SFIDAT 2013
Një vit më parë shfaqa mendimin se sfidat e vitit 2013 ishin: i) statusi i vendit kandidat në BE; ii) ravijëzimi i metodës së duhur të trajtimit të çështjes kombëtare; iii) performanca ekonomike; iv) suksesi i projektit të gazsjellësit TAP; v) cilësia e zgjedhjeve dhe pranueshmëria e rezultatit.
Mundësitë, kufizimet dhe rreziqet për secilën nga këto sfida i kam trajtuar në shkrimin “Sfidat 2013” që gjendet në http://www.panorama.com.al/2013/01/14/sfidat-2013/
Pas një viti, përjashtuar projektin TAP, për të cilin u kryen me sukses hapat e projektuar dhe më përcaktues, pamja e sotme e zhvillimeve në katër drejtimet e tjera më rezulton një gri e errët.
ZGJEDHJET 2013
Zgjedhjet 2013 u njohën ndërkombëtarisht se ishin në thelb të lira dhe konkurruese. Zgjedhjet u pasuan nga njohja e rezultatit dhe një kalim i butë i pushtetit. Kjo ishte një arritje e madhe.
Por, paradoksalisht, zgjedhjet më të mira na dhanë Parlamentin me një cilësi tepër të dyshimtë. Afro çereku i deputeteve janë biznesmenë, e për një pjesë të mirë syresh ka pikëpyetje të qenësishme mbi suksesin e tyre. Numri i deputeteve biznesmenë në këtë Parlament është disa herë më i lartë se ai i 2009-s e 2005-s e, për pasojë, kemi një Parlament të ekspozuar rrezikshëm ndaj konfliktit të interesave. Gjithashtu, numri i deputeteve që i binden verbërisht urdhrit të liderit përkatës është rritur ndjeshëm. Bilanci i cilësisë negative është shumëfish më i lartë në radhët e maxhorancës, krahasuar me opozitën.
Paradoksi shpjegohet vetëm me modelin e përdorimit masiv të joshjes individuale të votuesve me premtime për punësim a mbajtje në punë apo edhe me para të thata në dorë, dhe kjo është jo vetëm një njollë e zezë e këtyre zgjedhjeve, por edhe një rrezik degjenerues i zgjedhjeve dhe cilësisë së demokracisë në të ardhmen.
ÇESHTJA KOMBETARE
Viti 2012, si vit i 100-vjetorit të pavarësisë, nxiti një entuziazëm të shëndetshëm patriotik, por, njëkohësisht, kjo çështje u bë instrument i lëvizjeve qesharake. Në vitin 2013 prisja që çështja kombëtare të vazhdonte trajtimin në mënyrë të shëndetshme, të mirëpeshuar, të mençur e të matur, larg karagjozllëqeve që mund të impononin zgjedhjet. Gjetja e metodës së duhur ishte sfida e vitit. PD, PS dhe LSI nuk e instrumentalizuan çështjen kombëtare në zgjedhje, ndërsa Aleanca Kuqezi përfundoi aty ku e meritonte. Ky ishte një zhvillim pozitiv.
Por, pas zgjedhjeve, zhvillimet janë të dyshimta. Inkursionet e Kryeministrit në Kosovë, në vend që të pajtonin, shkaktuan fërkime politike atje. Në sofrën prizrenase, rreth së cilës drekuan dy kryeministrat shqiptarë dhe ai turk, supa e kazanit përmbante ca patate nga Kosova e Pavarur, ca zarzavate nga Shqipëria e Rilindur dhe ca mish hallall nga Turqia Neootomane.
Përçartjet e Kryeministrit, pas shtyrjes së vendimit për statusin, mbi rolin e ekstremistëve në Europë dhe myslimanizimin tonë, shkaktuan një valë reagimesh të ashpra e të padëgjuara ndonjëherë më parë e të thëna direkt nga disa kryeministra e ministra me peshë nga Europa e vjetër apo ajo e re, reagime këto që edhe paragjykojnë trajtimin e çështjes kombëtare, edhe pengojnë integrimi tonë europian, dhe efekti i tyre është i dyfishtë dhe i kombinuar kur vetë ne i konsiderojmë këto dy çështje të lidhura mes tyre.
STATUSI I VENDIT KANDIDAT NE BASHKIMIN EUROPIAN
Shtyrja për në qershor 2014 e trajtimit të kandidaturës së Shqipërisë ishte dështimi i katërt radhazi. Në dhjetor 2010 na akorduan liberalizimin e vizave, për të cilin i kishim bërë një më një detyrat dhe ofronim të gjitha garancitë. Për statusin as që bëhej fjalë me atë konflikt politik që, në fakt, u përshkallëzua. Në dhjetor 2011 sapo kishte filluar një puhizë pranverore pas dimrit të egër politik. Bashkëpunimi i premtuar duhej testuar. Ai dha produkte të njëpasnjëshme, por ngeci te “tri ligjet” që u përcaktuan si kusht në tetor 2012 nga Komisioni Europian, por që nuk u miratuan se kështu deshi e vendosi opozita, ndaj statusi nuk u diskutua nga Këshilli Europian as në dhjetor 2012 e as në mars 2013, duke i bërë zgjedhjet një kusht të nënkuptuar.
Dhjetori 2013 ishte momenti i kombinimit më optimal të faktorëve shqiptarë. Edhe maxhoranca e re, edhe opozita e re në favor të statusit dhe gjithçka e kryer sipas kërkesave të Komisionit Europian, i cili dha rekomandim pa bishta dhe plot vlerësime entuziaste. Nuk qe e thënë as këtë herë.
PERFORMANCA EKONOMIKE
Para dhe gjatë fushatës zgjedhore, për shkak të axhendës tejet populiste të opozitës në çështjet ekonomike, qeveria demokrate ndërmori disa masa populiste. Gjithsesi, ekonomia u mbajt në parametra të kënaqshëm në kushtet rrethuese të pafavorshme si kriza e zgjatur e eurozonës e në veçanti e Greqisë dhe Italisë.
Rritja ekonomike 2013, të paktën deri në fund të tremujorit të tretë, ishte pozitive, rritje kjo e mbështetur kryesisht nga një rritje e fortë e eksporteve dhe një rritje e mirë e industrisë e bujqësisë, si dhe e sektorit të shërbimeve të komunikimit. Mbetet të shohim edhe rezultatet e tremujorit të katërt 2013, por faktorët pozitivë kanë vazhduar në të njëjtin kah dhe ka gjasa që i gjithë viti të rezultojë me rritje pozitive.
Por, ndonëse modeli fiskal e buxhetor i qeverisjes demokrate dha rezultate edhe në kohëra të mbara – deri në fund të vitit 2008 – edhe në kohëra të vështira – deri në vjeshtën 2013 – qeveria e re po modifikon me shpejtësi modelin fiskal drejt taksave më të larta dhe atë buxhetor drejt mosrritjes së investimeve dhe mosrritjes së pagave, por rritjes së shpenzimeve operative si dhe rritjes edhe më të shpejtë të borxhit publik.
Efektet negative ndoshta nuk janë ndier në tremujorin e fundit, ose janë ndier pak për të ndryshuar kahun e performancës ekonomike, ndaj, këto zhvillime potencialisht negative, mbeten për t’u verifikuar e vlerësuar përgjatë vitit 2014.
SFIDAT 2014
Sfidat 2014 janë: i) ekonomia; ii) statusi dhe iii) metoda e trajtimit të interesave kombëtare.
Lidhur me këtë të tretën duket se në horizont po shfaqen probleme e vështirësi sa të vjetra, aq edhe të reja. Gjendja në Maqedoni nuk premton për mirë. Presidenca greke e Bashkimit Europian duket se do të mirëpërdoret nga Greqia për të imponuar axhendën e saj lidhur me çështjet që i intereson, veçanërisht ajo e kufijve detarë. Zhvillimet në Turqi nga një anë dhe entuziazmi i tepruar kryeministror ndaj vëllait dhe homologut turk mund të kenë nxitur pikëpamje a krijuar këndvështrime dyshuese për mënyrën se si ne e shohim çështjen tonë kombëtare në vetvete dhe/ose në raport me integrimin europian. Shkurt, ndërsa situata komplikohet, ne, në vend që të përmirësojmë metodën, e përçudnojmë atë.
Nga këtu, perspektiva e statusit në qershor 2014 duket më gri se në dhjetorin e kaluar. Për aq sa ka peshë faktori që Kryeministri e quan “ekstremist europian, anti-BE dhe/ose antimysliman”, s’ka asnjë shans që ai të dobësohet deri në qershor 2013, e ndoshta zgjedhjet e pritshme europiane veçse do ta forcojnë. Gjithsesi, ka një ndjesi gjerësisht të përhapur edhe mes faktorëve europianë që Shqipërisë iu bë një padrejtësi dhe ndoshta kjo mund të na ndihmojë në qershor, por gjithnjë me kushtin që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e duhur, rrugë e cila, për vetë europianët dhe Europën e bashkëpunimit dhe kompromisit, kalon vetëm përmes bashkëpunimit e kompromisit politik në Shqipëri për çështjet kyçe, përfshirë “temën e dashur” të antikorrupsionit si dhe të rolit konstruktiv të Shqipërisë në Ballkan. Ndaj, nëse konflikti politik do të acarohet më tej dhe/ose do të ndërmarrim nisma që kërcënojnë ose duket sikur kërcënojnë raportet delikate ballkanike, sërish do të ketë shkaqe për disa e pretekste për ca të tjerë që Shqipëria të konsiderohet ende jo gati për statusin edhe në qershor 2014.
Sa për ekonominë, me supozimin se rrethanat e tjera janë të barabarta, rritja e taksave dhe e borxhit shkakton vetëm dhe vetëm efekte negative mbi performancën ekonomike 2014 dhe, për pasojë, do të kemi më pak investime, më pak punësim, më pak të ardhura, më pak konsum. Pra, nëse gjithçka varet nga qeveria, ekonomia veç për keq do të shkojë. Fatmirësisht nuk varet vetëm nga qeveria. Ambicia njerëzore bën të vetën. Njerëzit duan të jetojnë më mirë, e për këtë do punojnë, do konsumojnë, do t’iu pjellë mendja e do ndërmarrin nisma. Gjithashtu, duket se po vijnë sinjale ende të dobëta, por të mira nga eurozona. Greqia ka nisur të kacavirret përpjetë në muret e pusit të thellë ku ra, me shpresën për të dalë që andej këtë vit falë injektimit masiv financiar të këtyre dy viteve të fundit. Italia lajmëroi uljen e interesave të obligacioneve qeveritare, pra kthimin e besimit të tregjeve dhe investitorëve te ky shtet dhe kjo ekonomi. Rezultantja e veprimit të këtyre grup-faktorëve me kahe të kundërt është, sot për sot, e papërcaktueshme me saktësi të kënaqshme por, në pak muaj, pamja, për mirë a keq, do të qartësohet.