Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur qeveris si mushkonjat

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Armand Shkullaku
Kur qeveris si mushkonjat

Pas asaj që ndodhi të shtunën në Divjakë, çdo qeveri normale do të kishte ulur kokën, do t’u kërkonte ndjesë qytetarëve dhe do të niste një proces të nxjerrjes së përgjegjësive për një skandal të përmasave të frikshme. Që më e pakta do të ishte dorëheqja e ministrit të Brendshëm dhe më normalja, dorëheqja e kryeministrit. Jo thjesht për atë që ndodhi, por për faktin se për ditë me radhë u tentua të mbulohet një trafik i organizuar i drogës duke manipuluar opinionin me retorikën e mushkonjave.

Asgjë nga këto nuk ndodhi. Më keq akoma, skandali po thellohet nga përpjekjet idiote për të maskuar një ngjarje që ndodhi ditën për diell. Kjo është përgjegjësia më e madhe e ministrit dhe kryeministrit, të cilët duke menduar se me demagogji mund t’ia hedhin përsëri, po e hapin edhe më të thellë gropën ku ka ngecur rrota e qeverisë. Nuk ka nevojë për ndonjë aftësi të veçantë për të kuptuar se Saimir Tahiri dhe Edi Rama janë në hall. Pozita e tyre qesharake e përforcon edhe më shumë këtë. Si askund tjetër, pa nisur ende mirë hetimi i ngjarjes, ministri doli live për të këputur kopaçe që dukej sheshit se edhe vetë nuk i besonte. Ai hodhi së pari tezën se avioni dhe makina me drogë mund të mos kishin lidhje mes tyre. Tha me kompetencë se ky avion vinte për herë të parë në Shqipëri dhe as nuk i lëvizi qerpiku kur dështimin e trafikantëve e quajti sukses të policisë. Por kulmin e shënoi vetë kryeministri kur nga një ekspozitë në Torino, u tha shqiptarëve se policia qenka kthyer fuqishëm në detyrë. Edhe Shvejku do ta kishte patur zili për këtë aftësi logjike. Duhet të ketë patur vërtet një siklet të madh kryeministri përderisa në vend ta shkarkonte, e vuri edhe ai veten në pozitën qesharake të ministrit të Brendshëm.

Çfarë operacioni policor të suksesshëm duan t’u tregojnë qytetarëve, kur si avioni i ngulur në rërë dhe makina e mbetur në karroatrec, nuk kishin ku të shkonin. Dëshmitarët flasin për disa makina të tjera të ngarkuara ose jo me drogë, që janë larguar kohë më parë nga vendngjarja. Të tjerë thonë se kanë parë e fotografuar çanta që dilnin nga avioni i dëmtuar përpara se të vinin “bravo çunat” e Saimir Tahirit. Madje i arrestuari, të cilit iu prish makina, kishte patur kohë të lajmëronte karrotrecin, të priste sa të vinte, të hipte mjetin mbi të dhe të nisej rrugës, ku hasi patrullën e policisë.

Duke stisur histori të tilla, kryeministri dhe ministri i tij po përsërisin gafën që bënë, duke i marrë shqiptarët për budallenj, se në Divjakë nuk ka avionë droge por mushkonja të Sali Berishës. Nuk ka si shpjegohet ndryshe deklarata e dytë e Tahirit, se avionët e drogës po vijnë në Shqipëri të nxitur nga akuzat e opozitës. Domethënë trafikantët dëgjuan opozitën shqiptare në parlament, nxorën avionët nga hangari dhe iu sulën qiellit shqiptar si mushkonjat. Këto naivitete i ngjajnë asaj barsaletës së atij tipit që zbuloi se gruaja e tradhtonte dhe gjente ngushëllim tek shoku i tij që i thoshte: “Edhe këtë ta bëri Sali Berisha?!”. Mirëpo shakaxhinjtë e Rilindjes nuk janë aktorët e Portokallisë, por njerëzit që kanë në dorë drejtimin e vendit. Dhe nëse vazhdojnë ta drejtojnë ashtu si Riformato avionin e tij, pasojat janë të qarta.

Një qeveri e përgjegjshme edhe akuzat e opozitës do të duhej t’i merrte seriozisht, të premtonte hetim, pa përjashtuar mundësinë se trafiqe të tilla mund të ndodhin ashtu siç mund të kenë ndodhur edhe gjatë qeverisjes së mëparshme. Por kryeministri, dhe ata që janë prekur nga virusi i shakave të tij të kripura, i shndërruan akuzat e opozitës në një fushatë kundër saj, që pati si simbol mushkonjën. Ky denigrim dhe mospërballja me faktet e kanë një shpjegim. Më e pakta është se qeveria mbetet e paaftë të luftojë krimin e organizuar dhe më e rënda, se pjesë të saj mund të jenë të përfshira në të. Zhurma dhe gallata me mushkonjat e Divjakës shmangën hetimet serioze për akuzat e opozitës e ndoshta ato mund të ishin harruar sikur kaçatorri i Riformatos të mos ngecte në rërë.

Me stilin e batutave për kundërshtarët, fjalimeve në tv dhe populizmit bosh, qeveria Rama mendon se mund t’ia hedhë çdo situate. Se mund të qeverisë me propagandë pa i përfillur faktet. Mirëpo kur faktin e ke brenda, si në rastin e Divjakës apo të sms së famshme të Tahirit pak kohë më parë, punët vështirësohen dhe çdo lëvizje për të kapërcyer lumin të shkakton dhimbje. Dhe dhimbjet për kryeministrin Rama kanë filluar shumë shpejt. Mjafton të shohësh se kush doli të mbrojë publikisht skandalin e avionit për ta kuptuar këtë.

Ky është një rast nga ata që një qeveri në Shqipëri i mbijeton, por që shënon momentin e gërryerjes së brendshmi të saj, pikën kur besimi lëkundet fort dhe merr kahje tjetër. Jo aq për përmasat e ngjarjes që ndodhi se sa për menaxhimin që iu bë asaj. Edi Rama i ka përvojat e qeverisë së kaluar dhe i di pasojat kur skandalet tentohet të mbulohen. Deri tani, reagimi i tij është një deja vu. Dhe nëse vazhdon kështu, nuk duhet ndonjë aftësi parashikuese për të lexuar fundin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama