Kriza të forta financiare, thyerje të thella ekonomike apo situata të ngjashme ndeshen kudo në botë. Të tilla janë dhe ato në disa vende anëtare të BE-së apo në vendet që synojnë anëtarësimin në këtë bashkim. Por, në rastin europian, për kapërcimin e krizës në eurozonë, roli i Gjermanisë është kryesor. Aq më tepër që një gjë e tillë mbështetet përgjithësisht edhe nga qytetarët gjermanë që, në njëfarë mënyre, euron nuk e shohin thjesht si para, por dhe si mekanizëm për të hedhur tutje të kaluarën, gati si një memorial tjetër Holokausti… Por ky rol gjerman ka imponuar dhe aplikimin e një teknologjie të rreptë financiare (të Kancelares Merkel). Sot, në disa vende, thjesht disiplinimi shtrëngues financiar e reformat strukturore ekonomike nuk po e bëjnë të mundur kapërcimin e shpejtë krizës.
Me sa duket, tepër e rëndësishme është sjellja e konsumatorit, garancia e investuesit, besimi i qytetarit si prodhues e konsumator. Kjo vlen të konsiderohet dhe për ne. Madje, parë me këtë sy, në rastin shqiptar, pas analizës konkrete financiare të “trojkës” (ministrit të Financave – guvernatorit – përfaqësuesit të FMN-së) mbi krizën, me rëndësi të madhe për të gjithë ecurinë e mëtejshme të vendit, ajo që kërkohet sot me shpejtësi, mbi bazën e të dhënave të sakta, është jo nxirja e mëtejshme financiare, por ngritja e besimit për të ardhmen e afërt, për perspektivën e ekonomisë shqiptare; dhe, mbi të gjitha, nxitja e investimeve dhe e konsumit. Kjo po mëshohet sot edhe në vende të tjera, si p.sh. Greqia e Islanda, ku disa shkaktarë disi më specifikë të krizës nuk janë të njëjtë.
Rasti i Greqisë: shmangie taksash e detyrimesh tatimore
Një rol parësor në Greqi kishin mjaft praktika kulturore e politike që çuan në këtë borxh. E tillë ishte, p.sh., praktika e përhapur e qytetarëve dhe e kompanive në shmangien e taksave, shoqëruar me mitmarrje e evazion fiskal. Aty, skandalet ekonomike-financiare shoqëronin njëri-tjetrin. Pikërisht kjo ishte situata kur ministri grek i Financave (që mori detyrën në tetor 2009) konstatoi se deficiti buxhetor ishte afro 14 për qind, tepër larg normave të vlerësuara nga qeverisjet e mëparshme. Ky abuzim në vite, shkatërrues për ekonominë, lidhej ngushtë me faktin që shërbimi statistikor në Greqi nuk ishte i pavarur. Parë me këtë sy, në Greqi nuk ishin bankat që po e zhytnin këtë shtet, por ishte ky i fundit që po zhyste bankat. Sidoqoftë, në tërësi, në kolapsin financiar, një rol kritik kanë luajtur vetë qeveritë, por dhe sektori bankar global ka vuajtur gabimet e veta. Kështu, edhe në Greqi, si në disa vende të tjera, bankat e investimeve kanë shmangur situatat e vështira duke u çliruar nga detyrimet e veta. Konkretisht, përfshirja e bankës së investimeve Goldman Sachs në Greqi, ndihmoi në mbulimin e nivelit të vërtetë të borxhit qeveritar, me anë të një serie veprimesh, që në dukje ishin legale. Por, në thelb, makina që i mundësoi Greqisë marrjen e huave dhe shpenzimin e parave pa kujdes (bile, sipas qejfit!) ishte analoge me makinerinë e sajuar në SHBA për të kredituar huamarrësit amerikanë në blerje shtëpish. Edhe atje, roli i bankës së investimeve në atë makineri ishte po ai.
Rasti i Islandës: blerje aksionesh në biznese të panjohura.
Kolonat kryesore të ekonomisë së Islandës janë peshimi dhe energjia. Kolapsi ekonomik i Islandës lidhet ngushtë me derregullimin dhe privatizimin e bankave kryesore. Aty kriza financiare u shfaq me kolapsin e tri bankave kryesore tregtare. Madje, nisur dhe nga përmasa reale e ekonomisë islandeze, kolapsi bankar në Islandë ishte më i madhi në historinë ekonomike të çdo vendi. Në thelb, financierët e Islandës, që nuk kishin përvojën e duhur financiare, morën nga jashtë kredi kohëshkurtra prej disa miliardë dollarësh. Në njëfarë kuptimi, sjellja e peshkatarëve islandezë i ngjasoi asaj të shumë bankierëve amerikanë të investimeve. E thënë ndryshe, kriza financiare në Islandë pasqyroi atë të industrisë së peshkimit të viteve 1970, kur “privatizimi i peshkut” u bë sipas kuotave të kushtëzuara me kapjet e kaluara. Pra, ashtu si bankierët, edhe peshkatarët islandezë me sjelljen e tyre jo vetëm varfëruan vetveten, por dhe mundësitë e tyre të peshkimit. U arrit deri aty sa për të kapur më shumë peshk, me më pak përpjekje, të kërkohej edhe ndërhyrja qeveritare. (Në një variant ekstrem, kjo sjellje “financiare” qytetare u pa në skemat piramidale në Shqipëri!…)
Në Islandë, në vitin 2008, me kolapsin e këtyre tri bankave kryesore dhe tërë sistemit ekonomiko-financiar, borxhi publik iku përpjetë si raketë. Kështu, pas afro 4 vjetëve, më 2012-n, borxhi publik i islandezëve ka kapur shifrën prej 130% të GDP-së (ku afro 90% shpreh borxhin e qeverisë qendrore dhe 40% atë të qeverisjes vendore), ndërkohë që ky borxh për grekët është vlerësuar me rreth 170% të GDP-së (afro 355 miliardë euro). Për të kapërcyer këtë situatë, FMN-ja, me “konceptin e leukoplastit” (që jo patjetër ndihmon), i dha Islandës një mbështetje prej 2 miliardë dollarësh, krahas kreditimit shtesë nga vende të tjera. Njëlloj me atë që bëri qeveria amerikane kur i dha mbështetje financiare Citigroup-it, ndërkohë që, në shtator 2008, Lehman Brothers plotësoi dosjen e falimentimit. Në fakt, atmosfera e atëhershme në Reikjavik me kolapsin bankar, i ngjante tërësisht asaj të Manhattan-it me fillimin e krizës financiare. Me të drejtë, duke bërë këtë krahasim, Luis (Michael Lewis)shkruan: “Po të ecje në këmbë, tamam, para kolapsit të Lehman Brothers, do të shihje dyqane të boshatisura, rrugë pa kalimtarë, bile edhe kur binte shi, taksi boshe, sikur njerëzit të ishin larguar prej aty para se të shpërthente bomba”. E njëjta gjë vihej re në Reikjavik në atë kohë. Kurse Kryeministri islandez Hard (Geir Haarde) i kohës, duke iu larguar përgjegjësisë qeverisëse, theksoi në atë se “të huajt ia besuan kapitalet e veta Islandës, dhe Islanda i shfrytëzoi ato për qëllime të mira, por kur më 15 shtator 2008 falimentoi Lehman Brothers, ata në panik kërkuan dhe i tërhoqën kapitalet e tyre”. Pra, për të, gabimi ishte thjesht i qytetarëve!… Megjithatë, pavarësisht specifikës, në Islandë jo çdo gjë ishte e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera. Me të drejtë, një gazetare islandeze, kur vuri re hezitimin për dhënien e një interviste të një specialisti financiar mbi krizën, i tha atij: “Mos u merakosni për atë që do të thoni. Nuk është e shumë rëndësishme. Sepse asnjeri në Islandë nuk po kupton ç’po ndodh. Cilido pret të dëgjojë diçka që përpiqet ta shpjegojë këtë krizë, qoftë dhe kur personi që flet nuk ka asnjë ide konkrete për atë çfarë thotë…”.
Shpesh, në vend të bërjes publike të krizës, është synuar përfitimi prej saj
Në shumë vende, në vend të bërjes publike të krizës, u synua të përfitohej prej saj. Kështu, p.sh., Islanda kishte shfaqur qartësisht disa probleme kritike, por askush nuk u mor me to. Kurse në eurozonë BE-ja tentoi të ndërhyjë te vendet anëtare që kishin një borxh të lartë publik. Në fakt, një nga shkaqet e krizës financiare ishte se njerëzit që e kuptuan afrimin e valës së saj në vend që ta bënin atë menjëherë publike, u përpoqën që ose ta mbulonin atë, ose të përfitonin prej saj. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në Shqipëri vitet e fundit, madje sinjalet që kemi lexuar dhe bërë publike, shoqëroheshin me reagime politike-ekonomike jodinjitoze për të shuar zërin e së vërtetës! Madje dhe sot ish-qeveritarët vazhdojnë të reagojë ndaj realitetit të mprehtë ekonomik të sotëm! Por, edhe opozita e kohës, duke mos e besuar aq sa duhej (ose duke mos dëshiruar për ta besuar) situatën e vështirë financiare, ndërtoi programin e saj tej mundësive të asaj situate financiare… Ka dhe diçka tjetër që duhet të kihet parasysh: Vende të ndryshme mund të huazojnë jo vetëm praktika të mira, por dhe të këqija. P.sh., leksioni më i madh amerikan për islandezët ishte “rëndësia e blerjes e sa më shumë aseteve me para të huazuara, sepse çmimi i tyre po rritej”. Dhe ashtu bënë islandezët: ata blenë aksione në biznese që nuk i njihnin fare, njëlloj si bankierët amerikanë për investimet. Por, ama, kur huazohen shumë para për të krijuar një prosperitet fals, ajo që ngjet nuk është ndërtimi i së sotmes dhe së ardhmes së afërt, por “është importimi i së ardhmes në të sotmen”. Këtë, praktikisht, aplikoi dhe qeverisja e mëparshme në Shqipëri. Dhe ja ku jemi sot! Madje, po të analizohen më mirë të gjitha detyrimet financiare, jo vetëm në nivel qendror, por dhe në atë vendor, borxhi publik mund të rezultojë më i lartë. Gjithashtu, nuk duhet harruar se asgjë nuk vazhdon në përjetësi, përfshi dhe “real estate”. Konkretisht, në rastin e Irlandës u intensifikuan huamarrjet për blerje pronash në inflacion. Në këtë kuptim, borxhi i bankave irlandeze ishte privat, sepse investuesit ishin nga e gjithë bota, por, ama, pagesa i mbeti mbi supe irlandezëve sikur ato të ishin detyrime të shtetit.
Konsolidimi fiskal
Për të kapërcyer krizën, qeveria islandeze adoptoi një program konsolidimi fiskal shumëvjeçar për të ulur borxhin publik në nivele shumë më të arsyeshme dhe, mbi të gjitha, për ta rifutur ekonominë në lëvizje. Janë arritur rezultatet e para pozitive. Janë reduktuar shpenzimet duke rritur efektivitetin, u adoptua një ligj buxheti për rritjen e disiplinës fiskale dhe konsolidimin e një zhvillimi të qëndrueshëm. Në këtë mënyrë, disa nga arritjet më të detajuara janë, p.sh., investimi qeveritar i reduktuar në mënyrë të dukshme; një rritje fare modeste e shpenzimeve në skemën e pensioneve në periudhën 2010-2030; ulje e hendeqeve fiskale për të arritur një borxh publik të rendit 60% të GDP-së në vitin 2030; fuqizim i shërbimit mjekësor të specializuar në shërbimin e përgjithshëm mjekësor etj. Kjo përvojë vlen të konsiderohet në disa zëra edhe nga qeveria shqiptare për konsolidimin sa më të shpejtë fiskal, përfshirë dhe kthimin te borxhi publik prej 60%, madje duke detajuar sa më shpejt një kalendar sa më të plotë kohëgjatë.
Po gratë?!
Nuk duhen harruar gratë. P.sh., në rastin e Islandës apo të Wall Street-it shumë pak gra kishin të bënin në mënyrë të drejtpërdrejtë me krizën, me vendimmarrje të ndryshme. Madje, në të dyja rastet, si industria e peshkut, ashtu dhe ajo financiare, ishin më se mashkullore, pavarësisht nga disa korrigjime të mëvonshme. Deri diku kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera ku burrat nuk i dëgjonin gratë ose kur nuk konsultoheshin me to për vendimmarrje të rëndësishme. Ky ka qenë, pak a shumë, dhe rasti i Shqipërisë, jo vetëm në përfaqësimin e vendimmarrjes qeveritare e parlamentare, por dhe atë të konceptimit psikologjik e social! Por, kjo ndeshet kudo në qeverisje autokratike. E rëndësishme është që jo thjesht numri në rritje, por, mbi të gjitha, vendimmarrjet konkrete do të marrin ngjyrosjet normale gjinore.
Si epilog
Në situata krize, shumë i rëndësishëm është përcaktimi i gabimeve dhe shmangia e shpejtë e tyre. Nuk mund të lihen pa u ndëshkuar dhe bartësit e tyre. Natyrisht, në demokraci, goditjen e parë nga ana politike e morale e jep vota e popullit. Por, në raste abuzimesh konkrete dhe shkeljesh ligjore duhet të kalohet në ndjekjen e procedurave penale, jo thjesht në kërcënime publike apo formulime të përgjithshme. Sepse, kur kushdo konsiderohet fajtor, asnjeri nuk mbetet i tillë!…