Mediat shqiptare, së pari në Maqedoni dhe njëherësh edhe në Shqipëri e Kosovë, së fundi, për shkak të protestave të ndezura pas dënimit të gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm për të ashtuquajturin proces “Monstra”, i janë rikthyer tekstit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001. Kanë kaluar 13 vjet nga nënshkrimi i asaj marrëveshjeje dhe faktori politik dhe sidomos politika institucionale në këtë shtet tekanjoz dhe provincial në mendësi, qëllimisht e kanë vonuar e harruar përmbajtjen dhe implementimin e saj.
Ripërmendja prej Kryeministrit Edi Rama e kësaj marrëveshjeje dy ditë më parë, shkaktoi jo vetëm reagim nervoz e agresiv, të partisë së Kryeministrit Gruevski, por shtoi diçka e cila e pozicionon këtë politikan grindavec, sikur të jetë opozitar i Kryeministrit të Shqipërisë. Në deklaratën e partisë së tij citohet: “Nuk do jesh gjatë Kryeministër i Shqipërisë…”. Kjo deklaratë dhe sidomos reagimet e protestuesve shqiptarë në Maqedoni, e përjashtojnë kuptimin nacionalist të reagimit të shtetasve shqiptarë. Madje vetë këta qytetarë po ia dalin të sqarojnë dhe vërtetojnë se në protestat e tyre nuk është motivi fetar dhe ndonjë shtysë tjetër radikale fetare që po e shpërthen situatën. Prova reale dhe plotësisht e besueshme mbetet ndjeshmëria e lartë e shtrirë në të gjitha qytetet ku jetojnë shqiptarët dhe prijësia e këtyre protestave prej të rinjve dhe përfaqësuesve që kërkojnë dhe dëshirojnë një përfaqësim më dinjitoz e me të drejta të plota barazie si shtetas.
Shpalosja dhe shtimi i flamujve kombëtarë në këto protesta nuk e shton simbolikën apo peshën frymëzuese të kombëtarizmit, por thjesht, merr semantikën e plotë të dëshmisë për të drejta të paplotësuara të njësisë tjetër etnike bazë të këtij shteti. Te kjo dëshmi, mediat shqiptare, por sidomos ato ndërkombëtare dhe rajonale, në ditët e ardhme, do të jenë më të fokusuara.
Në dy ditët e para, shumë prej mediave dhe opinioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, reaguan me skepticizëm ndaj shfaqjes së disa flamujve arabë dhe simboleve të veçanta fetare. Dhe me të drejtë, diçka e tillë jo vetëm do të komprometonte qëllimin e kërkesave për drejtësi pa selektivitet dhe barazi shtetasish të etnive të ndryshme në këtë vend, por do të krijonte argument dhe arsye për një goditje imazhi ndaj shqiptarëve myslimanë. Në këtë skepticizëm u përfshimë edhe ne gazetarët dhe opinionistët e Tiranës. Mirëpo publicistë dhe mendimtarë prezentë në jetën publike dhe atë mediale të shqiptarëve në Maqedoni, reaguan të parët ndaj këtij dizinformimi dhe simbolikave komprometuese, të cilat u zhdukën në ditët pasuese të protestave në Shkup apo Tetovë. Fjalimi i shkrimtarit dhe publicistit Kim Mehmeti para protestuesve të mbështjellë me flamujt kombëtarë dhe sidomos pohimi i tij se çdo simbolikë tjetër e huaj në këto protesta është antishqiptare dhe kundër qëllimit për drejtësi e të drejta të barabarta, është kundër shqiptarësisë, merr vlerën e një sqarimi të plotë dhe pa ekuivokë.
Por matanë ilaritetit të parë të simbolikës së futur në mënyrë të dyshimtë dhe qëllimit real prej të cilit shpërtheu protesta e shqiptarëve, ka diçka shumë më përmbajtësore. Kjo përmbajtje dhe substanca reale e saj, klasën politike bietnike në Maqedoni dhe krejt shoqërinë, duhet t’i bindë shpejt dhe pa dyshim se fjala është për diçka më komplekse dhe që pashmangshmërisht kërkon një proces të ri reagimi dhe ndryshimi. Kjo është një herë pa të dytë! Shqiptarët po e nisin me qytetari dhe europianizëm procesin për një realitet që është i dënuar të mos zvarritet apo injorohet më. Madje duhet thënë se edhe pse klasa politike shqiptare është e pakonsultuar mes vedi në tërësinë e selive të saj partiake apo institucionale, si në Shkup ashtu edhe në Prishtinë, e sidomos në Tiranë, procesi që është shfaqur jo vetëm e problematizon qëndrimin e derisotëm të udhëheqësve, por e bën atë edhe më të sfiduar. Kur themi e bën më të sfiduar, kemi parasysh faktin që protestuesit në Shkup mësynë me gurë dhe akuza selinë e BDI-së, sikundër përqeshën edhe deklaratën e Menduh Thaçit, kryetarit të PDSH-së, se ata janë elita dhe “paria” e shqiptarëve.
Gjithë faktorët politikë dhe ata ekstrapolitikë në hapësirën shqiptare duhet të marrin në konsideratë se protestat e shqiptarëve në Shkup janë pjesë e protagonizmit të rinisë shqiptare. Një protagonizëm, i cili në historinë e konfliktit të vitit 2001, kur nisi lufta që u mbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, kishte brendinë dhe mbështetjen e faktorit politik dhe ushtarak gjithëshqiptar, të lidhur me një situatë dhe kontekste gjeopolitike rajonale dhe ndëretnike. Sot protagonizmi i rinisë shqiptare në Maqedoni e ka të përjashtuar gjer në këto çaste faktorin politik institucional dhe sidomos rishfaqjen e faktorit ilegal, atë ushtarak. Është kjo arsyeja që një pjesë e këtij faktori vonoi të prononcohej, ndërsa një pjesë tjetër u gjend plotësisht e papërgatitur, madje në zymtësinë e tejkalimit. Iluzioni i Shkupit për të vonuar reflektimin institucional, apo qasja e provokuar prej Kryeministrit Gruevski për një kundërpërgjigje të nacionalistëve maqedonas me deklarata dhe protesta qesharake qytetarësh, është një akt vetëndëshkimi jo vetëm politik, por edhe në raport me institucionalizmin ndërkombëtar dhe garantët eurorajonalë.
Por pavarësisht këtij faktori kaq kompleks e me kaq komplekse, protesta e shqiptarëve në Maqedoni është jo një pretekst për acarime etnike, por një refuzim qytetarësh ndaj një realiteti me diskriminim dhe pabarazi shtetasish të së njëjtës republikë. Ajo republikë është e pandreqshme në asimetrinë dhe pabarazinë e vet. Një kryeministër grindavec dhe megaloman si Gruevski nuk mund ta kuptojë e aq më tepër ta pranojë këtë gjë. Për këtë arsye kaq themelore, bashkëjetesa politike në të njëjtën qeverisje e BDI-së së Ali Ahmetit në mos ka përfunduar, nuk mund të vijojë sikundër deri tani. Kësaj bashkëjetese i është vënë në dispozicion një platformë e re e dalë dhe që do të formulohet prej vullnetit të qytetarëve që nuk e njohin më drojën. Platforma – monstër e kësi bashkëqeverisjeje e ka mbyllur kohën dhe jetën në Maqedoninë fqinje. Këtë po e konfirmojnë shqiptarët e dalë në sheshe dhe në rrugë si qytetarë të dinjitetshëm dhe pa braktisur konstruktivizmin e shtetasve që kërkojnë barazi e njëjtësi sjelljeje e shërbimi prej shtetit. Ata duan që ai shtet të pushojë së qeni me dy standarde, në të kundërt Maqedonia, nëse mbetet në padëgjueshmërinë dhe kryeneçësinë tipike të klikës politike të maqedonasve të deritanishëm, ka për të jetuar dhe vuajtur finalen e inekzistencës së vet.