Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Si vjedhes te vonuar...

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 11 vite më parë

Aleksandër Çipa
Si vjedhes te vonuar...

Në zgjedhjet e raundit të dytë në Greqi kësaj jave, rezultatet sollën disa surpriza. Po lindin parti të reja dhe përfaqësues të botës së artit dhe kulturës greke, po shfaqen si udhëheqës rishtarë politikë, duke krijuar premisën e një kompozimi të ri politik. Po fitojnë si kryetarë të disa bashkive artistë e aktorë grekë. Sikundër një gazetar i njohur televiziv po korr rezultatin e parë të dukshëm të partisë “Lumi”.

Greqia, vendi ynë fqinj, që po kalon prej vitit 2009 një ndër krizat më të mëdha financiare e ekonomike në këtë shekull, po sendërton pas kësaj edhe rikompozimin e lidershipit dhe spektrit partiak të vendit. Dy partitë politike më të rëndësishme të 50 vjetëve të fundit, “Demokracia e Re” dhe PASOK-u, përpëliten duke u pakësuar për vit e më shumë në anëtarësinë e tyre dhe tashmë përfundimisht e kanë humbur shpresën se do të jenë më fituese vetjake të qeverisjes së vendit.

Kriza e besueshmërisë ndaj dy partive historike kishte vite që ishte shfaqur. Një fenomen që më shumë kishte bërë bujë në Italinë fqinje, e cila edhe të majtën edhe të djathtën e vet në 60 vitet e fundit i kishte të formësuara në parti që bjerreshin pareshtur. Ndonëse udhëheqësit politikë të tyre kanë lënë shkëlqim dhe histori politikëbërëse, me reflektim dhe jehonë në krejt BE-në e sidomos në vendin tonë.

Politika italiane dhe ajo greke, në rrethana të ndryshme kanë pasur efektin dhe ndikimin e një lloj alteregoje mbi politikën shqiptare. Natyrisht, në mënyrë më të fuqishme ka ndikuar dhe është imituar politika italiane. Mirëpo, ndërsa fragmentarizimi i partive politike në Itali është një proces shumë më i ndryshëm nga ai i partive në Greqi, sjelljet politikëbërëse në përvojën italiane kanë pasur shumë e shumë më risi. Ato kanë paraprirë ndryshime në teoritë dhe praktikat politike të forcave majtiste e djathtiste jo vetëm në Rajonin e Ballkanit, por më së shumti në të gjitha shtetet e hapësirës dalmate dhe në mënyrë të veçantë në zonën Shqipëri, Mal i Zi, Kroaci.

Zhvillimet e fundit politike në Itali, kanë për protagonist befasues Beppe Grillon. Politikani që po sfidon mendësinë e establishmentit partiak në vend. Ai po ia del të thyejë tabunë e partive me godina, me zyra, me financa, me administrata, me kosto financiare që gllabërojnë buxhetin e shtetit dhe sidomos shuma tronditëse nga taksapaguesit e vendit. Grillo po e nxjerr politikën nga zyrat dhe po ia heq kostumin e vjetër të burokracisë dhe të administratës rënduese, e cila në fakt, në krejt partitokracinë europiane, është shndërruar prej dekadash në pari sunduese. Refuzon me populizëm të pranojë pagat 17 mijë euro në muaj për deputetët, duke llogaritur se 7 mijë janë të mjaftueshme për deputetët e partisë së tij. I ka zhbërë në praktikë e mendësi nevojat për një industri propagandistike me “kapje” mediash klasike” apo establishmente mediatike, duke qenë i vetëmjaftueshëm në përdorim të rrjeteve sociale dhe infrastrukturës së internetit. Përmes oratorisë patetike populiste, ia ka dalë të sfidojë një traditë dhe të shembë konceptin e politikës së pasur për të arritur në qeverisje apo në Parlament. Sikundër si një populist me profilin e shekullit XVIII, po militon për një shtet e shoqëri me sipërmarrje dhe kontribute sociale për të gjitha shtresat, por sidomos për kategoritë në nevojë. Një shfaqje e tillë e Grillos, po përmbys shumë gjëra në marrëdhëniet me partitë “e mëdha” dhe sidomos me udhëheqësit e Italisë së këtyre 60 vjetëve të fundit. Pranë tij, Berluskoni dhe të tjerët, tashmë klasik, edhe pse vijon të sundojë Forca Italia-n, të tretur e të lodhur nga abuzivizmi kapricioz dhe paplakja e vet, ka arritur që nga 35 për qind të bjerrë në tregues të 17 përqindëshit. Skemat e zotërimit elektoral janë shembur dhe vijojnë të zhbëhen me shpejtësi në të gjithë Europën.

Kjo zhbërje është edhe më e dukshme në rajonin tonë.

Iu referuam dy fqinjëve, me të cilët kemi ndërtuar një marrëdhënie huazimi si të modeleve partiake, ashtu edhe të politikëbërjes. Duke vijuar këtë shembull imitimi apo edhe plagjiature, ne pashmangshmërisht jemi edhe mbartës të pasimit të tyre në rënie të krizave apo edhe shembje të skemave.

E fundit që do të shfaqet në skenën politike të vendit si zhbërje, është forca politike e dy partive kryesore të këtyre 25 viteve të fundit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në Shqipëri kanë hyrë në periudhën e pamundësisë për të pasur fatin e qeverisjes si të vetme, të vendit. Kohët e afërta, qartazi paralajmërojnë se sfida e bipolaritetit partiak është kapërcyer njëherë e përgjithmonë. Fati i sotëm politik e ka sjellë që mes tyre të shfaqet e potencohet forca e tretë e majtë, LSI. Një përfituese me më tepër pushtet se sa shtat në elektoratin me përkatësi të vendit. Një forcë që fat tjetër suksesi në përfitimin qeverisës mund të ketë, por jetëgjatësi triumfi në vitet e ardhme, vështirë të fitojë. I vetmi fat i pritshëm i saj lidhet me mënyrën se si do të organizohet e se si do të transformohet e majta si establishment.

Kriza e ikjes nga përfaqësia politike dhe korrupto-realpolitika që sundon brenda lidershipit aktual partiak në vend, janë arsyet e forta për paqëndrueshmëri në skenën politike.

E djathta në opozitë, pra Partia Demokratike, është mbartësja më evidente e kësaj krize. Procesi reformues dhe sidomos procesi i ristrukturimit të saj gjatë tetë muajve të postrënies nga pushteti tetëvjeçar, janë nisur keq dhe në brendi gati të pabesueshme. Është një proces që zhvillohet në palirinë e vetvetes. Domethënë në autocensurë dhe censurën e lidershipit të vjetër. Kryetari historik i PD-së, zoti Berisha, qëndron mbi krye të pasardhësit të tij Basha “si mjegull dhe tutor mbi krye”. Në këtë akt, kontrolli mbi partinë mund të mbetet, por “komanda” mbi elektoratin ka hyrë në udhën e dështimit të plotë. Dy mitingjet e protestës opozitare të iniciuara dhe organizuara nga drejtuesit e rinj të Partisë, por të frymëzuara dhe dirigjuara prej ish-kryetarit Berisha, kanë qenë provë e pastër refuzimi dhe injorimi për ftesë ripërdorëse. Në stilin e vjetër dhe me motiv të vjetër, për arsye të udhëheqësit të vjetër, nuk mund të frymëzohet as anëtarësia e vjetër dhe jo më ajo e re. Kjo situatë natyrisht nuk mund të zgjasë e tillë. Sfidat përballë qeverisjes janë të mëdha, sikundër pesha specifike e problemeve shtohet e madhohet, duke bërë më të pafuqishme hierarkinë aktuale partiake dhe atë politike. Në situata të tilla, vendet fqinjë nxorën nga “barku” i krizave të tyre si ndryshim të parë e të pakontrollueshëm shembjen e partive të vjetra përmes votës dhe lindjen e partive të reja si risi. Se cilat mund të jenë risitë që do të shfaqen në skenën politike të vendit, këtë është herët ta themi, aq më tepër që bëhet fjalë për vendin ku rinia shfaqet rrallë si promotore përmbysjeje apo ndryshimi. Sidoqoftë preteksti dhe premisat për risi në skenën politike shqiptare po bëhen gjithherë e më të plota. Në këtë fushë, mesa duket, mbesim besnikë të vetvetes; “vjedhës apo imitues” të vonuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama