Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Migrantët

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Migrantët

E thënë ndryshe, d.m.th. më shqip, mërgimtarët, por ja që kjo fjalë e huaj, pra, “migrantët”, ka hyrë kohët e fundit edhe në gjuhën tonë. Welcome, sidoqoftë! Migranti (dhe të tillë nëpër botë, afër e larg Shqipërisë, duhet të jenë rreth një milion nga bashkatdhetarët e mi) është dikush që shkon të jetojë e të punojë për ca kohë, me dokumente të rregullta ose jo, në një shtet tjetër; kështu, Gjergji, Lorenci dhe Nevruzi që shkojnë si punëtorë stinorë në Itali, quhen “emigrantë” nga shqiptarët që janë në Shqipëri, por “imigrantë” nga italianët që janë në Itali.

 

Këtu, për psikologët, ndoshta edhe për psikiatrit, nis njëfarë dyzimi i detyruar i Gjergjit, Lorencit apo Novruzit tonë: dy vende, dy gjuhë, dy kultura të ndryshme, dyzim ky që mund të bëhet burim problemesh nganjëherë të ndërlikuara. Migracioni, pra, mërgimi, përbën sot në rruzullin tokësor një problem social madhor aq sa 18 dhjetori është caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Migrantëve, pra, e mërgimtarëve. Këtë vit, mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me rastin e kësaj dite, mbyllet me këtë thirrje: “Le të punojmë që nga migracionet të përfitojnë si migrantët edhe vendet nga vijnë. Këtë ua kemi borxh atyre miliona migrantëve që, me guximin, dinamizmin dhe ëndrrat e tyre, ndihmojnë për t’i bërë shoqëritë tona më të begata, më të qëndrueshme përballë goditjeve si edhe më të larmishme”.

 

Gjithsesi, sot dua të flas për një lloj paksa të veçantë migracioni; e kam fjalën për migracionin e brendshëm, atë brenda vendit tonë, pra, për migracionin nga veriu në jug dhe nga fshatrat në qytete, nga qytetet në kryeqytet, i cili shoqërohet me probleme të ndryshme, qofshin këto ekonomike, sociale, psikologjike apo kulturore, zgjidhja e të cilëve kërkon sensibilizim, edukim, durim dhe, sidomos, politika të studiuara nga ana e shtetit dhe e shoqërisë civile, çka po vonon ca si shumë, të paktën sipas mendimit tim modest. Kjo mangësi ka lëshuar bojë deri te fjalori përbuzës që përdoret rëndom nga “qytetarët”, tek i cili gjejmë terma të tillë si “malok”, “kat’nar” e “çeçen”, madje edhe cilësorin “verior”, që ka marrë e ende bart njëfarë ngjyrimi diskriminues. Së fundi, le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i kësaj rubrike që të përmend, qoftë edhe shkarazi, një tjetër lloj migracioni, të brendshëm gjithashtu, por jo më gjeografik.

 

E kam fjalën për migracionin apo mërgimin partiak dhe po shpjegohem: Fill pas shembjes së regjimit hoxhist, lulëzoi më në fund edhe tek ne, ndonëse me vonesë, pluralizmi politik; u formuan, pavarësisht themeleve të tyre të cekëta, një mori partish, që nuk vonuan të përçahen për të krijuar parti të reja, a thua se ishin kërpudha që mbinin pas shiut; nuk kaloi shumë kohë dhe u vu re, në xhunglën e politikës postkomuniste shqiptare, një mërgim “personalitetesh” nga njëra parti në tjetrën, nga njëri krah, i djathti, në krahun tjetër, i majti, mandej edhe anasjelltas, pra, nga i majti tek i djathti, dhe, përsëri, krejt natyrshëm, nga i djathti tek i majti, praktikë kjo që erdhi e u theksua deri në përsosje veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, duke u kthyer kështu në një sport kombëtar. Me shumë gjasë, po krijohet në vendin tonë një treg ose “merkato”, siç thuhet për futbollistët, ose, ndoshta më saktë, një “bursë” që rregullarizon lëvizjen migratore në sferën politike.

 

Lind pyetja: ku bazohet kjo lëvizje migratore ndërpartiake, te vlerat ideologjike, te këndvështrimet e vizionet e ndryshme për zgjidhjen e problemeve të mëdha, me të cilat vazhdojmë të ballafaqohemi prej më se dy dekadash, apo tek interesa të ngushta vetjake që përcaktohen, qartas apo turbull, nga dëshira e papërmbajtshme për t’u pasuruar pa asnjë kompleks, pa asnjë skrupull, pa pikë turpi? Së fundi, po e pranoj se, edhe sikur mërgimtarët tanë politikë t’i përgjigjen sinqerisht pyetjes së mësipërme, një kureshtje e ndershme deri në naivitet më shtyn t’u bëj edhe një pyetje tjetër: Cilën ditë të vitit do të dëshironin ata me ngulm e me pasion që OKB-ja të caktonte si ditë ndërkombëtare për migrantët, apo, më shqip, mërgimtarët politikë të llojit të tyre?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama