Hana Këlcyra, e bija e Ali Këlcyrës vijon rrëfimin.
Do të flasim pak për familjen tuaj gjatë periudhës së luftës. Si e kujton ti atë?
Ka një libër Tanush Frashëri, ku përshkruan historinë e Ballit Kombëtar dhe natyrisht, historinë e babait tim. Është një libër që mund t’i referoheni për këtë çështje në aspektin historik. Në aspektin familjar, mua si fëmijë më kanë tronditur tri-katër ngjarje gjatë luftës.
Si fillim, dua të them se jeta jonë gjatë luftës ka qenë ndryshe nga ç’mendojnë njerëzit. Babai nuk donte të kishte makinë të tij private, përkundër dëshirës së mamasë që e kishte ëndërr një makinë. Ai nuk na e hapte synë, po thoshte: “Merrni një taksi ose udhëtoni në mjetet publike”, në satra, që i thoshin atëherë. Në shtëpinë ku unë jam rritur, sidomos pasi u dogj shtëpia e Muhamet Beut, derisa u larguam nga Këlcyra, kemi fjetur në “kashariqe” të vajgurit, siç i thonin ata. I kthenim përmbys dhe i mbulonim me shilte të mira, por jo me mobilje të vërteta. Mamaja kishte shumë gusto, kishte blerë 100 metra stof, kishte bërë perde, kishte veshur muret dhe nuk kuptohej ku flinim. Ishte një kohë, kur duhej kursyer çdo lek. Babai thoshte se “nuk ia vlen të blejmë mobilje tani dhe më pas t’i hedhim, pasi duhet të lëvizim.” Pra, ne kemi jetuar krejt tjetër nga sa pandehnin njerëzit.
Gjëja e parë që më ka bërë më shumë përshtypje gjatë luftës ishte kur e zunë babain komunistët për 48 orë. Ka qenë 11 qershor i 1943. Babai po rrinte në vend të parë të “satrës”, pra, në krah të shoferit, kur panë se udha ishte e zënë. I zbritën, ishin dy djem të rinj të armatosur. Pyetën se kush është Ali Beu dhe babai tha: “Jam unë”. “Shoku X kërkon të të takojë, - tha, - do vish me ne.”
Atëherë kjo nuk ishte problem, pasi ende s’kishte filluar vëllavrasja. Ai e mori thjesht si ftesë për bisedë. U tha atyre: “Më caktoni ditën, se tani jam vetëm dhe të vij me njerëz.” Ata këmbëngulën se ishte urgjente dhe nuk kishte kohë. Babai, por dhe shoferi, e kuptoi se ata po e merrnin peng.
“Si do të kthehem unë, - tha babai, - se s’ka makinë.” Atëherë, shoferi i tha: “Shko dhe ne do presim.” Shoferi priti, derisa humbi nga sytë dhe pa drejtimin që ata po merrnin. Mori njerëzit, i çoi në Gjirokastër, i zbriti dhe pastaj shkoi lajmëroi në qytet se Aliun e kanë marrë komunistët. Hysni Lepenica u nis menjëherë dhe shkoi në kufirin shqiptaro-grek, përmes një gryke, pasi kishte frikë se komunistët, duke mos qenë shumë të fortë, mund ta nxirrnin atë jashtë kufijve dhe ta vrisnin, pasi atje s`e njihte njeri. Atë ditë ka qenë Pazar në Këlcyrë. Fshatarët i lanë gjithë gjërat pa shitur dhe nuk vajtën. U mblodhën të shpëtonin babain, por, në fakt, nuk qëlluan, nga frika se mos e vrisnin babain ushtarët dhe thoshin se e vratë juve. Lëshimi i tij u bë nga Qazim Babameto në Gjirokastër. Ata kishin zënë shumë krerë komunistë dhe i shkëmbyen. Bilé, njëherë mbaj mend që ka thënë zoti Babameto: “Më vjen mirë që shpëtoi për fëmijën e tij, por me vdekjen e tij do t’i kishte bërë më shumë nder Shqipërisë, pasi do vrisnim së paku shumë krerë komunsitë.” Ka pasur më pas spekulime se e liruan italianët, por nuk është fare e vërtetë. Dhe nga bejlerët e kam dëgjuar që babai e tregon historinë vetëm për t’i dhënë rëndësi vetes së tij. Tani, pas rënies së komunizmit, në arkivë u gjendën dhe dokumentet e shoferit që e ka pas në makinë, pasi ai iu ka thënë pronarëve pse erdhi pa pasagjerë në Gjirokastër dhe çfarë ngjau. Dihet dhe numri i targës.
Rasti i dytë ka qenë një udhëtim imi si fëmijë, kur babai ishte në Berat dhe kishte vendosur kontrollin në qytet. Ishte hera e parë që unë pashë Beratin. U preka, se pandeha që dhe vrionasit kishin shtëpi dhe kështjella të mëdha si ne. Kur pashë kalanë e Beratit, pyeta mamanë: “Është vërtet kështjella juaj kjo? Aty i keni shtëpitë?”
Mamaja tha: “Jo, ajo është kalaja, shtëpitë janë këtu.” Isha shumë e prekur sesi këta banonin pranë njerëzve të tjerë, si nuk shquante banesa e tyre. E lindur në Paris dhe, megjithëse kishte kaluar koha, mentaliteti i Këlcyrës tek unë ishte ngulitur që duhet të dominonim. Ideja e Ejvetullah Hanëmit mbartej pas tri brezash në kokën time. Mamaja u prek dhe më tha: “Eja të të tregoj shtëpinë.” Në udhë për te shtëpitë e vrionasve pashë për herë të parë partizanë, të armatosur, me yll. Kishte dhe vajza me ta. Vajtëm i ramë derës, kur na del një komunist me yll dhe na tha: “Urdhëroni, çfarë doni?”
Mamaja i tha: “Dua Xhemal Hanëmin.” Sepse mamaja kishte lindur në atë shtëpi në Berat, por xhaxhai i saj ishte tërhequr në Fier dhe kishin formuar qytetin. Ai solli një inxhinier francez që e projektoi qytetin nga një fshat i vogël që ishte.
“Xhemal Hanëmi nuk është”, - tha ai komunisti. Mamaja u prek. Ajo ishte shtëpia, ku mamaja kishte lindur. Është pronë e Nevin Godos, pasi mamaja ime është kushërirë e saj. Unë në fakt u çudita se ç’donin komunistët në atë shtëpi. Më vonë kuptova se ç’ishte puna e Beratit dhe si qëndronte puna e bejlerëve me komunistët në atë kohë. E vërteta është se shumë bejlerë i kanë ndihmuar komunistët. Balli, babai im dhe Ermenji qëndronin në një hotel, komunistët kishin të drejtë të mbanin mbledhje apo të jetonin në shtëpitë e vrionasve.
Gjëja e tretë që më ka prekur shumë gjatë luftës ka lidhje po me babain. Ai vente e vinte me një motoçikletë që nuk e ngiste vetë. Sa herë që ikte Kadri Bej Cakrani, atëherë që ka qenë komandant i përgjithshëm i Ballit, babai shkonte shikonte ato që ata i quanin burgje, ku ndalonin kundërshtarë të tyre, kryesisht komunistë. Babai futej mes tyre dhe bënte muhabet me komunistët, duke menduar se iua mbushte mendjen që e kishin gabim. Iu fliste për komunizmin dhe marksizmin dhe iu thoshte se është gabim përkrahja e tyre. Ai pandehte se ata po bindeshin dhe i lëshonte nga burgu. Pasi e bëri disa herë këtë, Kadri Beu u zemërua me babain dhe erdhi një ditë duke bërtitur dhe para meje i tha babait: “Ali, unë vë kokën time në rrezik që kap ata njerëz, ti vjen e m`i lëshon. Po e bëre prapë këtë punë, do të të fus ty në burg në vend të atyre.” Unë u trondita shumë, kur e dëgjova dhe kur mendova se babain tim ai do ta fuste në burg.
Po ashtu, për mua ka qenë shumë deçizive, kur erdhën italianët. Ata e dinin nga lëvizte babai dhe erdhën në Muçan. Unë, siç bëja kur isha në Këlcyrë, bëja vizita fshatrave dhe në Fier shkoja me babain vetëm me një karrocë me kuaj. Shkonim në Muçan te fshati i mamasë. Aty erdhën karabinierët italianë dhe arrestuan babanë. Babai i la njerëzit e tjerë, por më mori mua. Erdhëm në Fier dhe, kur u fut në dhomë për të marrë rrobat e tij, hyri dhe një karabinier dhe unë e pashë, kur i vunë ato manetat (prangat). Aty pati një ndryshim që vazhdoi gjithë jetën time. Unë e pashë që babai im nuk ishte i fortë për të më mbrojtur. Humba çdo besim në të, kur e pashë në atë gjendje dhe që nga ajo ditë, derisa ai ka vdekur, nuk kam shkuar kurrë te babai im t’i kërkoj ndihmë për ndonjë problem. Ajo skenë më preku shumë.
Çfarë kujton nga largimi në fund të luftës? A mban mend skenat, njerëzit, mjetet me të cilat keni ikur?
Mbaj mend gjithçka. Sefte, humbëm frontin në Këlcyrë. U sprapsëm, u sprapsëm dhe erdhëm në Tiranë dhe aty morëm një shtëpi me qira, se u martua nipi i babait, Qemal Biçaku, me çupën e Shefqet Beut. Ne nuk kishim banesë në Tiranë, pasi halla, e shoqja e Hasan Bej Biçakut, nuk na linte të blinim, pasi i kërkoi babait të jetonim tek ajo, se i tha që, “t’i gjithmonë në mërgim, gjithmonë larg dhe kështu të paktën të kam në shtëpi.”
Babai pranoi, se Qemali nuk ishte i martuar. Kur u martua Qemali, na u desh të merrnim shtëpi me qira. Babi ia bëri të qartë se ai kishte shumë njerëz dhe shokë që vinin ta takonin dhe ata nuk duhet të ishin pengesë. Ata i thanë që s’ka gale, s’ka gale, vetëm dy vetë nga shokët e tij të mos vinin aty, Azis Çami dhe ai tjetri që i bëri atentat mbretit Zog në parlament. Këta të dy nuk i donin, sepse burri i saj ishte kushëri i parë i mbretit Zog dhe me kanun duhet të merrte gjak. Në të vërtetë, dhe ata e pranuan atë logjikë dhe babai i piqte ata në kafe, jo në banesë. Kur pamë se situata po keqësohej, bejlerët që duhet të trembeshin, nuk po trembeshin, por po i ndihmonin komunistët. Kur ka qenë babai në Berat, është detyruar njëherë t’i sekuestronte Jusuf Vrionit gjithë të ardhurat, të cilat iu vunë Ballit në dispozicion. Dhe halla ime që ishte shumë zengjine, iu jepte ndihma partizanëve, se thoshte: “Dua ta kem mirë, se më vrasin çunin.”
Mbaj mend dhe Sami Bej Vrionin që ishte kushëri i parë i mamasë sime, e cila ka dalë nuse nga shtëpia e tij. Babai po i tregonte për situatën dhe mundësinë e ardhjes së komunistëve në fuqi. Ai i thotë: “Ali Bej, s`e besoj kurrë që Dhoma e Lordëve në Londër të lejojë komunizmin këtu. Po dhe sikur 5 për qind të jetë e vërtetë, unë nuk iu jap ju pará, pasi po të vini ju në fuqi, jam në rregull, unë do blej komunistët.” Në të vërtetë, sa erdhën komunistët në pushtet, shkuan ta arrestonin, por atij i qëndroi zemra.
Në këtë klimë mosbesuese babai me Mithat Frashërin shkuan në Mirditë, u takuan me bajraktarin atje, me shpresë të mbanin frontin disa kohë, sa të zbarkonin aleatët. Në fakt, u bë mirë që nuk zbarkuan, se kam bindjen se ata mund të ndihmonin komunistët. Në 1945, ata tentuan ta dorëzojnë babain tim dhe Mithat Frashërin te qeveria e Tiranës, kur ishim në Itali.
Kur u larguat nga Shqipëria?
Unë jam larguar me mamanë nga Tirana me pasaportë false, shkuam në Shkodër te familja Suma, vëllai i Angjelina Sumës. Atje mundëm të banojmë vetëm tri javë, sepse të tërë e dinin që familja e tij mund të binte në sy dhe gjermanët mund ta merrnin peng. Kështu që morëm një shtëpi te zonja Mërgushi që ka qenë arsimtare. E kishte shtëpinë ngjitur me muret e kapedanit të Mirditës. Neve i dhamë letrat false që kishim, nuk i thamë të vërtetën, ajo e mori vesh dhe më pas shtëpia e saj u bë si qendër pritjeje deri në 100 veta. Pas largimit tonë, ajo ka bërë 7 vjet burg. Ajo më ka dhënë dhe mësimet e fundit në gjuhën shqipe.
Si u larguat?
Kur misionet angleze u takuan me Abaz Kupin dhe babain dhe iu komunikuan këtyre se “do ikim dhe nuk do t’i marrim, pasi kemi urdhër nga komanda e Kajros”, mes tyre ka qenë dhe Xhulian Emeri. Më pas ai u përpoq shumë ta shpëtonte babain, por aty nuk na morën. Ju thanë që rrini në fatin tuaj. Erdhën babai me Abaz Kupin dhe s’dinin ç’të bënin. Në Shkodër gjendej dhe Mehdi Bej Frashëri me familjen e tij. Djali i Mehdi Beut, Vebi Frashëri, që nuk është marrë kurrë me politikë, kishte studiuar në Vjenë dhe bënte pjesë në Deutsche kulturë shkoi te komanda gjermane dhe iu vizatoi situatën e grupit nacionalist shqiptar. Gjermanët thanë se “Balli Kombëtar na ka luftuar, por e dimë që krerët e Ballit nuk kanë vrarë gjermanë me duar të tyre.” Pra, u vendos që tërë krerët e Ballit Kombëtar mund të iknin me trupat gjermane, por asnjë ushtar s’mund të merrnin me vete. Sipas rregullit gjerman, ai që kishte vrarë një ushtar gjerman, nuk mund të përkrahej. Kjo u refuzua nga babai dhe Abaz Kupi. Vebi Frashëri ka këtu një rol shumë të madh përsëri, pasi ai i ka shpëtuar këta. Ai shkoi në Tivar, ku, sipas miqve të tij gjermanë, ishin pesë ushtarë gjermanë që ruanin disa anije. Kjo ishte në marrëveshje me partizanët e Titos. “Këto anijet iua kemi dhënë t’i hedhin në erë, kur ne të tërhiqemi”. Kështu që gjermanët propozuan që ne mund të merrnim ndonjë prej atyre anijeve. Vebi Frashëri shkoi dhe u takua me gjermanët në Tivar. Gjermanët na lajmëruan që Adriatiku është plot me mina, por siç thanë ata, “më mirë të vdisni në det sesa të bini në dorë të komunistëve.” U vendos të nisemi. Kamioni i parë kaloi. Binte një shi i pandërprerë për 40 ditë. Kamioni i dytë u ndal nga bajraktari i Mirditës. Unë pandeha se ishin komunistë. Ata na thanë se ishte tradhti të iknim, pasi duhet të luftonim. U kthyem dhe babai shkoi takoi Kapidanin.
-Kur ne ju thoshim eja të luftojmë komunizmin, ti na thoshe që komunzimi s’ka punë në Veri, është punë e toskëve. Tani pse do të na vrasësh me dorën tënde? Kapidani u bind dhe na la të lirë pas dy ditësh. Por, tani, problemi doli se anija që gjermanët na vunë në dispozion kishte ikur. Gjermanët në Tivar nuk na jepnin anije të dytë. Vebi Frashëri hyri në Pazar me ta dhe vendosi t`iua blejë anijen me lekë. Kërkuam shuma të larta. Dhamë çfarë kishim. Babai dha 140 napolona flori, por gjermanët nuk na e jepnin. Atëherë, babai i dha një deklaratë personale që ai do të merrte pjesën e mbetur nga pasuria e tij në Shqipëri, po qe se mbetej gjallë. Ua treguam që s’kishim më shumë. Vebi Frashëri më ka treguar më pas se gjermani tjetër e ka treguar historinë në komandë në Zagreb dhe atë gjermanin që na shiti anijen, e kanë pushkatuar si thyerës të disiplinës së ushtrisë. Pasi u zgjidh çështja e mjetit të udhëtimit, na mbeti personeli. Ne nuk dinim si drejtohej një vapor. Me ndihmën e mbesës së zonjës Mergushe, që ishte gjysmë italiane nga babai, gjetëm italianë marinarë që donin të ktheheshin në Itali. Ishin 5 vetë dhe ata na këshilluan që Adriatiku është me mina. E vetmja mundësi ishte të iknim dhjetë km nga bregu prej Tivarit në Vlorë. E kaluam detin vetëm në Otranto, pasi, duke qenë kanal i ngushtë ndërkombëtar, ishte i lirë. Prej aty arritëm në Brindizi. Sapo mbërritëm në Brindizi, mbërritën anglezët dhe i çarmatosën të tërë dhe babain tim. Është interesante, se babai im, kur ka qenë në Shqipëri, ka mbajtur gjithmonë një revole dhe kur e çarmatosën anglezët, nuk e deshi veten.
Kampi si çdo kamp ishte i keq. Burrat nuk kishin të drejtë të dilnin, vetëm mua dhe mamanë na lejonin. Unë shkoja blija gazetat, gjithë shtypin italian, të merrnim vesh se ç’bëhej. Pastaj disa i dërguan në Santa Maria Di Leuca midis Leçes dhe Tirantos. Atje nuk ishte kamp, por një farë internimi.
Kush ishte nga familjet e tjera atje?
Veç nesh ka qenë Kadri Cakrani, Faik Quku me gruan dhe dy djemtë, ka qenë Eqerem Peshkëpia me vajzat dhe Mithat Frashëri, Vasil Andoni, Jani Dilo, Koço Muka, Zef Pali. Pra, kryesisht Balli Kombëtar. Të tjerët e kishin mirë me gjermanët dhe ikën me ta. Nga Balli vetëm Nuredin Beu iku me gjermanët. Dhe Eqerem Vlora, Safa Beu, Koliqi, Kruja, etj., shkuan me gjermanët. Interesnate ishte se ata nuk patën pasoja andej. I çuan në hotele, i mbajtën mirë, i çuan në Insbruk, në Tirol dhe jetuan normalisht. Babain tim dhe Mithat Beun e arrestuan.
Kur u arrestua Ali Këlcyra?
U ndalua më 25 prill. Kanë ardhur oficerët anglezë dhe e morën bashkë me Mithat Frashërin. Kjo ka qenë gjëja më e çuditshme që ne nuk e shpjegonim dot. Për dy tri muaj ne nuk dinim, ku ishte babai. Pastaj na thanë që është pranë Romës. Aty ishin plot fashistë në burg me babain dhe i thoshin: “Mor zoti Këlcyra, ti ç’do këtu? Ne të luftonim në Shqipëri si anglofil, ti qenke me ne në burg?! Pas 7 muajsh erdhi Vasil Andoni dhe i tha babait: “Kemi menduar ta marrësh t’i përgjegjësinë për Ballin”, pasi Mithat Frashëri ishte më plak. Të thuhej në gjyq që komandant ka qenë Ali Këlcyra, kurse Mithat Frashëri komandant nderi. Babai e pranoi. Aty filloi dhe njëfarë ndarjeje. Nuk di se kush ndikonte në këto sjellje, por di që nga të vetmit që u dënuan jashtë Shqipërisë ishte im atë. Pastaj ndodhi incidenti i kanalit të Korfuzit, kur qeveria shqiptare kishte qëlluar anijet angleze dhe situata ndryshoi. Atëherë, anglezët e lëshuan babain. Ishte i lirë të ikte nga kampi.
Problemet vazhduan. Kur doli nga burgu, sipas ligjit italian, duhet të riatdhesohej. Italianët nuk i jepnin vizë babait. I thoshin të kthehej. U munduam shumë ta shpëtonim. Ishte problem, se italianët e quanin babain tim anti-italian. Mamaja iu thoshte se ka qenë antifashist jo anti-italian. Por ata i kujtonin Luftën e Vlorës më 1920. Kemi raporte dhe dosje të tij si anti-italian. Kur na dërguan dhe ne në Santa Maria di Leuca, aty ishte ky Logoreci dhe shumë të tjerë. Shefqet Bej Vërlaci, gruaja e të cilit ishte kushërirë e parë e nënës sime banonte te shtëpia e Xhemil Dinos që e kishte dhëndër. Babai im i ka pas urryer njësoj mbretin Zog dhe Xhemil Dinon. Por ne shkuam, se shpenzimet ishin të Shefqet Beut dhe na kanë pritur mirë tre muaj. Dhe Xhemil Dino më ka vënë të fle në dhomën e fëmijëve të tij. Ai fliste shumë mirë anglisht dhe e ka ndihmuar mamanë time të hartonte letrat në anglisht dhe frëngjisht. Aty ishin anglezët dhe amerikanët dhe as e preku njeri fare Shefqet Beun që gjoja e konsideronin kuisling. Vetë babai im u dënua që nuk kishte bërë pjesë në asnjë qeveri.
Si i mbani mend ditët e para të lirisë së babait, pasi doli nga burgu në Itali?
Dy-tri ditët e para, ai shëtiti nëpër kampe, për të vendosur kontakt me njerëzit aty, me emigrantë, por edhe krerë të vendit të lënë pas. Mbaj mend që u takua me Hiqmet Bej Delvinën, me Jusufatin, me zotin Koço Muka etj. Ideja e babait ishte që gjithë partitë të bashkoheshin kundër komunizmit, të bëhej një lloj aleance e gjerë. Ishte koha kur u formua “Blloku Indipendent”, i cili synonte një front të gjerë antikomunist. Por, babai shihej si pengesë, pasi ishte dënuar me vdekje nga mbreti Zog. Babai u tha: “Unë jam dënuar, jo për çështje private, por për çështje politike për Shqipërinë. Nëse sot, interesi i Shqipërisë është që ne të jemi së bashku, unë edhe me Mbretin Zog bashkohem.” Mbreti Zog vuri disa pika paraprake në formë kushtesh para se të takohej me babain. Kushtet ishin që babai t’i thërriste Lartmadhëni, kurse babai vuri kusht që, në qoftë se do të kishte sukses ndërhyrja ushtarake në Shqipëri, pra që të rrëzohej qeveria komuniste, mbreti Zog duhet të qëndronte edhe tri muaj jashtë para se të kthehej, pra duhet të vinte tre muaj me vonesë. Arsyeja ishte se fuqia e tij në Shqipëri ishte e madhe, ishte me të gjithë gegëria, Abaz Kupi dhe shumë të tjerë. Pra, babai i vuri kusht që mbreti Zog duhet të priste rezultatet e një plebishiti popullor. Kur u takuan, unë nuk isha aty, sepse isha me mamanë në Itali. Babai shkoi para nesh, bashkë me gjithë komisionin nga Italia. Do shkonte dhe Mithat Frashëri, ndërsa në fund tha që nuk do të vinte menjëherë, por pas dhejtë ditësh dhe nuk shkoi kurrë. Shkoi me firmën e Ballit Kombëtar, jo privatisht. Situata ishte shumë e keqe në Itali, para zgjedhjeve të 1948-ës, pasi rrezikohej fitorja e komunistëve. Besoj do kishte fituar Toliati, sikur të mos u jepej e drejta grave italiane të votonin. Papa Piu i 12 hyri në lojë dhe të dielën kisha deklaroi se, kush votonte komunizmin përjashtohej nga kisha. Gratë besonin më shumë se burrat italianë dhe shpëtuan Italinë nga komunizmi. Kjo ishte meritë e nenit që kërkoi në parlament të drejtën e gruas për të votuar. Shpëtuam, sepse ishim të gjithë me gjak të ngrirë. Babai, ndërkohë po merrte masat për të ikur nga Italia dhe pa se në Siri kishte fituar pushtetin Shyqyri Kurvetliu, një mik i vjetër i tij, shok shkolle i Gallatasarajit. I shkroi Shyqyriut dhe shumë shpejt erdhi përgjigjja. Babai i kishte shpjeguar në letër situatën e emigracionit shqiptar në Itali pas komunizmit dhe dëshirën për të ikur në SHBA, Kanda dhe vende të tjera. Ai e mbështeti babain dhe hapi dyert e Sirisë për gjithë shqiptarët. Pati gati një deportim masiv nga Italia drejt Sirisë të shqiptarëve dhe prej andej në gjithë botën. E vërteta është se Shyqyri Kurvetliu nuk e bëri këtë nder vetëm për babain tim, por duke llogaritur shqiptarët si luftëtarë kundër Izraelit. Në të vërtetë, asnjë nuk shkoi në luftë kundër Izraelit. Nga Siria ata ikën ku deshën.
Kur shkuart në Egjipt?
Në shkurt të 1948-ës shkuam në Egjipt. Kur arritëm atje, nuk e gjetëm babain. Babai fliste shumë mirë frëngjisht, greqisht, turqisht dhe u caktua një nga tre përfaqësuesit që doli nga Takimi i Kajros. Pra, Ali Këlcyra, Sali Myftiu i Shkodrës dhe Ernest Koliqi. Babain e kishin caktuar të shkonte të merrte kontakte me qeverinë greke kur shkuam ne, ndaj nuk e gjetëm aty. Kërkesa ishte e thjeshtë: nëse do të duhej të ndërhyej ushtarakisht ndaj Shqipërisë, Greqia t’u hapte rrugë trupave antikomuniste. Por, ekzistonte frika që pas këtyre të futej ushtria greke dhe të pushtonte Jugun e Shqipërisë. Kështu që u desh t’i kërkonin një garanci Greqisë. I bënë edhe disa propozime për minoritetin grek, për të drejtën e shkollës dhe plebishitit. Kur të bëhej plebishiti, sipas komisonit të OKB-së, për mbretin Zog dhe fshatrat greke në jug, të shpreheshin për të drejtat e tyre. Megjithëse ishte një lëshim shumë i madh, grekët për çudi nuk pranuan. Megjithëse ishin të djathtët në fuqi e jo socialistët, ata i thanë babait se, “ne si Greqi kemi më shumë interes të rrinë 100 vjet në pushtet komunistët, sesa të vini ju” dhe për sa u përket minoriteteve i thanë se, “e dimë se ata, në një Shqipëri të pavarur, janë më mirë se të bashkohen me ne.” Kështu, udhëtimi i babait dështoi dhe filloi projekti i dytë i desantimit me diversantë. Aty babai nuk pranoi dhe u shkëput. Ai mendonte se ajo do të sillte vëllavrasje. Babai u nda nga “Besëlidhja”. Mamaja filloi të punonte si rrobaqepëse dhe qendistare, kurse unë shkova në shkollë në një kolegj, nga viti 1948 deri në vitin 1953. Shkollën time e pagoi një princeshë egjiptiane, Hatixhe Abaz Halimi, sepse stër-stër-stërgjyshi im nga Vrionasit, Ymer Pashë Veziri, më 1800-ën dhe Muhamed Aliu shkuan si dy gjeneralë turq për të luftuar mamlukët që donin të merrnin Egjyptin. Muhamet Aliu, natyrisht, më i zgjuar se Ymer Pashë Veziri, e la ca kohë dhe në fund i la të kuptohej që duhet të ikte nga Egjipti. Si shpërblim i fali shumë gjëra dhe ai ka ardhur në Shqipëri me 6 anije plot me mall. Pruri dhe një grua mamluke me vete dhe pak kohë më vonë, Muhamet Aliu deklaroi pavarësinë e Egjiptit dhe u bë Mbret i Egjiptit. Por, kujtimin për Ymer Vezirin e ruanin dhe kështu që deshi fati që kjo princeshë të paguante shkollën time.
Si u kthyet në Romë?
Më 1952-shin jemi kthyer në Romë për pushime, pasi babai kishte marrë honorare të mira nga radio “Evropa e Lirë”. Emisionet e tij atje u paguan trefish më shumë, sepse, duke qenë të gjata, nuk u prenë, sepse ishin interesante. Me ato para erdhëm të shihnim familjet në Itali dhe për të shmangur të nxehtit e Egjiptit. Kur erdha, isha rritur. Babai im ishte i zgjuar, por nuk ishte njeri praktik dhe i organizuar. Mamaja ka qenë shumë e shkathët dhe e organizuar. Kur erdha dhe u poqa me shokë dhe shoqe të shkollës në lice “Shato Brian”, një lice francez që është dhe në Vjenë, pyeta sa kushton jeta dhe apartamentet në Romë dhe u qartësova se babai nuk mund t’i paguante. Por, unë pata idenë që të mblidheshim bashkë me prindërit dhe Vlorët, Safa Benë dhe Eqerem Vlorën, sepse gratë e tyre ishin motra të nënës sime. Ishin shumë afër. Unë bëra propozimin të merrnim një apartament dhe të rronim së bashku me sistemin e barazisë, që çdo gjë të ndahej në pesë pjesë, ku tre pjesë i paguanim ne dhe dy Vlorët, Eqeremi me Safa Beun. Mirëpo, ideja ime i trembi në fillim. Më thanë se duhet të mendoheshin. Kështu, na u desh të ktheheshim sërish edhe një vit në Egjipt, pastaj, në vitin 1953 plani im funksionoi dhe u bë shumë mirë. Kjo na dha mundësi të njiheshim edhe më mirë me njëri-tjetrin, me bejlerët e Vlorës. Ishte interesante, sepse ishin tri rryma të ndryshme. Safa Beu kishte bërë shkolla ushtarake në Itali, kishte simpati për Italinë; Eqerem Beu, megjithëse mori damkë si italofil, i urrente italianët dhe ishte austriakofil, kurse babai im, edhe pse nuk e donin anglezët, ishte liberal anglez. Kështu që, për mua kjo ka qenë shkolla e vërtetë, e dytë. Nga bisedat e tyre dhe nga shtypi që lexonin mësoje shumë. Askush nuk lexonte të njëjtat gazeta. Nga Eqerem Vlora unë kam mësuar shumë, mbase çdo gjë që di sot e di prej atij, edhe për sa i përket familjes sime. Babi im nuk kishte durim të më tregonte. Me të u bëra mike pasi u rrita. Nuk dinte të merrej me fëmijët, nuk i kuptonte fare problemet e moshës apo adoleshencës sime, të rinisë sime. Kur u rrita po, atëherë diskutonim.
Cila ishte jeta juaj së bashku në Itali?
Babi shkruante, por shkruante në një gazetë të Ballit Kombëtar që ishte hapur në Itali, takohej me krerët e ikur shqiptarë në mërgim, pra merrej me politikë.
Eqerem Bej Vlora punonte tek “RAI”, për gjuhën shqipe. Aty kam bashkëpunuar dhe unë disa vjet me të, dy herë në javë. Njëkohësisht, kam punuar në disa të njohur në “Automobile klub” të Italisë, si përkthyese për korrespondentët e huaj në anglisht dhe frëngjisht. Kjo, deri sa qëndrova në Itali.
Si e mban mend vdekjen e babait?
Babi ka vdekur më 24 shtator të vitit 1963. I mbaj mend gjithë detajet. Më thirrën në Ambasadën Amerikane, ku punoja, në Vjenë, me një teleks, por nuk më thanë që kishte vdekur. Aty shkruhej që babai ishte shumë sëmurë. Kështu ika me aeroplan dhe në aeroport, në Itali, nuk më priste njeri. I bëra telefon një motrës së Eqerem Beut, sepse telefoni i shtëpisë ishte vazhdimisht i zënë. E pyeta se në ç’spital ishte babai.
- Nuk e di? - tha.
- Jo.
- Vdiq.
Ishte një moment i rëndë për mua, pasi mbetesha vetëm me nënën, por babai ka pasur një vdekje shumë të bukur. Megjithëse për mua ishte shokuese, unë ia uroj atë lloj vdekjeje çdo njeriu. Babai shkonte çdo javë në piknik. Gjithë jetën e tij është larë me ujë të ftohtë, bënte gjimnastikë për dhjetë minuta dhe i bënte masazh lëkurës me një furçë të ashpër. Hante vetëm mëngjes dhe ngrihej shumë herët, para orës 6.00. Pinte një litër qumësht dhe hante gjalpë me mjaltë. Hante shumë dhe nuk kishte fare dhjamë. Atë ditë që ka vdekur ka qenë duke u rruajtur, në mëngjes. Nuk e kuptoi fare se i ra vilani në banjë. Aty ishte një si stol dhe atij i ishin marrë mendtë dhe ishte ulur mbi divan. Humbi ndjenjat. Mamaja e thirri, pasi kishim një mysafire, motrën e baroneshës Godën dhe donte të bënte muhabet me të. Pasi nuk mori përgjigje, pa se ai ishte shtrirë në banjë.
Si vazhdoi jeta juaj?
Unë isha në Vjenë në Ambasadën Amerikane. Kisha dy vjet që kisha ikur nga shtëpia, pasi e ndjeja se babai një ditë do të na linte dhe na duhej një pavarësi ekonomike. Në Itali nuk kisha të drejtë pune, por vetëm part-time ose në të zezë. Punët si përkthyese e anglishtes, frengjishtes dhe puna me gjuhën shqipe nuk mjaftonin. Ndërkohë, unë po mësoja dhe gjermanisht në institutin “Gëte” dhe merresha me shkrime letrash për punëtorët italianë, sepse shumica e tyre ishin analfabetë. Mbaj mend se kur po më mbaronte kontrata dhe po tërhiqja letrat, më kërkuan një rekomandim nga prifti.
- Nuk kam prift. Nuk jam katolike, - i thashë.
- Si nuk je katolike, - tha i çuditur.
- Po ti pse s’na ke thënë?
- Nuk më keni pyetur, - u thashë. - As në formular s’e keni këtë pyetje.
Më la të kuptoj se nuk kisha të ardhme aty. Mbaj mend që koordinatori i këtij projekti ishte një nipi i Enzo Ferrarit. Ai studionte për prift. Iu drejtova atij me një letër shumë të ashpër. I tregova që vij nga Shqipëria, nga vendi më i prapambetur i Europës, por sa kam qenë në Shqipëri, kurrë nuk jam ndjerë e persektuar për arsye fetare, sidomos kur bëhet fjalë për punë. I thashë se unë e njoh krishtërimin dhe kam studiuar në kolegjin “Notrë Damë” pesë vjet dhe për këtë unë, nuk gjej arsye përse të mos punoj si përkthyese këtu.
M’u përgjigj ky Ferrari dhe më tha se Peshkopi i Shtutgardit nuk mund ta detyrojë misionin italian që të të marrë në punë, por më ofroi të shkoja në punë tek ata. Mora trenin në darkë, arrita dhe mbaj mend që më bëri një test për përkthime. Puna ishte shumë e rëndë. Duhet të përktheja gjithë gjyqet që bënte kisha romane për divorcet. Në Vatikan pranohej vetëm gjuha italiane, latine dhe frënge. Gjermanishtja nuk pranohej. Kështu që duhej të përktheheshin në italisht që Vatikani të përgjigjej shpejt për gjyqet. Kështu, ndenja një vit aty dhe kjo më shërbeu, pasi njoha shumë personalitete, si papa Pavli 6 dhe shumë kardinalë. Ata deshën të ma zgjasnin mbi një vit kontratën, por jeta ime ndryshoi nga një festim i 28 Nëtorit në Romë.
Çfarë ndodhi?
Ne e festonim 28 Nëntorin në Vatikan, pasi qeveria italiane nuk na lejonte në Romë, pasi protestonte Ambasada e Shqipërisë. Vatikani ishte shtet tjetër dhe aty e festonim. Në festë takova një diplomat amerikan me origjinë shqiptare nga Korça. Ishte një bujk i familjes Luarasi të gjyshes, nga Korça, që kishte shkuar në SHBA, në kurbet. Për herë të parë këtë njeri e kisha takuar një javë pasi kishim ikur nga Shqipëria, në vitin 1944, në Bari. Ai ishte aty si oficer i ushtrisë amerikane. Ai kishte parë listën dhe emrin e babait dhe erdhi na vizitoi. Mua më solli një kuti të re me gjithë të mirat atëherë, me çokollata, ëmbëlsira dhe gjëra që s’i kisha parë kurrë. Na vizitoi dy tri javë dhe një ditë mamaja më tha: “Eja jepi dorën zotit Stivi se do ikë.” Më kishte sjellë sërish një kuti të tillë dhe më thotë: “Unë nesër do të iki në Shqipëri. Ke ndonjë njeri atje që unë të vete t’i shpie gjëra të tilla?” Unë aq shumë u tmerrova që ai do ikte në Shqipëri, sa i thashë: “Ti po shkon në Shqipëri?” Më tha: “Po”. I thashë: “Atëherë ti je një komunist”. E mora kutinë, e hodha në tokë dhe e shkela me këmbë, i thashë: “Nuk e dua, nuk do ta ha”. Mamaja zuri të më bërtasë, kurse ai u pre në fytyrë. Iu drejtua mamasë: “Zonjë, të lutem, lëre se i doli nga shpirti, nuk e mësoi kush. Po t’iu kisha njoftuar më parë që do iki në Shqipëri, mund të dyshoja se e kishit diskutuar këtë gjë, por unë ua thashë tani dhe kjo reagoi”. Pas kësaj ai iku dhe mua m’u duk sikur ai njeri humbi.
Përse po shkonte në Shqipëri pas 1944-ës?
Nuk e di mirë, por më duket misioni i UNRA-s. Nuk e di mirë. Isha fëmijë. Isha e tmerruar që ai po shkonte atje, por fytyra e tij kurrë nuk m’u hoq nga mendja si fëmijë.
Dhe si u ritakuat me këtë njeri?
Po, në festën kombëtare në Romë. Ai kishte mbaruar “Xhorxh Taun University” dhe ishte bërë diplomat karriere. Ishte emëruar sekretar i parë i Ambasadës Amerikane në Romë. Profesor Koliqi dhe babai im e kishin ftuar në festën kombëtare më 28 Nëntor. Kur u takua me babain, i thotë: “Ajo e vogla si është?”
“Ajo e vogla është e madhe tani, - i tha babai, - dhe është këtu”. Unë isha veshur me petkat kombëtare që m’i kishte dhënë nëna e Ernest Koliqit.
U takuam dhe më pyeti: “A më mban mend?” I thashë: “Të mbaj dhe s’të kam harruar kurrë që nga ai moment.” I tregova se punoja në Gjermani dhe kisha ardhur vetëm për festën e Flamurit. Kështu u ndamë. Pas një jave, ai bisedoi me babain për një vend pune në Ambasadën Amerikane në Vjenë, për të monituar zhvillimet në Shqipëri sipas shtypit. Kështu, pas disa ngurimesh të babait, fillova aty.
Cila ka qenë puna juaj aty?
Në ambasadë, fillimisht puna ime ishte të dëgjoja radio “Tiranën” dhe të përktheja shtypin e shkruar të Tiranës në anglisht. Kjo, deri sa u prish Kina me Rusinë, pasi përmes Tiranës, amerikanët përpiqeshin të kuptonin ç’mendonte Rusia. Pastaj puna ime ndryshoi dhe unë isha përgjegjëse për gjithë vendet e robëruara, siç i quanin ata vendet nën regjimet komuniste. Aty përpunoheshin edhe politika antikomuniste dhe u servireshin qytetarëve të vendeve të robëruara, materiale që tentonin të forconin rezistencën e tyre ndaj komunizmit.
Cilat ishin kontaktet e tua me Shqipërinë në ambasadë?
Vetëm çfarë lexoja dhe dëgjoja nga shtypi.
Arrije dot ta kuptoje përmes shtypit komunist çfarë ndodhte këtu?
Po, sepse ne kishim mënyrën tonë të të kuptuarit të gjërave. Kështu p.sh e zbulonim fare qartë mashtrimin në propogandën ekonomike, pasi nuk përputhej sasia e tokës me mundësinë për të prodhuar aq sa thuhej. Bënim krahasime me planet 5-vjeçare. Për vendet e tjera kishte dhe shtyp lokal, i cili ishte më realist dhe prej atij mund të nxirrje lehtë përfundimet për mashtrimet. Kjo zyrë quhej “ARPIO”. Ne bënim gati dosje për gazetarë që shkonin në vendet e robëruara, pasi ata nuk merrnin dot kontakte aty.
Kontakte me njerëz që dilnin nga Shqipëria kishit?
Thuajse jo, sepse nuk dilte asnjë njeri. Kisha kontakte me shqiptarë nga Kosova që vinin në ambasadë dhe thoshin se ishin nga Shqipëria, sepse merrnin kuotat e vizave politike për SHBA. Unë u kisha thënë në ambasadë të mos pyesnin nga ishin, nga Shqipëria apo Kosova, pasi unë u kisha thënë se nuk i kuptoja dialektet e shqipes, sepse kisha jetuar shumë pak aty.
Nuk erdhi kurrë ndonjë nga Shqipëria?
Erdhi një herë, por unë nuk i dhashë të njohur. Fillova ta pyes për burgjet, sepse më tha që kishte qenë në burg. E pyesja kush ishte i burgosur politik në burg. Kur ai më përmendi Elmaz Libohovën, një njeriun tim, e tradhtova veten me sa duket.
Ai më tha: “Ç’ke, e njeh këtë njeri?”
“Jo, - i thashë, por më trego për të”. Ai më tregoi se kishte dalë nga burgu një herë, ishte martuar me një kushërirë të tijën, pastaj ishte prap në burg, por kishte lindur fëmijë. E besova plotësisht që ishte një ish-i burgosur i arratisur.
Si e përjetuat rënien e komunizmit?
Unë e shihja prej andej dhe e prisja me gjakftohtësi. E shihja si po binte prej Rusisë. Isha e gëzuar domosdo, por doja që Shqipëria ta kishte mundur vetë komunizmin. Në fakt, komunizmi vdiq dhe Shqipëria u çlirua prej tij si një shtëpi që çlirohet nga një barrë e rëndë, kur ai që është bërë barrë vdes vetë. E gëzuar isha, por s’di si të them, jo shumë entuziaste, jo shumë krenare. Mbaj mend, kur do të vinte Bejkeri në Shqipëri, angazhimin e ambasadës aty për të përgatitur vizitën. Mbaj mend ca detaje thuajse pa rëndësi, për të përkthyer kushtetutën amerikane në shqip, si një projekt të zonjës Bejker etj., si këto. Më ngarkuan mua ta përktheja, por shqipja ime ishte e paplotë dhe s’mund ta bëja. Iu drejtova katedrës albanologjike në Munih dhe më rekomaduan dikë në SHBA, ose vajzën e Eqerem Çabejt në Tiranë. Preferova atë të SHBA-ve, sepse e kisha kollaj me telefon. Me Tiranën mezi flisje.
A të shkoi në mendje të ktheheshe në Këlcyrë?
Jo menjëherë, sepse s’isha pjekur me njeri. Kisha takuar vetëm një shqiptar që erdhi aty në ambasadë dhe që kishte nënë të prekur, sepse ishte arratisur daja, kurse babai ishte profesor komunist në Tiranë. Quhej Skënder dhe ishte djalë shumë i mirë. Pra, nuk kisha kontakte dhe nuk dija ç’ndodhte në Shqipëri. Aty nuk më kishin mbetur shumë njerëz. Njeriu më i afërt, Shega, vajza e Muhamet Beut, kishte vuajtur në burgje. Disa kushërinj nga Toptanët dhe Libohovët kishin mbërritur në Vjenë edhe me ndihmën time, por kjo nuk më thoshte gjë për të më mbushur mendjen të kthehesha. Dola në pension nga Ambasada Amerikane dhe mora një vit rrogë cash. Ndërkohë, mamaja po keqësohej nga shëndeti dhe unë isha e paqartë se ç’duhet të bëja. Në mendjen time gjërat ishin më të thjeshta. Unë mendoja se, ashtu siç ia kthyen babait pronat më 1939-ën, kur i mbaroi dënimi, pra ia kthyen pronat që i kishin sekuestruar, ashtu do t’ia kthenin prapë. Unë mendova se duke qenë e fundit e kësaj shtëpie, se s’kishte më shpresa që unë të kisha një vëlla, atëherë mendova që me këto para dhe me ndihmën e disa miqve që punonin tek Pireli, të ftoja 10 ose 20 djem të rinj nga Këlcyra për t’i specializuar në Vjenë. Mendova që secili nga këta djem të mësonte një zanat dhe duke qenë se unë kisha në Këlcyrë, sipas mendjes sime, 40 dyqane, t’ua jepja këto dyqane për dhjetë vjet a më shumë, që ata të merrnin veten dhe të zhvillonin biznesin aty. Pra, doja të kthehesha thejsht për të ndezur dhe një herë zjarrin në Oxhakun e Këlcyrës. Nuk doja të merresha me politikë. Kjo dështoi, sepse pastaj unë mora vesh rrëmujën që ishte bërë, që ne nuk merrnin gjë, se janë të bllokuara, ku e di unë si thonin. Deri më sot, përveç disa kullotave nuk kanë kthyer asgjë. Pastaj mendova që të bëja diçka tjetër. Po përdor këto paratë që mund të vijnë nga kullotat, për një shtëpi për pleqtë dhe një shtëpi foshnjore. Mirëpo, ky projekt mbetet ende utopik, pasi duhen shumë energji për të tejkaluar problemet atje, që këto prona të shndërrohen në burim të ardhurash për njerëzit në nevojë; jo për familjen Këlcyra, se ajo tashmë po mbyllet. Ajo që më intereson mua është që ato prona t’u shërbejnë atyre njerëzve dhe jo të shkatërrohen e të shpërdorohen. Është një histori e tërë. Mendova për një fondacion “Këlcyra”, meqë familja jonë mbyllet tek unë. Të paktën, thashë, të mbetej emri dhe fondacioni t’i përkushtohej shkollimit të fëmijëve të Këlcyrës dhe njerëzve në nevojë. Dua ta bëj këtë edhe si një mirënjohje për ata shqiptarë që e kanë njohur babain tim dhe e kanë respektuar atë. Është një jetë e tërë e një njeriu që ka luftuar thuajse me të gjithë. Ka luftuar me grekët, me italianët, me Zogun, me italianët sërish, me gjermanët dhe është prishur me misionet angleze dhe natyrisht me komunistët. Ashtu ishte gatuar, idealist dhe i kompleksuar nga ideja që kishte lindur bej. Donte të ndërtonte një demokraci liberale në Shqipëri dhe besonte deri në fund se do të arrihej.
Por, të gjitha më duket se do mbeten ëndrra edhe tek unë. Shumë gjëra s’arrij t’i kuptoj, më duken fjalëkryqe. Të thonë, ky është dyqani yt, por dhe i atij, kjo është toka jote, por dhe pak e këtij tjetrit, është diçka që s’e kuptoj. Të paktën unë s’e kuptoj.
Çfarë ju pengon të ngrini fondacionin?
Mosbesimi që kam tek shteti ligjor në Shqipëri. Do të tregoj një rast të dhimbshëm. Neshat Pasha Vlora ka qenë një nga bejlerët e Vlorës, vëllai i Syrja Beut. Ai kishte një djalë të vetëm dhe ishte shumë i pasur. E solli djalin këtu në Terezanium, bashkë me Eqerem Beun. Ai vdiq në moshën 18-vjeçare nga tuberkulozi. Atëherë, Neshat Beu, shumicën e pasurisë së tij e ngriu në një fond, vakëf i thoshnin atëherë, për të shkolluar 5 djem nga Vlora çdo vit në Austri, jo në vende të tjera. Ka plot njerëz që kanë studiuar me këto bursa. Ago Agai kështu ka studiuar, Beqirajt etj., se s’i kujtoj dot të gjithë. 60 vjet ky fond është ngrirë tani dhe nuk funksionon. Çdo të thotë kjo? Kush ka të drejtë të prekë një fond të dhënë për arsimin. Ai ka ikur në atë botë, i sigurt se paratë që la do të përdoreshin për të shkolluar djemtë e Vlorës. Ku janë ato para? Kush i përdor? Ku janë ato prona? Ç’është ky vend që thotë s’kemi ç’bëjmë se ishte shoku Enver. Ka pasur një histori të tërë para këtij njeriu. Askush nuk ka të drejtë ta ndalë, sidomos tani.
As sikur ta siguroni pasurinë këtu nuk keni besim?
Nuk është çështje besimi. Është çështje koncepti për shtetin ligjor. Një padrejtësi që nuk vihet në vend krijon shanse që të përsëritet. Shqiptarët duhet ta dënojnë qartë atë që ka ndodhur dhe jo ta ngatërrojnë dhe më shumë për të mos u kuptuar se çfarë ka ndodhur.
Po të ktheheshim tani bashkë në Këlcyrë, e kujtoni dot vendin ku keni qenë?
Po, e kujtoj. Natyrisht, atë Këlcyrë që kam unë parasysh jo, do kem vështirësi, por mendoj që e kujtoj. E kam parë në foto tani më pas dhë është shëmtuar. Ka qenë shumë e bukur. Është një kaos tani, por unë kam besim se mund të orientohem aty po mbërrita.
Çfarë do t’u thuash atyre që jetojnë aty?
Dua t’u them se nuk i kam harruar.