Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dritëhijet e vendimit për statusin

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Dritëhijet e vendimit për statusin

Vendimi i fundit i mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së për ta shtyrë ftesën për Shqipërinë krijon një sërë interpretimesh, të cilat ngjajnë që të gjitha të arsyeshme. Ka një shkak themelor në këtë vështirësi.  Ekuacioni që të çonte në këtë vendim ka brenda shumë faktorë që ndikojnë, dhe është kështu plot me të panjohura. Këto të panjohura janë gjithfarëshe: janë sa vendore që lidhen me Shqipërinë në momente të ndryshme të vitit që po mbyllet, aq dhe rajonale, por pse jo dhe europiane. Ka një numër vendesh anëtare të BE-së që hyjnë në zgjedhje, vetë organet e Bashkimit do të hyjnë në zgjedhje, duke prodhuar dinamika, perceptime të ndryshme në kancelaritë e vendeve anëtare që kanë përcaktuar vendimin kundër Shqipërisë.

 

Dhënia vendit tonë e statusit të kandidatit do të mund të interpretohej negativisht nga zgjedhësit europianë në kushtet e lodhjes nga zgjerimi, në kushtet e frikës nga emigracioni i vendeve si Rumania, Bullgaria, aq më shumë nga Shqipëria dhe të tjerët që po trokasin te porta e anëtarësimit. Në këtë ekuacion jo vetëm që ka shumë variabla, gjegjësisht faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, por këta faktorë, siç ka treguar historia dhe e sotmja e Bashkimit Europian, e procesit të integrimit, ndikojnë në mënyra të ndryshme, në kohë të ndryshme, apo për vende të ndryshme. Pra metri i Bashkimit dhe i institucioneve euroatlantike në përgjithësi për këto vende nuk është përgjithësisht i njëjti dhe ai është funksion i dinamikave të ndryshme në vende anëtare, i faktorëve gjeopolitikë etj. Shqipëria jo, por Ukraina po. Shqipëria e Gërdecit mund të bëhej anëtare e NATO-s, por kjo Shqipëri e sotme s’mund të merrte ftesën për statusin e vendit kandidat në BE, diçka që kishte vlerë simbolike për inkurajimin e forcave politike që të ecin kah krijimi i një sistemi politik dhe institucional modern që arrin të vetëpërsoset. Anëtarësimi i vërtetë do ndodhte dikur pas 8-10 vjetësh.


Kjo parantezë për vështirësitë interpretuese të një vendimi si ky të dekurajon të rrëmosh në arsyet e vërteta që kanë përcaktuar sjelljen e 5 anëtarëve që kanë votuar kundër Shqipërisë. Diçka mund të thuhet, megjithatë, nisur nga deklarata e lëshuar prej Këshillit, apo dhe nga elementë të tjerë që lidhen me ecurinë e Shqipërisë kah Bashkimi Europian apo institucionet euroatlantike në përgjithësi. Kjo sprovë është shumë herë më e arsyeshme sesa të tentosh të përkthesh europianët me optikën e interesave të opozitës, të qeverisë apo të çdo pale të lojës politike në Shqipëri. Megjithatë, për shkak të këtij mali të madh faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm që ndryshojnë në kohë në mënyrë të paparashikueshme, nuk mund të japësh një shpjegim koherent të arsyeve të vërteta që kanë përcaktuar vendimin e fundit europian. Çdo shpjegim i mëposhtëm është një tentativë, dhe jo pjesë e një kuadri koherent shterues.


Faktori kryesor ndikues, sipas deklaratës, është mungesa e “track records”, ose e historikut të veprave të një qeverie të re. U vlerësuan provat e deritanishme, por ama ato nuk u konsideruan të mjafta për të marrë një vendim pro Shqipërisë. A është logjike një shprehje e tillë? Sigurisht që po. Në 3 muaj një qeveri nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha sistemike, të mentalitetit, të funksionimit të shtetit, të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për më shumë në një situatë të vështirë ekonomike. Por nuk ka asnjë dyshim se në këtë shprehje, megjithatë, ka një lloj skepticizmi edhe ndaj kësaj qeverie. Qëndrimi i opozitës, sipas të cilit fajtor për vendimin është kjo qeveri, nuk ka kurrfarë lidhje me këtë skepticizëm ama. Komisioni është shprehur vlerësues me propozimin e tij pro Shqipërisë; ndaj punës së kësaj qeverie nuk ka pasur kritika as prej vendit më skeptik, Holandës, nëpërmjet ministrit të Jashtëm; ambasadorët e shteteve të mëdha që votuan kundër kanë vlerësuar publikisht qeverinë e re, pra problemi nuk shihet tek ajo çfarë është bërë prej saj. Problemi shihet te nevoja për të bindur veten se ftesa për Shqipërinë ia vlen, për shkak të numrit të provave, të dëshmive pozitive.


Ky skepticizëm i stimuluar dhe prej problemeve të krijuara prej emigrantëve shqiptarë që thyejnë vizat apo aplikojnë për azil për shkak të gjakmarrjes, për fat të mirë u korrektua me vendosjen e një afati deri kur Shqipëria do të jetë në monitorim për marrjen e ftesës. Fiksimi i një afati pa kushte të reja është pozitiv, megjithëse e bën provimin akoma dhe më të vështirë. Në 6 muaj të japësh prova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të frenosh azilantët, të ndryshosh reputacionin e vendit, është një fabul që ngjan si në mitin e Sizifit. Gjashtë muajt korrespondojnë me ndryshimin e institucioneve europiane, dhe ndoshta vullneti i vendeve anëtare për të pritur anëtarë të rinj, saktësisht për t’i ftuar ata, mund të jetë akoma dhe më i kushtëzuar sesa sot. Madje dhe ndryshimi i organeve të Bashkimit mund të krijojë dinamika të reja. Vendosja e afatit është e mirë për ta mbajtur qeverinë nën tension, për të mos i krijuar asaj euforinë për të bërë çfarë të dojë apo për të ulur ritmin e reformave, por afati në vetvete nuk është garanci se pas 6 muajsh skepticizmi që mund të frymëzohet nga faktorë ekstrashqiptarë do të ulet.


Dhe një konsideratë e fundit. Marrja e ftesës do ishte një lajm i shkëlqyer për imazhin e vendit, e parë së bashku me firmosjen e marrëveshjes me FMN-në. Ato do të rrisnin besueshmërinë e vendit në skenën ndërkombëtare. Por 6 muaj në historinë e një vendi nuk janë shumë. Nuk ekziston shqetësim i madh se Serbia do të na parakalojë ndjeshëm në garën europiane sa kohë që deri tek anëtarësimi do duhet të kalojnë 8-10 vjet dhe me gjasë Bashkimi Europian do të zgjedhë qasjen e integrimit në grup. Me gjasë dhe përfshirja në programet përfituese prej marrjes së ftesës nuk do të ishte imediate në dritën e zgjedhjeve brenda Unionit

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama