Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Meta dhe pesha e Qendrës së Majtë

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 12 vite më parë

Artur Zheji
Meta dhe pesha e Qendrës së Majtë

Tanimë konfigurimi i skenës së parë, të aktit të parë, të teatrit të ri politik shqiptar, ka marrë një lloj tingëllimi. Qeveria e re, e shumicës së re Rama-Meta, ka sot poltronat dhe tryezat e komandës, pothuajse në trajtë kapilare. Nga postet më të larta e deri te nervaturat që zgjaten dhe integrojnë pozicionet dytësore, tretësore e kështu me radhë. Në hapësirën e diskutueshme krijuar ndërmjet konsensusit parazgjedhor të 30 majit të këtij viti dhe aktit normativ më të fundit të Këshillit të Ministrave, puna kapilare për emërime dhe çemërime, në emër të “emergjencës”, po e bën punën e vet të përditshme si një bletë punëtore.


Letërkëmbimi i pasuksesshëm Rama-Basha është, pa dyshim, një lajm pa lajm, porse në të njëjtën kohë palët po forcojnë kockën në pozicionet e tyre të reja politike. Rama si Kryeministër për herë të parë dhe Lulzim Basha si lider i opozitës, nga ana tjetër. Duket se edhe Berisha, ndryshe nga mjaft parashikime, e ka sfumuar me vetëdije performancën e tij. Ndonëse, pa dyshim, pesha specifike e influencës së tij, qoftë edhe të pavullnetshme, është ende shumë e madhe, kryesisht në sensibilitetet mediatike dhe, pa dyshim, brenda krijesës së tij, Partisë Demokratike.


Shumë paragjykime apo gjykime për përbërjen e stafit të ri qeverisës kanë ende vlerën e një statusi observues. Pasi qeveria e re është ende lehonë dhe nuk ka prodhuar numra, bëma apo gjëma, për të cilat do të mundeshim objektivisht të shpreheshim dhe të gjykonim pa paragjykim.


Është, sidoqoftë, një gjest origjinal i politikës së jashtme të Ramës afrimi personal me Kryeministrin turk Erdogan dhe, si të thuash, çarja e skemës tradicionale të një politike artificialisht të baraslarguar ndërmjet fqinjëve, ndërkohë që pesha e interesave rajonale matet në të vërtetë me një peshore tjetër. Nuk dihet se sa e qëndrueshme do të jetë kjo linjë dhe se sa xhelozirat transversale, rajonale dhe më gjerë, do të mund ta ndikojnë, por fillimi duket, sidoqoftë, me interes dhe logjik dhe brenda hapësirës NATO. Detaj ky për të mos u harruar.


Nga ana tjetër, ashtu si vërejti edhe Dritëroi, intervistuar me rastin e datëlindjes së tij, që ta gëzojë edhe 100 vjet të tjera, dhe që të vetët e quajnë patriark të së majtës, nuk e di sepse, si dhe tha poeti i majtë pra: “Nuk mund të hahen bashkë edhe sallata, edhe gjella, edhe bakllavaja”.


Porse ka një radhë, nënvizoi edhe ai. Kjo, pa dyshim, është një metaforë që lidhet, duam s’duam, me debatin për statusin e nëpunësit, ose më saktë, me një vullnet që zë vend edhe te të majtët e moderuar që Agolli sot përfaqëson, se pra, të moderuarit e këtij, qofshin me gjeografi politike të majtë apo të djathtë, nuk kanë mall për konfrontime dhe shkase për konflikte.


Dhe se, në fund të fundit, qoftë edhe kundërshtarët e moderuar politikë të Ramës dhe Metës, do të donin së paku një dështim të mëvonshëm të tyre. Pasi të jetuarit në një anije të përbashkët na ka mësuar që kur qeveritë e pësojnë, fatura është e lartë për të gjithë sistemin. Dhe dëshira për një sistem, një sistem me “S” të madhe, me standarde sigurie dhe vlerash jetike, është një dëshirë transversale që po forcohet në Shqipëri. Dhe pra, kjo është një gjë e mirë për të gjithë, pavarësisht fanellave partiake.


Kjo shoqërohet edhe me shpresën që ky sistem do të mund të shnëdrrohet gradualisht në shtet, e pra në një “njësi” të qëndrueshme që nuk njësohet me pushtetin, por rri si gur themeli. Si një shprehje e koncentruar pra, e interesave kombëtare, që qëndrojnë përfund dhe përmbi çdo qeverie.


Në këtë optikë, vendimi politik i Ilir Metës për të mos përdorur forcën reale të kartonëve që shumica ka sot, kokërr më kokërr në Kuvend, për të mos bashkuar pra “supën, sallatën, gjellën dhe bakllavanë në një haje të vetme”, duke përdorur edhe më tej metaforën e Agollit, duket një vendim politik në kohën e duhur.


Është pra ky, sipas asaj që mund të lexohet në mes rreshtave të këtij veprimi politik të Metës, një “hap prapa”, me qëllim hedhjen e dy hapave përpara. Së paku kjo është ana e dukshme e qëndrimit. Por përtej dyshimeve, që në politikë janë legjitime, me 84 kartonët e mbërritur tashmë nga kjo shumicë, Rama dhe Meta, e kishin hapur semaforin e konsensusit numerik parlamentar. Sigurisht, bëhet fjalë këtu për konsensusin sasior dhe jo cilësor. Dhe në këtë trend fillimmandati qeverisës, pakkush do të mund të bëhej pengesë reale ndaj forcës impresionuese të kartonëve në Kuvend, qoftë edhe “ndërkombëtarët”, që shprehen disi të dyzuar tavolinave me gazetarët për çështjen e menaxhimit të tashëm të statusit të nëpunësit civil. 


“Unë preferoj dialogun, dhe jo atentatet…”, këmbëngul pra Meta, në oponencë të kadifenjtë me “JO!”-në e opozitës, duke u kujtuar edhe një herë të gjithëve se ai është edhe kumbari politik i kompromisit të 30 majit të shkuar.


Mirëpo opozita dhe zoti Basha i kanë renditur qartë edhe në kartë dyshimet e tyre, ata duan, pa dyshim, më shumë garanci konkrete. (Në fakt, ky përdorimi i kartës së shkruar nga ana e Bashës, pas konsultimit opozitar, është një risi që në vetvete nuk duhet lënë pa nënvizuar). Sepse një gjë është dialogu, thotë Basha, dhe një gjë tjetër është se si shkon përfundimi i këtij dialogu, ndërkohë që emërim-çemërimet vazhdojnë të bëhen dhe të mediatizohen.


Sidoqoftë, hapi më i fundit i Metës përforcon pozicionin e tij si një Qendër, në raport me krahët e të dy forcave të tjera politike.


Një Qendër me forcë reale. Me ide dhe numra politikë me peshë të vërtetë, të matshme dhe të prekshme.


Vendosmëria pa ekuivok, por dhe pa provokim, rrëfyer në vendimin e Metës, për ridiskutimin dhe ridialogimin e këtij procesi, tregon në të vërtetë forcën e Qendrës.


Fatmirësisht konstruktive dhe pajtuese. Pavarësisht pasqyrimit të reduktuar mediatik. Në këtë optikë, mendoj se lideri i opozitës, zoti Basha, ka në dorë kësisoj një oportunitet politik shumë të mirë për të shtjelluar pikëpamjet dhe aktet e tija politike mbi këtë çështje realisht të mprehtë. Sepse si dhe thonë, opozita rritet kryesisht përmes hapjes. Aq më tepër që Lulzim Basha mund të akuzohet për çdo gjë nga kundërshtarët e tij politikë, por jo për një natyrë intelektuale dhe fizionomi të mbyllur, e aq më pak për një trend konfliktual. Deri më tash. Por sidoqoftë, edhe Basha ka peshoren e vet, dhe në peshoren e tij nuk se mungojnë objektivisht argumentet. Më i forti i të cilit lidhet me “Konsensusin” transversal, që nuk bëhet dhe nuk zhbëhet çdo tre muaj. Mirëpo, nga ana tjetër, realpolitika mëson se duhen matur ndërkohë edhe forcat reale. Dhe forca e numrave dhe e vullneteve ndodhet në krahun tjetër, dhe Basha, herët a vonë, duke shmangur kompromisin substancial me parimet, sidoqoftë, duhet ta vërë në peshore edhe këtë fakt.


Ilir Meta, pra, me peshën e Qendrës së Majtë që drejton, po u jep një shans konstruktiv të dyja palëve, pavarësisht se është në koalicion me njërën palë.


Po i jep një shans shumicës, e pra edhe vetvetes, që të rrëfehet sa më europianiste në politikën e parazgjedhur dhe të votuar unanimisht më 30 maj 2013 për administratën publike. Dhe po i jep gjithashtu një shans opozitës që të performojë në përputhjet me detyrat natyrale që ajo ka kundrejt interesit publik.


E pra, duke mbushur sadopak një vakuum mediatik dhe analitik, ia vlen të nënvizohet se lëvizja e Metës ndihmon, pa dyshim, për të mos parë edhe një herë të njëjtin film të vjetër, me sharje, fyerje transversale apo ngulitjen e strategjive afatgjata të bojkoteve. Të cilat, dihet, në aktet në vazhdim të teatrit politik degradojnë, herët apo vonë, në shishe me molotov, që të dyja palët i kanë përdorur paq në këtë 20-vjeçar të fundit. Duke zbythur Shqipërinë pas, në më shumë varfëri dhe në kilometra të një distance mjerane nga Brukseli.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama