Pranimi i helmeve nga Siria rrezikon një helmim të trefishtë për Shqipërinë. Së pari, rrezikohet helmimi i qytetarëve dhe ambientit ku ne jetojmë. Së dyti, rrezikohet helmimi i ekonomisë shqiptare. Së treti, rrezikohet helmimi i demokracisë sonë të brishtë. Pra, importimi i helmeve kërcënon tri dimensione kyçe të shoqërisë shqiptare; shëndetin njerëzor dhe mjedisor, shëndetin ekonomik dhe atë politik.
Nga tri rreziqet e mësipërme, rreziku njerëzor dhe mjedisor është më i qarti. Specifikat e Shqipërisë, një territor i vogël dhe i mbipopulluar, ujëra të shumta nëntokësore, kombinuar me një shtet të dobët, janë garanci për një katastrofë potenciale njerëzore dhe mjedisore. Shqipërisë i mungojnë si kapacitetet për të menaxhuar dhe kontrolluar mbetjet e helmeve, edhe ekspertiza mjekësore për t’u përballur me një aksident potencial. Ndaj sjellja e helmeve në Shqipëri është një minë me sahat.
Rreziku i dytë për nga rëndësia, por i parë për nga probabiliteti, është helmimi i ekonomisë shqiptare. Dy sektorët më strategjikë të ekonomisë sonë janë turizmi dhe bujqësia. Pavarësisht se si menaxhohen tonelatat e helmeve që do importohen nga Siria, Shqipëria në shtypin ndërkombëtar do të identifikohet si destinacion toksik. Aq më tepër kur shfaqja e fundit e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare ishte shpërthimi i Gërdecit. Kështu do të përforcohet imazhi i një Shqipërie si vatër kontaminuese e rajonit dhe Europës, që nga krimi i organizuar, deri te droga dhe mbetjet toksike.
Imazhi i një Shqipërie toksike në mediat ndërkombëtare do të përbëjë një goditje të rëndë për turizmin dhe bujqësinë tonë. Vlera e aseteve tona turistike do të bjerë në mënyrë drastike. Asnjë turist perëndimor nuk do të dëshirojë të pushojë apo të ushqehet në një vend si Shqipëria, ku 5 kilometra larg plazhit vijnë tonelata helmesh që shkatërrohen 50 kilometra më tej. Pak rëndësi ka se sa krenohemi ne me ushqimin tonë tradicional. Për të njëjtën arsye, eksportet tona bujqësore do të bien. Asnjë fermer shqiptar nuk do të mund të reklamojë produktet bujqësore shqiptare në tregun ndërkombëtar, nëse Shqipëria shikohet si destinacion toksik.
Së fundi, kemi të bëjmë me rrezikun e helmimit të demokracisë shqiptare, që tashmë ka ndodhur. Si qeveria, ashtu edhe opozita vazhdojnë të injorojnë tërësisht një shqetësim mbarëpopullor. Prandaj, importi i helmeve nga Siria e ka thelluar si asnjëherë tjetër hendekun mes elektoratit dhe klasës politike, duke e rritur ndjeshëm krizën e përfaqësimit.
Nga njëra anë, qeveria “Rama” vazhdon ta injorojë tërësisht shqetësimin dhe zhgënjimin e shoqërisë shqiptare. Ndërkohë që shqiptarët presin refuzimin e importit të helmeve nga një qeveri që bllokoi importin e mbetjeve, qeveria hesht. Nga ana tjetër, opozita e Partisë Demokratike që nuk përton të merret me pallatin e vjehrrit të kryetarit, nuk ka bërë asnjë deklaratë publike kundër importit të helmeve në Shqipëri. Ky është rasti më flagrant kur dy partitë më të mëdha në vend janë mbërthyer aq fort pas interesit të ngushtë, saqë kanë mbyllur sytë dhe veshët përballë interesit të Shqipërisë.