Duke i kërkuar paraprak isht ndjesë lexuesit tim të ndershëm që i urren diktaturat, të djathta apo të majta qofshin ato, po e nis këtë shkrim duke përmendur një vepër të Stalinit me titull “Marksizmi dhe gjuhësia”, e cila në fakt u shkrua nga dikush tjetër (emri i të cilit nuk më kujtohet më), por, sipas udhëzimeve të diktatorit të kuq. Aty mësojmë se gjuha, e folur dhe e shkruar, ky mjet komunikimi tipik vetëm për njerëzit, nuk ka karakter klasor, por i përket gjithë popullit të një vendi të dhënë në një kohë të dhënë, pavarësisht shtresimeve të saj ligjërimore.
Gjithsesi, në gjuhën shqipe, dy përemrat dëftorë të titullit të këtij shkrimi që, sipas rastit, janë edhe mbiemra, në lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin dhe në një kontekst të caktuar politik, marrin një ngjyrim deri diku klasor. I pari që e përmendi këtë dukuri, me sa di unë të paktën, ka qenë Ismail Kadareja në romanin e tij “Dimri i vetmisë së madhe”, titull që shkrimtari u detyrua ta ndryshonte pjesërisht në ribotimin e tij. “Këta”, në gojën e të “deklasuarve” në Shqipëri pas Luftës Nacionalçlirimtare, ishin pikërisht ithtarët e Enver Hoxhës që përmbysën, përndoqën, vranë, burgosën ose internuan njerëz të shtresave të pasura fill pas vendosjes së pushtetit të tyre “popullor” në vitin 1945.
“Ata”, në gojën e pushtetarëve të kuq, ishin pikërisht të “deklasuarit”, pra, të pasurit e dikurshëm, familjet e tyre ose ata që ishin të lidhur me ata. E shtjellova këtë hyrje disi të gjatë për të mbërritur, aspak rastësisht, te rishfaqja e kësaj dikotomie socialpolitike në Shqipërinë e sotme, më saktë këta muajt e fundit, me ardhjen në pushtet të së majtës socialiste dhe, sidomos, tani që hyri në funksion të plotë kabineti i ri qeveritar me zotin Rama në krye e në zemër.
Po, një numër i konsiderueshëm qytetarësh me prirje pak a shumë të djathta, në bisedat e tyre të përditshme, po e përdorin përemrin “këta” për të shënjuar pushtetarët e rinj, socialistë e lësëistë shkartisur, që fituan zgjedhjet e 23 qershorit; nga ana tjetër (e “barrikadës”), një numër po aq i konsiderueshëm qytetarësh me prirje pak a shumë të majta, në bisedat e tyre po aq të përditshme, po e përdorin përemrin “ata” për të shënjuar ish-pushtetarët, demokratë, republikanë etj., që humbën zgjedhjet e 23 qershorit. Krejt natyrshëm, lexuesit tim të vëmendshëm mund dhe duhet t’i lindë pyetja: “Përse, zoti Tupja, mendoni se kjo dikotomi midis ‘Këtyre’ dhe ‘Atyre’ u shfaq pikërisht tani?”.
Kjo pyetje më duket me shumë vend, prandaj po i përgjigjem shkurtimisht: Sepse tani u poqën kushtet socialpolitike për t’u shfaqur kjo dukuri. Mirëpo lexuesi im këmbëngulës mund dhe duhet të më drejtojë një pyetje të dytë: “Po cilat na qenkan këto kushte, zoti Tupja, dhe përse nuk u poqën ato në zgjedhjet e para tetë vjetëve, kur e djathta rierdhi në pushtet pas tetë vjetësh në opozitë, apo në zgjedhjet e para katër vjetëve, kur ajo, sigurisht në aleancë me një parti të majtë si LSI-ja, fitoi sërish zgjedhjet për një mandat të dytë?”. Edhe kjo pyetje më duket me shumë vend, por do t’i përgjigjem pakëz më gjatë: Sepse, asnjëherë deri më sot, në Shqipërinë demokratike, nuk ka pasur një pasiguri dhe ankth aq të theksuar para dhe paszgjedhor (përjashto zgjedhjet e vitit 1997) lidhur me të ardhmen e mjaft shqiptarëve për vendet e punës që kishin në administratën dhe në institucionet e tjera publike, çka shpjegohet me frymën revanshiste të opozitës së djeshme, e cila, ende pa ardhur 23 qershori, premtoi spastrime të mëdha.
Sigurisht, që në postet drejtuese me karakter politik, do të kryheshin zëvendësime, sigurisht që do të luftohej me çdo çmim korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi e favoritizmi, siç u premtua, qoftë edhe duke djegur barin e njomë me të thatin, por kësaj here fryma revanshiste e së majtës pati dhe ka një impakt të tillë psikologjik që vende-vende po kthehet në makth. Një makth që më kujtoi, toutes proportions gardées, siç thonë francezët, pasigurinë, ankthin dhe frikën e shtresave të pasura fill pas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.
Një makth që, instinktivisht, zgjoi te një pjesë e popullsisë reflekset e vjetra socialgjuhësore, ndër të cilat edhe dikotominë “këta/ata”, e cila dikotomi u paralajmërua nga vetë zoti Rama, kur para dy vjetësh, në fjalimet e tij, nisi të fliste për “popull të majtë” në Shqipëri, çka linte haptas të nënkuptohej se aty kishte edhe një “popull të djathtë”. E tmerrshme: “popull i majtë & popull i djathtë”, “socialistë & demokratë”, “këta & ata” dhe, largqoftë, së shpejti “gegë & toskë”? Le të shpresojmë që jo, kurrën e kurrës!