Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lindur ne 97

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Lindur ne 97

 Në pak ditë të vetme ekranet e televizorëve u mbushën plot me djem të rinj. Shumë prej tyre akuzohen si vrasës gjakftohtë, të përpiktë, profesionistë. Nja katër të tjerë nga Mogilat e Vasjarit për vrasës të marrë, për cuba idiotë të kohëve moderne.

Në të njëjtën ditë mësues e studiues japin alarmin për dhunën në shkollat e mesme. Një ditë më parë një 17-vjeçar i gjimnazit “Partizani” në Tiranë plagos shokun e tij të klasës me thikë. Këta të dy i bie që të kenë lindur në “vitin e mbrapshtë” ’97. Të tjerët, “kolegët” e tyre të lajmeve, në atë vit kanë qenë fare të vegjël, por ama aq sa duhet për të hapur sytë dhe për të kuptuar se ç’ndodhte rreth tyre, pse jo edhe për të mësuar prej më të rriturve që vërtiteshin rrugëve mes Fierit e Memaliajt me kallashët në dorë e me kapuçat në majë të kokës.

Përfaqësues të opozitës deklaruan me të shpejtë se një nivel të tillë krimi vendi ka parë vetëm në 1997. Mbase, si çdo deklaratë politike, edhe kjo është ca e tepruar, mbase. Vetëm se një gjë duket se qëndron. Hijet e ’97 kanë filluar të afrohen lehtë e tinëzisht, ashtu sikurse e kanë zakon të gjitha hijet. Nëse nuk i fshijmë sa më shpejt, do të shndërrohen në njolla të zeza që do të na errësojnë keq sytë, mendjen, zemrën, shpresën, gjithçka. Të lindurit në ’97 kanë filluar të bredhin me thikë në xhep. Shumë shpejt, fare kollaj, ajo thika do të shndërrohet në një pistoletë me silenciator.

Është fare e drejtë që lufta kundër krimit të kërkohet nga policia, ministria, prokuroria, gjykatat, nga SHISH, nëse ekziston ende. Janë këta njerëzit që ndodhen në ballë të kësaj lufte. Vetëm se duhet konsideruar po ashtu e drejtë se krimi nuk luftohet vetëm nga këto, por nga e gjithë shoqëria. Nuk është e drejtë që vetëm policia ta vrasë mendjen për këtë punë dhe ne të tjerët të rrimë e të bëjmë sehir me bllokun e shënimeve në dorë. Një polic i vetmuar është një polic i dobët.

Me ndonjë përjashtim të rrallë, hajdut, apo vrasës profesionist bëhet ai që këtë punë e nis, sepse nuk di gjë tjetër, pra nuk ka zanat, nuk ka punë dhe nuk sheh të ardhme tjetër për veten. Në këtë rast ai nxitet fort edhe nga kujtimet e fëmijërisë. Mbase në fillimet e tyre këta kriminelë kanë qenë njësoj si ne të gjithë. Fëmijët janë gjithnjë të pafajshëm. Por pastaj erdhi 1997. Shumë prej tyre shihnin teksa baballarët, xhaxhallarët, kushërinjtë, ktheheshin gjithë hare në të gdhirë nga rruga nacionale me krahët mbushur me mall të plaçkitur. Modeli i parë ishte krijuar: Përse duhet punuar për të jetuar? Kush e ka vendosur këtë? Po shkolla? Ajo s’na hyn e s’na hyn në punë! Dhe kështu 1997, përbindëshat e saj të rritur nisën të krijojnë përbindëshat e vegjël.

Ka një lidhje të qenësishme mes shkallës së papunësisë së një vendi, sidomos të asaj rinore dhe kriminalitetit, veçanërisht atij që ne shpeshherë e harrojmë, e shpërfillim, madje ne të shtypit shumë herë nuk e quajmë as lajm. Ky është krimi i paorganizuar, ose i organizuar shpejt e shpejt, brenda një nate, sikurse ndodhi këtë herë në fshatin e Ago Vasjarit të famshëm. Deri para një dekade bashkë me krahun tonë të lirë të punës ne dërgonim në emigracion edhe qindra hajdutë, vrasës, psikopatë lloj-lloj. Tani kohët kanë ndryshuar, fluksi i njerëzve që synojnë të krijojnë një jetë tjetër jashtë shtetit është ku e ku më i ulët. Ata që do i llogarisnim si të ikur një herë e mirë tani duhet të bëhemi gati që t’i përballojmë vetë, qofshin këta kriminelë të llojit “natural born killer”, qofshin këta të papunë të paqtë e të mbarë, por fare të pashpresë.

Jo vetëm te ne në Shqipëri, por nga pak kudo nëpër Ballkan, për çudi ka mbetur ndikues kulti i të fortit, i trimit që bën marrëzira dhe mbetet sërish gjallë, i cubit që plaçkit karvanët, duke u bërë kështu më i nderuari. Historia, që ndër anët tona ka bërë çudira, shumë herë këta cuba të famshëm, këta kaçakë të rreptë i ka ricikluar në patriotë të famshëm. Më tipiku është rasti i Shahin Matrakut, të cilit Spiro Xega i ka kushtuar tablonë e famshme “Çeta e Shahin Matrakut”. Ky fshatar nga Gora, bashkë me njerëzit e tij, jetonte duke plaçkitur zakonisht udhëtarët që kalonin mbi xhadenë Manastir-Elbasan. Një nga viktimat e tij më të njohura është patrioti e mësuesi Gjerasim Qiriazi, i cili, derisa pagoi një shumë të majme, u mbajt peng për plot gjashtë muaj andej nga anët e Lozhanit të acartë. Çudia e historisë është kjo: Sot, që të dy si Shahini si Gjerasimi, si xhelati si viktima, respektohen njëlloj si patriotë të nderuar. Kulti i cubit ia ka dalë mbanë fare mirë të imponohet edhe në historiografi, imagjinoni pak se ç’mund të ndodhë në jetën e përditshme të një fshatari, apo në folklorin e lindur ndër maja malesh. Në 1997 këtë kult e ringritëm ne vetë edhe një herë në art të vërtetë.

Pa u zgjatur shumë duhet synuar me të gjitha mjetet e mundshme, që pjesa e mbarë e shoqërisë ka në dispozicion, që të rinjtë tanë – është në radhë të parë në interesat e atyre vetë – të heqin dorë nga ideja e të fortit, që imponohet fillimisht me muskuj e grushte, apo duke mbajtur një Dobermann e më pas kalon te thika e te pistoleta. Ka ikur njëherë e mirë koha e suksesit të injorantëve idiotë që më pas shndërrohen në vrasës e gjobëvënës. Të rinjve u duhet përsëritur deri në mërzi se i forti i vërtetë shqiptar i mijëvjeçarit të tretë është vetëm ai që e ka kokën plot me dije dhe zemrën plot me dëshirë për punë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama