Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Luan loto, blen libra në Amazon

Shkruar nga: Artan Fuga  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Fuga
Luan loto, blen libra në Amazon

Nuk e vendos fare në dis kutim se vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për ndalimin e komunikimit me website-t e lotove të basteve sportive është nisur. Unë mirëkuptoj argumentin bazë që ato parà që shqiptarët harxhojnë online për bastet sportive shkojnë jashtë vendit dhe nuk e ndihmojnë pothuajse fare ekonominë shqiptare të drobitur nga kriza financiare për t’u mëkëmbur.

Po ashtu, shumë individë, më mirë sesa të lënë nëpër baste dixhitale sportive lekët e tyre, e mira është të punojnë dhe t’i përdorin ato parà për mirëqenien e familjes. Mirëpo në aktet normative, pavarësisht dëshirave dhe qëllimeve që supozohen të mira, ka vend të mbahen edhe aspekte që e vështirësojnë zbatimin e tyre. Aq më tepër që një normë juridike ka vend të mbështetet jo thjesht në arsye ekonomike, morale apo sociale, të cilat edhe unë i ndaj, por, mbi të gjitha, në një kuadër normativ makro dhe të përcaktuar nga epoka jonë.

Është pothuajse e pamundur të ndalohet komunikimi me faqet e web-it të këtyre shoqërive të basteve, të cilat përfaqësojnë agjenci që janë instaluar në vende të zhvilluara dhe demokratike të botës moderne. Nuk di ndonjë mënyrë se si mund të bëhet kjo veçse nëpërmjet censurës së “search engine online” e, mbi të gjitha, në bllokimin e kërkimit në Google, që nuk besoj se ka fuqi ndokush ta bëjë.

E para, mund të na ndezë belaja me këto biznese të fuqishme që janë në të drejtën e tyre për të zhvilluar veprimtari biznesi dhe shpeshherë pas tyre qëndrojnë klube aristokratike garash me kuaj etj., të cilat na hedhin nëpër gjyqe sepse u pengojmë veprimtarinë e tyre financiare të ligjshme dhe me një klientelë planetare prej disa qindra milionë persona. Pastaj edhe mund të kemi probleme me komunikimin online sepse mund të taksohemi si pengues të komunikimit të lirë në internet, për të cilën shumë pak vende akuzohen sot në botën demokratike.

Shoh se asociohet biznesi i lotove të sportit me aktivitetin kriminal, dhe kjo gjë është riprodhuar edhe nga mediat shqiptare. E kuptoj se në disa drejtime disa agjenci bastesh sportive kanë ndikuar në rezultatet e ndeshjeve sportive dhe janë ndjekur gjyqësisht nga drejtësia e shumë vendeve perëndimore. Sa mirë ua bëjnë! Mobilizimi i shtetit tonë kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, sigurisht që duhet lavdëruar. Mirëpo nuk mund të bëhet asociimi midis biznesit të basteve sportive dhe krimit ekonomik. Duhet bërë kujdes sepse kështu përsëri mund të hyjmë në qorrsokak dhe të na akuzojnë për difamacion dhe shpifje. Ka agjenci shumë të mëdha në botën e sotme, një industri e tërë, me lobingje të fuqishme, që veprojnë në këtë fushë, dhe që nuk kanë asnjë lidhje me krimin.

Pas tyre janë firma të mëdha e të nderuara multinacionale, reklamën e tyre e bëjnë sportistë më emër të planetit dhe me reputacion të fuqishëm. Në asnjë rast nuk mund të akuzohen toptan si bartëse të aktivitetit kriminal. Nëse miliona njerëz sot në botë vendosin baste sportive, kjo nuk do të thotë aspak se ata kryejnë vepra kriminale. Të mos ngatërrohemi kot me këtë punë. Krimi është krim, ai duhet ndëshkuar dhe luftuar, kurse biznesi dhe klientela e ndershme që loz sipas normave në fuqi është ligjërisht duke kryer një vepër po aq ligjore sa edhe të shkosh në kinema apo të ecësh në vijat e bardha në rrugë. E keqja është se këto parà ikin nga ekonomia shqiptare dhe shkojnë nëpër xhepat e bankave dhe bizneseve të huaja të planetit. Por, kësaj nuk mund t’i bëjmë dot asgjë.

Kjo është ekonomia ku kemi pranuar të hyjmë dhe këtu rregullat e lojës janë për të gjithë njësoj. Edhe parà që emigrantët shqiptarë i fitojnë në Angli, Greqi, Itali apo Turqi fitohen atje, por një pjesë e tyre vijnë në Shqipëri. Kjo është paraja e sotme, qarkullon pa kufij kombëtarë, lirshëm, dhe sidomos online. Nuk mundesh të bllokosh në mënyrë të njëanshme qarkullimin e parasë, pra që ajo që fitohet në vende të tjera të hyjë në Shqipëri, kurse ajo që fitohet në Shqipëri të ndalohet me norma juridike të dalë nga Shqipëria. Sigurisht që këtu asnjë nga këta operatorë ekonomikë dhe financiarë nuk i paguajnë asnjë taksë shtetit shqiptar, dhe kjo na dëmton. Mirë do të ishte që këto biznese të ishin të regjistruara në Shqipëri, por nuk është rasti.

Rregullat e lojës tregtare sot e kanë bërë që mund të tatohen firma që funksionojnë në territorin shqiptar, dhe jo ato jashtë tij. Ne nuk mund të taksojmë ndërmarrje jashtë kufijve tanë, as edhe biznese online pa strehë sociale te ne. Përndryshe ekonomisë së sotme i prishen rregullat bazë. Ka të varfër që luajnë loto, vendosin baste online? Edhe mund të ketë. Por me një kartë krediti sot mund të blesh pije alkoolike, libra në Amazon, vetura, këpucë, çokollata etj., në butikë jashtë shtetit dhe askush nuk të ndalon që paratë e tua në bankë t’i prishësh jashtë vendit duke vendosur kartën e kreditit online në përdorim dhe të mos i blesh, ta zëmë në butikët e rrugës “Myslym Shyri”. Çfarë të bësh! Nuk është mirë, por këto janë rregullat e lojës sot. Ka shqiptarë që shkojnë dhe i kalojnë pushimet e tyre në Turqi ose Korfuz, në vend t’i kalojnë në Sarandë apo Shëngjin.


Ne humbim parà, ekonomia shqiptare humbet, por kjo është liria e konsumatorit planetar që është i lirë t’i harxhojë ku të dojë paratë e tij. Ne përfitojmë më anë tjetër, sepse edhe turistë të huaj vijnë dhe harxhojnë parà në plazhet shqiptare. Bile ne më shumë fitojmë, sesa humbasim nga këto shkëmbime ekonomike. Çfarë janë këta të varfër që përdorin karta krediti? Shuma prej disa dhjetëra milionë dollarësh që shqiptarët harxhojnë në loto sporti qenka marramendëse. Paskan parà në kohë krize. Po si është llogaritur, sepse nuk besoj se një varfanjak ka kartë krediti për të bërë loto sporti online?!


Nga dolën këto të dhëna veçse nëpërmjet shkeljes së sekretit bankar të mijëra vetave nga bankat e nivelit të dytë që gjurmuakan blerjet e mallrave dhe të shërbimeve të klientëve të tyre? Ndodh që njerëzit vërtet i harxhojnë lekët e tyre jo si duhet. Disa blejnë libra që s’kanë asnjë vlerë. Disa blejnë vetura thjesht për tangërllëk, disa blejnë pije alkoolike, disa harxhojnë qimet e kokës për duhan, ca shkojnë e blejnë bizhuteri krejt të panevojshme, apartamente jashtë mundësive të tyre financiare dhe pastaj bien në borxhe, disa rrinë si dembelë në vend të shkojnë të punojnë dhe pastaj hyjnë në borxhe dhe lënë fëmijët pa bukë. Por ja, kjo është situata ligjore dhe kulturore e kohës sonë, konsumatori ka lirinë e tij për ta ndarë sikurse dëshiron buxhetin e vet financiar familjar.
Vërtet që ndahet keq në Shqipëri, por këto janë kushtet. Shteti dhe qeveria nuk ndërhyjnë dot në strategjinë e çdo konsumatori që e zgjedh vetë në tregun e lirë se si do t’i prishë paratë e veta. Edukimi bëhet me punë kulturore dhe emancipuese, por jo me ndalesa juridike, sepse kështu mund të na kritikojnë se cenojmë sjelljen e lirë të konsumatorit në tregun botëror, për të cilën kemi marrë angazhime të rëndësishme juridike. Mirë që dikush të lërë paratë e veta në baste sportive online nuk është hiç kur lë fëmijët e vet pa bukë dhe pastaj shkon rreh gruan në shtëpi nga dëshpërimi. Por kjo është liria e konsumatorit sa kohë që ai i prish paratë e veta në blerje shërbimesh dhe mallrash që hidhen legalisht në treg. Por jo në çdo rast është ves.


Ka që luajnë se provojnë fatin, se e kanë zbavitje, se duan të harxhojnë adrenalinë etj. Në këtë rast nuk është ves, është lojë, është argëtim, është kalim kohe. Edhe mua ndonjëherë më lind dëshira para se të fle ta provoj me ndonjë loto. Ëndërroj të fitoj shumë lekë dhe të ngre një bibliotekë dixhitale për të rinjtë e lagjes. Nuk e kam aspak për ves si qindra milionë njerëz të nderuar, punëtorë, fshatarë, artistë, mikroborgjezë në planetin mbarë. Ky është njeriu. Ai mund të abuzojë me gjithçka dhe nuk mund ta përmbash me ndalime ligjore, ai edhe abuzon duke ngrënë, duke i dhënë veturës, duke pirë duhan, por nuk ia ndalon dot këto veprimtari. Me një fjalë, unë i kuptoj qëllimet e mira të ndalimit të website-eve të lotove të sportit, por kam paqartësi në të gjitha pikat e mësipërme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama