Ndonjë këshilltar mendjelehtë i Departamentit të Shtetit, për të hequr sa më shpejt qafe çështjen e koklavitur të armëve kimike siriane për të cilat Rusia e Putinit dhe SHBA e Obamës pacifist kanë pasur under-ground një tension jo të vogël, ndonjë nëpunës punëmbaruar pra ka marrë përsipër të referojë se në Shqipëri është kollaj dhe se me Shqipërinë është kollaj, për të sistemuar, lirë dhe shpejt çështjen e armëve të shkatërrimit në masë.
Dhe nëpunësi punëmbaruar, njohës i rezistencës së ulët, të klasës politike shqiptare të kamur dhe sherrxheshë, ka qëlluar me sa duket në shenjë. Sepse nga gjithkund, përpos se në Shqipëri, ka versione zyrtare, ose pothuajse të tilla, se kjo çështje është de facto drejt mbylljes. E pra, armët kimike siriane me sa duket do të sistemohen në Shqipëri.
Bëhet fjalë për rreth 1290 tonë. 290 tonë armë kimike dhe 1000 tonë gaz i lëngët, helmues sa më s’ka. Për të shkatërruar një arsenal të tillë rus, do të duheshin pajisje dhe infrastrukturë për rreth 2.5-3 miliardë euro, raportojnë mediat ndërkombëtare, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka ende një version zyrtar të përmasave operacionale. Një super tender i hatashëm ndërkombëtar dhe pa dyshim me nënlicencime të majme lokale. S’kemi se ç’themi në këtë pikë, biznes ka sa të duash.
Por nuk besoj se kemi të bëjmë me tundime në këtë fushë, ndonëse nuk mund të përjashtohet asnjëherë.
Kryesorja është se Kryeministrit Rama, që po rrëfehet mosprononcues në këtë zhurmanë, në pothuajse 50 ditët e para të qeverisjes së tij i ra një telash, shumë i madh. Nga njëra anë Departamenti i Shtetit të SHBA, informuar nga ndonjë apo ca nëpunës “punëmbaruar” dhe, nga ana tjetër, një Vendim do lërë ose një vragë, ose një titull nderi të përjetshëm në karrierën e tij politike.
Duhet pra të vërë në rrezik pushtetin për Shqipërinë.
Arsyet janë të qarta, por nuk është pa vend që t’i kujtojmë.
Së pari, logjika politike dhe realiste e përdorur për ndalimin e importit të plehrave nuk mund të zhbëhet në harkun e pak muajve. Ajo ishte një betejë morale e drejtë. Pasi që Shqipëria është e korruptuar në mënyrë kapilare, e pra e pasigurt, për të plotësuar parametrat maksimaliste që të garantonin që, së bashku me plehrat e rëndomta, të mos depërtonin edhe mbetje toksike helmuese apo bërthamore.
1.000.000 shqiptarë i thanë jo importit të plehrave dhe mbetjeve industriale. Sepse, ashtu si edhe u artikulua me të drejtë, por edhe pak si shpesh mbas rezultatit vërtet spektakolar të 23 qershorit, 1.000.000 shqiptarë votuan pro koalicionit të majtë PS-LSI. Tani a thua si mendojnë po këta 1.000.000 shqiptarë për një operacion të hatashëm dhe të frikshëm për nga përmasat?
Sepse, gjykuar nga parametrat aktualë që ka Shqipëria, ky operacion mund të jetë edhe vetëvrasës dhe fatal për Shqipërinë, banorët e saj dhe aq më tepër për ekonominë e saj?
Si mundte të kalohet nga mospranimi i mbetjeve dhe plehrave në pranimin e armëve kimike, enkas të gatitura për shkatërrim në masë?
Së dyti, që do të mund ta vendosja fare mirë edhe së pari, a mendon zoti Rama ta bartë këtë risk kaq jo popullor, risk që mund të shndërrohet në njollë? Personalisht besoj dhe uroj që jo!
Madje, mendoj se Kryeministri Rama duhet mbështetur dhe duhet “shtrënguar” të thotë Jo!
Ndoshta do humbë ca kredite në disa segmente të administratës sonë aleate, por me fakte dhe prova në dorë i ka të gjitha mundësitë të provojë, legjitimitetin e JO-së së tij.
Le të rifillojë, së paku kështu ia sugjeroj, që pas kthimit nga vizita zyrtare në Serbi të bëjë një turne për në Atdhe, si gjatë fushatës, në townholle popullore dhe me intelektualë dhe me ish-ushtarakë e ushtarakë aktualë, e të marrë forcën e duhur për një “JO!” historike, për të dhe për Shqipërinë.
Ky debat është sot debati më i mprehtë, një debat që kërkon transparencë dhe forcë referendare. Le të kujtojmë se afatet për demontimin e armëve kimike dhe gazit sirian janë sipas raportimeve ndërkombëtare maji apo qershori i vitit që vjen.
Së treti, shtrohet pyetja, ku janë edhe sa janë të vëmendshëm dhe të vetëdijshëm shumë titullarë të qeverisë së sotshme, me origjinë të shquar të organizatave joqeveritare që kanë bërë edhe beteja publike për kauzat mjedisore?!
Si do të reagojë sot për shembull Erion Veliaj, ish-kreu karizmatik i Lëvizjes “Mjaft”? Si ministër apo si qytetar? Ndoshta i ka mundësitë që t’i përputhë të dyja! Aq më mirë për ne!
Po Elisa Spiropali, me të cilën kemi bërë beteja të përbashkëta për viktimat e pasojave të Gërdecit? Asokohe një “luaneshë” e vërtetë e të drejtave të pamohueshme, sot drejtoreshë e Doganave?
Po deputetja Olta Xhaçka apo deputeti Gert Bogdani, me origjinë edhe ata nga lëvizjet dhe nga koshienca e shoqërisë civile? Është pa dyshim një sprovë e madhe edhe në jetën e tyre, por ndoshta edhe një domosdoshmëri që edhe këta që përmenda dhe ndoshta edhe shumë të tjerë, të bëjnë lobimet e tyre të mençura kundër një aventure të këtyre përmasave.
E katërta, përkundrejt Kombit dhe Atdheut, përtej retorikës së këtyre termave shpesh të keqpërdorur, a kemi apo jo një Detyrë mbi Detyrat ose, e thënë me terma filozofikë, një Imperativ Kategorik për të përmbushur?
Mos vallë aleati ynë i madh dhe i shtrenjtë dhe shumë i fortë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të na dojë dhe do të na vlerësojë më shumë paskëtaj? Do të na dojë më shumë se i lehtësojmë një telash imazhi dhe i fusim në gjirin tonë ato armë të përfolura të Asadit, pavarësisht rrezikut që ato bartin mbi vete, në jo kushtet reale që ne kemi për t’i neutralizuar pa mbetje toksike që do t’ia japim tokës tonë të patjetërsueshme? Duke marrë në sy rreziqet fatale të një populli, të popullit tonë shqiptar pra, që edhe kaq sa është, boll mjeran dhe të shkalafitur e kemi, kryesisht nga grykësia njëshekullore e shfrenuar e klasës së vet politike?
Do të na dojë pra më shumë Washingtoni, nëse rrëfejmë që nuk duam vetveten?
E si e dashkemi pra ne Amerikën? Edhe më shumë se vetja? Të tilla marrëzira besoj askush nuk i beson, për kaq jemi të gjithë të një mendjeje besoj!
Nëse aleatët tanë mendojnë se ne shqiptarët kemi një klasë politike mendjelehtë dhe mercenare, unë them se është rasti të përgënjeshtrohen.
Së paku kështu shpresoj!
Në vitin 2009, Edi Rama bëri një betejë përtej të Majtës dhe të Djathtës. Në vitin 2013, rievokoi “Rilindjen”. Tani, në këtë situatë që jemi, ndoshta duhet t’u drejtohet të dy tezave të tija duke i shkrirë ato në një të vetme, të Rilindim shtetin përtej të Majtës dhe të Djathtës, që të mund t’i themi jo, kombëtarisht, një sipërmarrjeje kaq të rrezikshme dhe fatale, të cilën nuk e përballojmë dot.
Është pra në pikëpyetje: Pushteti apo Shqipëria?
Pesimistët thonë se do të zgjidhet Pushteti.
Shqipërinë paskëtaj do ta mbrojë Zoti, si edhe ka bërë deri më tash, aq sa ka bërë Perëndia me këtë vend.