Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur kryhet nje krim 'per nje nder' jemi fajtore qe te gjithe

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
Kur kryhet nje krim 'per nje nder' jemi fajtore qe te gjithe

E dini çfarë më bëri përshtypje nga raportimet e djeshme mbi vrasjen e vajzës shtatzënë në Dibër? Ishte një fotografi e babait të saj, që është arrestuar e akuzohet si autor i vrasjes. Ishte e vetmja fotografi që kishin përdorur për të shoqëruar raportimet të gjitha gazetat dhe të binte në sy vështrimi i tij i përhumbur e pamja e tij e topitur, gjë që në dukje binte ndesh me përshkrimin që atij i ka bërë media këto ditë: një burrë që nuk është penduar asnjë çikë e në asnjë moment, e që është krejt i qetë, gati-gati i kënaqur që ka gjetur forcën (madje, as që ka pasur nevojë për ndonjë forcë) për të bërë atë që ka bërë. Ishin edhe reporterët që na bënin me dije se fotoja nuk kish të bënte me një çast të kapur nga aparati fotografik, por me një gjendje të të pandehurit. “I arrestuari qëndroi shumë ftohtë në sallën e gjyqit, nuk dha asnjë shpjegim për gjyqtarin, [dhe dukej] që ish pak i rënduar psikologjikisht”, shkruante dje Sokol Çobo i “Shqipit”. Dhe duhet të ketë qenë, përveç të tjerash, edhe kjo pamje e nemitur e vuve e të pandehurit që e ka bërë ‘avokatin kryesisht’ të kapet më kollaj pas pretendimit se – a nuk ju duket se avokatët kanë shumë pak fantazi? – “duhet marrë një masë më e butë, pasi vrasja është kryer në kushte të rënduara psikologjike”, dhe se “ndaj të arrestuarit duhet të kryhet një ekspertim psikik”.

Në teori, nuk ka pse të përjashtohet që kjo sjellje e kjo pamje e nemitur e të akuzuarit të jetë një inskenim, një teatër që po luhet para syve tanë. Me fjalë të tjera, i akuzuari, që tanimë e ka marrë përsipër krimin, mund të jetë duke luajtur një rol. Koloreto Cukali hamendësonte, bazuar në atë që ka lexuar në shtyp, se “motrën mund ta ketë vrarë i vëllai i vet, që është veç dy vjet më i madh”, por ky fakt nuk e ndërlikon rolin. Përkundrazi, e bën më të thjeshtë e më skematik (ka gjë më të kuptueshme te një baba se sa të marrë përsipër një faj të kryer nga i biri?). Gjithnjë, nëse besojmë se ai është duke luajtur një rol.

Por janë të pakta gjasat, që i akuzuari të jetë duke luajtur ndonjë rol apo që në të gjithë këtë të kemi të bëjmë me një inskenim. Doksan Dushku nuk duket nga ata që mund të bëjnë inskenime. Ai ngjan të jetë një burrë malësie, një njeri i vërtetë, autentik, njëcopësh, lëndë e parë, madje parake, siç janë rëndom të gjitha qeniet humane të pastërholluara e “të pandotura” prej modernitetit. Ai është një shqiptar i zakonshëm, mesatar, tipik, jo vetëm me tiparet somatike e me mënyrën se si vështronte, por dhe me shastisjen që i lexohej në fytyrë e që, sipas meje, e ka veç prej faktit që krejt papritur ka dalë nga anonimati, gjë që s’e ka pas menduar ndonjëherë në jetën e vet, dhe që është bërë një personazh me famë më të madhe sesa personazhet e “Big Brother”-it të Arbana Osmanit, të cilët ai me siguri i urren nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit të vet.

Nuk besoj se ai e ka kryer vrasjen “në rrethana të rënduara psikologjike” apo se ai ka nevojë për ndonjë “ekspertim psikik”. Jo, ka shumë mundësi që ai të ketë vepruar me mendje të kthjellët, të ketë vepruar në mbrojtje (e mbi bazën e rregullave) të një bote, në të cilën ai ka lindur e ka jetuar e të cilën e merr shumë seriozisht dhe e vë mbi çdo gjë, mbi jetën e tij e mbi atë të fëmijëve të tij. Ai ndihet i bërë njësh me këtë botë, njësh me kodin e saj etik, me kodin e saj të nderit. Krimi që ai ka kryer pra në mendjen e tij nuk është krim. Përkundrazi, është një punë e paqme, një gjë që e bën të jetojë me idenë se ai ka kryer detyrën e vet, se ai, me këtë që bëri, mbeti në lartësinë e nderit e të dinjitetit të burrit a të babait. Krimi që ai ka bërë është një bëmë që atë e mban në paqe me Zotin (nëse beson në Zot), me miqtë e me të afërmit, me mjedisin që e rrethon, me opinionin e të tjerëve. Dhe me ndërgjegjen e vet. Kjo e fundit do ta brente nëse nuk do ta bënte këtë krim, siç e ka brejtur teksa e ka parë të bijën në oborr, të gjallë, duke marrë frymë, duke bërë punë shtëpie, me shenjat e shtatzënisë në trup, provë shëtitëse e turpit të tij, e të familjes së tij. Krim pra do të ishte, nëse ai nuk do ta vriste të bijën.

Kështu janë gjërat në kokën e tij. E në këtë kuptim, problemi është bota, në të cilën këta njerëz jetojnë, është kodi i tyre moral, ai kod që u sugjeron se njeriu për një nder rron, se ky nder i burrave mund të njolloset veç prej grave “të tyre”, se këto të fundit nuk duhen lejuar t’ua bëjnë këtë çnderim, se prandaj nuk është turp të vrasësh, nuk është turp as të vrasësh pjellën tënde dhe se, në rrethana si kjo e Sllatinës së Dibrës, turp është të mos vrasësh. Jo më kot, burrat e fisit Dushku, fëmijët e të afërmit e Doksanit, kur janë thirrur në një si forum a konsultë familjare, kanë bërë atë që u takonte të bënin, i kanë dhënë zemër Doksanit që ta bëjë atë vrasje e të vërë nderin në vend.

Ngjarja e Dibrës ka nevojë të ndriçohet deri në fund, por përtej kësaj ngjarjeje, ne të gjithë e dimë se krime të tilla janë shumë shqiptare; kjo do të thotë se këto krime rëndom nuk lidhen me gjendje të turbullta mendore. Është krejt e kundërta, e për rrjedhojë problemi nuk është Doksani; problemi janë Doksanët, problemi është një prapambetje kulturore e ububushme, e cila bartet edhe nga Doksanë që lexojnë e shkruajnë libra, që janë apo mbahen me të madh si intelektualë, e që bëhen bashkë veç për të bërë peticione a memorandume në mbrojtje të familjes, mbi të gjitha në mbrojtje të kësaj familjeje ku ka veç Doksanë që vigjilojnë si satrapë të pamëshirshëm, gjakatarë, kundër anëtarëve të saj që refuzojnë të jetojnë mbi bazën e një kodi moral që shenjtëron zakone që bien era thartirë e që një jetë robi e quan asgjë përpara këtyre zakoneve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama