Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shteti ne gjendje kome

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 11 vite më parë

Zamira Cavo
Shteti ne gjendje kome

Ka 23 vjet që shteti ynë pothuaj është në gjendje kome. Ka funksionuar vetëm pushteti i parasë, i të fortit dhe klanit! Shqiptarët nuk e kanë ndier për asnjë moment praninë e shtetit, qoftë brenda tij dhe aq më tepër jashtë tij. E megjithatë, qytetarët e kanë mbajtur në këmbë shtetin me taksat e tyre! Të dehur me erën e lirisë në vitet e para të demokracisë, nuk kuptuam realisht se çfarë kishim fituar dhe çfarë po humbnim. Shteti funksionoi mbi bazën e bandave, pa ligje dhe pa institucione. Intervista e Izet Haxhisë është ndoshta një pjesë e së vërtetës së asaj kohe, që e dëshmon qartazi këtë konkluzion. Berisha dhe Nano nuk ndërtuan shtet, por pushteti i tyre personal u shërbeu bandave të tyre. Shqiptarët fituan lirinë dhe humbën pronat, humbën dinjitetin dhe jo rrallë humbën edhe jetën.

Në demokraci thelbi i shtetit jemi NE! Por kjo Ne është kaq abstrakte e kaq larg individit sa nuk e kuptojmë dhe nuk e vlerësojmë. Ndryshe nuk ka si të themi “mos e bëjmë gjykim popullor”. Në demokraci gjykimi popullor është në të vërtetë pushteti legjitim. Dhe kur thua “pse popullin do dëgjojmë ne, për të dënuar apo jo x apo y”, është njësoj sikur të thuash, ti popull më shërben vetëm për t’u ngjitur unë sipër e për të përmjerrë mbi ty sa herë të më dojë qejfi”! Por qytetari shqiptar nuk është më ai i viteve ’90, apo edhe i viti 2010… Shqiptarët sot po mësojnë të flasin më fort me zërin e tyre dhe ky është një fillim premtues.

Thelbi i shtetit është drejtësia. Liria vërtet është e çmuar, por barazia është jetike! Nuk është fjala për barazi në atë kuptim komun që ka kjo fjalë. Barazi nuk do të thotë të vishemi njësoj, të hamë njësoj e të kemi njësoj pasuri. Barazi do të thotë që shteti të garantojë mundësi të barabarta për të gjithë! Pra Barazi do të thotë Drejtësi. Banaliteti i shprehjes se “Fullani ka xhelozuar miletin, sepse vishet mirë dhe ka para”, është në të vërtetë thelbi i psikologjisë së provincialëve të ngritur në pushtet! Kjo specie njerëzish e konsideron “publiken”, pra shtetin, si kopshtin e vet, ku mund të bëjë ç’t’i dojë qejfi! Fullanëria është në të vërtetë virusi që e ka çuar në “koma” shtetin shqiptar! Dhe fullanëria nuk është vetëm Fullani. Ai është një ndër “ata”! Madje ndoshta ndër të paktët   që arriti të “dënohet” qoftë edhe pak. Fullanëria është virusi që ka shkatërruar së brendshmi sistemin. Ky sistem ka humbur besimin e qytetarit prej kohësh. Drejtësia shqiptare ekziston vetëm për “pusht-etarët”. Kulti i kësaj drejtësie është “paraja” dhe Presidenti që qëndron në krye të këtij sistemi jo vetëm që nuk e vëren këtë, por përpiqet ta mbulojë me politizime ekstreme. Por le të jemi më konkretë:

Drejtësia si sistem, është sistemi më zhvatës në këtë vend ku nuk sundon ligji. Çdo vit mbyllen rreth 150-170 dosje në Gjykatën e Shkallës së Parë, dhe nëse ke kohë e para dhe mund ta fitosh një çështje, që është tërësisht e fituar (p.sh çështje prone), pra të jesh nga ata pak fatlumë që e arrijnë këtë pas 5 ose 6 vjet zvarritje, sërish do endesh dyerve të gjykatës së Apelit ku sigurisht “gjoba” vjen në rritje. Të tjerat besoj nuk ka qytetarë që të mos i dijë. Pra Drejtësia është “malli” që shitet më shtrenjtë në tregun shqiptar!

Në Shqipëri kush vjedh për bukë, shkon në burg, por ama kush vjedh miliona, bëhet guvernator, ministër, kryeministër, president etj.  Fullani dje u përbetua se ka zbatuar vetëm ligjin dhe se nuk është “roje i parave”. Sigurisht se paguhej nga paratë tona, me një pagë që ia kishte zilinë dhe një President i një vendi të zhvilluar, e na vjen e na thotë që ka punuar me përkushtim… dhe pse ka qenë “Vetë Zot e vetë shkop”. Njoh gra të moshuara që kanë bërë burg për dy rrënjë kanabis në oborrin e shtëpisë dhe ky zotëria që ka lënë han pa porta “vendin e parave tona” ky nuk mund të bëjë burgun. Dhe kjo quhet drejtësi! Dhe zëdhënësit e klaneve thonë”, lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet”! Po cilën Drejtësi??? Drejtësinë e Padrejtë? Pra Drejtësia e këtij lloji përkthehet fare mirë në Padrejtësi për shumicën popullore. Populli është gjykatësi më i mirë e më i drejtë! Askush nuk ka të drejtën e tij! Dhe në një rast sikundër ishte rasti Fullani, kur perceptimi popullor bëri “hero” një prokuror, duhej përkthyer në një dëshirë të jashtëzakonshme popullore për të parë pas hekurave një “VIP”, që simbolizon pushtetin e së keqes në Shqipëri! Shpresa që u ndez për një Drejtësi të vërtetë, u shua ende pa ndriçuar vetveten! Ndaj them se nuk është thjesht “çështja Fullani”, por çështje e virusit “Fullani”.

Padrejtësia është pabarazi mundësish. Nëse një reformë bëhet selektive, nëse në një përzgjedhje për një vend pune vepron selektimi sipas “parasë” apo mikut, nuk ka Barazi. Dhe askush nuk është i kënaqur. Historia botërore ka treguar se njerëzit janë shumë herë më të bindur dhe kanë shumë herë më tepër besim në një sistem që u jep mundësi të gjithëve të tregojnë aftësitë dhe ndryshueshmërinë nga njëri-tjetri. Por këtu ky sistem nuk funksionon. Ndaj nuk funksionon as shteti si i tillë!

Të veprosh me standarde të shumëfishta është vdekje për një shtet demokratik. Ndaj nuk besohet më opozita e sotme. Ajo vetë e ka shkatërruar në detaje këtë vend dhe sot kërkon të bëjë “përmjerrjen e fundit” mbi shpinën e popullit. Shumica parlamentare e ka mundësinë ta zgjojë nga “Koma” shtetin. Nëse nuk e bën dhe vazhdon të përkundet me idenë se “shteti do dalë vetë nga kjo gjendje”, po humbet shansin e saj të vetëm. Populli ka shanset e tjera!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama