Besimin ne e kërkojmë, si pa e ditur, gjatë të gjithë jetës tonë. Mbase pikërisht andaj mund të jemi ndër popujt më të pakët në botë që këtë term e përdorim edhe si emër njeriu. Në jetën e përditshme ne ia vemë pak veshin, ndërkohë që e dimë fort mirë se fjala “besim” do të thotë shumë gjëra. Ndër kohë të para besimi për ne ishte vetë feja, qëndrimi ndaj Zotit, mënyra se si ne kishim vendosur të përballeshim me Universin e pashpjegueshëm. Që nga ajo kohë besimi fetar dhe përkatësia fetare në gjuhën shqipe janë pak a shumë e njejta gjë. Mirëpo, sikurse ndodh rëndom me popujt që i marrin gjërat si të mirëqena, të mësuara prej të tjerëve, që nuk kanë aspak nevojë për diskutim, dhe as që duhen kërkuar nëse e thotë prifti, hoxha, bajraktari, apo lideri, edhe te ne, çuditërisht, fjala besim ka nisur të zbehet, njësoj sikur të jetë një apendicit i kotë i kohëve të vjetra, që mund të hiqet vetëm me një të prerë bisturie, si pa të keq. Në fakt, sa më shumë e harrojmë këtë fjalë, dhe gjithçka që lidhet me të, aq më e ngatërruar na bëhet jeta dhe më të pashpjegueshme ngjarjet që shohim përditë.
Ne mburremi edhe sot e kësaj dite me një fenomen, që e quajmë me të padrejtë si vetëm e vetëm shqiptar. Kjo është besa e famshme. Sipas shumë autorëve jo vetëm shqiptarë, besa është një fenomen nga i cili ne shqiptarët duhet të jemi aboslutisht krenarë. Për etnologët dhe udhëtarët e huaj të fundit të shekullit XIX e fillimit të atij XX nuk kishte gjë më patetike se sa besa e shpërndarë me thirrjet gojë më gojë ndër luginat e honet e thella. Dhe kështu arrihej në një situatë abusrde ku edhe vrasësi vetë, apo njerëzit e tij, arrinin të vinin për ngushëllim në familjen e viktimës. Besa jepej jo vetëm për mort, por edhe për festa fetare, për zgjedhje, për udhëtimin e Sulltanit apo të Mbretit. Pushkët – zgjatimi i shtyllës sonë kurrizore – nuk pipëtinin. Ishte një mjet për të qetëusar disi gjakrat e ndezur. Njerëzit kishin besim të plotë se askush nuk do t’i cenonte në mbretërinë e besës. Sikurse është afërmendësh për t’u kuptuar besa dhe besimi janë afërsisht e njejta gjë. “Unë të dhashë besën. Ti duhet të kesh besim te unë se nuk do të të vras për sa ditë është vendosur nga Kuvendi i Burrave. Pastaj, mbrapa, ruhu!”. Ky mekanizmi i besës dhe i fjalës së dhënë me kohë u përdor aq shumë nga politika sa që shkoi deri edhe në vendime të pamenduara mirë larg kohës dhe larg së ardhmes, sikur ishin ato vendimet e ngurtësuara që morën më qafë me dhjetëra mijëra njerëz: Ia kam dhanë një herë fjalën Partisë, nuk e kthej mbrapsht! Kjo vlente edhe për ata që ua kishin dhënë fjalën kundërshtarëve të Partisë, pra të PPSH-së. Besa, besimi, besnikëria, janë të tëra fjalë që lidhen me njëra-tjetrën jo vetëm përkah ngjashmëria fonetike, por edhe për kah përmbajtja. Tuj qenë një popull patetik, si shumë prej fqinjëve tanë ballkanikë, ne kemi tendencën që ndjenjat t’i kalojmë në ekstrem. Ne kalojmë nga dashuria pa fund e krye në urrejtjen më të paparë. Mjaftojnë vetëm pak minuta. Ose e kemi fare të thjeshtë të kapërcejmë kufirin e lartë që ndan mikun nga armiku. Pas këtyre kërcimeve emocionale janë të kota përbetimet e vjetra për besë, besnikëri, besim.
Kështu ka ndodhur më parë dhe kështu po ndodh edhe në këto ditë behari. Mjafton të shikosh marrëdhëniet e qeverisë së sotme me Presidencën. Është e kotë të bësh gjakftohtin në këtë marrrëdhënie dhe e kotë të dëgjosh argumentat e të dy palëve. Historia nisi mbrapsht qëkurse, me vendim të qeverisë, portreti i Presidentit u hoq nga të gjitha zyrat e shtetit dhe u zëvendësua me atë të Ismail Qemalit. Pas kësaj nuk bëhej fjalë më për dy institucione që duhet të punojnë bashkë, hap pas hapi, ditë pas dite, minutë pas minute, që duhet të bëjnë bashkë të njejtën punë për të cilën përbetohen: të punojnë për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo marrëdhënie nisi pa besim reciprok dhe e tillë do të vazhdojë të jetë deri sa një nga palët të tregojë se ka besim te pala tjetër dhe se kërkon të njejtën gjë prej saj. Në rast të kundërt, na rroftë statusi! Më mirë të vendosim Gjykatën Kushtetuese të drejtojë vendin.
Mund të duke si çudi, por edhe kundërshtarët më të përbetuar duhet të kenë besim te njëri-tjetri. Ky nuk është besimi i njerëzve të zakonshëm. Nuk ka të bëjë me ata që qeshin përditë dhe që pinë kafenë në shoqërinë e njëri-tjerit duke komentuar Kampionatin Botëror. Ky është një lloj besimi tetër, ndonëse shumë i domosdoshëm. Ky lloj besimi ndërtohet mbi respektin e atij që është ndryshe, që mendon ndryshe, porse që ka të njejtin qëllim me ty, që duhet të jetë e mira e përgjithshme. Nëse politika, por edhe populli militant në bazë, vazhdon të jetë i ndarë në “ne” dhe “ata”, në “të mirët” dhe “të këqijtë”, në “partizanë” dhe “gjermanë”, atëherë do të vazhdojmë të dëgjojmë histori tipike të mosbesimit, nga ata që çdo palë zgjedhje e konsiderojnë si vjedhje të mundshme, çdo reformë – sikurse është ajo territoriale – si “me të futur”, çdo deklaratë si “ofendim i pamatë”, çdo hap si “punë klanesh”. Dhe pikërisht kjo mungesë besimi që rrezatojnë të mëdhenjtë e politikës shprehet pastaj poshtë e përzier me njohuritë më minimale të mundëshme për punë të qytetarisë.
Jo që një qeveri, por që një shtet të mbahet mirë në këmbë ka nevojë për besimin e qytetarëve të tij, edhe të atyre që nuk e kanë votuar. Përndryshe në këto anët tona, ku përzihen mëkate, mëri të vjetra, injoranca “demokratike” dhe kulturore, por edhe influenca gjithfarëshe është ende shumë e kollajtë të ndezësh zjarrin e urrejtjes. Mjafton fare pak.
Që të krijojmë një shoqëri të qëndrueshme është aboslutisht e domosdoshme që klasa politike, jo vetëm ajo që tash është në pushtet, kjo po se po, por mbarë raca e politikanëve duhet të heqin nga kryet e shqiptarëve atë zhguallin e rëndë sipas të cilit të gjithë politikanët mendojnë vetëm për vete dhe për asgjë tjetër. Kjo ndjenjë, ky zhgënjim, shpesh herë kjo bindje, është krijuar pak nga pak, sa herë që dilnin ndër ekrane liderë që numëronin shukat me euro si pa të keq. Pra në këtë rast nuk është aspak faji i popullit, ose sikurse kanë zakon të thonë politologët, i turmave apo i masave. Është një fakt i dëshmuar, i parë, i provuar, madje edhe i vuajtur. Politikës në pushtet apo në opozitë do t’i duhet shumë e shumë mund e djersë, shumë modesti, shumë përulje, shumë zemërgjerësi dhe përkushtim pa fund që t’i kthejë popullit besimin. Ky besim pastaj do të jetë çelësi i suksesit i gjithkujt prej shqiptarëve. Por pa këtë, të gjitha ceremonitë, të gjitha ekzibicionet, të gjitha shpengimet mund të jenë diçka, por kurrsesi shumë. Vetëm kur shqiptarët të besojnë se jeta e tyre e përditshme puna e tyre, vota e tyre i shërben realisht të ardhmes dhe jo x apo y, vetëm atëherë fjala besim do të marrë atë kuptimin e saj të parë, të lashtë, njësoj si feja. Dhe vetëm atëhere feja jonë e vetme do të jetë demokracia dhe Shqipëria.