Nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen një polemikë që erdhi nga Kosova mbi Skënderbeun, që u referohej edhe polemikave që janë hapur në Shqipëri mbi rishkrimin e historisë dhe dekonstruktimin e miteve. Më tërhoqi vëmendjen jo vetëm nga rëndësia e saj, por edhe pasi kam qenë një ndër pjesëmarrësit aktivë të këtyre polemikave me debate, shkrime e botime në "Përpjekja".
Amir Ahmeti, një themelues i partisë "Nisma për Drejtësi dhe Zhvillim", me inspirim erdoganist, duke iu referuar edhe debatit në Shqipëri, ka deklaruar së fundmi se "… për Skënderbeun mendoj se duhet tu japim fund miteve, sepse gjeneratat e ardhshme kanë nevojë për historinë tonë të vërtetë, cilado qoftë ajo, dhe jo të ushqehemi me mite"; "…se në Mesjetën e hershme kombet nuk kishin lindur ende dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie se çfarë gjuhe flisje kur vihej interesi fetar para"; se "Skënderbeu, me tu kthyer në Krujë, myslimanëve shqiptarë iu dha të zgjidhnin në mes krishterimit ose vdekjes, shumica e tyre refuzuan të braktisnin besimin islam dhe i masakroi pa mëshirë". E këtu ai e mbyll diskursin e tij duke deklaruar se "përderisa Skënderbeu derdhi gjak shqiptari për motive fetare, unë nuk mund ta quaj hero kombëtar".
Këshilltari kryesor i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, iu përgjigj se Skënderbeu vërtet ka vrarë në Krujë, por ka vrarë veç tradhtarë, të cilët nuk kanë as komb, as fe… dhe se përkatësia etnike nuk është alibi për tradhtinë".
Për mua nuk ka ilustrim më të mirë se sa kjo polemikë për të provuar disa prej tezave të cilave u kam mëshuar mëse një herë lidhur me nevojën e dallimit midis historiografisë si shkencë dhe diskursit të ideologjizuar të historisë që shpesh unifikohet me mitet tona të nacionalizmit. (Përpjekja ka botuar edhe një dynumërsh të saj (28 – 29) me titull "Skënderbeu i kërkimit shkencor".) E them këtë pasi gjykoj se brenda kësaj polemike flenë rreziqe sociale e politike jo të vogla. Dy polemizuesit, duke projektuar në Mesjetë, me stilin e vjetër nacional romantik e nacional komunist, situata dhe rivalitete të sotme fetare, latente ose të hapura, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, nuk bëjnë gjë tjetër veçse instrumentalizojnë historinë. Por tani, në mungesë të diktaturës që impononte një instrumentalizim të vetëm, paraqitet rreziku që ajo të instrumentalizohet nga qasje dhe interesa të ndryshme politike dhe ideologjike me mbështetje brenda dhe jashtë vendit. Me fjalë të tjera, sipas meje, dy polemizuesit nuk e kanë aq shumë hallin te historia, por tek elektorati i partive të tyre, të cilin kërkojnë ta manipulojnë duke ngacmuar ndjenja që lidhen me vetëdijen e tyre identitare. Dhe kështu mund të arrijmë të imagjinojmë një situatë ku shqiptarët myslimanë, për interesa të aktualitetit, ti bëjnë thirrje komunitetit të tyre që të mos nderojë Skënderbeun si hero kombëtar sepse ai ka vrarë myslimanë; dhe shqiptarë nacionalistë, të edukuar me mitin e Rilindjes "feja e shqiptarit është shqiptaria" dhe me Skënderbeun si çlirimtar të atdheut nga "pushtuesit turq" tu kundërvihen duke i quajtur "tradhtarë të atdheut" – e kjo ti polarizojë keqas të dyja palët sikur të bëhet fjalë për ngjarje që kanë ndodhur midis baballarëve të tyre gjatë Luftës së Dytë apo gjatë luftës në Jugosllavi e jo në Mesjetë.
E këtu më duhet të them se jam kundër tezës së disave që thonë se është mirë që ky debat të mos hapet apo tu lihet akademikëve – që në fakt nënkupton ti lëmë versionet e historisë ashtu siç kanë qenë. Sepse ja se çndodh. Ndërkohë që kemi nevojë ta rishkruajnë historiografinë e të dekonstruktojnë mitet nacionaliste të shekujve XIX e XX, – çka e kanë bërë tashmë pas Luftës së Dytë vendet demokratike, – te ne opinioni publik uzurpohet nga polemika të tilla anakronike mbi atë se cilët duhet të jenë simbolet e nacionalizmit shqiptar.
Myslimanët dhe Skënderbeu
Kur Amir Ahmeti thotë se në Mesjetën e hershme kombet nuk kishin lindur ende dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie gjuha që flisje përpara interesit fetar apo se Skënderbeu ka vrarë shqiptarë myslimanë – thotë disa të vërteta historike që i përkasin asaj kohe. Pa hyrë në histori po vë në dukje se Ballaban Pasha për shembull, që njihet si një nga komandantët më të shquar osmanë që ka luftuar kundër Skënderbeut, që vdiq në Petrelë e që ne e kemi njohur si osman, ka qenë edhe ai shqiptar. Por edhe vetë Skënderbeu ka qenë edhe ai mysliman përpara se të braktiste ushtrinë osmane. Deri këtu jemi në histori që duhet parë me racionalitet në kontekstin e një kohe dhe jo sikur bëhet fjalë për baballarët tanë të djeshëm që luftonin kundër pushtuesit apo bashkëpunonin me të (madje, në fakt, edhe kur bëhet fjalë për baballarët tanë, do të duhej të kishim më shumë distancë). Problemi me deklaratën e Ahmetit fillon pikërisht te mungesa e distancës historike kur thotë: "Përderisa Skënderbeu derdhi gjak shqiptari për motive fetare, unë nuk mund ta quaj hero kombëtar". Në këtë moment duket qartë se ai nuk po bën më histori, por mitologji, duke kërkuar, indirekt, një tjetër hero/simbol kombëtar për shqiptarët. Dhe një nga arsyet e kësaj qëndron në atë se edhe ai ka trashëguar nga kultura nacional-romantike e manipulimit të historisë sonë një vështrim teleologjik të saj: pra sikur historia e shqiptarëve, duke filluar që nga koha kur ata shfaqen në histori e deri më sot, të jetë historia e shtetit të tyre komb. Dhe këtu lindin paradokse sepse, nëse thuhet me të drejtë se shtetet kombe – në kuptimin që kemi sot për ta – nuk kishin lindur ende në Mesjetë dhe se morali shoqëror i asaj kohe ishte besnikëria ndaj fesë, nuk ka kuptim të përdorësh konceptin e besnikërisë apo tradhtisë kombëtare në atë kohë. Në atë kohë, një shqiptar dhe një sllav ortodoks, për shembull, ndiheshin shumë më afër me njëri-tjetrin sesa me shqiptarë dhe sllavë të kthyer në myslimanë dhe prandaj ska se si të kërkosh që shqiptarët myslimanë dhe ata të krishterë të kishin solidaritet kombëtar mes vetit. Vetë nëna e Skënderbeut, Vojsava, ishte sllave, e sikur ti mbeteshim koherent projektimit të konflikteve të kohës sonë në atë kohë, siç bëjnë polemizuesit, atëherë i bije që të atin e Skënderbeut ta konsideronim tradhtar të atdheut.
Fakti është se ndërsa historia e Skënderbeut të shekullit XV është komplekse, mitizimi i historisë së tij në shekujt XIX, XX e ka thjeshtëzuar figurën për qëllime të nacionalizmit shqiptar që lidhen, pa dyshim, edhe me aleancat e tij me të krishterët. Nëpërmjet mitizimit ai është bërë më së pari hero i krishterimit, për të frymëzuar të krishterët në Perëndim që ndiheshin të rrezikuar nga osmanët/myslimanët. Ky mitizim e bëri të famshëm në botën e krishterë (e theksoj, në botën e krishterë jo në atë të shteteve kombe europiane që lindën më vonë). Kjo famë e tij u përdor në shekullin XIX nga rilindësit për ti thënë botës se kishte shqiptarë kaq të famshëm, prandaj ajo duhej ti njihte si komb. Jo vetëm, por ai edhe kishte luftuar kundër osmanëve në krahun e botës së krishterë dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve të Rilindjes ishin angazhuar – me ndihmën e Europës – të pavarësoheshin nga Perandoria. Ndërkaq, duke qenë se shqiptarët ishin shumica myslimanë, rilindësit me në krye Naimin, që ishte dhe ai vetë mysliman, e zhveshën Skënderbeu nga përmbajtja e krishterë. Kështu, gjatë gjithë shekullit XX, si në kohën e Zogut edhe në atë të Enver Hoxhës, ai u bë simbol i parë i nacionalizmit shqiptar, si luftëtar për çlirimin dhe pavarësinë e atdheut nën moton "Feja e shqiptarit është shqiptaria". Enver Hoxha me fuqinë e madhe propagandistike që kishte regjimi i tij e çoi deri në grotesk këtë projektim. Ai edhe fenë e quajti diçka të huaj për shqiptarët, që ia kishte sjellë armiku. Ne sot paguajmë, veç të tjerash, edhe ideologjizimin e thellë, me frymë totalitare, që i ka bërë ai mendjes së shqiptarëve edhe përsa i përket vetëdijes historike. Edhe ndarja e shqiptarëve që jetonin në Mesjetë në tradhtarë dhe patriotë është rezultat i kësaj pune – sigurisht me kontributin e një aradhe të tërë historianësh, shkrimtarësh, piktorësh, skulptorësh, kineastësh etj.
Pas rënies së komunizmit, me rilindjen e fesë dhe rimodulimin e identiteteve, ndër to edhe fetare, Skënderbeu është riinterpretuar. Elita ish-komuniste, e kthyer tashmë në europianiste, e ka përdorur si simbol të përkatësisë së shqiptarëve në botën perëndimore duke arritur ta quajë deri "pararendës të NATO-s" (I. Kadare). Një pjesë e kësaj elite, që e identifikonte Europën me krishterimin, filloi të theksojë edhe faktin që ai kishte luftuar për krishterimin kundër myslimanëve. Nga kjo vjen edhe tentativa për ta bërë Skënderbeun katolik dhe jo ortodoks, siç ka qenë në të vërtetë. Por kjo ka vënë, ndërkaq, gjithnjë e më në vështirësi, me kalimin e viteve, një pjesë të komunitetit mysliman në rritje, pasi, dashur pa dashur, pjesëtarët e tij, duke e jetuar edhe ata historinë si kontinuitet i shtetit komb, siç u është servirur, janë ndier direkt apo indirekt të detyruar ose të heqin dorë nga feja e tyre, ose të pranojnë se janë shqiptarë tradhtarë apo të dorës së dytë. Si reaksion ndaj kësaj, nga pjesëtarë të këtij komuniteti, edhe më herët, i është mëshuar tezës se është pikërisht në sajë të fesë myslimane që shqiptarët kanë mundur të mbijetojnë se, përndryshe, si të krishterë, ata do të ishin greqizuar apo sllavizuar. Në fakt, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me projektim me të njëjtën metodë të kohëve të nacionalizmit në kohë të paranacionalizmit.
Po të përdoret kjo teknikë e instrumentalizimit të historisë së paraardhësve për ti ndarë shqiptarët në besnikë e tradhtarë të atdheut, sipas përkatësisë fetare, historia mund të instrumentalizohet edhe më tej duke kërkuar për shembull të gjejë besnikët dhe tradhtarët e atdheut – sipas kampeve – te shqiptarët ortodoksë që luftuan krahas grekëve për pavarësimin e Greqisë dhe shqiptarët myslimanë që, duke luftuar kundër grekëve, mbronin tokat e banuara nga shqiptarë myslimanë; te shqiptarët katolikë që kërkonin ndihmën e Malit të Zi e ata myslimanë që i ndoqën ata; te myslimanët që u ngritën me Haxhi Qamilin kundër Princ Vidit dhe të tjerët që në bashkëpunim edhe me serbët e shtypën kryengritjen e tyre etj.
Ose, ose, për të vazhduar me paradokset ku të çon instrumentalizimi i historisë le të kujtoj një gjykim manipulativ të historisë, tejet të përhapur midis shqiptarëve. E kam fjalën për atë që shumë shqiptarë edhe sot akuzojnë Europën si "kurvë" sepse e ndau Shqipërinë më dysh ndërkohë që e vërteta është se Shqipëria në atë kohë u krijua si shtet komb dhe se, për aq sa u krijua në atë kohë, u krijua me ndihmën e shteteve europiane dhe, çështë më e rëndësishmja, edhe Europa që kemi sot nuk është Europa që ishte në prag të Luftës së Parë Botërore.
Si mund të dilet nga këta qorrsokakë?
Personalisht mendoj se duhen tri gjëra:
Së pari: të krijojmë distancën racionale shkencore me të vërtetat e periudhave të ndryshme historike që ka përjetuar treva ku jetojmë, d.m.th. të njohim historinë e paraardhësve tanë duke i vendosur konfliktet dhe aleancat e tyre në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur dhe jo ti trajtojmë si një kontinuitet "heroizmash të popullit tonë në shekuj". E kjo duhet bërë edhe me ndryshimin e teksteve të historisë nëpër shkolla, edhe me ndryshimin e diskursit mbi historinë që, për fat të keq, vazhdon me të njëjtën metodë, madje edhe më i banalizuar, pasi sot rolin e protagonistit në mësimdhënien e historisë e luajnë mediat me gazetarë që janë në një nivel shumë të ulët të njohjes së saj dhe aq më të ulët përsa i përket njohjes së metodologjisë bashkëkohore të studimit të saj.
Së dyti: në krijimin e kësaj ndërgjegjeje të re historike duhet të arrijmë të dekonstruktojmë mitet tona nacionaliste që kanë lindur në periudha të tjera historike, me çka kuptoj jo ti shkatërrojmë (destruktim) siç ma kanë "përkthyer" shpesh termin, por ti zbërthejmë (dekonstruktim) për ti njohur se si janë ndërtuar, nga çshtysa historike, ideologjike, gjeopolitike të kohës kanë lindur, në mënyrë që të kuptojmë vlerat dhe kufizimet e tyre të asaj kohe, të mirat, por edhe pasojat në kohën që jetojmë. Kjo do të na ndihmonte edhe të ndanim e dallonim historinë shkencore nga historia e miteve nacionaliste, edhe për të ndarë më qartë problemet e sotme nga ato të djeshme.
Së treti: të vështrojmë nga e ardhmja edhe në kuptimin e kërkimit të miteve e simboleve të reja që na inspirojnë për të parë përpara dhe jo prapa. Çkuptoj me të ardhme? Këtu diskursi komplikohet pasi, sikurse u përpoqa të shpjegoj, për të ardhmen mendojnë se punojnë edhe ata liderë myslimanë që thonë se heroi kombëtar i shqiptarëve duhet të jetë një mysliman, edhe ata që në emër të Skënderbeut kërkojnë të na frymëzojnë, si Konica dikur, që të na ndajnë prej çdo gjëje që kemi trashëguar nga Lindja në emër të bashkimit me Perëndimin. Personalisht këto qasje i konsideroj e kaluar jo e ardhme. Me të ardhmen kuptoj respektimin e promovimin e disa vlerave që historia e njerëzimit i ka provuar si themelore për mbarëvajtjen e shoqërive njerëzore pas përvojave tragjike që ka kaluar, veçanërisht pas luftërave fetare dhe atyre nacionaliste. Pra, e para gjë që mund të them është se konfliktet që ravijëzojnë këto polemika nuk mund të parandalohen as duke u imponuar të gjithë shqiptarëve Skënderbeun apo thënien e Vaso Pashës "feja e shqiptarit është shqiptaria", dhe as duke vendosur që heroi i shqiptarëve të jetë një tjetër dhe jo Skënderbeu. Ato parandalohen duke e vështruar të ardhmen në prizmin e parimit themelor të të drejtave të njeriut: atë të lirisë së shprehjes, mendimit e besimit. Sepse e kundërta ka provuar se mund të çojë në prirjen për ti eliminuar deri edhe fizikisht të gjithë ata që mendojnë e besojnë ndryshe.
Së dyti, për të ndërtuar një të ardhme ku të gjithë të ndihen të lirë në diversitetin e tyre, mendoj se na duhen simbole që ti përgjigjen kësaj së ardhmeje, që fatkeqësisht mungojnë më së shumti për shkak të uzurpimit të hapësirës sonë publike nga simbolet nacionaliste me frymë totalitare. Ndër simbolet që na duhet të ngremë do të rendisja shpejt e shpejt:
Simbole të paqes dhe harmonisë mes diversiteteve;
Simbole të dashurisë së njeriut për njeriun;
Simbole të barazisë së njeriut me njeriun;
Simbole të solidaritetit;
Simbole të sakrificës për të tjerët;
Simbole të dashurisë për natyrën;
Simbole kundër racizmit dhe homofobisë;
Simbole të rezistencës kundër autoritarizmit;
Simbole të luftës kundër krimit e korrupsionit e mafies.
Kuptohet se të gjitha këto simbolika, e të tjera si këto, që janë, sipas meje, në frymën e kohës ku jetojmë, smund ti mbulojë Skënderbeu, me gjithë vendin e rëndësishëm që ai ka në historinë dhe mitologjinë e shqiptarëve. Për të ndërtuar simbolet e kësaj të ardhmeje, që mishërohet më së shumti në idealet e Europës e më gjerë të botës që duam të ndërtojmë, mund të na vlejë edhe historia, sigurisht, por një histori e lexuar ndryshe, jo me syzet e nacionalizmit e shovinizmit, e as duke evokuar luftërat e përgjakshme me kristianë që vrasin myslimanë dhe e kundërta, por duke treguar anën e zezë të këtyre luftërave dhe po ashtu duke treguar se nuk kemi pasur vetëm luftëra midis vetes apo me fqinjët, por edhe bashkëjetesë si brenda vetes, ashtu dhe me fqinjët.