Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sindroma e Mynhauzenit

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Sindroma e Mynhauzenit

Gjithnjë e më tepër, beteja politike në Parlament po shndërrohet në folklor politik. Këtë e dinë tashmë edhe vetë protagonistët. Portretet e egërsuara, që shohim në foltore, bëhen menjëherë të buzëqeshura sapo debatuesit ulen në karrigen e tyre. Berisha, Imami, Noka, e dinë, janë të ndërgjegjshëm, se për të bërë politikë duhet të thuash edhe gjëra për të qeshur. Një herë të ofenduar, më pas të habitur, e më pas akoma të inatosur ministrat, të cilëve u përmenden emrat, apo vetë Kryeministri, bien në grackë një nga një: nisin të kthejnë përgjigje. Ky teatër i sofistikuar i komedisë është bërë tashmë shumë interesant.

 

E kanë gabim ata që kritikojnë Parlamentin se po humbet kohën me gjëra të panevojshme dhe me debate që nuk çojnë askund. Ka shumë prej tyre që kanë kritikuar edhe vetë efikasitetin e punës së komisioneve solemne parlamentare, duke përdorur thënien tashmë të vjetruar se: Efikasiteti i punës së një komisioni është në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e pjesëmarrësve në të dhe me kohën që nevojitet për marrjen e vendimeve.

 

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ky Parlament, mbase edhe më shumë se ata pararendës, ka ndikuar shumë në rritjen e vlerave të humorit, fantazisë dhe shpirtit krijues të shqiptarëve, duke ndikuar fort në edukimin e brezit të ri. Për shembull, a ka talent më të madh se sa të përfytyrosh një luzmë avionësh – apo UFO-sh – që mbushin barkun e tyre të stërmadh me thasë të rëndë me drogë në errësirën e natës, të rrethuar nga heshtja e shurdhër? E gjitha kjo ndodh thuajse njëherësh në Gjadër, Divjakë, Gjirokastër, afër Levanit, nga pak kudo. Teksa qenie misterioze me maska ngarkojnë avionët, rreth e rrotull gjithçka fle. Duket sikur një re gazi i ka vënë njerëzit në një gjumë të thellë. Thuhet se ky gjumë i zë të gjithë edhe zogjtë, edhe kafshët e egra, madje thonë edhe pemët. Ndokujt kjo histori mund të mos i vijë për hosh, por ja që talenti nga vetë natyra e tij është forcë e papërmbajtshme. Është gati-gati një fenomen natyror.

 

Meqenëse jemi në këto nivele tashmë thellësisht artistike, i ka ardhur koha edhe pjesës tjetër të shoqërisë që të modifikohet, të ndryshojë, në fund të fundit të mos jetë kaq serioze dhe hijerëndë. Në radhë të parë, ky realitet i ri kërkon që të ndryshojnë sa më parë kurrikulat shkollore. Kjo përvojë, tashmë edhe një veçanësi e jona kombëtare, duhet të pasqyrohet edhe në librat që edukojnë fëmijët tanë. Andaj ka ardhur koha që me përulësi prej qytetari të thjeshtë t’i propozojmë Ministrisë së Arsimit që të rishikojë edhe një herë listën e librave të rekomanduar. Për shembull kemi vënë re me trishtim se në mes tyre mungon një nga kryeveprat e letërsisë gjermane dhe botërore njëkohësisht, vetë “bibla” e njerëzve që fantazojnë të pavërteta. Ky libër është “Aventurat e Baronit Mynhauzen”. Shumë nga 50-vjeçarët e sotëm me siguri e mbajnë mend që nga fëmijëria një libër jo shumë voluminoz me format të madh plot me ilustrime fantastike. Ribotimi dhe rekomandimi i tij do të ishte një bazë teorike shumë e mirë për fëmijë e të rinj që kanë vendosur të ndjekin – ose të mos ndjekin xhanëm – shembujt që shohin dita me ditë në Parlament.

 

Baroni në fjalë ka qenë një personazh real. Njeriu me emrin e gjatë Karl Fridrih Jeronimus von Mynhauzen lindi në Gjermani, më 1720. Kur ishte vetëm 20 vjeç u regjistrua si mercenar në ushtrinë ruse të mbretëreshës Elizabeta I. Për dhjetë vjet me radhë luftoi kundër osmanëve ndër vise të Krimesë. U kthye në Gjermani relativisht i ri. Nuk punoi më. Jetonte duke shëtitur fshat më fshat e birrari më birrari e duke rrëfyer histori të sajuara nga më fantastiket. Kështu për shembull u tregonte njerëzve se si kishte shkuar në hënë i hipur mbi një gjyle të stërmadhe topi, apo se si me të njëjtën mënyrë kishte fluturuar drejt e në planetin Afërdita, ku kishte gjetur liqene të freskët dhe ishte kënaqur duke notuar. Një nga historitë e tij më të preferuara: Një ditë Mynhauzeni kish dalë për gjah. Si kishte ecur do orë të mira, befas i kishte dalë përpara një kaproll i mrekullueshëm. Bën të mbushë karabinën, por… ç’të shohë?! Kishte harruar barutin në shtëpi. Për fat kishte ndaluar poshtë një thane. Nuk e kishte bërë të gjatë. Kishte mbushur armën me thana dhe ia kishte ngjeshur kaprollit drejt e në ballë. Kafsha e trembur ishte zhdukur tutje. Një vit më pas fshatarët e këtyre anëve ishin çuditur me një kaproll në kokën e të cilit kishte mbirë një thanë. Ishte kaprolli i Mynhauzenit. Ose një herë tjetër, ai rrëfente se në përfundim të një beteje u çudit kur kali i tij i etur e thau në pak minuta krejt një hauz të madh. Si ishte puna? Në fakt uji, që pinte kali, binte sakaq në shesh, sepse Mynhauzeni në fakt, po kalëronte një gjysmëkalë! Gjysma e pasme e kalit kishte mbetur në fushën e betejës e prerë nga kamat e mprehta osmane.

 

Mynhauzeni vdiq nga tifoja në 1797. Disa vjet para se të vdiste ai ia besoi fantazitë e tij shkrimtarit Rudolf Erik Raspe, i cili i botoi ato fillimisht në anglisht. Mynhauzeni u bë shumë i famshëm në fund të shekullit XIX, kur u botua në Francë, i rishkruar thuajse tërësisht nga Teofil Gotje dhe me ilustrimet e Gystav Dore. Sikurse mund të merret lehtësisht me mend ky libër është shumë i vlefshëm si bazë teorike për fantazistët tanë të vjetër e të rinj. Por jo vetëm kaq. Ai tregon edhe se si duhet të sillet shoqëria me të tillë njerëz. Zakonisht gjermanët e vendosnin Mynhauzenin në qoshe të dhomës afër vatrës, merrnin nga një krikëll birrë të turbullt përpara dhe e dëgjonin me vëmendjen më të madhe për orë e orë të tëra. As që bëhej fjalë që ndokush t’ia priste fjalën, apo, më keq akoma, të tallej me të duke vënë në dyshim vërtetësinë e bëmave të baronit.

 

Në Europë baroni është aq i njohur sa që emrin e tij ia kanë vënë edhe një sëmundjeje psikike. Për psikiatrët “Sindroma e Mynhauzenit” është ajo sëmundje kur pacienti bën gjithçka që të mundet, një mijë e një marifete dhe mashtrime, që t’ua mbushë mendjen mjekëve se ai patjetër vuan nga një sëmundje e stisur, të cilën ai e ka zgjedhur vetë që më përpara. Kjo nuk bëhet aspak për të marrë raport mjekësor. Jo, thjesht kjo është kënaqësia e vetme e këtyre pacientëve. Sikurse shihet, edhe në lëmë të mjekësisë emri i baronit na qenka shumë i rëndësishëm, andaj njerëzit të cilët kanë në dorë diçka duhet të bëjnë ç’është e mundur që ta rikthejnë edhe një herë në skenë këtë figurë legjendare që kishim nisur ta harronim me pa të drejtë.

 

Baroni Mynhauzen hipur mbi gjysmëkalë.

Ilustrim nga Gotfrid Franc

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama