“Festë të madhe ka Shqipëria/ Po vjen gazi nga Siria”, kështu do të kishte kënduar ndonjë rapsod popullor në kohën e diktaturës komuniste sikur Hoxha të kishte qenë aleat me Asadin. Por ja që jetojmë në epokën e demokracisë së diktuar dhe kemi mundësi që ndonjëherë, të mos i themi as derrit dajë, as dosës teze, as Hoxhës hallvë e as Asadit hasude. Sarini, në gjendje të lëngët (nën -150°), me kombësi gjermane, lindur në vitin 1938 në Gjermaninë naziste, fillimisht si pesticid, pastaj si gaz luftarak hipertoksik, aktualisht me shtetësi siriane, pasi vrau, në vitin 1991, për dy ditë, 5000 kurdë irakianë, vrau disa qindra sirianë gushtin e kaluar, nga të cilët edhe fëmijë, sarini, pra, ka shumë gjasë që të na vijë në Shqipëri, për t’u prehur përfundimisht në vendin tonë (nën dhé, në ujë apo në ajër?), prandaj edhe ka bërë, sipas gojëve të liga, kërkesë për të marrë shtetësinë shqiptare. Sipas gazetës franceze Le Monde, “asgjësimi i tij kërkon shumë kohë, kushton dhe është i rrezikshëm”.
Mirëpo ne, shqiptarët kohën e kemi me aq bollëk, saqë një pjesë të mirë të saj e kalojmë kafeneve, paratë (flitet për dy miliardë dollarë) do të na i japin porositësit e asgjësimit të gazit sarin, kurse rrezikun e kemi shok të ngushtë të përditshëm, aq pak e vlerësojmë jetën, saqë për një rrënjë ulliri apo edhe për një metër katror vend, xhaxhai vret nipin ose nipi xhaxhain. Megjithatë, le t’i këqyrim gjërat më pozitivisht: Siç e ka parashikuar Gazmend Alldia, njëri prej astrologëve më të shquar shqiptarë, asgjësimi i sarinit do t’u sjellë bashkatdhetarëve të tij gazmorë të mira të papërfytyrueshme, aq saqë një ditë të afërt do ta shohin veten gati të pavdekshëm.
Në këtë këndvështrim, edhe pse, siç e përmenda më lart, ne, shqiptarët buzagaz, jetojmë në epokën e demokracisë së diktuar dhe kemi mundësi që, ndonjëherë, të mos i themi as derrit dajë, as dosës teze, as Hoxhës hallvë e as Asadit hasude, në fund të fundit, çfarë humbasim po t’u shprehim mirënjohjen tonë të thellë në gjendje të ngurtë, të lëngshme e të gaztë, atyre që, me shumë gjasë, do të sjellin sarinin në gjirin tonë duke na vlerësuar si popull luftarak që e kemi çarë rrugën e historisë me pallë në dorë, por pa na buzëqeshur shumë fati? Le të na sjellin, pra, gazin në fjalë që të gajasemi… të gajasemi, megjithëse gaz e hare kemi pasur, kemi e do të kemi ngaqë gjellë kombëtare historikisht kemi fasulen.
I vetmi shqetësim që më bren ndërgjegjen dhe që dua ta ndaj me lexuesin besnik të rubrikës sime, është një çështje gjuhësore, e cila pikënisjen e ka te një skenë gati skatologjike që shkrimtari Fatos Kongoli e përshkuan në romanin e tij “Dragoi i fildishtë”: Bëhet fjalë për një student shqiptar në Kinën e kohës së Mao Ce Dunit, që një ditë të bukur e sheh veten të pranishëm në eliminimin e pordhëve të një studenti tjetër në konviktin e tyre: një student i tretë rri me çakmak të ndezur në dorë dhe sa herë që tjetri zbraz barkun nga gazrat e tij të zhurmshme, spektakli bëhet befasues, aq shumë të krijohet përshtypja se dikush po përdor një flakëhedhëse.
Ky asgjësim gazrash është mijëra herë më i shpejtë, madje i rrufeshëm, shumë më pak i kushtueshëm dhe pa asnjë rrezik, madje, përkundrazi, është më i shëndetshëm sesa asgjësimi i gazit sarin. Çështja gjuhësore është kjo: kalimi nga shumësi “gazrat” (si te romani i Kongolit) te njëjësi “gazi” (sarin në rastin tonë) është domethënës: le të asgjësojmë gazin e të tjerëve duke u bërë gazi tragjik i botës, ashtu siç asgjësojmë gazrat tona bio, qoftë edhe me mënyrën që na propozon Kongoli në romanin e lartpërmendur. Përballë forcës së gazrave tona të pamposhtura, gazi sarin do të na dorëzohet ne shqiptarëve, dhe ne do ta eksportojmë atë të asnjanësuar me dashuri e përkushtim nëpër botë e do të nxjerrin kështu fitime të panumërta nga ky biznes ngazëllues. Mrekullia vetë: gaz (sarin) dhe hare (amin)!