Kur Ajnshtajni e tha këtë frazë, me siguri u referohej atyre njerëzve që pretendojnë se dinë gjithçka, por nuk arrijnë të kuptojnë injorancën e tyre. Këtyre gjysmakëve, nëse u jep si dhuratë lirinë, demokracia rrezikohet seriozisht. Ndaj Kenedi e shndërroi në një maksimë sa politike aq edhe sociale shprehjen: demokracia pa dije është e rrezikshme! Në këtë Shqipërinë tonë, mungesa e kulturës politike është sa e trashëguar aq edhe e lulëzuar në terrenin tonë të demokracisë.
Shqiptarët, si edhe 100 vjet më parë, janë ende larg të kuptuarit të konceptit të lirisë. Kjo ndodh se lirinë ne e kemi kuptuar dhe e kuptojmë si një liri tonën të brendshme, që buron nga e drejta jonë individuale, pa marrë parasysh të drejtën e përgjithshme, të drejtën publike. Kjo e ka shpjegimin e vet historik. Perandoria Osmane përcolli te shqiptarët idenë se “toka e zënë me shpatë është e ligjshme”. Ndërsa diktatura enveriste e kaloi në ekstremin tjetër edukimin me idenë “asgjë nuk është individuale, gjithçka është e askujt”! Të dyja këto këndvështrime politike bënë që kuptimi ynë për demokracinë të dilte përtej çdo përfytyrimi ligjor. Liria u konceptua kështu si liri për të thënë e bërë gjithçka që dëshiron. Politika, arsimi, media dhe të gjithë aktorët e tjerë, që duhet të angazhoheshin për të mos e lënë këtë gjysmëdije mbi lirinë të kthehej në model, heshtën. Sot gjendemi sërish në një udhëkryq me po të njëjtët aktorë, që vazhdojnë të punojnë negativisht për dijen e kulturën e popullit.
***
A e ka lënë politika shqiptarin të pakulturuar? Përgjigjja ime është e prerë Po. Sepse ata që u morën me politikë, si në të kaluarën e largët dhe në të sotmen e përditshme në shumicën e herës, kanë qenë gjysmakë të dijes politike. Dhe këta gjysmakë, që përcollën politikën e tyre gjysmake në një popull të pakulturuar, sigurisht i bënë vendit dëmin më të madh. Sot Parlamenti shqiptar përfaqëson një nivel, ndoshta edhe më të ulët nga niveli i popullsisë, që gjithsesi ka lëvizur e ka parë si funksionon bota demokratike. Le të shikojmë opozitën. Është kapur pas një kauze që realisht duhet të jetë kauza e shoqërisë: Lufta kundër drogës, por e ka shndërruar në një pretekst të qëllimit politik personal të dyshes Berisha-Basha. Në këtë mënyrë ia kanë humbur vlerën kësaj kauze të madhe, por ndërkohë kanë humbur edhe vlerën e tyre si opozitë politike, pasi thirrja “Rama Ik’ është kaq vulgare dhe kaq e papranueshme si për kohën, si për ndërkombëtarët dhe për momentin historik ku gjendet Shqipëria. Nga ana tjetër kemi një qeveri që dëshmon vullnet politik për të ndryshuar, por që duket ende spontane në drejtim, një qeverisje që flet bukur, por që ngurron të veprojë. Qeverisja e sotme ka pasur së paku 8 vite të përgatitej për këtë qeverisje, por duket edhe ajo vuan nga sindroma “unë i di të gjitha!” Të dy krahët e politikës shndërrohen kështu në rrethin vicioz të gjysmëdijes politike shqiptare. Po anashkaloj ligjërimin politik që është ndoshta i vetmi i këtij lloji në botën moderne që barazvlerësohet me vulgun kulturor. Nuk mjafton të kesh mbaruar në universitete të botës, nuk mjafton as të mbash tituj e grada, por është e nevojshme të orientohesh politikisht! Nuk mund të ketë europianizim të vendit nëse elita politike shqiptare nuk është e bashkuar në këtë qasje, nuk e kupton këtë nevojë dhe nuk vepron për ta realizuar atë! Djathtas apo majtas politikës shqiptare ka politikanë që veprojnë kundër kësaj ideje e kundër këtij qëllimi Politika shqiptare e ka përdorur popullin e saj “si mish” për topin e interesave të veta. Dhe sa kohë që niveli i kulturës politike te ne do jetë ky që është, sërish do gjenden njerëz që do ndjekin pas z.Berishën pa e kuptuar se përse dhe njerëz që do ndjekin pas z.Rama, pa e ditur se ç’po bën! Puna është se ne nuk e edukojmë dot politikën, por popullin kemi detyrë ta edukojmë. Ndaj demokracia ka krijuar mundësi të mëdha për të realizuar një edukim të shëndetshëm të njerëzve. Media e ka një rol të tillë në demokraci.
***
Në të gjithë botën e qytetëruar media ka luajtur e luan rolin e vet jashtëzakonisht të rëndësishëm në krijimin e modeleve të reja, dhe në goditjen e modeleve që cenojnë interesat publike, e kombëtare. Media jonë çuditërisht nuk ka ndryshuar shumë nga koha kur Konica shprehej: Gazetari që kujton se thashethemi i tavolinës përbën lajm, gazetarë që për shkak të paaftësisë së tyre personale shpifin e shajnë, sepse kjo është gjëja që nuk do aspak mend e profesionalizëm, i bëjnë dëmin më të madh popullit!
Media shqiptare, në një përqindje të konisderueshme është gjysmake në të gjitha drejtimet; në profesionalizëm, në filozofi, në varësi politike etj. Modeli që sot media e shet për bashkëkohor është modeli më anarshist i një shoqërie që nuk kupton caqet e lirisë dhe nuk ndien peshën e ligjit. Flet Arjan Çani pa doreza nën maskën e lirisë dhe e shtyn banalitetin deri në ofendimin e figurës së Skënderbeut. Nuk është i pari që e bën këtë. Por ama harrojmë që një fyerje e tillë është vepër penale, ashtu sikundër është e tillë dhe çdo fyerje që i bëhet Presidentit apo Flamurit. Të tre këta elementë mbrohen me Kushtetutë. Por medias as që i intereson kjo. Modeli i antivlerës, modeli i thashethemnajës, modeli i përçarjes sociale dhe i lirisë si anarki, është modeli më i pëlqyeshëm i një masmedie, së cilës i mungon profesionalizmi. Në këtë këndvështrim media shqiptare sot po rreshtohet në krah të politikës dhe në dëm të kulturës së popullit dhe të ardhmes së vendit. Unë nuk gjej dot një kauzë që media e ka bërë të sajën për të ngritur shoqërinë në këmbë. Dhe Shqipëria ka kauza plot. Korrupsioni, droga, krimi i organizuar nuk do të mund të luftohet kurrë, nëse media nuk do t’i ketë kauza të sajat, jo me synim politik, por me synimin e saj fisnik: transparencë, ligjshmëri dhe kulturë të transmetuara në një model!
***
Arsimi mbetet padyshim një instrument i fuqishëm i edukimit të njerëzve me dije, me kulturë e me modele bashkëkohore. Unë shpresoj shumë që në Shqipëri, revolucioni në arsim të fillojë nga fëmijët e kopshteve me një edukatë tjetër, me një dije të qëndrueshme, që të mos shndërrohen në gjysmakë, që dinë “gjithçka” e flasin “për gjithçka”. Por nëse edhe në arsim ne do të mbetemi në reforma, që shtojnë arna, por nuk zgjidhin problemin, nëse do të vazhdojmë të bëjmë sikundër thoshte dikur Konica: “Të merremi me hollësira dhe t’i largohemi të përgjithshmes”. Nëse nuk arrijmë të kuptojmë problemet e mëdha që kanë të bëjnë me gjysmakët në arsim, edhe pas 50 vitesh ne do të flasim me po këtë gjuhë. A nuk po flasim dhe sot me gjuhën e mendjeve të ndritura të shqiptarëve gati 100 vite më parë?