Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Partia e Fortë dhe partitë e reja ndër ne

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Partia e Fortë dhe partitë e reja ndër ne

Muajt e fundit, por kryesisht ditët e fundit, mjedisi publik në Kosovë, kryesisht kafenetë reale, por dhe ato virtuale, po zbaviten me shfaqjen e një subjekti të ri publik, i cili dëshiron ta quajë veten parti në mënyrë krejt serioze. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën Partia e Fortë, njerëzit e së cilës në të vërtetë satirizojnë me një gjuhë shumë të sofistikuar politikën dominante në Kosovë. Ose të paktën ky është objektivi momental i këtij subjekti të regjistruar si parti politike, i cili përfaqëson iniciativën e disa djemve dhe vajzave të reja që vijnë nga bota e dizajnit dhe internetit.


Iniciativa e këtyre të rinjve, pavarësisht se është e përqendruar në Prishtinë, ka precedentë nëpër botë, dhe s’ka asnjë çudi pse s’mund të ndiqet në Shqipëri. Ajo është dëshmi e sofistikimit të llogjeve publike në Kosovë, në kryeqytetin e saj, e përpjekjes së rinisë për ta ngritur në nivel të lartë verbal përbuzjen ndaj politikës kryesisht zyrtare dhe dukurive të saj më negative. Partia e Fortë, për nga mesazhet çmitizuese që përcjell, cilësia e formulimit të tyre, ngjan qartësisht e ndikuar nga bota globale, të cilën hartuesit e tyre e gjejnë nga kontakti intensiv që ata kanë me të nëpërmjet internetit. Ironia e tyre është e hollë dhe ajo përcillet me ëndje mes bezdisë për kronikat elektorale klishe nga bota e kafeve reale dhe virtuale të Prishtinës, ku gjendet shumë rini e zhgënjyer nga politika tradicionale. Falë demokracisë zgjedhore kosovare sipas parimit të kushteve të barabarta, aktivitetet plot kreativitet të kësaj partie përcillen me të njëjtin seriozitet si të partive të tjera që janë objekt i ironisë së tyre. Edhe pjesëmarrja e tyre në debatet zgjedhore trajtohet me seriozitet nga moderatorët e emisioneve televizive.


Është krejt e qartë që një subjekt i tillë që vetëquhet parti, meriton respekt për qasjen origjinale, krijuese dhe intelektuale që qëndron në themel të aktivitetit të tyre. Në shumë aspekte ata kanë ngjashmëri me Lëvizjen e Pesë Yjeve në Itali. Ajo u krijua nga një komedian si Bepe Grillo, i cili zgjodhi internetin, blogun si median kryesore për të bërë politikë dhe këtu gjeti ideatorin tjetër, Kazalexhion, që vinte nga bota e teknologjive të informacionit. Edhe Grillo parodizonte politikën ekzistuese, por jo si dikur nga skena, por tanimë në internet apo në sheshe. Dallimi thelbësor, ama, midis Lëvizjes së 5 Yjeve të Italisë dhe Partisë së Fortë të Prishtinës është diçka shumë e rëndësishme. Lëvizja italiane e gjen në mediat sociale forcën e vet ideore dhe propozuese. Ajo ka vënë në lëvizje nëpërmjet blogut mendimin jo thjesht kritik siç bën Partia e Fortë, ku bën pjesë paradoksalisht dhe një Sali Berishë i Kosovës, por dhe mendimin propozues, alternativ për problemet më të mëdha që ka Italia.

 

Partia e Fortë vetëm ushqen llogjet publike në Prishtinë me të qeshura kolektive. E kjo është shumë  e nevojshme në një vend ku papunësia e madhe, paratë e ardhura nga emigracioni stimulojnë një prani të madhe dhe të gjatë të rinisë në kafene, por jo e mjaftueshme. Bash kjo prani hijeshohet nga ritregimet e bëmave të Partisë së Fortë, që transmetohen rregullisht nga mediat. “Politika” e Partisë së Fortë qëllimisht nuk ka kurrfarë përmase propozuese, sepse të ashtuquajturat propozime të saj s’janë gjë tjetër veçse raste për t’u tallur me politikën në fuqi. PF quhet parti, edhe humoristikisht. Kreu i saj quhet “udhëheqësi lexhendar”, ndërkohë që Lëvizja 5 Yjet ka refuzuar të quhet parti, por lëvizje qytetare.


Ideja e këtij shkrimi ka origjinë meditimin rreth gjerësisë së simpatisë rinore që ka kjo parti në kryeqytetin e Kosovës, për të shkuar te projektimi i realiteteve të ngjashme në Shqipëri. A do të ketë njëfarë ndjekjeje elektorale kjo parti, që do të dëmtonte partitë e vjetra, apo në fund para kutisë së votimit, krerët e familjeve të mëdha do urdhërojnë të rinjtë që të votojnë sipas traditës këto parti tradicionale? A do të dëmtojë ajo në kryeqytet partinë ”Vetëvendosje”, me të cilën i përplasi brirët e humorit nëpërmjet shkëmbimit të 10 eurove me një kile dardha, veç LDK-së dhe kryetarit të saj që është i sulmuari kryesor si tipologji drejtuesi? Të dyja kanë përmasë intelektuale dhe simpati rinore, megjithëse Partia e Fortë është diçka shumë e re, pa histori reale dhe e kufizuar në qëllime lokale, jo si VV.


Refleksioni që del, megjithatë, nga popullariteti relativ që ka krijuar ky subjekt në mjediset masive të kafeneve të Prishtinës, që gjithsesi janë votues, lidhet me një moment tjetër thelbësor. Këtë herë i transferuar në Shqipëri. A ka në vendin tonë hapësirë, dëshirë, vullnet që të krijohej një subjekt i ngjashëm, por që do të ngërthente në vetvete dhe përmasën propozuese që e ka Lëvizja 5 Yjet?


Kjo është çështja kryesore. Nuk ka asnjë dyshim se skena politike shqiptare është shndërruar në trepolare. Është e neveritshme sjellja servile e PD-së ndaj LSI-së, parti e cila praktikisht është faktor kyç për qëndrueshmërinë e PS-së në pushtet sot, por dhe shpresë iluzore apo reale për ardhjen e PD-së nesër. Një tripolaritet i tillë ngjan se e vendos politikën e Shqipërisë në pozita stanjacioni, jo thjesht figurash, por dhe idesh. Pikërisht nga ky stanjacion i sotëm, nga projektimi i qëndrueshëm i tij dhe në të ardhmen e afërt, vjen natyrale pyetja: a do të krijohet një subjekt i ri, jashtë traditës, që përdor mjetet e reja të informimit, që nuk kontrollohen nga padronë të ndikuar politikisht, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta, apo gjithmonë do kemi rrotullim të politikës te këto tri polet ekzistuese?

 

Shembulli i Kosovës, me gjithë përmasën e kufizuar satirizuese, përkatësisht denoncuese të Partisë së Fortë, është frymëzues. Megjithatë, ajo që i mungon Shqipërisë, madje dhe vetë Kosovës, nuk është thjesht kjo përmasë. Problemet nuk zgjidhen me tallje, por me projekte, me propozime. Ajo që nuk duket ende në dy vendet tona, është ardhja në skenë e ideve të reja, e njerëzve të rinj, e një fluksi të ri që nuk tallet vetëm, por dhe propozon, debaton ide dhe projekte politike nëpërmjet mediave të reja sociale. E organizuar ose jo në formën e një partie, ky fluks i ri individësh do ta pasuronte jetën publike, do ta demokratizonte atë, dhe pse jo, do krijonte shpresë se tripolariteti i sotëm partiak dhe mund të thyhet dikur. Partia e Fortë na hijeshon kafenetë, por nuk na nxit dellin propozues kombëtar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama