Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse na duhet Presidenti?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse na duhet Presidenti?

Dy intervista të Kryeministrit dhe Presidentit në mediat kryesore të vendit njëkohësisht janë një rast i mirë për të vlerësuar rolin e Presidentit në raportet e reja të krijuara me ndërrimin e shumicës parlamentare. Për më shumë që në intervistat e tyre, kreu i shtetit dhe    i qeverisë u morën dhe me njëri-tjetrin dhe me marrëdhëniet mes tyre. U kuptua prej këtyre intervistave se si e shohin ata njëri-tjetrin në të ardhmen. Në një qasje provokative, do mund ta nxisnim një vlerësim tërësor të këtij roli, nëpërmjet pyetjes: a na duhet Presidenti i Republikës, dhe nëse po, sa na duhet dhe përse na duhet? Aktiviteti i zonjës së tij në fundvit me fëmijët e sëmurë ishte me të vërtetë shumë i ndjerë, por çfarë duhet dhe mund të bëjë presidenti që, pavarësisht origjinës së tij partiake, të shndërrohet në President i të gjithëve?


Kjo pyetje nuk është krejt pa kuptim, sa kohë që në emër të ndjeshmërive të caktuara të publikut ka pasur dhe thirrje apo shkrime që kërkojnë largimin e tij. Si dikush që ka punuar në atë institucion dhe që ka përjetimin personal të rëndësisë së tij, duhet ta saktësoj se nuk bëj pjesë tek ata që mendojnë se ky institucion është i parëndësishëm, apo që zoti Bujar Nishani do duhet të largohet pas humbjes të shumicës që e propozoi. Rasti i tij i zgjedhur me shumicë absolute është vërtet një precedent në funksionimin e institucioneve pas amendimit të Kushtetutës, por me gjasë ky precedent do të përsëritet, derisa të kemi pjekuri më të madhe të klasës politike, sesa kjo që shohim të shfaqur deri më sot. Pra, do të kemi dhe pas zotit Nishani presidentë të tjerë, që mund të zgjidhen me shumicë absolute parlamentare dhe që mund t’u duhet të bashkëjetojnë gjatë mandatit të tyre me forca politike kundërshtare me ato që i zgjodhën.


Roli potencial i Presidentit


Presidenti i Republikës, sipas kësaj Kushtetute, ka kompetenca të cilat, nëse interpretohen në mënyrë thelbësore, nëse brenda këtij kostumi është një individ me cilësi të epërme morale, dikush që s’ka ndërmend të ikë nga jeta publike pa lënë gjurmë të shënueshme, janë me të vërtetë themelore për ekzistencën dhe ekuilibrat e shtetit. Pavarësisht amendimeve kushtetuese të dyshes Berisha-Rama, prapëseprapë në arsenalin e akteve presidenciale mbeten ende shumë për të kultivuar në mënyrë të pandërprerë, profilin e një institucioni real kushtetues që zë fill prej Presidentit Meidani, me gjithë luhatjet e burrave që janë thirrur të parët e shtetit. Një president kushtetues vepron kryesisht nëpërmjet akteve, pa u përfshirë shumë në polemika ditore në mbështetje të qeverisë, apo dhe në korrigjim të saj nëpërmjet dekretimit të ligjeve, të ambasadorëve, të titullarëve apo anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë apo të krerëve të enteve të tjera. Një president vërtet kushtetues e gjen forcën në mbështetjen e opinionit publik, pjesës së shëndoshë të tij, e cila në mënyrë të mençur zë e identifikohet me të, duke u ndikuar rast pas rasti reciprokisht, krahas një trupe këshilltarësh të mençur dhe që e kanë krijuar autoritetin publik para se të bëheshin këshilltarë të të parit të shtetit. Nëse një politikan luan sipas këtyre parametrave në rolin e Presidentit, është krejt e qartë se ai krijon një autoritet të pakontestueshëm duke u bërë pikë referimi e shoqërisë, e shtetit, veçanërisht në raport me të huajt. Është e njohur paradigma e ndikimit ndërkombëtar në shtete si yni nëpërmjet promovimit të Presidentit në forma të ndryshme, si nderimet, vizitat e nivelit të lartë etj. etj., veçanërisht kur kryeministrat bëhen problematikë.


Shqipërisë i duhet një president i tillë, në mënyrë që të shumëfishojë sadopak nivelet e përfaqësimit të saj shtetëror në arenën ndërkombëtare nëpërmjet personazheve me profile të ndryshme. Në jo pak raste, në mënyrë të koordinuar, Presidenti, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm zgjedhin të mbajnë pozicione publike që ndihmojnë njëri-tjetrin, veçanërisht kur është në diskutim interesi kombëtar. Dikush me zë më të fortë, dikush më të butë, por kryesore mbetet ruajtja e interesit kombëtar.


Zotit Nishani duhet t’i shërbejë rasti i presidentit Moisiu si rasti më i prekshëm kur një njeri pa pretendime për karrierë të mëtejshme, i vetëdijësuar për rëndësinë e një detyre kaq të lartë, nuk ra peng i nunëve politikë, apo i njërës dhe tjetrës parti, duke ruajtur përgjithësisht një profil të respektueshëm, me gjithë vështirësitë e përshtatjes në një karrierë të lartë përkundrejt dredhive që i ngriheshin, nga një shoqëri politike pa parimësi, makiavelizmit ekstrem etj.


Si po luan Presidenti aktual?


Po a është Presidenti Nishani duke luajtur sipas kësaj paradigme, sipas këtij modeli që, pavarësisht cilësive personale të njërit apo tjetrit president, duke nisur nga Meidani, Moisiu dhe Topi, ngjan i konsoliduar? Apo është duke e zhbërë atë?


Është shumë vështirë të japësh gjykime shteruese për një raport të tillë, kur një pjesë e mirë e veprimtarisë presidenciale nuk zhvillohet në sytë e publikut, por në takime që janë jashtë vëmendjes së tij. Diçka mund të vihet re, megjithatë në atë pjesë të veprimtarisë që bëhet publike, duke arsyetuar me indulgjencë dhe duke konsideruar normale shlyerjen e borxheve ndaj nunëve në pjesën e parë të mandatit.


P.sh., disa prej njerëzve të Presidentit janë përfshirë në polemika me përfaqësues të komuniteteve fetare, diçka që s’është normale, pavarësisht drejtësisë së argumenteve të tyre. Disa të tjerë hyjnë pa pikë problemi në polemika me qeverinë, për çështje të mbartura nga e kaluara e tyre afër Berishës, pa drojën se i japin kosto Presidentit në marrëdhëniet e veta institucionale.
Presidenti i Republikës nuk po krijon profil të vetin në raport me drejtues të caktuar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke mbajtur gjithmonë qëndrim refraktar ndaj propozimeve që vijnë nga qeveria. Nuk ka dyshim që qeveria do donte shumë që ta kishte nën kontroll këtë institucion, por Presidenti është mbi palët, mbi çdo kastë profesionale, e cila tregohet me gisht jo vetëm nga opinioni publik, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë si gjerësisht e korruptuar. Ndaj ai s’mund të refuzojë gjithçka vjen prej qeverisë, duke tradhtuar atë që tha kur ishte me kryeministër Berishën: nuk jam këtu për t’i krijuar probleme qeverisë.


Presidenti i Republikës kishte arsyet e veta për të refuzuar aktin normativ mbi ligjin për administratën civile, por ai do duhej të priste ndërsa me kushtetutshmërinë e tij po merrej Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, Presidenti do duhej t’i parashtronte arsyet e veta në rast të mosvendosjes së firmës për ligjin për kontrollin e doganave prej kompanisë britanike “Crown Agents”. Kjo ishte diçka që e vuri në një gjatësi vale me opozitën, e cila formuloi shumë akuza për këtë kompani, dhe në kundërshtim me një aleat të rëndësishëm perëndimor si Britania e Madhe.


 Presidenti ka të drejtë të acarohet prej disa sulmeve që vijnë nga anëtarë të caktuar të maxhorancës, por ai s’mund të barazojë gjithë maxhorancën me ta. Sido që të jetë – a janë këta anëtarë të vënë nga Kryeministri për të sulmuar Presidentin, apo thjesht janë toleruar prej tij, edhe për arsye taktike ai s’mund të etiketojë gjithë maxhorancën me disa sulmues të tij. Për më shumë kur Kryeministri si i tillë në asnjë rast nuk e ka kritikuar publikisht dhe është ende e freskët eksperienca e Berishës me paraardhësit e tij. Kreu i qeverisë, Rama, e di fare mirë se do duhet të bashkëpunojë me kreun e shtetit për emërime të ndryshme, ndaj s’mund t’i lejojë vetes ndjekjen e modelit të paraardhësit të vet, me gjithë mospëlqimet që mund të ketë ndaj zotit Nishani.


Pavarësisht se nuk kishte krijuar profil të pavarur politik brenda PD-së, zoti Bujar Nishani konsiderohet gjerësisht si një burrë i urtë dhe që i njeh e i respekton ligjet e shtetit. Sot në rolin e të parit të vendit, ai ka në dorë vetë të ngrihet mbi atë trashëgimi, duke krijuar profilin e shtetarit mbi palët. Nëse e bën këtë, do ta nderojnë të gjithë brenda dhe jashtë dhe me të drejtë mund të pretendojë për një mandat të dytë. Sa për ilustrim, në intervistën e tij të fundit kishte një fjali që e tradhtonte besimin e të huajve për të – dhe ishte ajo për mungesën e informimit prej tyre për çështjen e armëve kimike. Për ta fituar këtë besim të të huajve, zoti Nishani duhet të shkëputet nga trashëgimia partiake, të kultivojë unin e vet individual dhe të bëhet i respektuar gjerësisht nga opinioni publik. Ai s’ka pse të ndihet borxh ndaj askujt në mënyrë të përjetshme. Le ta besojmë se deri më tani i ka shlyer borxhet e vjetra dhe prej tash do të punojë për imazhin e vet, për gjurmët e veta në histori dhe për vendin e tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama