Para dy ditësh pati sërish një tentativë vetëvrasëse, nga radhët e trishtuara, të braktisura dhe të mjeruara të ish të përndjekurve politikë. Kujtim Kaziu nga Fushë-Kruja, për pak sa u vetëdogj dhe për pak, nëse i rrëshqiste dot policisë, do të bëhej një pishtar i kohërave që jetojmë. Prita me kureshtje nëse dikush do të ndalonte pak çaste për këtë tragjedi tjetër njerëzore dhe të artikulonte ndonjë frazë reflektive. Qoftë edhe një frazë të rrumbullakosur, të ndonjë refleksioni që nuk të çon askund. Por afërmendsh, askush nuk kish kohë mjaftueshëm, për një hiçmosgjë. Për një vetëvrasje publike në tentativë, të një ish të përndjekuri, e pra të një ish-gjëje që me sa duket nuk llogaritet më, në inventarin e kujtesës politike e publike. Tanimë këto ngjarje janë në radhët e gjërave që nuk ia vlejnë. Qoftë edhe dy fjalë.
Në të vërtetë, më mirë që ato dy fjalë nuk u thanë nga askush. Edhe pa ato, thesi i shpuar i hipokrizisë shqiptare është s’ka ku vete më plot.
E kush është fundja Kujtim Kaziu nga Fushë-Kruja? E bile dikush, zëre sikur ka shtuar: ‘Kur do të mbarojnë këta ish të përndjekurit?’ Dhe ky dikush mund të jetë i rreshtuar në kërleshjen politike, edhe në llogoren e Bluve edhe në llogoren e Rozëve. Se ky persekutimi i të persekutuarve, me përjashtim të cave që janë pjesë e brigadave politike, është shndërruar në këto 20 vite në një lloj tragjikomedie, që do ta bënte edhe Enver Hoxhën të gajasej së qeshuri. Njësoj si ish-pronarët, që më së shumti ish-pronarë mbetën gjithë jetën.
Mirëpo, përtej fatit të Kujtim Kaziut, të ziut fatnxirosur që vijon dënimin, dënimin e jetës së të dëshpëruarit pa ngushëllim, po për gjyshin këmbëngulës të Bleonës së vogël, të rrëmbyer dhe të zhdukur 4 vite më parë, kush harxhon sadopak vëmendje? Kaq absurde tingëllon kjo pyetje, saqë do goxha guxim të mos ndjehesh si i rrezikuar, që të perceptohet si një pyetje në nivelin e qesharakes. Sepse dhe i tillë është përgjithësisht niveli në të cilin jetojmë. Gjyshi i Bleonës, që mbesa e zhdukur i ka tharë tash sa vite zemrën dhe sytë, Gjyshi, ky ‘Askush’, i qyteteve tona pa qytetërim, është vetë hija e dëshpërimit. Ai duke folur për gazetën tonë, dëshmoi se fijet e rrëmbimit të mbesës së bukur dhe të pafat, shkojnë ndoshta në Turqi, në një rrjet njerëz-zhdukësish që të shfaros pa nam e nishan. Prisnim që dikush të tronditej sado pak, por kush ka kohë kur vlon Kuvendi nga konflikti dhe lufta politike? Aq më tepër që ky është një lajm i vjetër tashmë. Ndonëse zhdukja e saj nuk mund të vjetërohet kurrë. Por dikush sikur të thotë nga pas: ‘Dorëzohu! Kjo është një punë pa bereqet!’
E pra, asgjë nuk ndodh më pas. Asnjë shenjë kthimi koke pas, për të hedhur së paku një vështrim ngushëllues në pusin e zi të një tragjedie të pangushëllueshme.
Dikush tjetër vritet në Vukatanë për gjakmarrje me snajper. Njoftim, raportim dhe heshtje. Dikush tjetër, ndër ta dhe familjarë të mi të afërt, bredhin si bleta punëtore farmaci më farmaci për të blerë ilaçe. Ilaçe për të shtruarit pa medikamente që dergjen në spitalet tona shtetërore.
Mirëpo Kuvendi gjëmon e ulëret. Sy për sy e dhëmb për dhëmb. Një patologji që mbjell agresivitet dhe urrejtje transversale. Dhe harresë.
Një harresë të pafalshme për Fatin e Njeriut. Ndoshta duhet shtuar Fatin e Njeriut të vogël, sepse fare i vogël duke njeriu dhe fati i tij në sfondin e luftimeve teatrale të Parlamentit. Ku mbizotërojnë gishtat e duarve që ngrihen kërcënues mbi kryet dhe përpara fytyrës së kundërshtarit. Gishta shpesh të lëmuar. Me thonj të përpunuar e të krruar mirë e me nge. Gishta që fëshfërijnë në mënyrë virtuoze milionat e xhepit, kuptohet, mbrapa perdes së teatrit politik. Gishta që nuk ngopen me epsh e neps, krejt të ndryshme nga partitura e recituar ndër podiume.
E kështu, në këtë vend, ku njeriu dhe fati i tij rrezikojnë të mbeten pa Atdhe, nuk ka kohë të mjaftueshme për të kqyrur dëshpërimin e varfërisë vrastare që na rrethon dendur ngado.
Mirëpo, vdekja e ndjeshmërisë ndaj Tjetrit në përgjithësi dhe ndaj fatit të hallexhiut në veçanti, si shumëçka e bërë keq në Shqipëri, është padyshim një nga kryeveprat më të mbërrira të së Keqes shqiptare.
Në imitimet tona të ‘zakoneve oksidentale’, të cilat i kemi përthithur, sëbashku me të gjitha veset deri në ekstrem, kemi kopjuar keq, si shumëçka nga kopjimet tona trashanike dhe të denja për një gaz të pasosur, kemi kopjuar vrazhdë, edhe këtë plagë të indiferencës urbane, të qyteteve të mëdha perëndimore.
Duke e shndërruar në një antiqytetërim të mirëfilltë, që ngre krye në mënyrë transversale, nga Lart poshtë dhe anasjelltas. Një shëmbëlltyrë bajate e proverbit ‘secili për vete, Zoti për të gjithë!’, zbatuar si do të zbatonte një kasap artin e kirurgjisë.
Porse fytyrat e skuqura nga adrenalina që shkakton egoizmi pa fre, që shpërthen si llavë acide gjatë seancave plenare të të enjteve, ngre kaq hi dhe mjegull, saqë e zhduk krejt Fatin e Njeriut, në emër të të cilit, në mënyrë shpesh e më shpesh të rrejshme, përligjet gjithë ajo potere e bezdisshme.
E bezdisshme dhe cinike sa më s’ka. Ndërkohë, dikush vë bast se Kujtim Kaziu mund ta provojë prapë të vetëdigjet, madje herën që vjen edhe me ca shokë të tjerë të tij, të Jo- Fatit të përbashkët. Ndërsa Bleona e vogël, e zhdukura e famshme, do të mbetet si e zhdukura e përjetshme, banore rrallë e më rrallë e faqeve të gazetave, që ende përpiqen ta mbajnë gjallë.