Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Perkthim Shqip-Shqip i 'Dokumentit te politikave te pensioneve'

Shkruar nga: Gjergj Erebara  
Botuar më: 11 vite më parë

Gjergj Erebara
Perkthim Shqip-Shqip i 'Dokumentit te politikave te pensioneve'

Qeveria ka publikuar një dokument me të cilin përmbledh ndryshimet ligjore që ka ndër mend të bëjë në skemën e pensioneve. Dokumenti ka gjuhë shumë teknike për t’u kuptuar. Për këtë arsye po prezantojmë një përkthim shqip-shqip të masave të propozuara. Shumica dërrmuese e masave synojnë të ulin përfitimet e shqiptarëve nga skema e pensioneve, pak masa janë për të rritur kontributet e të punësuarve të sotëm në skemë dhe asnjë masë nuk duket se propozohet për të luftuar informalitetin.

 

***

Origjinali: Rregulla të sakta e strikte për indeksimin e masës së pensionit, duke parashikuar vetëm indeksim me inflacionin.

Përkthimi: Të gjithë pensionistët aktualë si edhe ata të së ardhmes do të përfitojnë çdo vit rritje pensioni të barabartë me normën e inflacionit. Inflacioni është treguesi më hileqar i ekonomiksit dhe ai që shpreh më pak koston e jetesës së të moshuarve. Shkurt, nuk do të ketë rritje reale të pensioneve dhe në fakt, do të ketë reduktim të fuqisë blerëse reale të pensionistëve.

 

***

Origjinali: Heqja e tavanit të pensionit maksimal.

Aktualisht në Shqipëri paguhen sigurime shoqërore për deri pesëfishin e rrogës minimale, pra rreth 900 mijë lekë në muaj, por pensioni maksimal që mund të përfitosh është dyfishi i pensionit minimal, ose 24 mijë lekë në muaj. Premtimi është se duke hequr tavanin, pensionistët e ardhshëm që kanë rroga të larta do të përfitojnë pension më të lartë. Por këta janë një numër i vogël i shqiptarëve, praktikisht ata që marrin rrogë mbi 40 mijë lekë në muaj dhe që paguajnë sigurime shoqërore mbi pagën reale. Këta përfitues janë përgjithësisht pak zyrtarë shteti dhe pak punonjës në sektorin privat, ku paga mesatare kontributive është shumë e ulët.

 

***

Origjinali: Njehsimi i pagës minimale kontributive me pagën minimale zyrtare dhe indeksimi i pagës maksimale kontributive me nivelin e inflacionit.

Përkthimi: Aktualisht paga minimale kontributive është më e ulët se sa paga minimale zyrtare. Njehsimi, nëse do të bëhet me pagën minimale zyrtare, nënkupton rritje të detyrimit për sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Nëse ndodh e kundërta, atëherë do të ketë ulje. Indeksimi i pagës maksimale kontributive me nivelin e inflacionit synon të zbusë një çmenduri të viteve të fundit. Me ligjin aktual, paga maksimale kontributive është sa pesëfishi i pagës minimale kontributive. Qeveritë në të shkuarën kanë rritur pagën minimale kontributive ose pagën minimale zyrtare, duke e shitur këtë si rritje të pagave të ulëta dhe politikë sociale. Por, në fakt, kjo ka qenë politikë taksimi dhe ka sjellë rritje të ngarkesës me sigurime shoqërore për të gjithë të punësuarit. Duke qenë se qeveria e ka rritur pagën minimale me fjala vjen, 1 mijë lekë të reja, atëherë automatikisht paga maksimale kontributive është rritur me 5 mijë lekë të reja. Kjo ka sjellë një rritje jonormale të ngarkesës me sigurime shoqërore për pagat e larta.

 

***

Origjinali: Rritja e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025.

Përkthimi: Kjo është masa më drastike në drejtim të uljes së numrit të përfituesve dhe masës së përfitimit për pensionistët nga skema e pensioneve. Që të dalësh në pension në Shqipëri dhe të marrësh pension të plotë, duhet të plotësosh dy kushte: të mbushësh moshën dhe të kesh mbushur vitet minimale të kontributeve, aktualisht 35 vjet. Nëse ke mbushur moshën, por jo vitet e kontributeve, merr pension të pjesshëm. Nëse nuk e ke mbushur moshën, por ke plotësuar vitet e kontributeve, merr pension të pjesshëm penalizues. Kjo i përket shumicës së shqiptarëve, të cilët kanë kaluar gjysmën e jetës së vet si punëtor gjatë viteve të tranzicionit dhe vështirë se i plotësojnë vitet e punës. Nuk ka statistika të sakta, por me rritjen e moshës së kontributeve, e cila sakaq është shumë e lartë, numri i shqiptarëve që përfitojnë pension të plotë ulet në minimum. Kjo është një masë që do të penalizojë, para së gjithash, gratë, të cilat janë të prekura nga fakti që lindin fëmijë dhe rrjedhimisht, e humbasin vendin e punës më shpesh.

 

***

Origjinali: Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.

Përkthimi: Kjo është masa tjetër që synon të ulë përfitimet nga skema, ku gratë janë më të goditurat. Megjithëse mosha do të rritet gradualisht, synimi i rritjes së moshës së daljes në pension, më shpejt për gratë se sa për burrat, do të ulë përfitimet totale të shqiptarëve të moshës së tretë nga skema e pensioneve.

 

***

Origjinali: Heqja e privilegjeve për njohjen e periudhave të sigurimit pa paguar kontribute për gratë, siç është njohja e viteve të studimit si vite të siguruara.

Përkthimi: Siç e thotë tekstualisht pa pasur nevojë për përkthim, gratë deri tani kanë pasur të konsideruara si të paguara nga shteti vitet e arsimimit të tyre, pra katër vitet e shkollës së lartë. Ky paragraf nuk bën të qartë se, nëse anulimi i këtij lehtësimi për gratë që synon nxitjen e tyre për arsimim, do të jetë retroaktiv apo jo.

 

***

Origjinali: Rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017.

Përkthimi: Kjo është masa më drastike dhe e pagjasë për t’u realizuar. Fshatarët e vetëpunësuar në bujqësi, aktualisht kërkohet të paguajnë një sigurim të ulët shoqëror, në këmbim të një pensioni të ulët. Tani atyre do t’u kërkohen sigurime reale, në masën 5 mijë apo 6 mijë lekë të reja në muaj. Kjo është e pamundur të realizohet për shkak se të vetëpunësuarit në bujqësi aktualisht nuk kanë të ardhura të mjaftueshme as për të jetuar, jo më për të paguar sigurime shoqërore. Praktikisht kjo klauzolë ka gjasa të mbetet në letër pa u zbatuar kurrë në terren.

 

***

Origjinali: Përmirësimi i formulës së pensioneve të zonave rurale. Sot, një fermer që ka mbi 17 vjet e 6 muaj sigurime në shtet ose si i vetëpunësuar, përfshi edhe sigurimet në kooperativë, përfiton pension shteti. Kjo periudhë sigurimi do të rritet gradualisht (me një vit çdo vit) deri në shuarjen tërësore të njohjes së periudhës si ish- kooperativist.

Përkthimi: Kjo është një masë që efektivisht do t’i mohojë fshatarit një pension të zakonshëm dhe do t’i çojë detyrimisht drejt pensionit social, për të cilin do të duhet të presin moshën 70 vjeç. Me rritjen me një vit të moshës minimale të kontributeve, praktikisht fshatarëve u mohohet pensioni në shumicën dërrmuese të rasteve.

 

***

Origjinali: Vendosja e elementeve dekurajuese për dalje në pension të parakohshëm dhe inkurajimi i daljes vonë në pension.

Përkthimi: Kjo lidhet me paragrafin tjetër të rritjes së moshës së kontributeve minimale të nevojshme për të marrë pension të plotë. Do të thotë thjesht dhe pastër më shumë kontribute dhe më pak pension.

 

***

Origjinali: Pension social

Përkthimi: Me termin pension social nënkuptohet një ndihmë ekonomike në masën 6650 lekë në muaj me rritje sa masa e inflacionit çdo vit për këdo që mbush moshën 70 vjeç dhe ka punuar në të zezë, është fshatar pa sigurime shoqërore, apo ka qenë i papunë për pjesën më të madhe të jetës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama