Lëngata shqiptare me sa duket i ka rrënjët e thella. Dikur përpara 30 viteve, në rininë e hershme që harlisej si dredhës vitale në hekurat e dukshme të burgut-shtet, mendonim se kjo që na ndodh, është pasojë e një mallkimi të zymtë. Pastaj dora-dorës, filluam të arsyetojmë se mallkimi jemi vetë ne, paaftësia jonë kombëtare, e cila dhjetëvjeçar pas dhjetëvjeçari humbiste shansin për t’i bërë gjërat si duhet. Duke futur në të njëjtin thes, shtet dhe popull bashkë.
Dhe kështu, rrathë-rrathë përhapet një mërziti herë horizontale dhe herë vertikale si pasojë e bilanceve negative që na grumbullohen ngado dhe ndjehemi si të mbërthyer në një grackë të pashkatërrueshme dhe të pashkallmueshme. Uluni me këdo, ktheni një teke raki, thyeni akullin dhe kapërceni murin e mosbesimit dhe ky refren është i gatshëm dhe i njëjtë. Përpos ndryshimeve të vogla sintaksore lokale dhe individuale.
Rezistentë si dhe janë, shqiptarët, kush mundet dhe kush nuk mundet, hypin pjellat e tyre, autobusëve, anijeve apo avionëve, që masivisht të shtegtojnë larg prej këtu. Mundësisht pa kthim pas. Por jo të gjithë ia dalin kësaj rruge.
Në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit të kaluar, votuan me një shpresë të madhe pro rotacionit politik. Ushtruan të drejtën e tyre elektorale që fatmirësisht nuk u deformua. Dhe tash kemi qeveri të re dhe kryeministër të ri. Shpresëdhënës dhe gojëtar të klasit të parë.
Mirëpo kaluan tanimë 8 muaj nga qeverisja e re, ende pak, por prurjet e deritashme të kësaj qeverisjeje janë ende si një supë shumë e ujshme, që dikur nënat e familjeve të varfëra shtronin në tryezat e skamjes. Ca drejtorë e drejtoresha dhe ministra rioshë, pa bark dhe fytyrë lëmuar, të pashme e të pashëm, të sprovuar ekraneve dhe të veshur me shije dhe modë, ende nuk po ngjisin brumë e nuk po gatuajnë dot kulaç të grunjtë, për të shoqëruar supën e ujshme. Arsyetimi se kjo supë është ende kontigjent i kazanëve të shpuar të Berishës, i ka mbajtur njerëzit me shpresa dhe në pritjen e durueshme të të uriturit, për aromat e reja të kuzhinës së re politike. Por edhe shpresa hollohet me shpejtësi, ashtu sidhe supa dhe dikur këputet edhe ajo. Shpresa. E vetmja pasuri kombëtare që kemi së bashku me kromin e grabitur që vijon të grabitet, me një bollëk të paparë.
Duket që makina burokratike e administratës megjithë ndërrimet e vrullshme, politike në të shumtat e herës, ka ngecur thellë në një llucë shumë ngjitëse dhe shumë kokëfortë.
Por edhe opozita aktuale, e çmësuar me opozitarizmin si pasojë e një ‘pushtetarizmi’ shumë të gjatë dhe me hambarët që mend pëlcasin nga kamja, po jepet e tëra dhe më së shumti mbas luftës globale për pushtet dhe për ruajtjen e hambarëve nga grabitqarët që gëlojnë si peshkaqenë të uritur rreth pushtetit të ri. Dhe kështu, ka munguar pothuajse krejt, vënia e gishtit në plagët tona të qelbëzuara sociale. Plagë të lashta dhe të reja, por të gjitha shumëvjeçare. Është gati pra, të gjejë apo të sajojë arsye apo pretekste, për të rrëzuar para kohe dhe para mandatit 4 vjeçar nëse mundet këtë qeveri aktuale dhe jo për të dhënë kontribute konkrete për të rritur cilësinë e qeverisjes së saj. E tillë rezultoi zhurma dhe ndoshta stisja e alarmit të trafikut ndërkombëtar të drogës në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare, apo në asetet e saja aeroportuale. Duke shpërdoruar kohë, energji dhe imazh nga i veti.
Edhe refuzimi për të gjetur forcën e duhur inteligjente, që të bëhet pjesë e Reformës Territoriale, duket thelbësisht i pakuptueshëm dhe i paarsyetueshëm politikisht. Qeveria ka nxjerrë më së fundi në pah një platformë provizore për një reformë të thellë në arsim. Një reformë që duhej bërë me kohë, opozita deri më tash ka zgjedhur çuditërisht heshtjen në vend të polemikës konstruktive. E kush mund ta kuptojë apo mirëkuptojë këtë pasion absurd për vetizolim?
Por situata më e tmerrshme lidhet me varfërinë e skajshme dhe ndoshta kulmi i zi i varfërisë dhe mjerimit tonë kombëtar, janë spitalet tona shtetërore ku njerëzit vdesin me dhjetëra dhe përditë, përmes vuajtjesh të parrëfyera.
Nga njëra anë duket sikur opozita nuk merret me këto tema sociale të thekshme, sepse kësisoj do të provonte në mënyrë të dukshme ndonëse të tërthortë, dështimet jo të vogla të qeverisjes së saj të mëparshme. Pasiqë asnjëherë deri më tash, për humbjen e thekshme që pësoi në qershorin e vjetshëm, askush nuk mbajti përgjegjësi analitike. Përveç Berishës.
Mirëpo edhe qeveria e tashme e re dhe me premtime rilindase, ndjehet e mikluar dhe në konfort të plotë nga kjo lloj opozite që nuk po gjen ende objektiva të prekshëm socialë. Aty pra ku populli ka dhimbje dhe vuajtje çnjerëzore.
Sepse, pas pastrimit të oborreve të spitaleve nga kafenetë dhe restorantet e shpifura dhe shushunja të neveritshme, duket sikur ministri Beqja dhe shefi i tij Rama kanë ndërkohë një axhendë tjetër. Mbas disa vizitave rrufe të Ramës javët e para të qeverisjes ndër spitalet e vdekjes, që u kanë zënë vendin spitaleve të jetës, nuk vijnë më lajme të kësaj natyre.
Duket pra sikur mbas pastrimit të oborreve të Institucioneve të Vuajtjes Njerëzore, që ndryshe pra, i thërrasin edhe spitale, syri estetik është vënë në paqe, ndërsa veshët janë mbyllur me dyllin e prioriteteve të tjera, e nuk dëgjojnë rënkimet e një populli që dergjet në ato thertore. Thertore me plot banditë brenda, që vjedhin ilaçe, serume, batanije, çarçafë dhe Shpresa. Ca tregtarë të Vdekjes me bluza të bardha, që zhvasin ç’ka mbetur nga të dëshpëruarit që mallkimi i ka përplasur dhunshëm në ato banesa të mundimit pa kufi dhe pa dinjitet.
Shumicë dhe Pakicë, qeveritarë dhe akuzonjës, kanë patur më shumë se një herë shansin të bëjnë diçka të thellë dhe me themel në Sistemin e Mjekësisë Shqiptare, andaj dhe e kanë nxjerrë me sa duket nga axhenda e diskutimeve politike. Sepse nuk mund të akuzojnë dot pa një pranim faji për dështimet e tyre. Dhe sepse pra, ky lloj emancipimi politik ende nuk duket se mbin dot në kulturën tonë politike, zaptuar nga mprehësit e jataganëve dhe alkimistët e helmeve.
Dhe kështu, shqiptarët u degdisën për javë të tëra në debate e polemika fantazmagorike për aeroplanë me ngjyra dhe aeroporte droge, si ca faksimile serialesh me në qendër personazhe kolumbiane, seriale që për koincidencë transmetohen pafund në ekranet tona.
Opozita bën gardh mbrojtës ndaj kryekomunarëve apo kryebashkiakëve të vet, që kanë bërë dhe bëjnë akoma një batërdi të frikshme dhe të ndyrë me pronat, tokat dhe gjelbërimin e Tiranës. Ndërsa qeveria dhe instrumenti spastrues, tejet i famshëm këto kohë me siglën INUK, nuk merr mundimin të justifikojë se pse INUK kërcen pupthi dhe fut kallëpe tritoli në mënyrë selektive nëpër Shqipëri.
Duke spastruar Mëkatet Blu dhe duke mos ‘parë’ Mëkatet Rozë.
Nuk kuptohet se pse opozita bën debat për administratën dhe mirë bën, por nuk bën debat për mosmbylljen e premtuar të kazinove që po shpartallojnë financat e shqiptarëve, ngase u kanë zënë pusi në çdo shteg, të gjithë brezave të këtyre qyteteve pa qytetërim brenda.
A thua vetëvrasjet e famshmeve të borxhlinjve dhe mijëra familje të shkatërruara nuk i përkasin këtij populli që vetëm grabitet nga lindja e deri në varrim?
Por ndoshta në ishujt e parajsës, ku jetojnë dhe mjekohen dhe shkollohen dhe riprodhohen, pinjollët e klasës sonë politike, zhurma e ndyrë dhe duhma e neveritshme e ferrit të përditshëm të shumicës së shqiptarëve, nuk mbërrin dot askurrë.
Dhe meqë nuk mbërrin, sepse ata kanë përsosur filtrat e mosdepërtimit të kësaj ere të keqe dhe e këtyre rënkimeve të zymta, mos ndoshta ata mendojnë se ferri shqiptar nuk ekziston?! Pyetje naive dhe pa kuptim edhe kjo, apo jo?!
Ndërsa banorët e Ferrit, duhen të shohin në Tv, betejat e banorëve të Olimpit, që grinden të llastuar për pushtetin e humbur, apo për pushtetin e ri.
Ne e dimë që Shqipëria nuk ka nevojë sot për një Mesia, ndonëse mirë do të ishte edhe të vinte, por nuk mund të vijë nga radhët e politikës. Kemi nevojë për mjekë dhe infermierë të mirëpaguar, për gjykatës që të gjykojnë, për profesorë që të mos shesin dhe blejnë diploma e provime, për punë dhe për më shumë dinjitet njerëzor në dramat tona natyrale.
Dhe mbi të gjitha për pinjollë më pak të llastuar në politikën tonë të përditshme, që më së shumti e pakëson se sa e shton bukën tonë të përditshme.
Sepse kjo Shqipëri e sëmurë, është pak të themi, krejt e padurueshme për t’u jetuar kësisoj.