Le ta themi hapur. Sali Berisha i ka dhënë gjithçka mundet Partisë Demokratike. Formën,përmbajtjen, fuqinë dhe dobësitë. Ai ka gdhendur në një gur të vetëm, simbas vetvetes, një organizatë politike, të fortë, agresive dhe asnjëherë të papërfillshme. Përkundrazi. Një subjekt politik kurdoherë të pranishëm dhe kurdoherë ‘kërcënuese’. Pa ndërprerje në 23 vite rresht. Ka ‘lëpirë’ me dinjitet plagët nga ’97-’98 deri në vitin 2001. Pranë fitores, vetëm katër vite mbas rrokullimës. Partia e Berishës është një ‘qenie’ e paparashikueshme në forcën e vet reaguese. Sidomos kur plagoset. Sidhe ndodhi në 23 qershorin e vitit të kaluar.
Historikisht ai, Berisha pra, i ka dhënë Partisë Demokratike fitore të bujshme, jo të pakta ashtu si edhe humbjet dialektike.
Nga ana e saj, Partia Demokratike i ka dhënë Berishës një besim të pakufizuar.
Dy mandate presidenciale, dy mandate si lider i Opozitës dhe dy mandate si Kryeministër. I ka dhënë mbështetjen, vetësigurinë dhe ekskluzivitetin që ai, lideri i saj, e ka shndërruar në një makineri politike të palodhshme. Pavarësisht atyre që e duan apo atyre që e urrejnë. Të cilët, në të dyja rastet janë të shumtë. Sepse me sa duket, për Berishën ka rëndësi të jenë shumë. Ata që e duan. Por edhe ata që nuk e duan. Sepse urrejtja e tij më e madhe është kundër indiferencës. Kjo çfarë po shohim këtë periudhë të ndërmjetme të postdorëheqjes, e vërteton më së miri këtë. Berisha nuk ka aspak ndërmend të ‘shuhet’ qetësisht në Ishullin e Askundit dhe të Pavëmendjes. Nuk ka nevojë as për çiftelira, as për lira dhe mandolina relaksuese, për të shtyrë ditët në Ishullin e Indiferencës së të tjerëve ndaj asaj që ai përfaqëson, ose ndaj asaj që ai mendon se përfaqëson. Ndonëse nuk e ka më shiritin e kapitenit të skuadrës, ai është në fushë. Aty ku ka qenë gjithmonë. Mesfushor dhe sulmues. Skuadra politike prej tij e themeluar, është në një dizavantazh të thellë. Dhe duket se ka nevojë për gjuajtjet e tija prej bomberi në portën kundërshtare. Gjuajtje të cilat shkundin, me ose pa faull, rrjetën dhe ngrenë moralin e mbështetësve. Dhe ky nuk është koment, por vetëm kronikë.
Pse ndodh kështu në Partinë Demokratike?!
Pjesa dërmuese e bashkëpunëtorëve të tij të drejtpërdrejtë, duke tejkaluar dhe gëlltitur porcionet jo të vogla të depersonalizimit që prodhon lidershipi dhe protagonizmi i tij i gjithëpushtetshëm, sot, nën hijen e tij dhe mbas tij, janë tashmë personazhe të rëndësishme në jetën politike dhe në jetën ekonomike të vendit. Pra, interesat e grupit të tij politik, Berisha i ka kqyrur bujarisht dhe fare mirë, ndërsa ‘tradhtarët’ janë ‘zhdukur’ pa nam dhe pa nishan.
Në Ishullin e Askundit. Ishull i gjerë, i mirëpopulluar dhe ironikisht mikpritës, për emigrantët që vijnë nga e djathta apo nga e majta e politikës shqiptare.
Këtu edhe e ka burimin ‘forca’ e tij natyrale, forcë e cila as nuk është zhbërë dhe as nuk duket se do të zhbëhet, qoftë edhe mbas dorëheqjes së tij zyrtare. Kjo reflektohet më së shumti në polemikën e tij agresive në Kuvend dhe në polemikat që ngjallin shkrimet e tija, që tashmë ai poston me komoditet teknologjik nga skrivania e tij pjellore e punës. Një skrivani, që ishte dhe mbetet me peshë politike të dorës së parë, pavarësisht dorëheqjes zyrtare.
Mirëpo Berisha shquhet njëkohësisht edhe për një cilësi tjetër, e cila në politikë vlerësohet si ‘virtyt’. Ai, rrobat e palara dhe njollat e titullarëve të partisë, të cilat nuk mungojnë dhe janë hedhur kapicë diku, ai pra, superLideri, i lan dhe i sterilizon në ‘govatën’ e fshehtë të partisë, duke zbatuar mjeshtërisht proverbin italian ‘I panni sporchi si lavano in casa’ (rrobat e pista lahen në shtëpi). Duke manifestuar një besnikëri të admirueshme ndaj besnikëve. Sepse thonë se besnikëria ndaj besnikëve, kjo po që e mban një parti realisht në këmbë. Më shumë se mijëra fjalë dhe mijëra ngjyra.
Duke u dhënë kështu bashkëpunëtorëve të tij, oksigjen publik dhe shanse të reja. Për mundësi të reja të rritjes së tyre publike, por kuptohet qartë, gjithmonë nën hijen e tij. Kështu është ligji i pashkruar. Dhe kështu ndodh. Dhe kush ankohet se nën hijen e tij, rritet ngadalë dhe me gjethe pa pigment, dikush tjetër i përgjigjet se jashtë hijes së tij me brerore të gjerë, mund ta shkrumbojë shkretëtira.
Dikush tjetër, në të drejtën e vet romantike, mund ta quajë këtë jo dhe aq të moralshme. Porse, ka një kategori morale brenda grupit, të cilën Berisha nuk duket se e shkel asnjëherë. Ka pra disa kode, tejet thelbësore për mbajtjen në këmbë të ngrehinës partiake, aq më tepër të ngrehinës luftarake partiake që përfaqëson Partia Demokratike, të cilat duhen respektuar. Dhe në këtë fushë, në kodin e mbrojtjes të të vetëve, Berisha është një kampion i pakonkurueshëm nga askush deri më sot. Sigurisht që të hysh në këtë grup është një sprovë e vështirë, por pa diskutim gjerësisht e shpërblyer.
Duke qenë se familja jonë politike, përfshi apo përtej të majtës dhe të djathtës, është nga më të ekspozuarat ndaj ‘mëkateve’ dhe ‘aksidenteve’ burokratike me pasoja edhe administrative edhe financiare, fakt ky që raportohet nga të gjitha monitorimet e mundshme, respektueshmëria e ‘kodeve’ përbën një gur themeli për qëndrueshmërinë e formacioneve politike. Simbas parimit kush punon, edhe gabon. Streha besnike partiake është në këto kushte shpëtimtare. Sepse, dhe kjo është e sprovuar, edhe kundërshtari parapëlqen me pasion ‘gjuetinë e shtrigave’, më shumë se gjuetinë e ligjit.
Institucioni i mirënjohjes elektorale ndaj mbështetësve ka qenë edhe ay, me emër të mirë, për sa kohë Berisha kish kontroll të plotë.
Në çfarëdo ‘halli’, partia ishte aty. E gatshme për mbështetjen e duhur ndaj mbështetësve. Porse dihet, ky ‘institucion’ u zvenit në dy-tre vitet e fundit të qeverisjes Berisha dhe elektorati u tregua shumë i ndjeshëm. Deri më tash nuk ka asnjë analizë publike për shkaqet e humbjes në vitin 2013. Dhe me sa duket, derisa nuk ka, edhe nuk do të ketë në të ardhmen.
Mirëpo sot Berisha ‘a modo suo’ (simbas mënyrës së vet), po e rikoncepton nga e para këtë Institucion dhe merr në mbrojtje me gjoks përpara, mbështetjen radikale të mbështetësve të partisë. Sidhe ishte për shembull edhe rasti i kryekomunarit Mziu. Dhe në këtë rol, ai është padyshim i pakonkurueshëm. Sepse jepet i gjithi. Duke ‘paguar’ personalisht dhe bujarisht çdo faturë publike apo keqkuptim të mundshëm publik. Që sigurisht nuk mungon. Sepse valëzimet dhe furtunat parlamentare janë mjeshtëri e kahershme e Doktorit. Shumëkush që e do, thotë se roli i tij është esencial, së paku në famën dhe elokuencë kundërsulmuese dhe diversive të grupit parlamentar të PD. Por edhe në integritetin e partisë, në këto kohë kaq të vështira, ku dyshja Rama-Meta kanë marrë një ‘yrysh’ të paparë.
Dhe kanë padyshim të drejtë.
Kjo parti, Partia Demokratike pra, është koha ta themi, pa punën e përditshme, këmbëngulëse, të rreptë apo babaxhane simbas rastit, të Berishës, do të ishte shkërmoqur në të paktën dy apo tri pjesë. Duke zhbërë kësisoj forcën kundër goditëse të numrave parlamentarë në Kuvendin e ‘pushtuar’ nga kundërshtarët. Ku dhe lista e dezertorëve apo rezervistëve që mezi presin të kalojnë vijën e frontit, është jo e pakët.
Pa Berishën, PD do të kish rënë ndoshta në limontinë depresive që prodhon rezultati dramatik elektoral i qershorit 2013. Sepse kontestatorët kockëfortë të Lulëzim Bashës janë aty. Jo të pakët dhe pikërisht rrotull tavolinës së stërmadhe ku zhvillohen mbledhjet e grupit parlamentar. Në godinën hijerëndë dhe postushtarake ku e ka selinë e re, Partia e gjithmonshme Demokratike.
Ata, formalisht bëjnë pjesë në atë rreth, sepse kanë frikën që jashtë atij rrethi janë të humbur, për sot dhe për nesër. Dhe këtë vetëdije, Berisha duket se e ka qartësuar fare mirë, duke ‘shpëtuar’ ata vetë dhe partinë nga çoroditja e hamendësimeve diletante. Si dhe nga ambiciet e paautorizuara nga Berisha!
E pra, kush mendonte deri dje se Berisha e ka si defekt mos nënshkrimin e kontratës me kohën, e pra nga dorëheqja e tëhu, të shkruante libra dhe të themelonte fondacione ‘iluministe’, mendoj se u gabua.
Sepse Real Politika, që është logjika natyrale e proceseve, që është pra një lumë që nuk ndrron shtrat sepse thjesht ëndërrojnë si nëpër filma western ca e ca, është më e qëndrueshme dhe më kokëfortë se komenti romantik apo estetik i tyre. Se kjo logjikë zhvillohet në një trajektore krejt të vetën dhe digat e ulëta në shtratin shumëvjeçar të këtij lumi, përmbyten krejt kollaj në pranverë.
Sali Berisha, ose SuperBerisha, e ka nënshkruar vetëm njëherë të vetme kontratën me kohën.
Pa kohë.
Kujt i dhemb, është punë e tij. Kush nuk e sheh, ka punë me sytë e tij. Kush nuk e do, nuk ka punë në Partinë Demokratike. Është koha ta themi. Sepse është pikërisht kaq e thjeshtë. Dhe gjërat e thjeshta nuk përgënjeshtrohen kollaj.