Një lloj ligji i pashkruar apo tradite sugjeron që qeverive të reja u duhet lejuar një periudhë “paqeje” 100 ditore, kohë e armand shkullakunevojshme për të gjykuar më pas mbi trendin qeverisës të tyre. Në këtë periudhë më shumë vëzhgohet se sa flitet, më shumë mbahet shënim se sa hapet goja. Mirëpo disa emërime të fundit të kryeministrit Rama duket se po i lënë pa gojë të gjithë. Ato kanë shtangur opinionin deri në atë masë sa të mos kuptohet nëse janë një trill artisti apo përzgjedhje e përgjegjshme e një kryeministri. Ndoshta është një nga rastet e rralla kur emërimet e para të një qeverie në poste të larta dhe të ndjeshme të administratës publike, nuk gjejnë mbështetje publike as nga ajo pjesë e opinionit e afërt me mazhorancën e re.
Asnjë gazetar, komentator, analist apo ekspert nuk ka dalë të thotë se përzgjedhjet e kryeministrit janë një garanci për të ardhmen e financave shqiptare apo administrimin e pronës publike. Përballë vajzave- surprizë që kanë marrë në duar burimet kryesore të financave të vendit, të gjithë kanë mbetur të çarmatosur. Vështirë të gjesh argumente për të mbështetur këto emërime. Edhe ndonjë entuziast i guximshëm shkon deri tek krahasimi me Berishën, me administratën e kaluar korruptive etj., por mbetet aty.
Por nëse befasia dhe cilësia e emërimeve të Edi Ramës ka lënë pa tekst një pjesë të opinionit, ky fenomen nuk mund të kalojë pa asnjë alarm dhe debat brenda vetë Partisë Socialiste. Një pjesë e drejtuesve socialistë nuk folën para zgjedhjeve, nuk folën as pas tyre, nuk u ndjenë as kur u shpall kabineti qeveritar dhe tani e kanë kapur veten duke kërkuar foto në internet për të njohur njerëzit që do të drejtojnë shtetin pas tetë viteve të tyre në opozitë. Ky është një moment delikat që po krijon precedentin e ndërprerjes arbitrare të çdo karriere politike ose profesionale në varësi të vullnetit dhe shijes së një individi.
Megjithë malin e abuzimeve dhe dështimeve, të gjitha qeveritë e mëparshme janë munduar të ruajnë njëfarë ekuilibri të kontributeve politike dhe profesionale në përzgjedhjet që kanë bërë si në kabinet ashtu edhe në administratë. Ky ekuilibër i ka dhënë një kuptim investimit politik, publik e profesional të individëve dhe ka përcaktuar deri në njëfarë mase edhe përzgjedhjet e bëra nga kryeministrat. Ka patur sigurisht përjashtime, por në një masë të konsiderueshme kontributet e rëndësishme dhe me vlerë janë respektuar si në kabinetet qeveritare ashtu edhe në postet administrative. Kryeministri Rama, me koshiencë të plotë po instalon një tjetër model, atë të përzgjedhjes së individëve nisur nga raporti personal dhe jo nga raporti me publikun. Ai po i hap rrugë një praktike ku përcaktuese për një karrierë nuk janë më qëndrimet, aktet, profesionalizmi, përvojat si garanci ndaj qytetarit, por shërbimet ndaj kryetarit.
Ndaj këtij fenomeni në Partinë Socialiste duhet të ketë një reagim, që nuk ka pse lidhet as me 100-ditëshin e qeverisë dhe as me “kompleksin e të pakënaqurve” që flasin pasi ndahen postet. Duhet të flasin të gjithë ata që e ndjejnë veten të përjashtuar pa të drejtë dhe që tani po shohin se si karriera e tyre nuk varet nga çfarë kanë bërë, por nëse janë ose jo në rrethin e ngushtë të kryeministrit. Përzgjedhja e emrave të kabinetit qeveritar kishte një lloj arsyetimi dhe lidhej me një filozofi të caktuar të Ramës për të drejtuar vendin, ndaj ishte e kuptueshme që Partia Socialiste t’i jepte atij besimin dhe t’i vinte kapak ndonjë debati paragjykues.
Por emërimet e fundit në administratë nuk mund të kalojnë në heshtje brenda mazhorancës. Ato janë një shenjë e qartë se sa pavlerë është gjithë korpusi vendimmarrës në PS dhe se angazhimi personal e përvoja profesionale nuk vlejnë sa hiret e një gruaje. Shumë figura të PS nuk ndihen sot thjesht të anashkaluar e të papërfillur, por, më keq akoma, ata nuk dinë të thonë se çfarë po ndodh me qeverisjen e tyre, me premtimet që kanë dhënë para zgjedhësve dhe se kush janë njerëzit që kanë marrë përsipër t’i mbajnë ato në emër të tyre.
Individë thuajse të panjohur, me përvoja të varfra profesionale dhe me lidhje të dyshimta interesi, janë vënë papritur të mbajnë mbi shpatulla angazhimet e rënda që Rilindja mori përballë shqiptarëve. Dhe në Partinë Socialiste nuk flet askush. Nuk flet as ministri Shkëlqim Cani që me siguri nuk e di pse e kanë rrethuar vajzat simpatike në sektorin më delikat, aty ku pritet të mbushet arka e shtetit. Nëse emërimet e Rilindjes po i lënë pa gojë të gjithë, në Partinë Socialiste dikush duhet të flasë. Përndryshe precedenti i ndërprerjes arbitrare të karrierave politike dhe kontributeve profesionale do të “rilindë” edhe vetë PS, me vajza të bukura dhe djem gazmorë. Të gjithë sipas shijes së kryetarit.