Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Miu dhe Ariu

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Miu dhe Ariu

Po e siguroj, që në krye të herës, lexuesin kureshtar të rubrikës sime të së dielës, se titulli i këtij shkrimi, ndryshe nga ç’mund të pandehë ai, nuk ka të bëjë thuajse fare me ndonjë fabul të frëngut La Fonten. E vërteta, pra, është, se të dy emrat – miu dhe ariu – ia kam huajtur shprehjes popullore shqipe “si miu, jo si ariu”, të cilin lexuesi në fjalë e njeh shumë mirë. Sot, në Shqipërinë e tranzicionit të stërzgjatur demokratik, dëgjojmë të flitet për korrupsion, për të korruptuar e korruptues.

Dëgjojmë gjithashtu të flitet edhe për luftën kundër korrupsionit, madje, nganjëherë edhe nga vetë të korruptuarit apo korruptuesit. Fqinji dhe miku im i vjetër, Aqif Qifa, burrë i ndershëm, i mençur dhe deri diku filozof sipas mënyrës së tij, sa herë që hapet tema e asaj që ai e quan “Korrupsion i pakorruptueshëm”, tund kokën me pesimizëm dhe lëshon proverbin “Të paktën të ‘marrin’ si miu e jo si ariu!”. Sigurisht, “Korrupsioni i pakorruptueshëm” nuk ekziston vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën, pra, edhe në vendet më demokratike.

Me shumë gjasë, korrupsioni në administratën shtetërore, së bashku me dy kumbarët e vet, pra, me të korruptuarit dhe korruptuesit po aq të pakorruptueshëm, është një bashkudhëtar i pandarë i demokracisë. Veçse, nga ana tjetër, ka korrupsion e korrupsion, ka nga ata që “marrin” si miu dhe nga ata që “marrin” si ariu. “Si miu”, në vendet ku funksionon realisht shteti i së drejtës, “si ariu” në vende të tjera, ku shteti i së drejtës sapo ka filluar të belbëzojë. Në këtë vështrim, fatkeqësia në këto vende, si për shembull Republika jonë e Shqipërisë (e cila po i paguan ende haraç historisë së saj të largët e të afërt), është se pushtetarët kanë alergji nga miu, kafshë e neveritshme dhe banore besnike gjirizesh, dhe parapëlqejnë ariun, me përmasa madhështore, ekologjikisht korrekt, por i pasionuar sidomos pas mjaltit që bëjnë ndershmërisht për veten e tyre të gjitha bletët punëtore dhe jo vetëm bletët. Këtë mjaltë ariu e rrëmben si… si ariu, pikërisht. Rrjedhimisht, shprehja popullore “si miu, jo si ariu” po gjen sot një përdorim fort të dendur, të ngjeshur e të pakundërshtueshëm në gojën e përherë e më shumë banorëve dëshpërimisht të ndershëm dhe ndershmërisht të dëshpëruar të Republikës sonë të Shqipërisë, të cilëve shteti belbacuk i së drejtës u duket gjithnjë e më shpesh si shteti elokuent i së shtrembrës. Gjithsesi, le të rrimë shtrembër e të flasim drejt:

Në libra apo filma fantastiko-shkencorë ka raste kur miu shndërrohet në ari; sot, me zhvillimin e pandalshëm që kanë marrë shkencat gjenetike dhe ato politike, është krejt e mundshme, arsyeton Aqif Qifa, që disa pushtetarë të prirur për mutacion, ta nisin karrierën e tyre korruspion(h)ale si minjtë dhe ta përfundojnë si arinjtë. Ndërkaq, një shqisë e gjashtë po më paralajmëron prej kohësh se mund të vijë një ditë e bukur kur ndonjëri prej arinjve, nga më të babëziturit, vetë ai mi i dikurshëm, t’u vërsulet minjve rreth e përqark tij për t’u “marrë”, në emër të ligjit e të moralit, ato copëra kaçkavalli që ata kanë “marrë” tashmë në kuadrin e paktit të pashkruar të “Korrupsionit të pakorruptueshëm”!

Para se të përfundoj, po i kthehem La Fontenit thjesht për t’i kujtuar lexuesit tim me kulturë letrare dy nga fabulat e tij me minj: së pari, atë ku bëhet fjalë për një mi që jetonte brenda një rrote djathi kaçkavall dhe që, me mençuri, nuk pranoi të rrezikonte duke u lidhur me të tjerë, e thënë ndryshe dhe e aktualizuar, nuk pranoi të “merrte” si ariu.

Së dyti, i kujtoj atij fabulën ku minjtë vendosin t’i lidhin në qafë maçokut që i terrorizon një këmborë për ta dëgjuar që nga larg e të kenë kësisoj kohë për t’u fshehur, por asnjëri prej tyre nuk e merr përsipër këtë veprim sa të guximshëm aq edhe të rrezikshëm. Me shumë gjasë, te ne, në Republikën tonë të Shqipërisë, nuk do të dalë vullnetarisht asnjë mi që t’u varë në qafë arinjve nga një këmborë alarmi për ta shpëtuar gjindjen shqiptare prej babëzisë së tyre të përbindshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama