Do të vlente të qëndronim më gjatë në prezencën e njëhershme të krerëve të ortodoksisë botërore në Tiranë, javën që shkoi. Një ngjarje, të cilën nuk e kanë pasur kryeqytete të njohura të fetarisë botërore që i përkasin këtij religjioni.
E ngjarë në Tiranë kjo prezencë, nuk ka lidhje me tonimin fetar apo me diçka që shemb apo trazon diçka brenda realitetit multifetar të vendit tonë. Në një analizë të hollë, kjo prezencë duhet parë duke ecur në “tehun” e mirëkalitur të saj. Një teh që është kalitur dhe prushuar prej vetë kryepeshkopit grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Një kishë që e ka bërë historinë e vet duke qenë e “pranguar” dhe natyrshëm edhe e uzurpuar prej kishës greke. Për shkak të rrethanave dhe vështirësisë së saj në të rritur, ajo nuk mund të quhet simotër me kishën greke. Por për arsye të brendisë dhe substancës vetësakrifikuese që ka në gjithë ekzistencën e vet dhe në raport me identitetin e palejuar kombëtar, kisha shqiptare, ndryshe nga kishat e tjera ortodokse të Ballkanit, ka kryer dy misione: misionin e fetarisë ortodokse dhe misionin kombëtar të penguar dhe të moslejuar prej “tutores” së saj, kishës greke. Në kohë të ndryshme, “tutoria” greke ndaj Kishës Ortodokse Shqiptare nuk ia ka dalë të ndikojë apo zhbëjë identitetin kombëtar të shumë prelatëve të vet në zona, qytete, fshatra dhe qendra të hapësirës shqiptare.
Sikundër në shumicën e kësaj hapësire ia ka dalë jo vetëm të realizojë një proces asimilues, por të ashtuquajturën doktrinë të Shën Kozmait të Theolisë për helenizimin e “viseve të ortodoksisë” ta mishërojë në shërbestarinë klerikale të gati 200 vjetëve të fundit. Në këtë fetari, klerikalizmi ortodoks grek i misionuar në viset shqiptare, pra përfshi edhe hapësirën administrative të Shqipërisë, koracën e laicizmit të shtetit dhe vobektësinë e këtij shteti në raport me fqinjët, e ka shfrytëzuar për të mos e ndarë kurrë prej helenizmit dhe idesë se ortodoksia në Shqipëri është një “apendiks” i asaj greke dhe se “ombrella” e vetme në arenën ndërkombëtare për këtë kishë është vetëm ajo e vendit fqinj.
Ndërkohë që në historinë e saj zyrtare, sidomos në 50 vjetshin e parë të periudhës së ekzistencës së shtetit shqiptar, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka shënuar jo vetëm aktet e para themeluese të autoqefalisë zyrtare, por edhe betejat më të vështira ekzistenciale të vetëkrijimit. Në këtë periudhë dhe në kohën pasuese (përjashto ndërprerjen nga viti 1967 deri në vitin 1991) Kisha Ortodokse Shqiptare ka përjetuar njëkohësisht historinë e ringjalljes dhe atë të institucionalizimit, por jo të identifikimit në vlerat dhe përmbajtjen e vet autoqefaliste.
Për arsye të rrethanave dhe faktorëve të njohur, për arsye të shumëtrajtuara në debatin dhe polemikat publike të 24 viteve të fundit, autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare zyrtarisht vijon, ndërsa përmbajtësisht është e sfumuar dhe pa brendi identifikuese kombëtare në aulën e kishtarisë ortodokse ballkanike. Kjo, natyrisht që ka lidhje me arsyen e parë kryesore; se klerikët dhe gjithë hierarkia drejtuese e kësaj kishe, e drejtuar nga kryepeshkopi me kombësi greke, Hirësia e Tij, Anastas Janullatos, ia kanë dalë ta zgjerojnë ngjyresën dhe përmbajtjen helenike të meshimit apo shërbestarisë, përfshi edhe hapësirën gjeografike të përdorimit të greqishtes si gjuhë të parë të kësaj shërbestarie. Madje, edhe zona me një traditë apo ndërgjegje më të lartë besimi ortodoks si Bregu i Detit në Vlorë, në Lunxhëri e Zagori të Gjirokastrës, në disa fshatra të Përmetit apo edhe në zona të Korçës, ku gjuha e meshimit është gati e njëjtë me të bukurën shqipe të Naim Frashërit, Kristoforidhit, Visarion Xhuvanit, Kristofor Kisit, Fan Nolit apo tjetërkujt.
Tradita e pandërprerë e meshimit shqip u cungua dhe u përzje me greqishten e priftërinj të sjellë enkas dhe të justifikuar sidomos në ngjarjet kalendarike me prezencë të emigrantëve, tashmë greqishtditës të mirë. Në këtë plan, Kisha Ortodokse Shqiptare në fakt ka rënë në atë që me të drejtë konstaton kolegu Mustafa Nano në shkrimin “Irinej pështjellon dynjanë; edhe median”… “Ai është një fenomen i zakonshëm brenda një kishe, si kjo serbe, që ka qenë gjithherë e lidhur me politikën, në mos në shërbim të politikës. Nuk është se kishat e tjera ortodokse në Ballkan, a në Europë, janë ndryshe. As kisha shqiptare nuk bën përjashtim. Përkundrazi, është provë tjetër e lidhjes së kishës me politikën, dhe kjo duket qysh te fakti që ajo është krijuar nga Fan Noli, që nga njëra anë ka qenë njëri prej nacionalistëve më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë, e që, nga ana tjetër, veç për fe nuk e ka vënë ujin në zjarr; ai ishte ateist n’daçi prej një disponimi shpirtëror, n’daçi prej një formimi kulturor, dhe prandaj krijimi i Kishës sonë Ortodokse Autoqefale ka qenë një vepër thjesht kombëtare…”
Mirëpo ndryshe nga qëllimi nolian në krye të kishës, kryepeshkopi i sotëm grek i kishës shqiptare nuk e shpalos e as e pranon këtë misionarizëm që ka realizuar në të përkundërtën e Nolit. E refuzon këtë dhe madje çdo konstatim të bërë si prej përfaqësuesve myslimanë ashtu edhe prej ortodoksëve shqiptarë e konsideron nacionalizëm dhe shprehje të sulmit ekstremist. Pra, ka gjetur mbrojtjen politike për të refuzuar politizimin e kishës dhe misionit të tij. Këtë qëllim të refuzuar e të denoncuar shqiptarësh të kryepeshkopit që prej 23 vjetësh në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare e risolli në vëmendje të publikut, ndoshta pa e dashur edhe vetë Hirësia e Tij, Janullatos, provokimi që shkaktoi deklarata televizive e kryepeshkopit të Serbisë në Tiranë.
Ajo deklaratë la shijen e shëmbëllyesit me ish-mitropolitin e viteve ’80-90 në Konicë, Sebastianoit. Provokimi i këtij kleriku të lartë serb në Tiranë, mjafton si vlerë e një reference të tejkaluar dhe shëmbëlltyrë e kryeklerikëve që kanë mbetur në “të shkuarën” e pavlefshmërisë për sot dhe nesër. Në raport me përgjegjësinë si ftues i sivëllait të vet serb në Tiranë, kryepeshkopi Janullatos, padashur cungoi ngjarjen që promovoi dhe solli në historinë e kishës shqiptare, duke e konfirmuar atë në nivelet më sipërane të ortodoksisë globale. Por, nga ana tjetër, e provokoi edhe atë vetë, duke e identifikuar dhe rikonfirmuar si të huaj në krye të kishës shqiptare.