Fishekzjarrët, kjo shpikje e mrekullueshme e kinezëve shumë të hershëm, ka fituar prej kohësh të drejtën e qytetarisë edhe në Shqipëri, ku, me raste festash, laike apo fetare, në rang krahinor apo kombëtar, zhvillohet një festival i madhërishëm deri në rrëmujë, madje nganjëherë me të plagosur, një festival, pra, fishekzjarrësh shumëngjyrësh që shpalosin zhurmshëm gëzimin mbarëpopullor. Festat e fundvitit 2013 patën edhe ato fishekzjarrët e tyre, si mund të ishte ndryshe?
Si popull mesdhetar që jemi, i adhurojmë zhurmat, zhaurimat, rrapëllimat, brambullimat, krismat, kërcitjet, pëlcitjet, shpërthimet, katrahurat, zallahinë, poteren, batërdinë, shamatën, gurgulenë, gjurulldinë etj., madje deri në atë pikë sa, ashtu siç thuhet proverbialisht “po të mos turbullohet, uji nuk kullohet”, duhet thënë “po të mos bëhet zhurmë, nuk vjen qetësia kurrë”. Por, kësaj radhe, pra, para tri-katër ditësh, më bëri përshtypje, të paktën në Tiranë, fakti që zhurma e fishekzjarrëve nuk ishte ajo e viteve të kaluara: ajo përhapte, paradoksalisht, njëfarë gëzimi të trishtuar, diçka më shumë se melankolik, një trishtim të rrafshët që – dhe për këtë mendoj se do të gjej jo pak dëshmitarë pamorë midis lexuesve të mi të paanshëm e objektivë – rëndonte gati ankthshëm mbi shpirtrat tanë të lodhur.
Si për ta vërtetuar këtë përshtypje, jo vetëm shpërthimet e fishekzjarrëve, por edhe ngjyrat e tyre m’u dukën të zbehta, diçka më shumë se melankolike edhe ato, si të ngopura me trishtim veshtullor: e kuqja pikonte gjak, e verdha depresion, e kaltra zhgënjim, e blerta anemi etj. Ndoshta janë hedhur edhe fishekzjarrë të heshtur që pikonin zi, ku i dihet? Dhe heshtja e tyre duhet të ketë gjëmuar dhimbshëm brenda nesh, dhe zia e tyre e ka shtuar sasinë e blozës në ëndrrat tona të gjymtuara! Ku i dihet, në këtë kohë krize kapriçoze që po e kapërdijmë me vështirësi, si mjerim migjenian, që po e kapërdijmë me nënshtrim fatal, ne, njerëzit e përditshëm, gati anonimë, të shkurajuar, krahëkëputur e të ligështuar ndoshta pa shërim, të zënë në rrjetën kafkajane të realitetit të zymtë shqiptar – korrupsion galopant, hipokrizi qeverisëse, mosbesim, ankth ekzistencial e deprimim, – ku i dihet, pra, se ç’mund të na ndodhë muajin, tremujorin, gjashtëmujorin apo vitin e ardhshëm? Vërtet, duke i lënë përkohësisht mënjanë problemet ekonomike e social-kulturore me të cilat do të ndeshemi, le të pyesim: Ku i dihet se çfarë do t’u ndodhë në fund të vitit 2014 fishekzjarrëve të Vitit të Ri?
Mos vallë trishtimi i tyre do të kthehet në pikëllim? Në çfarë lloj pikëllimi? Mortor? Metafizik? Apokaliptik? Duke qenë se nuk kemi në vend industri fishekzjarrësh (përjashto shpërthimet e “fishekzjarrëve” të Piramidiadës 1997 dhe të Gërdeciadës 2008), duke qenë se kriza i shtrenjton importet, mos vallë, largqoftë, një ditë të kobshme do të rrezikojmë të shohim në qiellin e murrmë të jetës sonë, jo më, si sivjet, shpërthime fishekzjarrësh të trishtuara, por shpërthime të një lloji tjetër, ndoshta të dhunshme, ndoshta vrastare? Oh, mos e dhëntë as Perëndia, as Rastësia, të cilave, me sa duket, rruzulli tokësor në përgjithësi dhe Shqipëria në veçanti duken se u kanë dalë nga kontrolli! Mirëpo, më e keqja më duket të jetë fakti se neve, shqiptarëve, na ka dalë nga kontrolli edhe diçka tjetër që ti, lexues i rregullt e i paanshëm i kësaj rubrike fundjavore, e ndien turbullt, por ndoshta nuk guxon të shkosh më tej në formulimin e saj: Po, neve, shqiptarëve, na ka dalë nga kontrolli VETVETJA, aq sa kam paturpësinë që fjalën e mençur të filozofit frëng Volter “O Zot, më mbro nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë” ta modifikoj si vijon në adresë të bashkatdhetarëve të mi, rrjedhimisht edhe në adresën time: “O Zot, na mbro nga vetvetja, se nga armiqtë e nga miqtë mbrohemi vetë!”