Përtej zhurmës së debateve parlamentare dhe jo vetëm, për të cilën duket sikur Shumica dhe Pakica kanë një lloj kompliciteti për argëtim reciprok, për krizën ekonomike dhe dimensionet e saja në Shqipëri nuk duket se flet seriozisht njeri. Dhe ndjehet krejt qartë sepse Pakica, deri dje Shumicë qeverisëse, nuk ka interes ta trajtojë këtë temë me shumë vrull, pasiqë do të duhej të bënte një bilanc të bezdisshëm të punës së vet në këtë lëmë. Ndërkohë që Shumica aktuale, doli nga një fushatë fitimtare e cila paraprakisht transmetoi shumë optimizëm, shpresë dhe pritshmëri.
Mirëpo, entuziazmi i parë, më së shumti retorik dhe shprehës i një vetëbesimi të paskaj, duket se nën hijen e rëndë të faturave financiare, është tkurrur paq.Vetëm një nga faturat që u njoftua nga Gjykata e Strasburgut, ku sipërmarrësit shqiptarë apo hallexhinjtë e kamur, tanimë depozitojnë proceset e tyre dhe konfliktet me shtetin dhe të tretët gjithmonë e më shpesh, është, sidhe u tha të enjten e kaluar në Kuvend, hiç më pak se 37 milionë euro tringëlluese e që duhet të dalin nga kasaforta e ndryshkur e depozitave shqiptare. Mirëpo rezulton që të jenë edhe shumë të tjera që presin radhën dhe që do të prodhojnë fatura edhe më të rënda e që lidhen me joprofesionalitetin e vendimmarrjeve administrative e politike të autoriteteve shqiptare ndaj të tretëve.Raportimet e Bankës së Shqipërisë janë zymtake dhe, megjithë konformizmin natyral të governatoratit, që priret të mos alarmojë, eufemizmat nuk ndihmojnë për të rrumbullakosur sa duhet shifrat dhe bilancet që ato kushtëzojnë, e që janë lehtësisht të interpretueshme si jo-entuziaste.Pas ngrirjes logjike të rrogave dhe pensioneve, vendim ky jo elektoral, por një vendim i dhimbshëm dhe një vendim i duhur, fshihet shqetësimi, për të mos thënë paniku se llogaritë nuk dalin të buzëqeshura në bilancin e Shtetit dhe nuk ka elementë që të ngrohin për një dalje bindëse nga spiralja negative e gjendjes ekonomike, pjesërisht e trashëguar dhe pjesërisht efekte kolateral i ndjeshëm i krizës së përgjithshme.
Doganat dhe tatimet nuk kanë prodhuar ende ndonjë çudi të ndjeshme deri tash, megjithë raportimet e rrumbullakosura me shenjën plusShumica aktuale, duke patur përballë një Opozitë shumë agresive, nuk mundet të shpresojë në një mirëkuptim apo në një detantë, përkundrazi, çdo shenjë e pakënaqshme e treguesve ekonomikë amplifikohet si një provë e fitores së rremë elektorale të koalicionit PS-LSI në 23 qershorin e kaluar. Si një provë që ata, ish-Shumica pra, ishin, janë dhe do të mbeten më të mirët në mirëqeverisje. Kështuqë, në përleshjen e pashmangshme retorike, Shumica rreket të hyjë në betejën e shifrave, betejë që nuk prodhon asgjë që hahet dhe asgjë që pihet, një betejë që nuk prodhon para, por vetëm shtyn për një kohë të dytë ballafaqimin e vërtetë me realitetin ekonomik.Para do ditësh, me tone disi të zbehta u tha dhe u nënvizua se janë hapur deri më tash 25.000 vende të reja pune, e pra 1/12 e premtimit elektoral për 300.000 vende të reja në katër vitet e qeverisjes së majtë.Sëpaku pesë pista ekonomike duhet të kenë një bilanc me shenjën plus dhe ndjeshëm plus, që ekonomia shqiptare të marrë frymë sadopak më mirë.
Së pari, turizmi i këtij sezoni, që është pas dere dhe çështje javësh. Mirëpo, përveç ca spastrimeve ndërtimesh abuzive në Jug, nuk ka as landfillde të reja dhe as ndonjë fushatë për ndalimin energjik të ndotjes së ujërave detare dhe atyre të ëmbla.
Së dyti, energjia vijon të mbetet e shtrenjtë dhe ende e pasigurtë rast pas rasti. Dhe një faturë e panjohur do të paraqitet së shpejti në arkën e ndryshkur të Thesarit të Shtetit, nga CEZ dhe procesi ende i hapur me kompaninë çeke të energjisë. Ndërkohë që nuk ka njoftime për ndonjë ecuri premtuese në projektet energjitike në kaskadat shqiptare.
Së treti, evazioni fiskal në fushën e karburanteve vijon tradicionalisht të mbetet një gangrenë e pashëruar, ndonëse dihet që aty fshihen shuma të rëndësishme valute të çmueshme për buxhetin e drobitur të qeverisë. Kompanitë e huaja dhe vendase që operojnë në terrenin shqiptar, jo vetëm që janë moskokëçarëse për dëmet ambientale që shkaktojnë, për traumat që u shkaktojnë banorëve të zonave ku pompojnë naftën e çmuar, por falë skemave korruptive të konsoliduara, evadojnë fiskun shqiptar ditën për diell. Dhe ky evazion shtrihet edhe në linjat e importeve, simbas ca skemave që shumëkush i di, por pakkush mundohet apo mundet t’i çmontojë.
Së katërti, kromi, kjo pasuri kombëtare e jashtëzakonshme, mbetet nën një shfrytëzim të egër dhe skemat e kontrollit janë të dobëta, të komprometuara prej kohe dhe të ardhurat që i vijnë arkës së Shtetit, janë shumë herë nën nivelin e duhur. Shfrytëzimi primitiv sjell superfitime për ca pak subjekte dhe abuzivizmi është një anormalitet i pranuar si normalitet. Edhe në këtë sektor pra, nuk njoftohet ndonjë përmbysje pozitive e situatës.
Së pesti, me një bujqësi e cila jep shpresë, por që është ende në nivele aspak konkuruese rajonale, nuk ka asnjë bazë për ndonjë fillesë të industrisë përpunuese dhe ushqimore lokale, duke dërmuar kësisoj bilancin e import-eksportit, që gërryen e varfëron përditë xhepat e të gjithëve.
Kjo panoramë aspak optimiste, ishte përafërsisht e pritshme. Sipërmarrja mendjelehtë e ndërtimeve të kushtueshme dhe të zhurmshme në vitet e mira ekonomike 2006-2010, rritja e borxhit me bindjen e rrejshme dhe utopike se investimet do t’i kthejnë paratë e harxhuara në infrastrukturë, shkrumboi rezervat strategjike që duhet të kishim për ditë si këto të sotmet. Asokohe Ridvan Bode, për hir të së vërtetës, ishte i vetmi që i binte këmbanave të alarmit dhe ankthit, por fishekzjarrët e politikës e mbysnin zërin e tij me tamtame elektorale dhe dehjen që sjell besimi i tepruar në vetvete.Besim që as edhe Edi Rama dhe ekipi i tij qeverisës nuk duhet të kenë dhe ta manifestojnë aty ku s’duhet. Por edhe sikur ta kapë ndonjë dalldi, situata ekonomike është e tillë që do t’ia rrëzonte vrullin që në hapat e parë. Por kjo nuk do të thotë se kaq mjafton.Përkundrazi, rrugëdalja nga tuneli është një prioritet real i kësaj qeverisjeje.Pritet dhe kërkohet një tendosje e re për këtë domosdoshmëri, sepse me këtë ritëm dhe me këto rezultate, hendeku ekonomik as nuk mbulohet dhe as nuk kapërcehet dot. Kapitale të freskëta për të cilat ekonomia jonë ka shumë nevojë, nuk gjinden në qarkullim në orbitën që rrethon vendin tonë. Ato shkojnë në Kinë, Brazil, Meksikë, Indi dhe në perlat e turizmit të largët botëror. Gjendja e sistemit tonë gjyqësor dhe tensionimi arrogant që prodhon politika, nuk favorizojnë ardhjen e tyre. Disiplinën ekonomike, as e kemi pasur dhe as që duket se do ta kemi esëll, nuk dihet dhe për sa kohë, ashtu si rëndom ka qenë këto 23 vitet e fundit.Dhe Kriza ekonomike, afrohet dhe dystohet në Shqipëri me drapër në dorë, e pamëshirshme dhe vrastare. E kështu listat rriten dhe në tregun e gjelbër janë gjithmonë e më të shumtë ata që blejnë me kokrra dhe jo me kg, pasiqë çmimet janë të frikshme dhe të paarritshme për shumë nga njerëzit.Ndërkohë që fuoristradat super të shtrenjta sorollaten arrogante dhe ngrenë pluhur e revoltë. Restorantet e luksit janë të dendura, por më së shumti bosh. Paraja qarkullon me vështirësi. Ndërkaq, pakkush e di se nga vjen ajo.
Paraja.Paraja e sotme e të shumtëve.