Fullani është në pranga. Në komentet e freskëta tv, shumëkush tha se e parashikonte. Kishte edhe ca gëzim në deklaratat e freskëta. Por mendoj se është shumë herët për këdo për të kuptuar racionalisht se çfarë po ndodh.
Duhej apo nuk duhej realisht ky arrestim kaq i papritur? Guvernatorët në të gjithë botën janë hallka gati të paprekshme. Sepse, nëse do të ishin bursat e hapura, do të shënohej sakaq një katastrofë financiare. Po fatmirësisht, Shqipëria nuk ka Bursë.
Prokuroria që di më tepër se shumëkush nga ne, mendon dhe gjykon se Guvernatori nuk duhet të jetë i lirë. Sepse mund të arratisej, një nga arsyet. Sepse mund të fshihte provat, një arsye e dytë kur vendoset arresti në këto raste. Sepse bashkëpunimi me Fullanin në kushte arresti është gjykuar si i dobishëm, për ecurinë përfundimtare të hetimeve, kuptohet i njohur si fajtor nga Prokuroria për një zinxhir përgjegjësish që lidhet me vjedhjen e Bankës.
Kjo që ndodhi është vërtet një akt i funksionimit të shtetit? Shumëkush mendon se po. Rrjetet sociale gëzojnë hareshëm. Është e drejtë e tyre. Të mendosh të kundërtën do të thotë të jesh në pakicë. Duke patur parasysh se zoti Llalla, Prokuror i Përgjithshëm, është zgjedhur nga ish- mazhoranca, e pra nuk mund të akuzohet si një zgjatim politik i qeverisë së sotme. Me sa duket, punët për zotin Fullani nuk duket se janë edhe aq mirë. Në fashikujt e Prokurorisë duhet të ketë tregues dhe prova dërmuese që të justifikojnë këtë arrestim të bujshëm. Mbas vrasjes misterioze dhe të dhimbshme të bankierit Santo, arrestimi i Guvernatorit Fullani po nxjerr në pah një ajsberg të zymtë që lidhet me sistemin bankar shqiptar. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Vendi ku strehohen paratë, thesaret dhe floriri, nuk mund të jetë i mbrojtur në një Vend, ku shitblerja e shumicës së vlerave ngjan më shumë me një grabitje. Sulmi dhe grabitja e rafinuar ndaj bankave, që është edhe më i vështiri për t’u kapur, na rezulton që sapo ka nxjerrë krye.
Dyshimi është nëse, për paradoks, ky arrestim do të zbulojë apo do të fshehë?
Që të sqarohem. Çdo zbulim i pjesshëm i kësaj që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë, është padyshim fshehja më e mirë e një krimi financiar të përmasave më të mëdha. Sepse qarkullonte prej disa kohësh në ambiente ku nuk flitet kot, që përmasat e problematikës së kësaj Banke janë shumë më të mëdha.
Nëse mbarset mali dhe pjell një mi, atëherë arrestimi do të fshehë, më shumë se sa do të zbulojë. Atë çfarë ka vërtet për të zbuluar në katakombet e kësaj banke dhe për pasojë edhe në katakombet e mjaft bankave që veprojnë në Shqipëri.
Fullani sot, duhet të jetë në një gjendje të dëshpëruar. Mjaft nga miqtë e bujshëm dhe të variantit: “kur ka shporta fiq, të gjithë janë miq!”, ndoshta në këto orë kanë mbyllur telefonat, për të shmangur ndonjë kërkesë të pakëndshme angazhimi, për tashmë ish-mikun në hall realisht të madh.
Shumëkush do të ngrejë gishtin dhe do ta mohojë, në një formë ose në një tjetër. Sidhe harruan ta mbrojnë në këto ditë të vështira. Shumëkush do të nxjerrë inatin dhe smirën se Fullani ka trup të gjatë dhe vishej bukur. Të tjerë do të qesëndisin se çfarë do të hajë këto ditë Guvernatori në burg, kur dihej që ai dinte të zgjidhte verërat dhe ish sqimatar me ushqimin, për të cilin shpenzonte shumë. E të tjera si këto do të dëgjojmë këto ditë me një gëzim që jo gjithmonë shkëlqen moralisht. Gjykuar nga statura e një pjese të të gëzuarve.
Personalisht nuk ndjej as gëzim dhe as ndonjë shpresë të madhe. Thënë kjo, askush nuk mund të thotë që vjedhja e ndodhur nuk ishte e turpshme. Madje rrënqethëse për mënyrën flagrante se si është kryer, pavarësisht kamerave të sigurisë që ishin të ndezura ndërkohë dhe filmonin vjedhjen, pa dobi.
Populli thotë se: ruaju nga miku budallë, që ta vret mizën në ballë! Kush e ka këshilluar Fullanin që të mos dorëhiqej, është rrëfyer ose budallë, ose i dëshpëruar, që përmes Fullanit të fshihte diçka më të madhe se sa arsyet për të cilat ai sot gjindet në burg. Dorëheqja do të ishte padyshim një amortizator i mirë, që mund të shmangte arrestimin dhe ta zëvendësonte atë me bashkëpunimin me Drejtësinë.
Parë në këtë prizëm, nëse Fullani, tanimë i vetmuar dhe nën presion, flet përtej akuzës, mund të hapë një kuti misteresh dhe të formatojë një listë implikimesh, që do të sjellin në këtë vend një turbullirë jo të vogël.
Fullani është sot në një udhëkryq të rrezikshëm. Askush nuk do të donte të ishte nën kostumin apo nën lëkurën e tij.
Karriera e tij mbyllet kështu dramatikisht. Pavarësisht se si do të shkojë më tej procesi i tij gjyqësor, që automatikisht fillon ndaj Guvernatorit. Por nuk duhet të ngutemi dhe të shpërthejmë në gëzimet naive, si dikur turmat, kur kokat e prera rrokulliseshin nga gijotinat.
Ftohtësia dhe kujtesa e mirë janë në këtë rast, aleati më i mirë i të vërtetës. Ku nuk ka vend gëzimi për kokëkëputjen e dikujt. Nëse Drejtësia nuk ngre më në fund kokën, nga aty ku e kanë zhytur në Shqipëri.
Të tjerat janë fjalë…