Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

SHISH, ose dashuria e pushteteve

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 11 vite më parë

Artur Zheji
SHISH, ose dashuria e pushteteve

Është tashmë e qartë se qënia e zotit Visho Ajazi, si Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror, nuk mund të kapërdihet nga Mazhoranca e re qeverisëse.

 

Përtej akuzave të ndërsjella, përtej mospasjes apo pasjes së të ashtuquajturës ‘certifikatë të sigurisë’, një gjë është tashmë e qartë: objektivisht apo subjektivisht, ndërveprimi dhe normaliteti institucional midis Qeverisë Rama dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, ka një ngërç të dukshëm që sa vjen e majiset.

 

Me tone më të forta këtë e ka artikuluar në shumë raste Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në deklaratat e tija të tensionuara për këtë temë dhe nuk ka munguar edhe artikulimi kundër dhe pa ekuivoke i kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho.

 

Nga ana tjetër Rama, është i kujdesshëm kur flet për Visho Ajazin dhe kjo është padyshim një plus etik për Kryeministrin, por edhe një taktikë. Sepse akuzën për gjueti kokash dhe gjueti shtrigash, çdo kryeministër i mençur e druan me të drejtë, e aq më tepër në këtë rast. Porse edhe vetë zoti Ajazi, rrezaton padyshim një integritet dhe një seriozitet komunikativ krejt të përputhshëm me funksionin e tij të lartë. Sado të kenë gërmuar, kush e ka pasion, në të shkuarën dhe në të tashmen e tij, nuk ka gjetur dot lëndë për të gatuar ndonjë tipar që nuk përputhet me paraqitjen e tij korrekte.

 

Ajo çka e rëndon marrëdhënien Rama-Ajazi, është padyshim e kaluara e tij funksionale si nëndrejtor i SHIK, në periudhën e të ndjerit Gazidede, i njohur për besnikërinë radikale ndaj ish-Presidentit Berisha. Por kjo është thjesht insinuatë tejet politike e pra, tejet e diskutueshme.

 

Porse me sa duket, marrëdhënia e besimit të fortë dhe të ndërsjelltë Berisha-Ajazi, është, nga ana tjetër edhe vetë shkaku i krizës së besimit të Kryeministrit Rama. Krizë besimi ndaj ‘besnikut’ të paraardhësit të tij kryeministror, sot, antagonisti më i kuturisur dhe më gjuhë-helmuari ndaj tij.

 

Rama e sheh pra me një dyshim të thellë, objektiv apo subjektiv qoftë ky dyshim, bashkëpunimin me drejtorin aktual të Shërbimit Informativ Shtetëror. Dhe arsyet, objektive apo subjektive qofshin ato, nuk i mungojnë. Aq më tepër në klimën e një lufte politike, sot më e ndezur se kurrë.

 

Në ndihmë të logjikës së Mazhorancës aktuale, që dukshëm synon shkarkimin e Ajazit, vjen padyshim dhe në mënyrë paradoksale precedenti i ish-Mazhorancës së drejtuar nga Sali Berisha. Që do të thotë, shkarkimi i mëparshëm, pavarësisht presioneve ndërkombëtare, i ish-Drejtorit të SHISH, zotit Bahri Shaqiri.

 

Presidenti Nishani, në intervistën me kolegun Balla, argumentonte asokohe se pavarësisht pavarësisë, drejtori i SHISH, është simbas interpretimit konstitucional të Presidentit, ‘pjesë e ekzekutivit’ dhe që duhet ‘të punojë në kuadër të objektivave qeverisëse të Qeverisë’.

 

Pra, ky segment strategjik i shtetit është një gjymtyrë e pushtetit ekzekutiv, por njëkohësisht edhe e pavarur. Pavarësi të cilën e garanton dekreti presidencial, një pengesë e mirëfilltë për shkarkimin aktual të zotit Ajazi.

 

Ky është rasti tipik që mund të quhet pa teprim ngjyre, një ngërç i mirëfilltë dhe pothuajse qesharak, që dëshmon se Kushtetuta jonë, simbas interpretimeve të ndryshme, ose është shumë e mirë, ose është një kostum që po vjetërohet.

 

Sepse, si mundet të punojë Saimir Tahiri dhe Kryeministri Rama, me një Drejtor shërbimesh sekrete, titullar i një gjymtyre të pushtetit ekzekutiv pra, të cilin nuk e do dhe nuk e beson?

 

Kjo rrethanë i jep padyshim legjitimitet Mazhorancës të ushtrojë të gjitha presionet institucionale që ta zgjidhin këtë ‘martesë’ të padëshiruar dhe të sforcuar.

 

Nga ana tjetër, këto emërtesa kanë me të drejtë disa cikle dhe mandate që duhen respektuar. Dhe kanë gjithashtu për këtë qëllim, disa siguresa të arsyeshme kushtetuese, garant i të cilave është dekreti i Presidentit.

 

Duket se kësaj radhe, Presidenti Nishani do të duhet të gjejë një argument të ri, krejt të përmbysur dhe krejt të kundërt nga argumenti dhe interpretimi konstitucional që përdori në rastin e shkarkimit të sforcuar të zotit Shaqiri. Në të vërtetë, Presidenti nënvizon vetëm faktin që zoti Ajazi punon mirë dhe me mençuri nuk përhapet në arsyetime të tjera kushtetuese.

 

Mirëpo shtrohet edhe një pyetje tjetër.

 

Çfarë ‘krimi’ ka bërë në të vërtetë zoti Visho Ajazi? Se ka patur dhe ndoshta ka ende një marrëdhënie të mirë besueshmërie me ish-Kryeministrin Berisha? Tjetër?!

 

Dukshëm asnjë. Madje prezenca e tij e heshtur publike dhe drejtpeshimi që demonstron, është pozitiv dhe mbresëlënës. Përveç çështjes disi mistrece të ‘certifikatës së sigurisë’, nuk rezulton të ketë asnjë provë që të flasë në dëm të aktivitetit të tij, të djeshëm apo të deritashëm.

 

Mirëpo është provuar se në Shqipëri, ‘Dyshimi’ konsiderohet një faj i rëndë. Vërtet një faj i pakonsumuar dhe në dëm të askujt,  por i mjaftueshëm për të ngritur ndoshta ngërçin e ‘certifikatës’ në përmasat e një gijotine.

 

Sepse populli thotë se njeriu çfarë të mbjellë, do të korrë.

 

Dyshimi ishte aktakuza që ndau me një hendek helmi ish-Kryeministrin Berisha me ish- Presidentin Bamir Topi, i cili u akuzua për një ‘puç’, që kurrë nuk u provua ta kishte bërë. Për më tepër një President, që buronte nga vetë Partia Demokratike. Po ashtu i tillë ishte edhe rasti i ish-Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. E më pas shkarkimi i Shaqirit dhe të tjerë precedentë pjellorë të këtij lloji.

 

Gjithsesi, kjo Mazhorancë, nëse kërkon të japë prova të prekshme publike, që është ‘Ndryshe’, duhet të provojë ndryshe dhe jo me ‘Dyshime’, përse Drejtori Ajazi duhet shkarkuar. Në të kundërt dyshimet do binin më së shumti mbi Mazhorancën dhe qëllimin për të kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror dhe jo thjesht për ta hequr nga kontrolli i Berishës, apo për ta bërë më mirëfunksionues.

 

Në këtë kontekst, në një formë ose tjetër, Visho Ajazi do të shndërrohej në një viktimë. Viktimë e superbesimit personal që ish-Kryeministri Berisha kishte dhe ndoshta ka ende në personin e tij dhe kuptohet, në super mosbesimin që Kryeministri aktual Rama nuk mund të mos e fshehë. Në zgjidhjen e këtyre ekuacioneve, që vijnë në rendin e ditës së çdo qeverie, krijohet edhe diferenca përkatëse ose përsëriten të njëjtat mëkate.

 

Por asnjë habi, gjithsesi. Kjo është buka e përditshme e luftës për pushtet. Të paktën përderisa të shndërrohet në një konkurrencë për pushtet. Por kjo do kohë. Ndoshta breza, në një vend të parritur ende, si ky ku jetojmë. Sidoqoftë, kujdesi i Ramës dhe heshtja e menduar e Metës, japin dhe pak kohë. Dhe ndoshta dhe zgjidhje. Shpresojmë më të urtën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama