Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Aksioni

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Aksioni

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri u la të gjithëve një shije të mbarë. Thuajse të gjithë mbetën të kënaqur, ata që erdhën, ata që panë e dëgjuan, ata që pritën e organizuan, ata që u lutën, madje edhe më indiferentët. Në këtë përgatitje, metoda e suksesshme e punës ishte metoda e aksionit, pra një grup njerëzish – në këtë rast të kishës dhe të qeverisë – që merr përsipër një sërë punësh, që në raste normale as që do t’i kishte menduar fare. Në këtë rast metoda e aksionit dhe jo ajo e punës sistematike, graduale, normale, këmbëngulëse, kishte kuptim. Lajmi për ardhjen e Papës në Shqipëri ishte një befasi e vërtetë. Nuk kishte asnjë rrugë tjetër për të dalë faqebardhë në këtë ngjarje historike tonën. Mirëpo kjo fjala “aksion” dhe të gjitha sjelljet, aktet, pasojat që burojnë prej saj ka nisur të shtohet ca si shumë në fjalorin tonë të përditshëm.

Që të bëjmë fare pak histori, fjala “aksion” nuk është se ka ndonjë nam të mirë te brezi i 40 – 60-vjeçarëve të sotëm. Hekurudha, rrugë që kalojnë përmes shkrepave, bonifikime masive, tarracime gjigande, pyje të zhveshur, të gjitha janë kryer përgjatë komunizmit falë një mënyre që quhej gjithashtu aksion, njësoj sikur raportojnë sot lajmet, ndonëse në një kontekst tjetër.

Asokohe, në emër të ndërtimit të socializmit me forcat tona, me dhjetëra mijë të rinj, studentë, punëtorë, nxënës, fshatarë, qytetarë dërgoheshin “vullnetarisht” në punët më të rënda që kërkonte realizimi i ëndrrës së shokut Enver. Rezultati i kësaj metode të punuari ishte që asokohe i dukshëm: secili prej përgjegjësve të përfshirë në garën e emulacionit socialist i këpuste një alamet gënjeshtre, me qëllim që kush e kush të dilte më mirë në sy të liderit, të ngrinte lart flamurin e emulacionit dhe të shtonte germat “S” (Sulmues) në bluzën e tij prej aksionisti. Në fillim të viteve ’60, kur aksionet u bënë një metodë e zakonshme pune në ndjekje të rezultateve të “popullit vëlla kinez”, aksionistët kishin edhe uniformën e tyre, ku më i dallueshmi nga të gjithë ishte shalli i aksionistit. Puna, e kryer nga njerëz pa dëshirë dhe jo specialistë, dilte pa cilësi. Vetë qëllimi i deklaruar i këtyre aksioneve rezultoi një vrimë në ujë. Aksion rinor u quajt edhe marrëzia kolektive e shkurt-marsit 1967 që çoi në mbylljen e kishave, xhamive e teqeve dhe në burgosjen masive të klerikëve. Pasojat e kësaj mënyre sot janë pyje të zhveshur, toka që shkasin përditë e më shumë, një hekurudhë që ka kohë që është mpakur e ndryshkur në heshtjen e saj dhe kujtimi i zvetënuar e i hidhur që çdo vullnetarizëm na qenka një gjë e harruar e komunizmit.

Sot, fjalën “aksion” kemi mundësi ta dëgjojmë të paktën një herë në ditë në çdo edicion lajmesh. Vazhdon aksioni në Lazarat …, ka nisur aksioni në Dukagjin, policia bashkiake ka nisur aksionin, INUK vazhdon aksionin në breg të liqenit … Nis aksioni për pastrimin e bregdetit … Zakonisht përdorimi i “aksionit” si term, por edhe si praktikë pune shpeshtohet në raste qartësisht evidente, sikurse janë afrimi i sezoneve turistike (pra ardhja e “të jashtëmve”), ndonjë përvjetor hijerëndë apo ardhja e ndonjë personaliteti sikurse ishte rasti i fundit me Papën. Në këto raste, ne bëhemi befas shumë pastërtorë. Nuk jemi më ata që hedhim plehrat vend e pavend, përkundrazi në kësi rastesh jemi ne ata që mbledhim me entuziazëm dhe me durim plehrat që kemi hedhur vetë vetëm një ditë më parë.

Me rastin e vizitës së Papës me aksion dhe në kohë rekord u pastrua sheshi “Nënë Tereza” madje edhe u la fasada e korpusit të Universitetit të Tiranës. Punë vërtet kolosale dhe e paqme, mirëpo çdo kush mund të pyeste: A do të ishte më mirë sikur kryet e Tiranës ta lajmë në radhë të parë për vete? Ta lajmë, sepse, sikurse edhe njerëzit, qytetet duhet të jenë të pastër për vete e pastaj për të tjerët. E parë sipas kësaj përvoje, me siguri do të rezultojë që për “kokën” e larë sërish të Tiranës duhet të presim ndonjë vizitë tjetër historike, përndryshe nuk kemi ndonjë gjë në vijë, makinat do të vazhdojnë të zhbëjnë atë që u arrit me mund dhe me metodën në këtë rast të suksesshme të aksionit.

Thuajse e njëjta gjë, por në përmasa më të vogla, është bërë zakon të nisë sapo ndihet në ajër, që po afrohet behari, pra stina turistike. Në këtë rast, sikurse e zumë me gojë edhe ca më lart, vendi u ngjan atyre amvisave të dikurshme, që në fund të çdo viti, në çdo prag të Vitit të Ri, përmbysnin krejt shtëpinë dhe, me metodën e aksionit shqepnin dyshekë, lanin qilima, ndërronin perde, kruanin pllaka, me një fjalë e shndërronin shtëpinë në një shesh të vogël aksioni, praktikisht të pabanueshme për ndoca ditë. Sekreti i këtij “aksioni” shtëpiak ishte në një zakon të vjetër. Asokohe ishte zakon që, qysh në orët e para të mëngjesit, t’i trokisje tjetrit për t’i uruar mbarësi për Vitin e Ri. Madje, kishte edhe një lloj gare se kush e kush trokiste më parë në derën e fqinjit. Kështu që amvisat ishin të detyruara që të kryenin aksionin e vitit të ri sipas parullës “do të na vijnë njerëz, është turp të na shohin kështu”. Me një fjalë, sikur të mos ishte ai zakoni bezdisës i trokitjes që pa gdhirë më 1 janar, shumë amvisa mund të kishin gëzuar më shumë në fundvit bashkë me njerëzit e shtëpisë.

Metoda e aksionit, kjo e kohëve moderne në të cilat po jetojmë, ka plot të mira, sidomos propagandistike. Me aksion, qëllimi arrihet më shpejt dhe është më i dukshëm. Kohëzgjatja mes premtimit dhe përmbushjes së tij është fare e shkurtër, mirëpo aksioni ka të bëjë me dy anë, ose me entuziazmin e tepruar, për ata të cilët besojnë vërtet në të, ose bezdinë, për ata që e bëjnë këtë punë të shtrënguar se s’kanë ç’të bëjnë tjetër. Të dyja anët, si entuziazmi, si bezdia nuk janë ndjenja që krijojnë siguri. Të dyja nuk kanë lidhje me qëndrueshmërinë e një shteti. Aksioni i shkon për shtat vetëm policisë në operativitetin e saj. Pjesa tjetër e shtetit duhet ta përdorë aksionin vetëm në raste të jashtëzakonshme, sikurse ishte vizita e Papës. Por nëse aksioni shndërrohet në metodë të përditshme pune, sikurse po ndodh përditë me INUK, atëherë do të shohim vërtet disa ndryshime, por assesi atë shtetin për të cilin kemi ëndërruar, pra atë strukturë që punon në heshtje, me këmbëngulje, sistematikisht me gjak të ftohtë, përditë, çdo orë e çdo minutë. Dhe, më keq akoma, nëse aksioni fiton ndaj sistematizmit, në vend të reformave të shumëpërfolura, do të kemi vetëm fushata kohëshkurtra propagandistike dhe aq.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama