Në ndryshim nga partneri në koalicion, që nuk e fsheh veneracionin për Enver Hoxhën, dhe kundërshtari në opozitë që buçet kundër tij, Edi Rama ka zgjedhur të heshtë diku në mes. Nuk merret vesh nëse ndihet komod apo i detyruar aty ku gjendet sot. Petku i kryeministrit me siguri i ka rritur kapacitetin për të kalkuluar politikisht, por lutja e vetme kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj atij barbari, është që zoti Rama mos të ketë hequr petkun e antienveristit. Sepse indiferenca politike ndaj Enver Hoxhës rrezikon të përtypet në shoqëri si indiferencë morale ndaj krimeve të tij. Në këtë kuptim, indiferenca e këtyre ditëve e zotit Rama ndaj diktatorit nuk meriton respekt.
Ndaj dikujt tjetër kjo apati –tolerancë edhe mund të përligjej, por ndaj njërit prej antienveristëve më të angazhuar në panoramën publike të fundviteve ’80, kjo është e pafalshme. Në fund të fundit, Edi Rama ka aderuar në mendimin publik të Shqipërisë moderne me statusin e një antienveristi dhe jo përmes diçkaje tjetër. Madje, bash prej këtij fakti kuptimplotë, ai nuk ka trashëguar njollat që zakonisht shqiptarët të veshin për shkak të prejardhjes. Mirëpo, antienverizmi i zotit Rama ka ngecur diku nga 1990. Duket sikur kryetari i së majtës i ka mbyllur hesapet me të, ndërkohë që enverizmi ende nuk i ka mbyllur hesapet me të majtën. Në 5 maj ai, pra enverizmi, i rihapi pa asnjë kompleks kartat. Në këto kushte, lipset që antienverizmi i hershëm i Edi Ramës të rinovohet. Duhet të rinovohet jo sepse enverizmi rrezikon të rehabilitohet si model politik, por sepse ai gradualisht mund të legjitimohet si fenomen moral. Tezat kriminale se “Enver Hoxha pati edhe të meta, por bëri edhe disa gjëra të mira” apo “gjykimin për Enver Hoxhën t’ia lëmë historisë” apo më keq akoma, përqeshja si diçka banale e quasi selfie-t të një ministri kabineti me foton e diktatorit, nuk janë asgjë më pak se përpjekja për t’i relativizuar barbaritë e tij si gabime të sistemit.
Për gjithçka ndodhi antienveristi Edi Rama do të kishte folur patjetër, por kryeministri Edi Rama zgjodhi të heshtë. Evokimi i një tirani, qofshin të pasionuarit me të edhe një grusht injorantësh dhe burracakësh, është një fyerje edhe për antienverizmin e dikurshëm të Edi Ramës. Antienverizëm i cili, me thënë të vërtetën, ishte shumë më i thjeshtë asokohe kur Edi Rama ishte vetëm një peshë civile dhe aq. Nuk duhej të mendonte për vota, nuk ishte i kushtëzuar të bashkëjetonte politikisht me askënd, nuk drejtonte ndonjë formacion politik dhe as ndonjë qeveri. Sot, kur ballafaqohet me të gjitha këto, antienverizmi i tij ka ngelur antienverizmi i dikurshëm i një individi rebel kundër despotizmit të Enver Hoxhës. Unë e di që Edi Rama është një antienverist i bindur, mirëpo antienverizmi nuk mund të jetë më vetëm një çështje e botëkuptimit personal të qytetarit Rama. Kështu nuk ka pikën e vlerës, për të mos thënë që bëhet i dyshimtë. Antienverizmi i qytetarit Edi Rama duhet rinovuar si antienverizëm i kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe kryeministri i kabinetit të majtë, në mënyrë që të ketë kuptim dhe vlerë politike.
Pajtohem me arsyetimin e tij se, antienverist nuk të bën e folura kundër tij, por sjellja jo si e tij. Por nga ana tjetër e kam të vështirë të pranoj se ky arsyetim mund të vlejë për besimtarët hoxhistë që ka në parti dhe qeveri. Jo se ata nuk janë të lirë të flasin për idhullin e tyre, por sepse idhujtaria e tyre është e atashuar politikisht brenda Partisë Socialiste dhe qeverisë së majtë. Nëse do ta konsumonin onanizmin e tyre me figurën e komandantit jashtë kostumeve politike nuk do të fyenin askënd, janë të lirë ta bëjnë. Por, si hierarkë të një partie që qeveris apo si ministra të një republike, kanë poshtëruar historinë dhe ndjenjat e gjithë pjesës tjetër të shoqërisë.
Kryeministri Edi Rama ka përgjegjësi të plotë për këtë. Asgjë nuk e justifikon: qoftë indiferenca ndaj maskaradës së fëlliqur, qoftë antienverizmi i arkivuar në ligjërimin e asaj kohe të largët. Më pëlqen të kujtoj pasionin e tij për dekonstruktimin e miteve aty nga vitet ’90 përmes frazës “ne nuk po hedhim baltë mbi shokun Enver, ne thjesht po heqim baltën që shoku Enver na ka hedhur”. Tani që enveristët e përkushtuar të partisë dhe qeverisë së tij po rreken, sipas mundësive, ta rikonstruktojnë mitin e tyre, antienverizmi i Edi Ramës lipset të rinovohet qartë, publikisht dhe njëherë e mirë, si antienverizëm i së majtës. Tashmë jo për të dekonstruktuar mitin e së keqes, por përpjekjen për ringjalljen e tij. A është i gatshëm ta bëjë?