bë çakall i babëzitur. Tani të shohim se çfarë trajte do të marrë kjo foshnja e ri-ri-rilindur, së cilës po i qeshte ambasadori. Unë kam frikë se do të na dalë me gojë të madhe për të ngrënë dhe për të folur, e veshë të vegjël për të (mos)dëgjuar. Për krokodilin e kam fjalën. Dhe këtë sikur ma sugjeroi edhe tryeza e re e krokodilit, më falni e qeverisë, që pashë. Pse e them këtë? Sepse kjo praktika e ndryshimit të zyrave për mua është revoltuese pa masë. Nuk ka rrufjan që ka ardhur në pushtet që nuk ka rinovuar zyrën e tij në këtë vendin tonë në këta njëzet vjet. Madje rinovimi dhe ristrukturimi i zyrave dhe deri i krejt selisë është bërë simbol i shtetit të Shqipërisë postkomuniste, i ri-ri-mishërimeve në stilin induist të të njëjtit shpirt grabitqar të shtetit.


Transformimi i zyrave është bërë simbol i personalizimit dhe i privatizimit të institucionit, aq sa të vjen të pyesësh me inat: A e dinë këta se këto institucione nuk janë shtëpitë e tyre private, se ata atje duhet të ndihen si qiraxhinj dhe jo si pronarë? A e dinë këta se të ndërtosh një institucion do të thotë të krijosh një organizëm që mbetet edhe kur ikën ti; e se kjo ka vlerë si për administratën që krijon, ashtu edhe për atë që mund të quhet pjesa më e jashtme, ku hyjnë edhe mobilimi dhe arredimi i institucionit?


Është e kuptueshme që një funksionar të ndryshojë diçka kur vjen në një zyrë, që i përshtatet më shumë shijeve të tija, si p.sh. ndonjë nga kuadrot që varen në mur, apo që i përshtatet shpinës së tij (thonë që Obama ka ndryshuar karrigen dhe këtë e ka paguar me lekët e veta). Por te ne transformohet gjithçka dhe, duke pasur parasysh varfërinë e borxhet e vendit, nuk mund të mos ngresh pyetjen: Si është e mundur që këta ia nisin punës me luksin e zyrave? Le më pastaj kur dëgjon se këto transformime i bëkësh gratis klasa e re e të pasurve filantropë shqiptarë, që qëlloi të na qenkëshin të gjithë miq të Kryeministrit të ri, se në tetë vjetët e Berishës s’kam dëgjuar për ndonjë filantropi kësisoj. Jo zotërinj, këto transformime zyrash në kohë krize e varfërie janë simbol i personalizimit dhe i privatizimit të institucionit nga grupe interesash që trajtojnë, sipas qejfit e grykësisë, paranë dhe pronën tonë publike.


Së dyti, këto transformime janë simbol i faktit se kushdo që vjen në pushtet në këtë vendin tonë, kërkon të na mbushë mendjen se historia fillon me të. Në një farë kuptimi kanë të drejtë, sepse paraardhësit nuk kanë bërë veçse gjëra që ne i mbiquajmë “për t’u harruar”, por veçse në kuptimin figurativ, sepse në fakt janë gjëra për t’u kujtuar dhe mirë madje. Dhe një nga gjërat që do të duhej të ishte për “tu harruar” d.m.th. “për t’u kujtuar”, është ndryshimi i zyrave nga politikanët sa herë vijnë në pushtet, si simbolikë e asaj se të gjithë ri-ri-rilindësit tanë të stilit induist pretendojnë se po nisin një histori të re dhe në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse përsërisin historinë e vjetër.


Tani, këta ri-ri-rilindësit e fundit po duan të na thonë se paskan gjetur në bodrumet e Kryeministrisë disa mobilie të viteve ‘40 dhe se Kryeministria, pikërisht në frymën e kujtesës historike të shtetit, do të mobilohet me mobilie të viteve ‘40. Për këtë bëhet garant Lamja me Shkrelin që, kur janë në opozitë, flasin për ruajtje të trashëgimisë, për restaurime, rikualifikime, ashtu sikurse edhe për faktin se një gjë e vjetër nuk duhet zëvendësuar me një të re – që mund të duket edhe më e bukur – pasi bukuria e së vjetrës qëndron më së pari te historia e saj. A t’u besojmë? Të më falin, por unë për vete nuk u besoj sepse i kam provuar se kur vijnë në pushtet, me Ramën në krye, këta bëjnë bash të kundërtën e asaj që thonë në opozitë. Ja, pyetja e parë që më vjen t’u bëj është: Po ç’lidhje ka tryeza e kuqe, që shndrit si xixë e re, me historinë e kësaj ndërtese që fillon me mobiliet e viteve ‘40?


Për mua e vetmja lidhje është se kemi të bëjmë me personalizimin e privatizimin e radhës të institucionit nga Kryeministri i radhës, i cili përditë po jep shenja se s’ka mësuar asgjë as nga historia personale, as e këtyre institucioneve. Thënë ndryshe: metempsikozë në të kuqe e shpirtit grabitqar të shtetit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama